SHËNDET

Migena Kika: Përse fëmijët ngatërrojnë vendet e numrave dhe shkronjave

02:00 - 14.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ngatërrimi i vendit të numrave apo shkronjave nga fëmijët është një ndër shqetësimet kryesore të prindërve, veçanërisht kur vogëlushët e tyre janë në parashkollor apo në fillim të shkollës. Por a është ky një çrregullim i të nxënit ose disleksi, apo thjesht një problematikë që do të zhduket me kalimin e moshës. Këtyre pyetjeve i është përgjigjur në mënyrë të detajuar mjekja neuropediatre, Migena Kika e cila në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, tregon të gjithë faktorët që ndikojnë në këto lloj ngatërresash nga ana e fëmijëve. Ajo shton se ndërrimi i vendeve të shkronjave, numrave apo fjalëve lidhet ngushtë me moshën mendore (konjicionin) që ka fëmija që në një pjesë të rasteve mund të jetë i ndryshëm nga mosha kronologjike e fëmijës. Kika këshillon që prindi apo mësuesi herë pas here t’i tërheqë vëmendjen që fëmija të ushtrohet e t’i shkruajë, siç duhet si në radhë ashtu dhe drejtim këto ndërrime apo ngatërrime. Sipas neuropediatres nëse problemi vazhdon pas moshës 8 vjeç fëmija duhet të vlerësohet për të përcaktuar një diagnozë të çrregullimit.




Jo pak fëmijë ngatërrojnë vendin e shkronjave apo numrave. Si mund ta kuptojë prindi nëse fëmija vuan nga disleksia?
Një nga shqetësimet kryesore të prindërve sidomos kur fëmija është në parashkollor apo në fillim të shkollës është kur ky i fundit ndërron apo ngatërron vendet e shkronjave, numrave apo fjalëve. Shpesh kjo ndodh vetëm me shkronjat, por mund të ndodhë edhe me të tria bashkë. Shqetësimi është i madh nëse prindërit lexojnë apo kanë informacion dhe pyetja që ata ngrenë me të drejtë është: Bëhet fjalë për disleksi?? Apo ka fëmija çrregullime në të nxënë? Jo gjithmonë bëhet fjalë për një çrregullim. Në pjesën më të madhe të rasteve pritet që fëmija të bëjë këtë ndërrim apo ngatërrim të shkronjave, numrave dhe fjalëve në mosha të caktuara. Dallimin e bën në këtë rast frekuenca me të cilën shfaqet, mosha e fëmijës, dhe sa kjo shtrihet në kohë.

Çfarë konsiderojmë situatë normale dhe kur duhet të shqetësohemi?
Fëmijët shpesh sjellin me vete në shtëpi detyra që kanë bërë në kopsht ose në klasë dhe në to duket që “b” është bërë “d” apo “6” është ngatërruar me 9. Nëse janë të vegjël, pjesa më e madhe e prindërve nuk shqetësohen por nëse kjo vazhdon prindërit fillojnë të shqetësohen sidomos nëse lexojnë në internet e kuptojnë se kjo mund të jetë një shenjë e një fëmije me disleksi apo çrregullim në të nxënë.

Në cilën moshë ndodhin zakonisht këto çrregullime dhe kur lind?
Ndërrimi i vendeve të shkronjave, numrave apo fjalëve lidhet ngushtë me moshën mendore (konjicionin) që ka fëmija që në një pjesë të rasteve mund të jetë i ndryshëm nga mosha kronologjike e fëmijës. Studimet tregojnë që fëmija duhet të ketë një moshë mendore (konjicioni) prej 5 e gjysmë deri 6 e gjysmë në mënyrë që të kapërcejë ndërrimin vertikal( lart-poshtë) dhe 7 e gjysmë për atë horizontal (majtas-djathtas) (Harman, 1982). Nga fundi i klasës së dytë, ndërrimi i shkronjave, numrave apo fjalëve është prezent vetëm në ata fëmijë që kanë vështirësi në lexim (Fischer, 1971). Nga mosha 9 deri 10 vjeç, fëmijët fillojnë të lokalizojnë vendndodhjen hapësinore si adultët, dhe mund të kuptojnë lidhjen midis objekteve në kënde të ndryshme (Wallace, 2001). Ndërrimi e ngatërrimi i numrave si 6 dhe 9 dhe 5 dhe 2, zakonisht ndodh rreth moshës 5 dhe 6 vjeç dhe ndërrimi dhe ngatërrimi i germave b dhe d dhe p dhe q zakonisht duhet të zhduket pas moshës 7 e gjysmë. Fëmijët më të mëdhenj duhet të jenë në gjendje të kenë konceptet e simboleve të ndryshme në kënde dhe drejtime të ndryshme pra të kenë të zhvilluar normalisht memorien hapësinore. Nëse fëmija manifeston këto ndërrime në moshat më sipër dhe nuk ka ndonjë problem tjetër zhvillimi zakonisht nuk duhet të shqetësohen, por, nëse ka dhe shqetësime të tjera në të nxënë atëherë fëmija duhet vlerësuar tek një mjek specialist.

Mund të na shpjegoni se cilat janë llojet e ndërrimeve që bëjnë fëmijët?
Ka dy lloje të ndryshme ndërrimesh të germave, numrave dhe fjalëve që fëmija mund të paraqesë. Tipi i parë përbëhet nga ndërrimi statik dhe i dyti nga ndërrimi kinetik. Ndërrime statike kemi atëherë kur fëmija është konfuz rreth orientimit të drejtë të shkronjave dhe të renditjes së shkronjave në një fjalë (direksionale). Pra në këtë rast nuk ka ndryshim të lëvizjes. Një nga mënyrat si shpjegohet kjo është teoria sipas së cilës fëmija nuk e konsideron të rëndësishme orientimin e simbolit (shkronjës, numrit). Kjo quhet shpesh edhe ngatërrimi “3D-2D.” Fëmijët përpara se të ndjekin kopshtin apo shkollën ekspozohen dhe identifikojnë objekte të cilat janë trepërmasore. Kafshët, tasat, gotat, kompjuteri, lodrat janë të gjitha trepërmasore dhe janë përsëri i njëjti object edhe kur vendosen në drejtime të ndryshme. Pra deri në momentin kur fëmija shkon në kopësht/shkollë ai rritet dhe merr informacione konjitive nga një botë trepërmasore. Kur fëmijët fillojnë kopshtin apo shkollën ata/ato përballen me simbole 2D (dypërmasore) të cilët ndryshojnë kuptim në varësi të drejtimit që vendosen apo marrin dhe kuptohet që fëmijët konfuzionohen për këtë. Pjesa më e madhe e fëmijëve e kuptojnë këtë ndryshim por mundet të mos jenë të ndërgjegjshëm për orientimin hapësinor të disa shkronjave apo numrave. Dhe në fakt kur e mendon, b dhe d dhe p dhe q janë të njëjtat shkronja por vetëm se janë të orientuara në drejtime të ndryshme.

Po ndërrimi kinetik kur ndodh?
Ndërrimi kinetik ndodh kur fëmija fillon të mësojë të shkruajë dhe ka tendence të ngatërrojë në shkrim fjalët që janë pasqyrim i njëra tjetrës si për shembull ton (njësi matëse peshe) dhe not (notoj).
Mendohet se kjo lidhet me lëvizjet e dorës së fëmijës dhe mënyrës se si zhvillon motorikën fine. Kur fëmijët janë në kopsht dhe fillojnë të përdorin lapsin për të kopjuar fillimisht vijat vertikale e horizontale dhe më pas sekuenca më të ndërlikuara ata ndjekin disa “rregulla” të caktuara. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si truri mendon të shkruajë një vijë të drejtë apo të lakuar për të formuar simbolin (shkronjën, numrin) në një copë letër. Dy rregullat e para për një fëmijë që përdor dorën e djathtë janë: fillohet në pikën më majtas të mundshme, dhe fillohet sa më sipër. Disa fëmijë tregojnë dominancë për shkronja dhe numra që ndjekin këto “rregulla” por kanë problem me ato shkronja/numra që nuk ndjekin këto rregulla për shembull shkronja d ndaj shkronjës b, dhe numri 5 ndaj numrit 2.

Po nëse fëmija ka akoma probleme me ndërrimin e vendeve të shkronjave përtej moshës 7 vjeç?
Në këtë rast ai mund të ketë probleme me procesimin vizual dhe më specifikisht një problem me diskriminimin vizual i cili mund të jetë i veçuar ose i shoqëruar me çrregullime të tjera të neurozhvillimit. Një arsye tjetër mund të jetë fakti që fëmija mund të ketë disleksi, një çrregullim në të nxënë në të cilën fëmija ka vështirësi të mëdha në lexim por edhe në shkrim dhe një nga shenjat kryesore të një fëmije që vuan nga disleksia është shkrim me ndërrime të vendeve të shkronjave apo germave. Në këtë rast fëmija duhet vlerësuar nga një mjek specialist që merret me problemet e neurozhvillimit.

Çfarë këshilloni për prindërit dhe mësuesit në këto raste?
Në pjesën më të madhe të rasteve këto problem që mund të ketë fëmija do të eliminohen me kalimin e kohës. Prindi apo mësuesi duhet që herë pas here ti tërheqë vëmendjen dhe fëmija të ushtrohet që ti shkruajë dhe pasqyrojë siç duhet si në radhë ashtu dhe drejtim këto ndërrime apo ngatërrime. Rekomandohet që nëse problemi vazhdon pas moshës 8 vjeç fëmija të vlerësohet për të përcaktuar një diagnozë të çrregullimit nëse është; si dhe të ndiqet nga një terapist okupacional për të punuar me motorikën fine, pjesën vizuale dhe uditive të fëmijës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.