Ekonomi

Zonat bregdetare, më problematiket edhe në shtator

12:38 - 08.10.19 Gazeta Shqiptare

Tatimet njoftojnë se plani operacional “Stop Informalitetit” vijon zbatimin e tij. Sipas të dhënave të raportuara nga Administrata Tatimore, gjatë muajit shtator, strukturat e monitorimit në terren kanë kryer 1,905 kontrolle, nga të cilat janë konstatuar 574 shkelje të legjislacionit tatimor. Referuar njoftimit zyrtar, 110 tatimpagues janë penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë). Për gjithë periudhën 4 korrik-30 shtator janë 587 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), nga të cilët 336 janë subjekte nga sektori i bar-restoranteve. Zona bregdetare shënon edhe numrin më të lartë të rasteve të konstatuara me shkelje. Më konkretisht: Durrësi 77 subjekte, Vlora 46, Saranda 40 dhe Tirana me 44 raste. Referuar njoftimit zyrtar, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve tha se vetëdeklarimi korrekt dhe përmbushja e detyrimeve ligjore nuk duhet të burojë nga presioni, por ndërgjegjësimi se kjo është rruga e vetme. Ajo u bëri thirrje të gjitha subjekteve të respektojnë dhe të përmbushin vullnetarisht detyrimet që lindin nga legjislacioni në fuqi.



Kontrolli i karburanteve
Ka përfunduar kontrolli për regjimin automatik në të gjitha pikat e karburantit në vend. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë përmbyllën inspektimin e subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve në të gjithë vendin, për të certifikuar regjimin e tyre automatik. Në zbatim të planit operacional “Stop Informalitetit”, përgjatë muajve gusht dhe shtator u realizua kontrolli dhe vendosja e regjimit automatik në të 1,117 subjektet, që tregtojnë hidrokarbure dhe gaz të lëngshëm në të gjithë Shqipërinë. Në të gjitha këto subjekte janë vendosur 2,176 regjime automatike të instrumenteve matës, ligjërisht të kontrolluar, ndërsa u konstatuan 15 shkelje të legjislacionit tatimor. “Kemi mbuluar me kontrolle të gjithë territorin e vendit, duke siguruar që pompat të jenë në regjim automatik, duke certifikuar me plumbçe secilën prej tyre”, – tha drejtoresha e përgjithshme e DPT, znj.Delina Ibrahimaj, ndërsa ndoqi nga afër njërin prej inspektimeve në Tiranë dhe siguroi se kontrollet do të vazhdojnë në bashkëpunim edhe me DPM, për të monitoruar respektimin e ligjit edhe te subjektet që janë konsumatorë të mëdhenj të karburantit. Ky proces i certifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve është në vazhdën e planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit gusht dhe shtator u fokusua te karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “Pa kupon s’ka karburant”, për të 1,117 operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë, deri te më të vegjlit. DPT do të vijojë kontrollin në subjektet, që janë konsumatorët më të mëdhenj të karburantit për të garantuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre, si edhe rikontroll në subjektet e certifikuara tashmë ligjërisht në regjim manual. DPT fton subjektet të vetëdeklarohen në përmbushje, ndërsa respektimi i ligjit mbetet detyrim për të gjithë.

Bilanci

Janë kryer 1.905 kontrolle, nga të cilat janë konstatuar 574 shkelje të legjislacionit tatimor.
n 110 tatimpagues janë penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë).
Për të gjithë periudhën 4 korrik-30 shtator janë:
n 587 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), nga të cilët 336 janë subjekte nga sektori i bar- restoranteve. Zona bregdetare shënon edhe numrin më të lartë të rasteve të konstatuara me shkelje.
Më konkretisht: Durrësi 77 subjekte, Vlora 46, Saranda 40 dhe Tirana me 44 raste.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *