KULTURË

Kur artistët prisnin gati me valixhen e burgut në dorë

12:45 - 10.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Dhe ndoshta ky ishte triumfi final i tyre mbi të: në vend që ta vrisnin, ata e lejuan të jetonte, e duke e lejuar të jetonte, ata e kishin vrarë”.
Ndërsa bota po shkon drejt luftës së saj të dytë, në përplasjen e madhe mes dy ekstremeve të së majtës e së djathtës, në Rusinë e largët, çdo mbrëmje, një burrë, kompozitor në zë, baba e bashkëshort ndjek të njëjtin ritual: merr në dorë valixhen ku ka shtënë cigare, të brendshme e pastë dhëmbësh dhe zbret para ashensorit duke pritur të merret. Romani i Julian Barnes “Zhurma e kohës” përkthyer në shqip nga Gjergj Erebara sjell një “biografi” të letrarizuar të kompozitorit Dimitri Shostakoviç. Nga fëmijëria e hershme ku nis frika ndaj duarve që të kapnin, ai rritet dhe jeton nën frikën e kapjes, derisa frika nuk është më krejt hipotetike, por bëhet kaq e afërt dhe e prekshme, sa ngjitja e shkallëve të Shtëpisë së Madhe, prej ku pak ktheheshin. Jeta dhe karriera e një artisti nën diktaturë (me dritëhijet e presionet) vjen i rrëfyer ëmbëlsisht dhimbshëm duke e përçuar gjithë peshën e shtypjes së një sistemi në dy mënyra të ndryshme. Tmerri ndjehet pa e parë gjakun, trupat e pajetë dhe shifrat e të vdekurve – ai është aty dhe si një hije e madhe, ti e ndjen faqe pas faqeje, vit pas viti në jetën e Shostakoviçit.




Nga zhdukja e miqve dhe të afërmve që kanë përfunduar të pushkatuar e deri të burri që ecën në një makinë ruse, ka dekada të tëra. Është një editorial në Pravda, imazhi i gjeneralit të mbytur në djersë, vizita te Shtëpia e Madhe, veprat e ndaluara, vitet e vetmisë, leksionet mbi marksizmin, mandej një rikthim në skenë, telefonata e Stalinit, vizita në SHBA dhe një burrë që e përndjek në çdo pritke me një gotë në dorë…
Vjen një ditë kur Shostakoviç ‘thyhet’; një fjalim që mban nënshkrimin e tij kryqëzon Stravinksin (idhullin e tij), në gazetat e mëdha, nën firmën e tij dalin shkrime, ku kritikohen kolegë dhe i është dhënë pothuaj me zor, një post drejtues që e refuzon duke përmendur deri edhe një “parti që vret”. Maksimi, i biri, e sheh Shostakoviçin të qajë dy herë në jetë: kur i vdes nëna dhe kur anëtarësohet në parti.

Ndërkaq, Barnes ka një qasje shumë interesante të mënyrës se si shihej BRSS dhe vetë lindja nga “humanitarët perëndimorë, që mbërrinin në lindje për tu thënë që jetonin në parajsë. Me fjalë të tjera, ata deshën gjakun tënd. Ata deshën martirë për të provuar sa i keq ishte regjimi”. Ishte një kohë kur ndërtuesit e socializmit thoshin që “nëse ti pret dru, ashklat fluturojnë”, ndonëse e gjithë turra e druve qe kthyer në ashkla.
Vetë kompozitori e dinte, se po të shkonte drejt vdekjes, emri i tij do të ishte pjesë e ndonjë komploti, ndaj mendoi se duke qenë gjallë, do të mund të luante pak rol në jetën e tij. një bisedë me përkthyesin e veprës, Gjergj Erebara, zbulon këndvështrime të tjera të romanit, deri edhe krahasime të jetëve staliniste në BRSS dhe në Shqipëri, madje deri edhe tek krahasimet e asaj që Ahmatova e aaunte “pushteti vegjetarian”.
Për Erebarën, një pushtet pa limite i një apo disa kryeministrave njëri pas tjetrit, i cili është në gjendje të të bëjë njëmijë e një të zeza, por nuk është në gjendje të të vrasë; pushteti mund të të blejë lirë pafuqinë tënde ekonomike, mund të të shantazhojë, mund të të heqë mjetet e jetesës, mund të shpifë ndaj teje duke përdorur të gjithë artilerinë e propagandës së vet. “Artistët që po protestojnë për Teatrin Kombëtar u përballën pak a shumë me të njëjtën menu diktature vegjetariane, nga presionet te shpifjet, vetëm e vetëm se kanë mendim ndryshe” thotë përkthyesi Gjergj Erebara.

Më poshtë, një bisedë që nis nga një artist për të përfshirë jetët e të tjerëve në kohë e pushtete të ndryshme, ku edhe format e presionit janë të ndryshme.
– Një kompozitor që ka shënuar sukses në Bashkimin Sovjetik stalinist, e gjen veten para një ashensori me një valixhe në dorë e tri paketa “Kazbek” duke pritur “të merret”. Ai nuk e di nëse pushteti do të vijë të marrë, por ai e pret dhe e pret para ashensorit. Duket se jeta e ardhshme e Dimitri Shostakoviç përcaktohet nga ato net pritjeje. A e kishte marrë ‘tashmë’ pushteti?

Historinë e artistit të përgatitur me valixhe gati për burg e kam dëgjuar edhe këtu në Shqipëri. Artistët ishin njëkohësisht afër dhe larg pushtetit. Arti i tyre ishte art, por i shërbente dhe paguhej nga pushteti për propagandë. Por e veçanta ishte se nën tirani, nuk është kurrë e mundshme të parashikohet se kur arti do të konsiderohet me vlera dhe do të promovohet, apo pa vlera, e aq më keq, armiqësor. Për këtë arsye, artistët, të cilët përjetonin shumë më tepër tmerrin e tiranisë se sa popullsia e gjerë, në disa raste patën krijuar vesin e valixhes së burgut. Kjo ishte edhe një farë lloj rezistence. Artisti e kishte valixhen gati për hatër të artit.

– Gjithë lufta e tij nis nga një ‘editorial’ në Pravda, ku opera e fundit, “Ledi Makbethi i Mtsenkskit” cilësohet një lëmsh muzikor, e njëjta gazetë ku dikur shkruhej për suksesin e veprës. A gjeni ju paralele mes destinit të Shostakoviçit dhe artistëve shqiptarë? Ndërsa përkthenit, sa i keni vënë në peshore, dy ‘stalinizmat’?
Krahasimi i stalinizmit sovjetik dhe atij shqiptar është një histori që pak a shumë e dimë, por ajo që më bëri më shumë përshtypje nga romani i Barnes ishte përballja e artistit me diktaturën jovrasëse të Hrushovit. Siç e quajti Ahmatova, “pushteti vegjetarian”. Kjo është shumë më e ngjashme me kohën në të cilën ne jetojmë sot këtu në Shqipëri. Një pushtet pa limite i një apo disa kryeministrave njëri pas tjetrit, i cili është në gjendje të të bëjë njëmijë e një të zeza, por nuk është në gjendje të të vrasë. Pushteti mund të të blejë lirë pafuqinë tënde ekonomike, mund të të shantazhojë, mund të të heqë mjetet e jetesës, mund të shpifë ndaj teje duke përdorur të gjithë artilerinë e propagandës së vet. Barnes e quan këtë njëfarëlloj vrasjeje figurative, duke të zhytur zarzavate në grykë deri sa artisti bëhet gjuhëlidhur përballë pushtetit.

Artistët që po protestojnë për Teatrin Kombëtar u përballën pak a shumë me të njëjtën menu diktature vegjetariane, nga presionet te shpifjet, vetëm e vetëm se kanë mendim ndryshe. Dhe pafuqia ekonomike e artistit, i cili nuk është i pasur dhe varet, në fund të fundit, nga rroga shtetërore për të jetuar, duket se është ajo që ka shtyrë shumë artistë në Shqipërinë e sotme që të heshtin në mënyrë veçanërisht aktive si dhe ka shtyrë disa të tjerë që të mbështesin koncesionin e qeverisë në mënyrë jashtëzakonisht shumë pasive. Dhe teknikat e presionit, dhunës dhe propagandës, dizinformimit dhe shpifjeve të pushtetit nuk dallojnë fare nga ato të Rusisë sovjetike.
Ah, një element shtesë, fenomeni i listave të artistëve që mbështesin pushtetin, ne i kemi parë këto lista në Shqipëri në mbështetje të Ramiz Alisë, të Sali Berishës dhe së fundmi, të Edi Ramës. Historia përsërit vetveten si bufoneri.

– Ka një pyetësor me të cilin vihet përballë kompozitori, teksa gjendet në Shtëpinë e Madhe. Përtej ngjashmërisë së sistemeve në zbulimin e grupeve armiqësore, sa përthyheshin e tkurreshin personalitetet e artistëve para këtyre pyetësorëve? Sa e keni ndjerë ju këtë te vetë Shostakoviçi, në vijimin e romanit?
Barnes nuk merr përsipër të gjykojë njerëzit që u përballën me tiraninë, me frikën e vdekjes, me frikën për jetën e vet dhe të familjes së vet. Por ai merr përsipër të gjykojë intelektualët perëndimorë, lista e atyre shkrimtarëve dhe artistëve që nuk e patën problem të vetëdeklaroheshin komunistë, e madje disa e përdornin këtë vetëm për snobizëm ndërsa shijonin kapitalizmin, paratë e bollshme të suksesit të tyre personal dhe të mirat tokësore të lirisë. Ai gjykon akoma më shumë ata që justifikonin tiraninë e Stalinit me argumente boshe.

Gjergj Erebara, perkthyes i librit Dimitri Shostakoviç Zhurma e kohës nga Julian Barnes
<
>

“Shou ishte më i neveritshmi”, shkruan Barnes në emër të Shostakoviçit duke iu referuar dramaturgut britanik George Bernard Shaw, pasi ky i fundit vizitoi Rusinë e Stalinit dhe deklaroi se aty nuk kishte uri dhe se populli po përjetonte njëfarëlloj parajse në tokë.
Këtu qëndron edhe forca morale e romanit. Ne nuk bëjmë mirë të gjykojmë artistët se janë përthyer përballë pushtetit, por ne bëjmë mirë të gjykojmë pushtetin për mungesën e lirisë së artistit dhe të qytetarëve në përgjithësi.

– Në fakt, sa mund të qëndrojë i pathyer një kompozitor, qoftë ky edhe në zë, kur njerëzit rreth tij nisin të zhduken, të dërgohen në kampe ose në ekzekutim? Kur jetonte në një sistem ku çdo natë qindra burra presin të merren nga krevatet e tyre, të çohen ne Shtëpinë e Madhe, të firmosin nën tortura akuza të fabrikuara e të vdesin me një plumb në kokë?
Kjo ishte çudia e Shostakoviçit. Ai nuk arriti të mbijetojë vetëm si njeri fizik, por para së gjithash, si artist. Është shumë e çuditshme të besohet se si një njeri që ka parë portën e ferrit është në gjendje që të kthehet, brenda një kohe të shkurtër, të kompozojë, një lloj arti që kërkon një fuqi të tmerrshme mendore.

– Shostakoviçi, dikur njeri i lirë, qoftë edhe kundër vullnetit të së ëmës, sa më shumë ‘rritet’, bëhet i njohur dhe i suksesshëm, e humb lirinë e tij, prej se, nëse Cezari kërkonte vetëm atë që i takonte, cezarët e rinj kërkonin 100% të asaj që ti vleje, e nëse ishte e mundur edhe më shumë. Nëse ne e konceptojmë jetën si rendje të ndërgjegjshme drejt lirisë, a na dëshmon ky roman dhe qindra rastet që nuk janë në romane, se sistemet na marrin lirinë natyrale për të na vënë të jetojmë në liri hibride?
Ky është një nga problemet kryesore të historisë së Shqipërisë. Vuajtjet e kohës së komunizmit janë treguar nga një numër intelektualësh, ndërsa popullsia e gjerë në përgjithësi mungon. “Zhurma e Kohës” është në fund të fundit, një roman, jo një histori. Por jashtë këtij romani, ne të tjerët duhet të ngremë pyetjen se sa vëmendje i kemi kushtuar realisht studimit të metodave të ushtrimit të diktaturës? Historia nuk përsëritet, por ne mund të mësojmë prej saj. Dhe nëse nuk mësojmë, ka gjasa që do të vijojmë të vuajmë. Format e diktaturës janë të ndryshme. Ndërsa ne mund të jemi goxha të sigurt se diktatura e llojit stalinian është me pak gjasa të na kthehet, kjo na shtyn ne drejt të moskuptuarit se çfarë është liria dhe çfarë demokracia. Në një përkufizim që kam dëgjuar kohët e fundit, demokracia është liria nga mungesa e frikës. Nëse ke frikë jo vetëm për jetën, por edhe për mirëqenien, për vendin e punës, për punën tënde apo të familjarëve të tu, kjo sugjeron se nuk je duke jetuar në demokraci.

– Në fund, kur kryen së lexuari këtë libër, të duket sikur, i kemi gjykuar tepër ata që ia dolën të mbijetojnë në komunizëm, ata që u anëtarësuan në parti, ata që mbajtën poste, ata që kritikuan kolegët për devijim nga realizmi socialist a ‘fryma revolucionare’. A i kemi gjykuar në fakt?
Është e vështirë të ndash se ku mbaron veprimi për shkak të shtrëngimit nga diktatura dhe ku fillon dëshira për karrierë apo për jetë komode në kurriz të të tjerëve. Edhe në vetë rastin e Shostakoviçit, kjo është një çështje shumë turbulluese. Ndërsa Barnes na jep ne mundësinë të krijojmë simpati për kompozitorin, do të na duhet të bëjmë pak përpjekje për ta vënë veten, në fjala vjen, në rolin e Pastërnakut, ndaj të cilit u derdh i gjithë vreri i propagandës së aparatçkëve, të cilët nuk lanë llaf pa thënë dhe në fund, ia vunë përpara diritambat e tyre kompozitorit për t’i firmosur. Ajo çfarë vuajmë ne sot është mungesa e drejtësisë tranzicionale, mungesa e ndëshkimit të dhunuesve nën diktaturë. Kjo mungesë dënimi na bën të mos kuptojmë se të njëjtat metoda dhune vijojnë të ekzistojnë me bollëk në të ashtuquajturën “Shqipëri Demokratike”.
Nëse ne vetëm i gjykojmë bashkëpunëtorët e tiranisë, nuk bëjmë ndonjë gjë ndryshe nga sa bënte vetë tirania. Çdo përballje me të shkuarën duhet t’i nënshtrohet parimeve të shtetit të sundimit të ligjit, procedurës korrekte gjyqësore. Me pak fjalë, gjyqi popullor ishte mënyra se si diktatura në Shqipëri funksiononte. Gjykimi ynë duhet të jetë krejt i kundërt.
Më shumë se sa gjykimi, diskutimi që ne duhet të shtrojmë është a kemi këta njerëz të diktaturës sot në pozicione pushteti? Çfarë po bëjnë ata sot në kushtet e jodiktaturës? Për fat të keq duket se mungesa e sundimit të ligjit dhe ushtrimi informal i pushtetit përmes deputetëve të zonave dhe jo përmes institucioneve shtetërore nuk e bën Shqipërinë e sotme shumë të ndryshme nga Shqipëria e kohës së komunizmit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.