Kryesore

Vendimi i qeverisë: Ndihma ekonomike, kush e ka të drejtën e përfitimit

15:12 - 09.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sipas vendimit të hyrë në fuqi, miratuar nga qeveria shqiptare, shtetasit shqiptarë që plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e kërkuar, kanë të drejtën e përfitimit të ndihmës ekonomike. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot kategoritë që do të kenë të drejtën e marrjes së kësaj pagese si dhe masën e paracaktuar. Respektivisht këtë ndihmë do ta përfitojnë: familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme; jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore; prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë; viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre; si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore. “Ndihma ekonomike për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë për një periudhë jo më shumë se 5 (pesë) vjet. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike nuk aplikohet për: a) familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune; b) familjet me kryefamiljare gra, me të paktën një fëmijë që ndjek arsimin bazë”,-theksohet në vendim.




Dokumentacioni
Sipas vendimit, për familjet në nevojë, kryetari i familjes/njëri nga anëtarët madhorë, së bashku me bashkëshortin/en ose i vetëm kur nuk ka bashkëshort/e, duhet të dorëzojë: kopjen e kartës së identitetit të aplikantëve; si dhe certifikatën e pronësisë apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende. Sakaq, për rastet që janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, dokumentacioni i përcaktuar duhet të paraqitet i ndarë nga secili bashkëshort. Krahas këtij dokumentacioni paraqitet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese. Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara, që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar, krahas dokumentacionit të përcaktuar duhet të paraqesin edhe kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. “Për fëmijët e familjeve në nevojë, që ndjekin arsimin bazë, paraqesin edhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës të lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor, për të përfituar pagesën shtesë. Për fëmijët e familjeve në nevojë që vaksinohen, paraqesin edhe fotokopje nga libri i shëndetit të fëmijës për vaksinën e kryer, sipas kalendarit të detyrueshëm për grupmoshat e fëmijëve, për të përfituar pagesën shtesë. Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, krahas dokumentacionit të përcaktuar, paraqesin edhe vërtetimin e lëshuar nga institucioni arsimor, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar një herë brenda një viti shkollor”,-thuhet në vendim.

Në këtë të fundit bëhet me dije se jetimët, të cilët nuk janë në institucione të përkujdesjes shoqërore, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në bashkinë/njësinë administrative: kopjen e kartës së identitetit; kopjen e noterizuar për statusin e jetimit. Ndërsa jetimët që ndjekin arsimin bazë, do të paraqesin edhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës, të lëshuar nga shkolla, i cili paraqitet 2 herë brenda vitit akademik, për të përfituar pagesën shtesë. Sakaq, jetimët që vaksinohen do të paraqesin edhe fotokopje nga libri i shëndetit të fëmijës për vaksinën e kryer, sipas kalendarit të detyrueshëm për grupmoshat e fëmijëve për të përfituar pagesën shtesë. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, plotësojnë dokumentacionin që duhet të përfshijë edhe vlerësimin e situatës social-ekonomike. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, paraqesin: kopjen e kartës së identitetit; vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, paraqesin: kopjen e kartës së identitetit; urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.

Rastet e përjashtuara nga ndihma ekonomike:

Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtëmujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
b) Nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi;
c) Refuzon verifikimin e situatës socialekonomike në familje;
ç) Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë;
d) Nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës social-ekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi, dhe të anëtarëve të familjes, të cilët janë persona me aftësi të kufizuara, invalidë pune ose të moshuar, të cilët janë në pamundësi lëvizjeje;
dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
e) Kanë anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve të familjeve që zotërojnë tokë bujqësore në pronësi/përdorim dhe banojnë në fshat;
ë) Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.
Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë njëvjeçare familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
b) Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit;
c) Ka kryer më shumë se një deklarim të rremë;
ç) Ato familje, të cilat rezultojnë me të ardhura dhe kushte të mira social-ekonomike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.