KULTURË

Natasha Lako: Unë s’kam njohur censurën, skandaloze që kemi një film në 3 vjet

12:31 - 09.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Skenaristja Natasha Lako(edhe poete) u ndal në përvojën e saj gjatë kohës së funksionimit të kinostudios “Shqipëria e re”. Duke lënë mënjanë ideologjinë që përcillej, Si skenariste që ka punuar para viteve 1990, ajo foli për atë që ndjen dhe ka parë vetë ajo.




“E rëndësishme është që kur diskutojmë për problemet e kinemasë, nga dëshira për të kuptuar botën e brendshme shpirtërore të njeriut sot, që është një fushë e pamatë dhe e pafundme, nuk do të thotë që edhe atëherë nuk u pa kjo. Patjetër që krijuesit edhe atëherë janë përpjekur të shpalosin diçka nga bota e njeriut. Tani si skenariste, nuk mund të flas në pozitat e drejtuesve të Kinostudios sepse ata mund të dinë direktivat dhe çfarë ju vinte dhe forma si i vinte direktiva a si aprovoheshin direktivat. Unë si krijuese mund të them se asnjëherë mua personalisht mua nuk më është imponuar ndonjë direktivë. Mund të ketë ndodhur, por jo mua”- tha Lako. Kujtoi se e ka filluar punën si skenariste me sukses me “Mësonjëtoren”. “Nuk mund të them se më ka thënë njeri që ‘ti do të shkruash ‘Mësonjëtoren’. Është një temë që ishte e befasishme dhe shtysë e brendshme. Dhe nuk mund të them që nuk ka pasur krijues të tjerë që kanë punuar me shtysat e tyre të brendshme. Se kjo është të mohosh energjitë e shpirtin njerëzor e ta na bësh të tërëve sikur jemi kope”,-tha Lako. Në bisedën e saj me gazetarët, ajo përmendi rastin e Nasho Jorgaqit, që ka bërë filmin “Tomka dhe shokët e tij”. “Edhe sot ka një sukses të madh në botë sepse është ideja e fëmijëve që në formë loje, rezistojnë kundër një putre të tmerrshme të nazizmit”, vërejti Lako, duke u ndalur te ideja që përcillet ende sot nga filmi, ku janë vënë përballë pafajësia e fëmijëve dhe nazizmi. Kjo është temë universale, nënvizoi ajo dhe jo vetëm e nazizmit, por e çdo dhune totalitariste.

SHKRIMTARË NË KINEMA
Në vijim të përvojave personale Lako kujtoi se Kinostudio ka pasur disa shkrimtarë. Kujtoi librin “Energjia filmike” ku ajo shpjegon që si Hollivudi i viteve 1930- afroi shkrimtarë, edhe në “Kinostudio” ka pasur një grup shumë të mirë shkrimtarësh duke përmendur Vath Koreshin, Kiço Blushin, Bashkim Hoxhën. “Ka pasur edhe një grup të mirë skenaristësh që vazhdojnë edhe sot e kjo tregon se kanë pasur shtysat e tyre. Sigurisht që censura ka qenë. Çfarë të censurohej të ‘Mësonjëtorja’? Unë për temën e ditës nuk flas dot se nuk kam punuar me autocensurë, sepse nuk e kam trajtuar. Duhet të flasë secili për krijimtarinë e tij. Unë s’mund të flas për veprën skematike”, tha skenaristja e filmit, Natasha Lako. Pa mohuar që ka pasur kontroll, madje duke nënvizuar se ka pasur deri edhe masakrime filmash. “Mbaj mend në filmin ‘Gjeneral Gramafoni’ fundi për shembull është xhiruar për së dyti. Fatkeqësia është se nuk janë ruajtur skenat e para. I hidhte montazhieri si gjëra pa vlerë, sepse nganjëherë sistemi të dukej aq i patundshëm sa dukej sikur s’do vinte dita e lirisë”, tha Lako. Ajo përmendi edhe se kur qëllonte që drejtoi i Kinostudios ishte ndonjë liberal dhe vinte komisioni për të parë filmin, drejtori në momentet që filmi mund të ishte problematik i mbante me muhabet anëtarët e komisioneve, që t’i hutonte derisa të kalonin skenat që mund të paraqisnin rrezik.
“Që të mos e shihnin mirë filmin. Pra, një betejë e thellë e brendshme e çdo krijuesi ekzistonte”- tha ajo.

AUTOCENSURË E
DISIDENCË
E pyetur nëse artistët që qenë përballur njëherë me censurën, herë të tjera më pas, prekeshin nga autocensura, Lako tha se autocensura ishte patjetër. Edhe në poezi. “Të thuash që në diktaturë nuk kishte autocensurë, është çmenduri se në fund të fundit, në Shqipëri s’ka pasur ndonjë ‘grup’ të hapur disidentësh. Ka pasur përpjekje me frazat e simbolet. Nuk mund të flas për veten time, por për shembull komedia ‘Pas vdekjes’ e Kujtim Çashkut, nëse e sheh me vëmendje, te mënyra si është trajtuar mund ta quash disidente sot. Fatkeqësia jonë është se nuk kemi grup kritikësh që të zbulojnë sot me dashuri ato detaje”,-u shpreh skaneristja e filmave e shqiptarë. Sipas saj, ne i shohim në bllok gjërat. “Kritika ka shumë gjëra për të zbuluar. Imazhi ka një gjë: sa do të flasësh e të ndërhysh ti në imazh, ai është shumë i pavarur. Sado i ngarkuar ideologjikisht të ishte, imazhi ishte më objektiv”, tha Lako. E pyetur për kinemanë sot, ajo nuk sheh probleme të mëdha te skenari. “Nuk besoj se është problem skenari. Para disa ditësh pashë filmin e një të riu, Papas. Një skenar i thjesht, njerëzor, pa ndonjë përmasë të madhe por e keqja është se nëse prodhon një film të gjatë në tri vjet, nuk ke kompeticion. Nëse nuk ka prodhim, nuk ka as konkurs mes artistësh. Është shumë pak të bësh një film në tri vjet, është skandaloze që Shqipëria të mos ketë të paktën 2 filma në vit. Kjo do të sillte zhvillim”, tha ajo. Për të, në fund të fundit, pa sasi nuk vjen cilësia. Sipas saj, perceptimi se kinemaja e par 1990-ës ishte më e mirë vjen edhe për shkak se dikur ka pasur shumë prodhim. “E mbyt akoma filmin e sotëm që ka pak prodhim. Por të kishim më shumë sot, do ishte mbytur ajo kohë, duke qenë se s’kemi sot, e mbyt e shkuara prodhimin e sotëm”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.