EKONOMI

Rritet besimi në ekonomi, por konsumatorët mbeten skeptikë

16:29 - 08.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Besimi në ekonomi rritet në pjesën më të madhe të sektorëve në ekonomi, por konsumatorët mbeten skeptikë. Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për “Besimin e Biznesit dhe Konsumatorit” reflekton se treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rri me 3.2 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019. “TNE-ja shënoi vlerën 109.0, duke mbetur mbi mesataren e saj afatgjatë. Përmirësimi i besimit në sektorët e industrisë së shërbimeve dhe tregtisë ndikoi nivelin e treguesit të ndjesisë ekonomike në kahun rritës. Ndërkohë, besimi në sektorin e ndërtimit dhe besimi konsumator rezultuan me rënie në tremujorin në analizë”, thuhet në publikimin e Bankës së Shqipërisë. Industria mbetet sektori me optimist në tremujorin e tretë. Treguesi i besimit u rrit me 7.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Dinamika pozitive e zhvendosi TBI-në rreth 11.4 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i besimit pasqyroi rritje në dy prej komponentëve përbërës të treguesit, përkatësisht balancës së prodhimit, me 15.4 pikë përqindje dhe balancës së kontratave porositëse, me 8.9 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse, gjendja e inventarëve e ndikoi ecurinë e TBI-së lehtësisht në kahun rënës. Përmirësim shënuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si kontratat porositëse nga eksportet, gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, balanca e pritjeve mbi ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënuan rënie. Me gjithë rënien e lehtë tremujore me 1.0 pikë përqindje, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth mesatares 75.6%. Kjo normë qëndron 0.6 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 2.9 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.




Konsumatorët
Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra lehtësisht me 0.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar pothuajse pranë mesatares historike të tij. Kjo ecuri e TBK-së i atribuohet kryesisht rënies së balancës së blerjeve të mëdha (-6.5 pikë përqindje) dhe në një masë më të vogël pakësimit të balancës së të ardhurave dhe shpenzimeve (-0.4 pikë përqindje). Ndërkohë, dy balancat e tjera përbërëse të treguesit, situata financiare e pritur e familjes dhe situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend shënuan rritje me përkatësisht 2.5 dhe 1.1 pikë përqindje, duke e ndikuar ecurinë e TBK-së në kahun rritës”, vlerëson BSH.

Ndërtimi
“Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 4.6 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar lehtësisht nën mesataren historike të tij. Niveli më i ulët i treguesit pasqyroi rënien e balancave formuese të TBN-së, aktivitetit ndërtues me 6.3 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 3.0 pikë përqindje. Në kahun rënës rezultoi edhe ecuria e balancave të tjera të treguesit, si gjendja financiare, pritjet për punësimin në të ardhmen dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 4.1 pikë përqindje kundrejt tremujorit të mëparshëm, duke qëndruar rreth mesatares 62.2%. Me gjithë nivelin e saj mbi normën e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve për tremujorin në analizë rezulton1.7 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.

Shërbimet
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) shënoi rritje me 3.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë dhe mbetet mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i TBSH-së i atribuohet kryesisht rritjes së balancës së kërkesës me 5.6 pikë përqindje dhe në një masë më të vogël, rritjes së balancës së ecurisë së biznesit me 1.9 pikë përqindje. Të përmirësuara rezultuan edhe balancat e tjera të vrojtimit si punësimi dhe gjendja financiare. Ndërkohë, balancat e pritjeve për kërkesën dhe pritje vepër punësimin në tremujorin e ardhshëm shfaqën një ecurinë kahun rënës. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth mesatares 78.0%, pothuajse në të njëjtin nivel të një tremujori më parë. Kjo normë rezulton 2.1 pikë përqindje mbi vlerën e shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 1.9 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Tregtia
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit me 1.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Megjithatë, TBT-ja mbetet nën mesataren historike të saj me 3.8 pikë përqindje. Të dyja balancat formuese të treguesit shënuan rritje, përkatësisht me 2.2 pikë përqindje balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm dhe me 0.8 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit. Rritje shënuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare dhe punësimi në tremujorin në analizë. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultuan në nivele më të ulëta krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në terma vjetorë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rritje me 0.7 pikë përqindje. Megjithatë, niveli i saj rreth mesatares 71.9% mbetet 3.8 pikë përqindje nën mesataren historike të normës së shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.