EKONOMI

Banka Botërore ul në 2.9 për qind parashikimet për rritje ekonomike

13:20 - 09.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Banka Botërore e ka ulur ndjeshëm parashi- kimin për rritjen eko-nomike të Shqipërisë në vitin 2019. Në raportin periodik ekonomik të vjeshtës për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 2.9%, nga 3.7% që kishte qenë projeksioni i mëparshëm. Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% në tremujorin e parë dhe me 2.3% në tremujorin e dytë të këtij viti. Deficiti në sektorin energjetik vlerësohet të ketë qenë faktori me ndikimin kryesor në ngadalësimin e rritjes. Për dy vitet e ardhshme Banka Botërore parashikon një përmirësim të rritjes pranë vlerave mesatare prej 3.5%, pikë që për momentin konsiderohet si niveli potencial i rritjes së ekonomisë shqiptare.




Zhvillimet kryesore
Pas forcimit në 4.1 për qind në 2018-ën, ritmi vjetor i rritjes ekonomike për vitin 2019 parashikohet të ngadalësohet në 2.9 për qind. Një pakësim drastik i reshjeve në gjysmën e parë të vitit (H1) përgjysmoi prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe ngadalësoi ritmin e rritjes së PBB-së me më shumë se gjysmë pikë përqindjeje (pp). Shërbimet dhe ndërtimi dhanë kontributin kryesor pozitiv në rritjen ekonomike. Me gjithë tensionet politike në rritje, kërkesa e brendshme u forcua. Eksportet neto patën një kontribut negativ me 0.4 pikë përqindjeje në normën e rritjes, pasi stanjacioni i rritjes ekonomike në vendet partnere tregtare tkurri eksportet e mallrave tradicionale dhe njëkohësisht u zvogëlua edhe eksporti i energjisë elektrike. Përmirësimi i punësimit, rritja e pagave dhe kredisë konsumatore nxiti konsumin privat, i cili kontribuoi pozitivisht me 2.1 pp në rritjen e PBB-së. Ndërkohë, përmirësimi i kushteve të kreditimit dhe shpenzimet qeveritare në infrastrukturë rritën investimet, duke kontribuar me 0.5 pp në normën e rritjes ekonomike. Në H2, me zbutjen e tronditjes në prodhimin e energjisë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet.

Pavarësisht ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike, krijimi i vendeve të punës u forcua dhe papunësia pësoi ulje. Pas një ngadalësimi të lehtë në tremujorin e parë 2019, ritmi i rritjes së vendeve të punës u përshpejtua në 3.4 për qind në tremujorin e dytë. Vendet e reja të punës u krijuan në sektorin e shërbimeve dhe në bujqësi. Në fund të tremujorit të dytë, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës u rrit me 1.24 pikë përqindje nga viti në vit (v-m-v), por hendeku midis shkallës së pjesëmarrjes së meshkujve dhe femrave në forcën e punës vijon të jetë i lartë. Në tremujorin e dytë, papunësia arriti një nivel të ri të ulët historik prej 11.5 për qind. Pagat reale u rritën mesatarisht me 3.4 për qind, kryesisht në sektorin e shërbimeve (tregti, transport dhe turizëm). Goditjet e sektorit të energjisë elektrike dhe rënia e kërkesës së huaj ekspozuan rreziqet e ambientit të jashtëm për Shqipërinë. Deficiti i llogarisë rrjedhëse (CAD) është shumë i ndjeshëm ndaj çmimeve të mallrave dhe sasisë së reshjeve, e cila ndikon ndjeshëm prodhimin e energjisë elektrike. Kështu, CAD pritet të zgjerohet nga 6.7 për qind e PBB-së në 2018 në 7 për qind. Investimet e huaja direkte (IHD) priten të mbeten të pandryshuara me përfundimin e fazës së investimeve të projekteve të mëdha në transmetimin e energjisë dhe gazit. Që prej vitit 2016, rezervat e këmbimit valutor kanë qenë të qëndrueshme dhe mjaftueshme për të mbuluar ekuivalentin e më shumë se gjashtë muajve të importeve të mallrave dhe shërbimeve. Rezervat e mëdha ndihmojnë në zbutjen e rreziqeve të krijuara nga borxhi i lartë i jashtëm, i cili parashikohet të arrijë në 65.7 për qind të PBB-së në vitin 2019.

Perspektiva
Ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të ngadalësohet në rreth 3.5 për qind në periudhën 2020-’21, pasi dinamizmi i rritur ekonomik gradualisht po ngushton hendekun e prodhimit. Rritja ekonomike do të varet gjithnjë e më shumë nga rritja e të ardhurave nga faktori punë të cilat nxisin konsumin privat. Në periudhë afatshkurtër, rikthimi i bilancit të energjisë elektrike në nivele më normale do të lehtësojë bilancin tregtar dhe eksportet neto. Përtej periudhës afatshkurtër, trendet pozitive të kohëve të fundit të eksporteve shqiptare që rrjedhin nga zgjerimi i tregjeve do të jenë më të moderuara, duke reflektuar stanjacionin e ritmeve të rritjes së ekonomisë botërore. Rritja ekonomike do të ndikohet pozitivisht edhe nga investimet, të stimuluara nga projektet publike dhe investimet private, por ky efekt pozitiv varet nga vijimi i progresit në reformat strukturore, psh., në sistemin e drejtësisë dhe sektorin financiar. Me rritjen e ekonomisë dhe rikuperimin e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, trendet afatgjata pritet të rrisin inflacionin afër mesatares së tij historike në gjysmën e dytë të vitit 2021. Deri në vitin 2021 deficiti fiskal pritet të bjerë në 1.7 për qind të PBB-së. Politika fiskale për periudhën afatmesme ka përcaktuar që konsolidimi fiskal të vijojë deri në vitin 2022 dhe kjo pritet të gjenerojë kursime të shpenzimeve për paga, mallra dhe shërbime dhe transfertat për përfituesit e sigurimeve shoqërore dhe qeveritë lokale. Shpenzimet kapitale për infrastrukturën janë planifikuar të jenë 4.8 për qind e PBB-së. Gjithashtu, konsolidimi gradual fiskal i kombinuar me rritjen e vazhdueshme ekonomike parashikohet të ulë raportin e borxhit ndaj PBB-së në 60 për qind pas vitit 2022.

SHQIPËRIA

Ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të ngadalësohet në 2.9 për qind në vitin 2019, për shkak të reduktimit të prodhimit të energjisë elektrike nga reshjet e pakta.
Tregu i punës vijoi të përmirësohet dhe papunësia arriti një nivel të ri të ulët historik prej 11.5 për qind në qershor 2019.
Mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndihmuan në reduktimin e borxhit publik, por rreziqet e shpenzimeve jashtë bilancit psh., nga Partneritetet Publike-Private, janë në rritje.
E mbështetur nga kërkesa e brendshme, rritja ekonomike pritet të forcohet në rreth 3.5 për qind në periudhë afatmesme.
Konsolidimi fiskal, përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve publike dhe reformat strukturore janë thelbësore për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të barabartë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.