AKTUALITET

Projektligji, “shkrihet” ISHSH, kompetencat e inspektimit i kalojnë AKU

15:07 - 09.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas forcimit të dënimeve penale për të gjithë ata që abuzojnë me sigurinë e produkteve ushqimore, qeveria ka ndërmarrë një tjetër nismë që kërkon të risë efikasitetin e institucioneve shtetërore që kontrollojnë dhe inspektojnë gjithë zinxhiri ushqimor. Ekzekutivi ka hedhur për konsultim publik draftin për disa ndryshime në ligjin “Për ushqimin” ku ndër të tjera parashikohet që kompetenca e kontrollit të sigurisë ushqimore t’i hiqet Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror (ISHSH) dhe t’i kalojë plotësisht për të gjitha rastet Autoritetit të Kontrollit Ushqimor (AKU). Nisma synon forcimin e kapaciteteve të AKU-së për kontrollet nëpërmjet zgjerimit të bazës së kontrollit për operatorët e bizneseve ushqimore duke përfshirë edhe biznese që inspektohen nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Kalimi i kompetencës së inspektimit nga ISHSH tek AKU sipas relacionit të projektligjit forcon më tej sigurinë ushqimore dhe ul barrën e inspektimit nga 2 organe inspektimi për të njëjtat kategori biznesesh.




“Ky projektligj, ka për objektiv të sigurojë bazën për të garantuar që çdo hallkë e zinxhirit ushqimor të jetë shumë e fortë për të arritur synimin që shëndeti i konsumatorit të jetë plotësisht i mbrojtur. Ky objektiv është i vlefshëm pavarësisht nga fakti nëse ushqimet prodhohen në Shqipëri apo importohen nga vende të tjera”, – thuhet në relacion. Parashikohet që rreth 15,000 biznese ose më shumë se 60% e bizneseve të listuara në regjistrin e ISHSH t’i kalojnë për inspektim vetëm AKU-se (eliminohen inspektimet e dyfishta). Ky ndryshim do të shoqërohet gjithashtu edhe me një reformë të vërtetë në trupën e inspektorëve që ekzistojnë aktualisht në këto dy institucione. AKU ka aktualisht 260 inspektorë, ndërsa ISHSH rreth 220 inspektorë. Kalimi i kompetencave për inspektimin e 60% të bizneseve nga ISHSH tek AKU, parashikohet që të shoqërohet kështu edhe me kalimin e 120 inspektorë të ISHSH tek AKU. Shkrirja e funksioneve midis AKU-së dhe ISHSH-së, do të sjellë edhe ndryshimin në marrëdhënieve të punësimit të AKU-së duke kaluar në një sistem më dinamik dhe më eficient të rregulluar nga Kodi i Punës, në mënyrë të njëjtë si rregullohen edhe marrëdhëniet e punës të ISHSH.

Procedurat e organizimit dhe funksionimit të AKU-së do të specifikohen më tej me akte nënligjore. Nisur nga konsultimet dhe kërkesa e shoqatave përfaqësuese të biznesit vendas, konkretisht të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar dhe Albanian Food Industry, që shqyrtimi i ankesave për masat administrative të marra nga inspektorët e AKU-së të shqyrtohen nga një strukturë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke aplikuar për analogji një sistem të provuar në apelimin tatimor në Ministrinë e Financave, projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm ankimimi të masave administrative. Rregullimet e bëra me anë të këtij projektligji synojnë, gjithashtu, të mundësojnë plotësimin e legjislacionit në fushën e sigurisë ushqimore, sipas kërkesave që rrjedhin nga përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, si dhe lehtësimin e procedurave të punësimit të stafit të AKU-së, të cilat do sjellin pasoja të drejtpërdrejta pozitive në forcimin e kontrollit zyrtar dhe rritjen e sigurisë ushqimore në vend.

Projektligji

Neni 3
Përjashtime nga zbatimi i sistemit të vetëkontrollit bëhen për prodhuesit e produkteve tradicionale, prodhuesit e sasive të vogla të produkteve primare që furnizojnë direkt konsumatorin e fundit ose operatorë biznesi të prodhimit dhe shitjes me pakicë direkt tek konsumatori i fundit, nëse institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, pas kontrollit të ushtruar, konfirmon se garantohet arritja e një niveli të pranueshëm higjienik, sipas praktikave të mira të prodhimit. Sasia e prodhimit dhe shitjes, rrezja e tregtimit, kushtet dhe kriteret e miratimit të operatorëve të biznesit që përjashtohen nga zbatimi i sistemit të vetëkontrollit, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 4
“Shpenzimet për kontrollin zyrtar, marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave laboratorike përballohen nga importuesi.”
Neni 6
Tarifat për pajisjen me dokumentin që vërteton sigurinë e ushqimeve, marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre si dhe të kryerjes së kontrollit zyrtar në pikat e inspektimit kufitar miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për financat.
Me përjashtim të rasteve të rregulluara me ligje të veçanta, llojet dhe normat e lejueshme lidhur me mbetjet e pesticideve dhe medikamenteve veterinare në ushqime, me përdorimin dhe pastërtinë e aditivëve ushqimorë, materialet në kontakt me ushqimin, kontaminuesit ushqimorë, enzimat, ushqimet për fëmijë, ekstraktet tretëse, ushqimet për përdorim me vlera ushqimore të caktuara, ushqimet me ngrirje të shpejtë, rrezatimet jonizuese, ujërat minerale, substancat pastruese si dhe çdo substancë që destinohet të bëhet pjesë e ushqimit apo të jetë në kontakt me të, kërkesat thelbësore që duhet të përmbushin produkte të veçanta ushqimore, rregullat specifike të etiketimit për ushqime të veçanta si dhe sëmundjet e transmetuara nga ushqimet, rregullat higjienike, sistemi i kontrollit në tregun e brendshëm, rregullat specifike për produktet ushqimore me origjinë shtazore, certifikimi i sistemit TRACES, miratohen me udhëzime të Ministrit.”.
Neni 8
“10. Marrëdhëniet e punësimit të punonjësve dhe inspektorëve të institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës.”.
Neni 9
Procedura e kundërvajtjes administrative
1. Inspektori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit shqyrton shkeljet, sipas këtij ligji, dhe merr vendim përfundimtar aty për aty. Vendimi përfundimtar është pjesë e procesverbalit dhe mbahet në vendin e inspektimit dhe i njoftohet, pa vonesë, subjektit të inspektimit. Nëse përfundimi i procesverbalit, përfshirë vendimin përfundimtar, në vendin e inspektimit nuk është i mundur, ai përfundohet në zyrat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe njoftohet brenda 5 ditëve nga data e përfundimit të inspektimit.
2. Kur institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë kërkon ndihmë, për shkak të zbatimit të detyrës së ngarkuar me ligj, ajo mbështetet nga Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera shtetërore të doganave dhe tatimeve.
3. Vendimi për kundravajtjet administrative, që parashikon dënimin me gjobë, përbën titull ekzekutiv. Pranë institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë krijohet një strukturë e posaçme që ngarkohet për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutiv. Organizimi dhe funksionimi i kësaj strukture përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Deri në krijimin e strukturës pranë nstitucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutiv, ekzekutimi i masave administrative bëhet në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.
5. Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative bëhet në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative dhe inspektimin.
6. Të ardhurat nga vjelja e gjobave derdhen në Buxhetin e Shtetit. Mënyra e shpërndarjes së tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
n Neni 10
1. Për shqyrtimin e ankesave për masat administrative të marra nga inspektorët e institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, gjatë kryerjes së një inspektimi me vlerë të përgjithshme mbi 300.000 lekë, në Ministri, ngrihet Komisioni për Shqyrtimin e Masave Administrative, në përbërje të të cilit janë 5 anëtarë, tre përfaqësues të Ministrisë dhe 2 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
2. Procedurat e funksionimit të Komisionit të Shqyrtimit të Masave Administrative, përfshirë përbërjen, kryesimin, sekretariatin, ndryshimin e anëtarëve dhe masën e shpërblimit të tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.