KULTURË

KINEMAJA NËN DIKTATURË/ Andrea: Ka trajtime joreale, Shanaj: Recetat, si dhuna e diktatorit

11:30 - 09.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Mundësitë krijuese të artistëve nën sistemin totalitar, koha e ndalesës, censura që ndiqej nga autocensura, jeta e krijimi nën shtypje, komisionet e një kohe, rrekjet për të gjetur shtigje lirire, për të përdorur simbolika që kundërshtonin sistemin në tranzicion, u zëvendësuan me pamundësi, mungesë fondesh, mungesë kujdesi e interesimi, mungesë dëshire, duke sjellë edhe ‘rënien’ e prodhimit e cilësisë, e njëherit edhe mungesën e kontrollit. Në vend të censurën tani erdhi pamundësia, çka përbënte një censurë të re, atë ekonomike. Shpesh, edhe për faktin se filmi duke qenë nuk kontrollohej, nuk shprehte vullnetin e më të pushtetshme dhe as nuk përfaqësonte a të përcillte interesat e tyre filmi që ishte ‘mbreti’ i artit me të cilin bëheshin për vete masat u kthye në një “mall pa zot”. Tranzicioni solli pak filma, pak vëmendje dhe për shumë kohë sytë mbeten ende pas nga e kaluara, ku çdo vit, publiku shihte 14 prodhime. 30 vite më pas, ende pesha e së kaluarës në kinema është me e fuqishme se pesha e së sotmes, edhe se sot, mundësitë e argëtimit janë disa, çka ka bërë që ekrani i madh, ta humbë fuqinë e dikurshme. Në një kohë që është krijuar përshtypja se nuk ka filma shqiptarë, ja ku vjen një ndalesë që rreket të ndërtojë një diskurs mbi të sotmen.
Diskutimi i hapur “Puna e kineastëve dhe artistëve të huaj dhe shqiptarë gjatë periudhës tranzitore” i mbajtur dje në Tiranë ka rihapur edhe një herë raportin e shoqërisë shqiptare me kinemanë e diktaturës. Në të morën pjesë Daniel Vergú (filozof që ka bërë studime për artet dhe historinë në sisteme të ndryshme) & kineasti Mevlan Shanaj nën moderimin e aktores Ema Andrea.




Sipas Shanajt janë për t’u përgëzuar komuniteti i kineastëve, që e ruajtën me sforco traditën e kinemasë shqiptare pas viteve ’90. “Nga një kinema që ishte nën ombrellën e shtetit, një ditë prej dite u ndodh në këtë shkretëtirë. Them se kinemaja sot duhet që të tregojë personalitet, të tregojë bëmat e shoqërisë edhe të skalisë karaktere, sepse kinemaja është domosdoshmëri, është histori edhe memorie edhe pse sot është si e gjithë shoqëria shqiptare, me gropa edhe me probleme”, u shpreh Shanaj duke shtuar se për temat sociale që trajton e ka zili kinemanë spanjolle.
Ambasadori i Spanjës në vendin tonë, Vicente Canelles Montero, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që ka kapërcyer një nga diktaturat komuniste më të egra të Europës Lindore, kujtoi se Spanja doli nga një regjim diktatorial rreth 15 vjet përpara Shqipërisë. Ndërkaq, historiani i artit Verdú përfundon vërejti se në Spanjë, filmat që u krijuan gjatë kohës së Frankos, sot janë si një kanun i kinematografisë dhe mund të shihen ende në televizionet spanjolle. Sipas tij, asnjë lloj censure nuk mund të jetë pozitive, për sa i përket kinematografisë.

(Pjesë nga diskutimi)
MEVLAN SHANAJ
Pati një shprehje me Mao ce Duni. Ai thoshte “le të lulëzojnë 100 lule”. Kanë lulëzuar por janë barishte. Janë shumë por janë barishte. Nuk lënë gjurmë dhe një nga cilësitë për artin është jetëgjatësia. Nëse një vepër e komunizmit, ka ende personalitet duhet ta shohim e të gjykojmë. Ne nuk duhet ta ndalojmë.

EMA ANDREA
A duhet ne dhe cili duhet të jetë qëndrimi i kinemasë sot? Sepse nga përvoja, figura historike, të trajtuara në një mënyrë të caktuar nga kinemaja, vijnë në memorien kolektive jo me vërtetësi. Njeriu i ri, morali, roli i gruas, shumë gjëra e fenomene sociale e raporte të shoqërisë vijnë nga kjo kinema jo reale. Pa cenuar lirinë e krijuesit. Prandaj u nis biseda me frazën që arti është shumë i fortë. Atë që historia nuk e bën, politika e shumë të tjerë nuk e bëjnë dot, do shumë kohë. Në mendësi, në mentalitet dhe në kujtesën kolektive që është shumë e rëndësishme, në rastin e Shqipërisë, kinemaja dhe arti kanë pasur një forcë të jashtëzakonshme e për mua në disa raste e vetëdijshme që të ndryshojë të vërtetën, për disa politike e historike që i kanë interesuar pushtetit dhe modeli shoqëror. A kemi nevojë ne për një çelës, për të pasur një komunikim të asaj kinemaje sot, që të jetë i një syri më të lirë? A mund ta bëjë kinemaja e sotme një krijimtari të re? Nuk e di a mundet, nuk jam fare e sigurt që mundet të krijojë një diçka të re. Por, impakti i asaj krijimtarie për figurat historike ka qenë shumë i fortë dhe ndoshta jo i duhuri. Si figura e Qazim Mulletit të cilit i njoh edhe familjen.

MEVLAN SHANAJ
Duke zbërthyer këtë ide madhore, nuk mund të diskutohet në krijimtari dhe të jepen receta. Nëse dikush guxon dhe jep receta në krijimtari, do të thotë se është më i dhunshëm se sa një diktator. Krijimtaria është një gjë personale dhe ka fatin e madh që njeriu të përzgjedhë ashtu si përcakton shijen e tij në ushqim përcakton edhe përgatitjen e tij kulturore.

(Ndërhyn Ema Andrea, nuk kuptohet. Vazhdon Shanaj)
Nuk po flasim për diktaturë po flasim për zgjedhje ndaj një krijimtarie artistike. një i lirë, është koha që përcakton vlerën, a është e pranueshme a nuk është e pranueshme. Koha e përzgjedh. Krijimi i mendësive të komanduara, krijimi i përgatitjes së opinioneve për të penguar a qëndruar është më i dëmshëm se diktatura. Të mos guxojnë njeri, me liritë e brendshme që ka individi që janë më të mëdha se ato të grupit, të mos guxojë, t’i kanalizojë njeriu shijen. Është deformimi më i madh që i bëhet natyrës njerëzore. Unë jo vetëm nuk e pranoj këtë ide që është hedhur, këto janë ide për projekte, e bëjnë për marrë projekte me para: nuk ka sot në Shqipëri komandë që thotë se ky film duhet shfaqur dhe ky film jo. Janë të lirë, por ta menaxhojë shteti dhe t’i japi një drejtim të caktuar, që në këtë kinema do të vini e do të shikoni këtë figurë të kontestuar ose jo, atëherë do të ishte problem i shoqërisë. Shoqëria le të zgjedhë, çfarë i pëlqen e çfarë jo.
(Ndërhyn Ema, për raportin me historinë. Vijon Shanaj)
Kinemaja nuk korrigjon kinemanë, Ema. Kinemaja i shërben procesit të brendshëm të njeriut. Kinemaja është histori.

EMA ANDREA

Ndoshta nxitoj për të nxjerrë përfundim nga fjalët tuaja, por kinemaja shqiptare në tranzicion është në krizë?

MEVLAN SHANAJ
Shoqëria shqiptarë përjeton një krizë. Më vjen keq që janë shumë cilësi të shoqërisë që serviren si virtyt.

Ema Andrea
Nuk është e lehtë të hapësh një temë të tillë. Besoj se do të duheshin orë dhe më speficike, për art- diktaturë, art-shoqëri, art-tranzicion dhe përpjekjet e kineastëve e artistëve me mungesën e infrastrukturës që të bëjnë artin. Egoja personale e artistit nxiten nga shembuj interesantë.

MEVLAN SHANAJ
(pas pyetjeve u ndal edhe te mënyra si funksionon sot, Qendra Kombëtare e Kinematografisë) Bordi me tre të huaj të huaj e dy shqiptarë është një model që nuk ekziston në asnjë vend të botës. Si mund të vijnë tre të huaj e t’i japin udhë kinemasë shqiptare? Është e papranueshme, nuk ka asnjë model të tillë. A e kuptoni se një i huaj nuk mundet që të vijë e të delegojë mendimin se ku duhet të shkojë krijimtaria shqiptare? Është një zgjedhje, jo për mua si individ, por si shoqatë “Lumiere”. E kemi thënë dhe e kemi si objekt për ta zgjidhur si problem, e jo për tu dorëzuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.