OPINION

Kadare midis Kosovës dhe Nobelit

07:53 - 13.10.19 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur filloi shpërbërja e federatës Jugosllave, angazhimi i Kadaresë për çështjen e Kosovës u rrit në maksimum. Shkrimtari e kuptonte se për Kosovën po vinte ora kur do të vendosej fati i saj. Kadareja, ashtu si të gjithë e kishte kuptuar se Kosova mund të shpëtonte nga zgjedha serbe vetëm nga një ndërhyrje e trupave të NATO-s. Shkrimtari e dinte se në një ndërhyrje të tillë rolin kryesor do ta kishte Amerika, por ai e kuptonte se pa pjesëmarrjen e vendeve evropiane të NATO-s, kjo ndërhyrje do të ishte e pamundur. Veçanërisht i rëndësishëm ishte qëndrimi i Francës në një rast të tillë. Midis vendeve të Evropës Perëndimore, Franca ishte vendi më i lidhur me Serbinë. Duke qenë një fuqi e madhe ushtarake, roli i Francës në këtë ndërhyrje do të ishte vendimtar. Shkurt, nuk mund të kishte ndërhyrje të NATO-s për të shpëtuar Kosovën, pa pjesëmarrjen e Francës. Në qoftë se Franca rrinte mënjanë, kështu do të bënin edhe pjesa më e madhe e vendeve të Evropës, që ishin anëtare të NATO-s.




Por, edhe në qoftë se një qeveri franceze do të kishte prirje për të miratuar ndërhyrjen e mundshme të NATO-s për Kosovën dhe do të donte të merrte pjesë në të, kjo nuk mund të bëhej nëse kjo qeveri nuk gëzonte mbështetjen e një pjese të mirë të opinionit publik francez. Prandaj Kadareja iu vu punës që në fillim të viteve nëntëdhjetë për të krijuar tek opinioni francez idenë e nevojës së një ndërhyrjeje perëndimore për të shpëtuar Kosovën. Për këtë mund të përmenden shumë intervista të Kadaresë në shtyp, televizion, por një gjë e veçantë që ia vlen të përmendet është parathënia e tij për librin e Ibrahim Rugovës.

Në atë kohë, Kosova nuk zinte veçse fare pak vend në mediat franceze dhe ato ndërkombëtare në përgjithësi. Për aq sa opinioni publik në Francë dhe në vendet e tjera perëndimore kishte njohuri për Kosovën, ai njihte variantin serb mbi Kosovën, se Serbia dhe aleatët e saj në Perëndim kishin punuar prej shumë dekadash për të përpunuar opinionin publik me të vërtetën e saj për Kosovën. Shqiptarët nuk kishin pasur akses në mediat perëndimore për të thënë të vërtetën e tyre. Tani e gjithë kjo mangësi duhej kapërcyer me disa veprime të shpejta. Duhej që publikut perëndimor t’i jepeshin disa tekste të shkurtra të shkruara me zgjuarsi, ku ai të njihej me të vërtetën shqiptare për Kosovën. Një nga këto tekste është parathënia e Kadaresë për librin e Ibrahim Rugovës “Çështja e Kosovës”, që u botua në Francë, në 1994. Ky libër do të ishte prezantimi i Rugovës për publikun francez. Kadareja e dinte se amerikanët kishin investuar shumë te Rugova dhe donin ta bënin këtë politikan me pamje të brishtë prej intelektuali, dhe me një të shkuar prej frankofoni, çelësin për të fituar simpatinë e publikut francez për çështjen e Kosovës, për ato arsye që i kam përmendur qartë në librin tim “Ylli i Shkrimtarit”. Por në atë kohë, Rugova ishte i panjohur për publikun e gjerë në Francë, ndonëse dikur kishte studiuar atje. Libri i Rugovës mund të kalonte pa jehonë në qoftë se nuk i bëhej një prezantim nga një njeri i njohur për publikun francez. Këtë rol e mori përsipër Kadareja, i cili shkroi parathënien e librit. Në fakt, parathënia e shkruar nga Kadareja është një studim i gjatë për çështjen e Kosovës, që përbën në vetvete një libër të koncentruar.

Këtu në mënyrë telegrafike, Kadareja e njeh publikun francez me gjendjen aktuale në Kosovë. Shkrimtari me mençuri kërkon t’i ngjallë publikut francez dhe atij perëndimor ndjenjën e fajit për Kosovën. Ai paralajmëron kundër qëndrimit prej struci të Perëndimit ndaj Kosovës, duke thënë se kasaphana do të nisë një ditë në qoftë se shtetet perëndimore nuk angazhohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kadareja e ka studiuar mirë publikun francez dhe atë perëndimor në përgjithësi dhe e di shumë mirë se si duhet prekur ai, që t’i bësh përshtypje me ato që thua. Me aftësitë e shquara prej shkrimtari, Kadareja përdor figuracione të gjetura për t’i ngjallur lexuesit perëndimor përfytyrime të sakta për atë që po ndodhte në Kosovë. Figuracioni i viktimës së mbyllur në kafaz me bishën është shumë i gjetur, për një publik të cilin televizioni e ka mësuar me imazhe. Kadareja me qëllim ia paraqet publikut francez çështjen e Kosovës si një tragjedi që po luhet para syve të tij. Ju mund të mbyllni sytë para kësaj tragjedie dhe të besoni se ajo nuk po ndodh, kërkon t’i thotë shkrimtari lexuesit, por mos harroni se ajo vazhdon të ecë atje larg në Ballkan dhe një ditë do t’u zgjojnë krismat dhe ulërimat e saj. Kadareja e di mirë se një pjesë e madhe e publikut perëndimor, duke përfshirë edhe atë francez i quan si ekzagjerime histori të tilla ballkanase dhe nuk bindet për to veçse kur ndodh gjakderdhja e madhe. Atyre perëndimorëve dhe francezëve në veçanti që mendojnë se gjëra si ato që thuhen për Kosovën nuk ka mundësi të ndodhin në realitet, Kadareja u thotë:

Kosova është një truall i madh, ku prej dhjetëra vitesh është konservuar krimi. Atje koha nuk ka lëvizur që nga lufta e dytë botërore. Masakra, shtetrrethime, bastisje, rrahje, vrasje pa gjyq, kontrolle natën, mbyllje e shkollave, shpërndarje e parlamentit krahinor, mbyllje e TV-së, e gazetave, dëbim me forcë, me zjarr, me qenë policie.

Të gjitha këto ngjajnë si të pabesueshme, të tepruara. Por duhet të shkohet atje për të parë ç’ndodh.  

Me tablonë që paraqit, Kadareja kërkon t’i thotë opinionit publik francez dhe atij evropian (të mos harrojmë se një libër në frëngjisht mund të lexohej dhe nga shumë jofrancezë), se kështu siç janë gjërat në Kosovë, edhe gjakderdhja do të vijë patjetër, prandaj e mira është që t’i dilet para asaj që tani. Shembulli i Arkanit është veçanërisht mbresëlënës për publikun perëndimor, se ai kishte dëgjuar për këtë kriminel më parë. Arkani kishte zënë vend në mediat perëndimore që në vitet shtatëdhjetë. Për këtë qëllim e ka zgjedhur Kadareja këtë shembull. Mënyra se si e përmend Kadareja Arkanin është një denoncim policor ndaj kriminelit serb, një ftesë që Kadareja u bën qeverive perëndimore që t’i kërkojnë Beogradit ekstradimin e Arkanit. Ky ishte një gjest plot kurajë nga ana e shkrimtarit, se nuk ishte kaq e thjeshtë të flisje kështu për Arkanin në atë kohë. Kadareja, në parathënien e librit të Rugovës, iu bën dhe një analizë të shpejtë, por të plotë miteve serbe për Kosovën, duke i hedhur poshtë ato si gënjeshtra. 

Asnjëherë më parë nuk ishte shkruar për Kosovën në mënyrë kaq të përmbledhur, kaq të qartë, me kaq forcë, sa në parathënien e Kadaresë për librin e Rugovës. Një nga shërbimet e mëdha që Kadareja i bëri Kosovës në këtë parathënie ishte prezantimi i liderit të ri të Kosovës, Ibrahim Rugova, si një lider i llojit të ri në Ballkan, një politikan i tipit gandist. Kadareja e dinte mirë se prezantimi i Rugovës me një imazh të tillë do të ishte një shërbim shumë i madh për Kosovën. Rugova si lider pacifist i jepte Kosovës një imazh humanist perëndimor, në kontrast me imazhin e Serbisë, të përfaqësuar nga Millosheviçi. Duke pasur parasysh këtë gjë, Kadareja e përshkruan kështu Rugovën në parathënien e librit: Ibrahim Rugova, “kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. Presidentë të tillë, pa armë, pa zyra, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtetë, serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota diçka ka mësuar, së paku nga historia e Kosovës.

Kur lexon një tekst si parathënia e Kadaresë në librin e Rugovës, e kupton se ai është shkruar me frymëzim të madh. Vetëm një dashuri e madhe për Kosovën mund të sillte si rezultat një tekst të tillë. Tekste të tilla nuk mund të shkruhen thjesht me talentin e shkrimtarit. Kadareja e dinte mirë se me angazhimin e tij për Kosovën, ai do të paguante një çmim shumë të lartë në karrierën e tij si shkrimtar. Një pjesë e madhe e shtëpive botuese në Perëndim dhe e mediave që formonin opinionin publik të lexuesve sa u përket librave, kontrolloheshin nga njerëz liberalë, të cilët e shikonin çështjen e Kosovës si të padenjë për t’u mbrojtur nga shkrimtarët dhe intelektualët përparimtarë perëndimorë në përgjithësi dhe ata që mbronin çështje të tilla shiheshin si lakenj të amerikanëve, madje si njerëz të paguar nga CIA. Kështu që mbrojtja e çështjes së Kosovës do të kishte një kosto të lartë për shkrimtarin, një kosto për të cilën akoma nuk mund të thuhet me saktësi se sa e lartë ka qenë, por që duhet llogaritur me dhjetëra milionë kopje librash të pabotuara dhe të pashitura.

Një tjetër kosto që shkrimtari pagoi për angazhimin e tij për Kosovën ishte padyshim Çmimi Nobel. Juria e Çmimit Nobel dominohej dhe dominohet akoma edhe sot nga njerëz, të cilët nuk e kanë parë me sy të mirë që në fillim çështjen e Kosovës, të cilën e konsideronin si burim të një lufte të padrejtë nga ana e NATO-s. Këta njerëz nuk e shikonin me sy të mirë angazhimin e Kadaresë për çështjen e Kosovës. Kjo gjë nuk mund të mos ketë ndikuar në mënyrën e tyre të të votuarit.

Kadareja ka qenë i vetëdijshëm që në fillim për koston që do të paguante për angazhimin e tij për Kosovën. Ai e dinte se në qoftë se do të kishte mbajtur një qëndrim tjetër për Kosovën, më afër pozicionit të Serbisë, duke i bërë thirrje arsyes së shqiptarëve të Kosovës në emër të shmangies së gjakderdhjes, që të bënin lëshimet e nevojshme për t’u marrë vesh me Serbinë, duke pranuar ato që u ofronte ajo, atëherë ai do të fitonte miratimin e të gjithë atyre në arenën ndërkombëtare, që do ta shikonin me sy jo të mirë dhe me siguri që do ta kishte marrë Çmimin Nobel që në vitet nëntëdhjetë, ose pak më vonë. Por Kadareja nuk mund ta bënte këtë gjë, kjo thjesht për shkak të vetëdijes së tij si shqiptar, por edhe se jeta në diktaturë, aq më tepër si shkrimtar, e kishte pajisur me një ndjeshmëri të veçantë për moralin, prandaj ai nuk mund të bënte diçka kaq amorale. Kosova duhet t’i jetë veçanërisht mirënjohëse Kadaresë për këtë sakrificë të tij. Prandaj shkrimtari duhet t’i ketë ndjerë thellë akuzat që iu bënë nga Kosova, disa kohë pas çlirimit, kur ai i qortoi shqiptarët e Kosovës se po silleshin keq me minoritetet, madje përdori edhe fjalën “racizëm”. Kur shkrimtari kishte mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga dhuna serbe, ai kishte vepruar i shtyrë edhe nga humanizmi universal, përveç nga identiteti i tij si shqiptar. Vetëdija e humanizmit universal e shtynte shkrimtarin që të mbronte edhe ata që dikur i kishin dhunuar shqiptarët e Kosovës, në një situatë tjetër. Por në Kosovë pati zëra që thanë se Kadareja vepronte kështu për të marrë Çmimin Nobel. Kjo ishte një akuzë e padrejtë dhe absurde, se shkrimtari kishte sakrifikuar Nobelin për Kosovën.

Dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës i janë mirënjohës shkrimtarit për këtë, gjë që u duk edhe në pritjet që i janë bërë atij në vizitat që ka bërë në Kosovën e lirë, që nga pritja e parë madhështore në vjeshtën e vitit 1999. Por ka jo pak njerëz në Kosovë që jo vetëm nuk i janë mirënjohës shkrimtarit për këtë gjë, por kanë bërë edhe sulme perfide ndaj tij

Që Kadare i ka ndjerë thellë sulmet që i kanë ardhur nga Kosova, si dhe koston e padrejtë që pagoi ai me Nobelin e munguar, provë për këtë është romani “Aksidenti”. Në këtë roman na zbulohet drama shpirtërore që kaloi shkrimtari për shkak të angazhimit të tij për Kosovën. Në roman, te personazhi kryesor, Besfort Y., shkrimtari ka paraqitur pjesërisht vetveten, ashtu siç shfaqet ajo në kalendarin e dytë të tij, shpjegimin e Kadaresë për të cilin e kam cituar në libër. Romani “Aksidenti” është një roman i zhanrit të mistereve. Mënyra se si fillon romani, ndoshta e zhgënjen lexuesin, se i duket si një histori e rëndomtë policore (gjë që e pohon edhe vetë autori, si për t’i dalë përpara zhgënjimit të lexuesit). Por shkrimtari me mjeshtërinë e tij na shpalos faqe pas faqeje një histori ku përzihen zhanre të ndryshme të letërsisë, e veç tyre ka edhe filozofi.

I vetmi njeri nga Shqipëria për të cilin mund të thuhet se ka pasur një peshë kaq të madhe në ndërhyrjen e NATO-s për të shpëtuar Kosovën, ka qenë Ismail Kadare. Vetëm ai, me prononcimet e tij në media, me bisedat me politikanë dhe zyrtarë të lartë të institucioneve evropiane dhe të fuqive të mëdha, ka bërë atë që i vishet Besfort Y. në roman. Romani është strukturuar në mënyrë të atillë që në fillim tregohet për hetimet që u bënë pas aksidentit dhe pastaj tregohet se çfarë bënë në dyzet ditët e fundit të jetës dy personazhet kryesore që vdiqën në aksident. Që nga dita që Besfort Y. u thirr në Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës deri në ditën e vdekjes së tij. Romani shpreh atë ndjenjë që ishte midis bezdisjes dhe rrezikut që ndjente autori për shkak të reagimit që pati ndaj angazhimit të tij për Kosovën në qarqet evropiane kundër luftës së NATO-s për Kosovën. Thellë në vetvete autori e ka përjetuar këtë reagim ndaj tij si një gjyq të padrejtë ndaj tij, të ngjashëm me “gjuetinë e shtrigave” në Mesjetë. A u kënaqët tani?

Një gjë tjetër që të shtyn ta besosh këtë është se në roman thirrja e Besfort Y. në Gjykatën e Hagës përshkruhet në mënyrë të mjegullt. Ajo përmendet fillimisht si dëshirë e të tjerëve në roman – aludim i Kadaresë për dëshirën që kishin shprehur disa njerëz në Beograd si dhe në qarqet radikale evropiane që njerëzit si ai të penalizoheshin nga Gjykata e Hagës si kriminelë lufte.

Në këtë mënyrë, në roman pasqyrohen mbresat e shkrimtarit nga sulmet që i janë bërë atij për angazhimin e tij për Kosovën dhe nga gjyqi i padrejtë sekret që ai ndjente se ishte bërë ndaj tij. Gjatë tri dekadave të fundit, që prej vitit 1981, shkrimtari është sulmuar shumë për angazhimin e tij për Kosovën nga serbët dhe miqtë e tyre në Perëndim. Në çaste të caktuara, të llogaritura mirë, intelektualë dhe politikanë serbë si dhe intelektualë dhe politikanë perëndimorë kanë kërkuar që në Gjyqin e Hagës për krimet e luftës të shkojnë si kriminelë dhe ata që nxitën luftën e NATO-s kundër Serbisë në 1999, me intervista, artikuj në shtyp, libra etj. Kuptohet se një nga ata që shihej si njeriu që kishte përgjegjësi veçanërisht të madhe për atë që kishte ndodhur ishte Ismail Kadareja. Në romanin “Aksidenti”, Kadareja me trillin e shkrimtarit krijon në kohën e tij të dytë, një episod të jetës së tij, të imagjinuar, sikur forcat proserbe kanë triumfuar në Gjykatën e Hagës dhe atë e thërresin si të pandehur në këtë gjykatë.

Ai që shkrimtari e quan kalendari i dytë i tij nuk ka vetëm një kohë tjetër, por edhe një gjuhë tjetër. Në këtë gjuhë të dytë, aluduese, Kadareja na thotë më lart se ai nuk pranoi t’i nënshtrohej gjyqit sekret kafkian, që u ngrit ndaj tij dhe zgjodhi të kërkojë një rrugëdalje në mënyrën e legjendave.

Romani “Aksidenti” është një tjetër provë se sa të drejtë ka pasur bashkautori i librit “Libri i zi i komunizmit”, Stephane Courtois, kur në një intervistë me Kadarenë, bëri një interpretim interesant të një detaji të veprës së Kadaresë, në një pyetje të tij:

Në “Dimrin e vetmisë së madhe” ju përshkruani mrekullisht një ndeshje boksi të ritransmetuar në televizion. Si rrjedhim i kësaj, e kuptoj mirë krahasimin e situatës suaj pas autokritikës, me atë të boksierit të rrëzuar në ‘knock down’. Kur keni filluar të perceptoni që kishit hyrë në një ndeshje me pushtetin, fundi i së cilës nuk ishte vulosur përfundimisht nga autokritika juaj? Në çfarë momenti u shfaq te ju ideja e këtij luftimi, që kërkonte mund dhe kohë të gjatë?

Kjo betejë për të cilën flet Courtois, nga i cili meqenëse jemi këtu Kadareja ka marrë certifikatën më të mirë të disidentit që mund të ëndërrojë një shkrimtar nga një vend ish-komunist, se lufta nuk mbaroi për shkrimtarin me rënien e regjimit komunist. Të tjera pushtete, shpesh jo të dukshme, ndërkombëtare, kanë qenë kundërshtari i shkrimtarit në këtë ndeshje boksi dhe përsëri ai është gjendur në ‘knock down’, por nuk është dorëzuar.

Juria e Çmimit Nobel duhet të ketë një ndjenjë të fortë faji ndaj Kadaresë, që ky shkrimtar është ndëshkuar prej saj me pa të drejtë për shkak të angazhimit të tij për një çështje të drejtë dhe thellësisht humanitare si ajo e Kosovës. Që nga çasti që Kadareja nisi të shkruajë dhe të botojë, ai, ndërsa jetonte në diktaturë, ka parë se si Çmimin Nobel në letërsi e kanë fituar shumë shkrimtarë, të cilët duke jetuar në vende të lira, refuzuan lirinë dhe u bënë himnizues të totalitarizmit me veprën e tyre. Mes tyre kishte jo pak shkrimtarë komunistë, madje stalinistë, ku për turp sivjet u shtohet atyre dhe shkrimtari austriak Peter Hanke, një adhurues i fashizmit milosheviçian, të cilin Gjykata e Hagës e dënoi si kriminel lufte. Refuzimi i lirisë ishte një zgjedhje e tyre e lirë. Ndërsa Kadareja, i cili jetonte në diktaturë, nuk pati mundësi të zgjidhte lirisht nëse do të jetonte në liri apo në tirani. Ai refuzoi tiraninë dhe kërkoi lirinë, me aq sa ishte e mundur për një shkrimtar që jetonte në diktaturë. Akordimi i Nobelit për Kadarenë duhej me kohë të kishte  qenë një gjest emancipues për vetë jurinë e Nobelit, e cila me këtë do të çlirohej nga prangat e refuzuesve të lirisë që i ka vënë vetes, duke i nderuar ata me shumicë me çmimin e lartë.

* Teksti është marrë me përshtatje nga libri “Ylli i Shkrimtarit – Një biografi për shkrimtarin Ismail Kadare nga koha e diktaturës deri më sot” me autor Ndriçim Kulla

 

SOMARIO

Mes tyre kishte jo pak shkrimtarë komunistë, madje stalinistë, ku për turp sivjet u shtohet atyre edhe shkrimtari austriak Peter Handke,  një adhurues i fashizmit milosheviçian, të cilin Gjykata e Hagës e dënoi si kriminel lufte.

Nuk mund të kishte ndërhyrje të NATO-s për të shpëtuar Kosovën, pa pjesëmarrjen e Francës. Në qoftë se Franca rrinte mënjanë, kështu do të bënin edhe pjesa më e madhe e vendeve të Evropës, që ishin anëtarë të NATO-s.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.