AKTUALITET

AMF: Brenda muajit, udhëzimi për sigurimin e ndërtimeve

18:00 - 10.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka shtyrë afatin për deklarimin e të dhënave për banesat deri në 30 tetor. Ndërkohë, janë thjeshtuar edhe procedurat për deklarimin e sipërfaqes, e cila është subjekt i taksës.




Dokumentet
Të gjithë qytetarët që kanë një kontratë të kategorisë familjare me UKT, për të bërë vetëdeklarimin ‘online’ apo edhe pranë pikave të UKT u nevojiten disa dokumentacione. Me këto dokumente qytetarët mund të plotësojnë formularin me informacionet që u kërkohen. Pra, çdo qytetar duhet të posedojë: kartën e identitetit, certifikatën e pronësisë me kartelën e pasurisë/kontratë shitblerjeje, dhurimi ose shkëmbimi, akt privatizimi apo vetëdeklarimi të ALUIZNI-t, rivlerësim të fundit të pasurisë, nëse ka; librezën e ujit apo një faturë UKT. Për çdo problem apo paqartësi mund të klikoni mbi linkun “Ankesë/Kërkesë”, i cili shfaqet në momentin që hyni në platformë.

Llogaritja
Sipas udhëzimeve të UKT-së, llogaritja e taksës së banesës do të bëhet në bazë të vlerës së ndërtesës, shumëzuar me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj për kategorinë e ndërtesave për banim, që është 0.05%. Pra për një apartament me sipërfaqe 70m², shumëzuar me çmimin vlerësues 60.000lekë/m² shumëzuar me 0.05%, taksa vjetore që duhet paguar llogaritet 2 100 lekë, ku për çdo muaj vlera që duhet paguar është 175 lekë. Në lidhje më këtë, UKT sqaron se menjëherë do të nisin verifikime në terren. Për ato raste kur një banese nuk i përcaktohet sipërfaqja, përllogaritja do të bëhet sipas vlerës referuese. “Për të gjitha deklarimet e bëra do të nisin verifikimet në terren, ku do të kryhen edhe korrektime në regjistrin e bazës së të dhënave. Në rast se vlera e vetëdeklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim të vlerësuar, të përcaktuar në metodologjinë e miratuar me VKM nr.132, datë 07.03.2018, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë. Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë njofton se për banesat që nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja, do të aplikohen vlerat referuese. Për ndërtesat e ndërtuara pas vitit 1993 do të vlerësohen me 100 m2, ndërsa për ndërtesat e ndërtuara para këtij viti do të vlerësohen me 70 m2”, thuhet në njoftimin e UKT. Taksa do të aplikohet edhe për garazhet, bodrumet dhe për çdo ndërtesë tjetër, mbi apo nën tokë, që përdoren për qëllime banimi.

Grupet që taksohen
Taksapagues është çdo individ, person fizik ose juridik, vendës ose i huaj, pronar apo përdorues i pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave. Detyrimin për pagimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” e kanë, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, zhvilluesit që nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.