MILOSAO

Rreth zhvendosjes së qytetit të Aulonës nga Kepi i Treporteve në Vlorën e sotme

18:00 - 14.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Vasil Vido – Të dhënat e para për ekzistencën e qytetit të Aulonës i hasim në librin “Gjeografia”, vepër e gjeografit, matematikanit dhe astronomit aleksandrin, Klaud Ptolemeu. Klaud Ptolemeu ishte qytetar i Perandorisë Romake, për jetën e të cilit dimë fare pak. Nuk dihet me saktësi se kur ka lindur dhe kur ka vdekur. Vëzhgimet e tij i ka kryer në Aleksandri të Egjiptit, nga viti 127 deri në vitin 151 pas Krishtit. Kjo tregon se të dhënat që na ka lënë për qytetin e Aulonës i përkasin shek. II të erës së re.
Konkretisht në kreun “Tavola Evropale” (Harta e Europës), ndërmjet të tjerave ai ka paraqitur një qytet me emrin Áulon, i cili ndodhet në hyrje të gjirit të Vlorës (shih hartën në vijim). Në kreun “Macedonia Sitis” (qytetet e Maqedonisë), ndërmjet të tjerave ai ka pasqyruar qytetin Aulon civitas navalis (Vlora, qytet bregdetar).1
Shtrojmë pyetjen: ku ndodhej qyteti i Aulonës në shek II-të erës së re: në kodrat e Treporteve apo në Vlorën e sotme? Për t’iu përgjigjur pyetjes nevojiten një varg të dhënash, porse tek K. Ptolemeu që e quan qytetin me polinomin antik Aulon civitas navalis, dallojmë një të dhënë tepër të rëndësishme: qyteti kishte fituar statusin e civitas.
Civitas-i në Perandorinë Romake ishte një qytet-shtet, por në përmasa më të vogla se polisi grek. Ai përbënte një bashkësi qytetare autonome, e cila përfshinte qytetin dhe periferinë, së bashku me fshatrat (vicus) dhe kështjellat (opidium) që ndodheshin në të2.
Qyteti romak (civitas) kishte planimetri të rregullt. Ai përbëhej nga dy rrugë kryesorë, që kryqëzoheshin përpendikularisht në qendër të tij (ato quheshin documanus dhe cardo), si dhe nga rrugë të tjera paralele me to. Në hapësirat ndërmjet rrugëve ngriheshin ndërtesa të ndryshme. Në kryqëzimin e rrugëve kryesore ishte qendra e qytetit. Këtu ndodheshin forumi (tregu), tempulli (ose bazilika), buleftiri (ndërtesa e parlamentit) etj. Gjithashtu qyteti kishte termat (banjat publike), bibliotekën, vilat e të pasurve dhe ndërtesat e qytetarëve të thjeshtë (habitat-et). Brenda murit rrethues ndodhej teatri, kurse jashtë tij ndodhej amfiteatri (në qoftë se kishte) dhe nekropoli etj.
Duke u kthyer tek Aulona, gjejmë se në kepin e Treporteve, edhe sot e kësaj dite dallohet qartë një trakt muri i nënujshëm 13, 5 m i gjatë, i ndërtuar me blloqe të mëdha paralelepipedi, karakteristikë e arkitekturës helene. Sipas arkeologut austriak K. Paç, ai i përket shek. IV-III para erës sonë.3Muri në fjalë vazhdon me gurë kuadratikë të madhësisë mesatare të pleksur me gurë të vegjël, karakteristikë e arkitekturës romake. Në çdo 10-20 m, Muri (bankina), ka të dala, të cilat mund të jenë vende për ankorimin e anijeve. Në jug të murit (bankinës), pothuajse paralel me të, shtrihet një mur tjetër. Ky, ndoshta shërbente si mur mbrojtës i portit ose, siç quhet ndryshe, valëthyesi. Brenda në det dallohen gjithashtu, rrënojat e një rruge të shtruar me pllaka, e cila shkon në qendër të luginës. Ajo mund të ketë qenë rruga kryesore e qytetit (documanus). Edhe ky është një element i infrastrukturës romake.4





Bankina e portit është rreth 700 m e gjatë. Në fund ajo merr një kthesë në këndin nëntëdhjetë gradë dhe përfundon në rrëzë të kodrave të Zvërnecit.5 Në veri të bankinës shtrihet një luginë rreth 600 m e thellë. Ajo pothuajse mbyllet nga dy kodrina, të cilat janë zgjatje të kodrës së Pllakës dhe të kodrave të Zvërnecit, përkatësisht. Me sa duket, qyteti antik i Treporteve shtrihej deri në këto kodrina, duke i përfshirë ato. Kjo tregon se ai zinte një sipërfaqe prej 7 deri 8 ha (shih skemën në vijim).

Duke u kthyer në qytetin e Vlorës, kemi disa të dhëna arkeologjike. Në qendër të qytetit të Vlorës është zbuluar një trakt muri, një kullë mbrojtëse në formë katrore dhe dy shtëpi banimi. Sipas arkeologut D. Komata, objektet e mësipërme janë pjesë e kështjellës bizantine të Aulonës dhe i përkasin shekujve III-IV, VI dhe X të erës sonë.
Siç e dëshmon trajta e murit të zbuluar, kështjella bizantine e Aulonës kishte formë rrethore ose poligonale. Rrezja e saj ishte rreth 200 m. Kjo kuptohet nga fakti se, aktualisht, në largësinë 200 m nga muri i zbuluar, ndodhet godina e ish Hotel Sazanit. Në themelet e saj janë rrënojat e kishës së shën Vllasit, e cila u shkatërrua në vitin 1968. Në afërsi të saj, edhe sot e kësaj dite ndodhet godina e braktisur e zëvendësmitropolisë së Vlorës.
Sipas fesë së krishterë, vendi i ndërtimit të një kishe konsiderohet i shenjtë. Si rrjedhim, kishat rindërtoheshin në themelet e njëra-tjetrës. Madje, edhe kishat paleokristiane ndërtoheshin në themelet e tempujve antikë. Kjo tregon se kisha e shën Vllasit duhet të ketë qenë pasardhëse e largët e kishës peshkopale të Aulonës, e cila ndodhej në mes të kështjellës bizantine. Gjurmët arkeologjike tregojnë se kjo e fundit shtrihej në trekëndëshin midis objekteve të njohura të qytetit të Vlorës: Monumenti i Pavarësisë, Posta e Vjetër, Stacioni i Trenit. Pra, gjithsej kështjella e Aulonës zinte një sipërfaqe prej 1,2 deri 1,3 ha.
Duke e krahasuar me qytetin e lashtë të Treportit, i cili zinte një hapësirë prej 8 ha, del se në Vlorën e sotme ndodhej një kështjellë bizantine ose një qytet i tipit castrum.
Si përfundim, mund të themi se qyteti për të cilin bën fjalë Klaud Ptolemeu në librin e tij Gjeografia (Aulon civitas navalis), ndodhej në kepin e Treporteve. Në shekullin II të erës sonë ai ishte një port romak.
Nga Iteneraret e pelegrinëve perëndimorë mësojmë se në shek. II-IV të erës sonë qyteti i Aulonës ndodhej në Vlorën e sotme; Kjo tregon se banorët e tij e kishin braktisur qendrën tyre të banimit në Treport dhe ishin vendosur në Vlorën e sotme. Shtrohet pyetja: cilat kanë qenë shkaqet e zhvendosjes?


Të dhëna dokumentare për këtë çështje nuk ka ose të paktën ne nuk gjetëm; prandaj do të mjaftohemi duke bënë hamendësime të arsyeshme. Për mendimin tonë, shkaku parë i zhvendosjes mund të lidhet me faktin se, në shek. III qyteti i Apolonisë e kishte humbur funksionin e pikënisjes së dytë të rrugës Egnatia, për arsye se lumi Vjosa ishte spostuar në drejtim të jugut dhe porti lumor nuk funksiononte më. Për të ndrequr këtë “gabim” të natyrës, “barra” i binte qytetit të Aulonës, sepse ndodhej afër Apolonisë më shumë se çdo qytet tjetër. Por, vendndodhja në kodrat e Treporteve e bënte të papërshtatshëm, sepse gjendej në ishull; rrjedhimisht, shtrohej nevoja që të zhvendosej në bregun përballë. Me një fjalë, të shndërrohej nga një qytet ishullor në një qytet bregdetar. Një ndryshim i tillë kërkonte që banorët e tij të largoheshin nga qendra e banimit në Treport dhe të vendoseshin në Vlorën e sotme. Ky ndoshta ka qenë shkaku i parë dhe kryesor i zhvendosjes së qytetit të Aulonës nga kepi i Treporteve në Vlorën e sotme.
Shkaku i dytë mund të ketë qenë tërmeti i fuqishëm që ra në gjirin e Vlorës në shek. II, i cili çoi në shkatërrimin e plotë të qytetit të Orikumit. Nuk ka asnjë dyshim se tërmeti i fuqishëm është ndier edhe në qytetin e Aulonës, i cili ndodhej vetëm 19 km larg Orikumit.
Orikumin e rindërtoi nga e para dhe e ripopulloi, domethënë e rithemeloi, Herod Attiku (101-177). Duke kaluar nga Sirmium (në Mitrovicën e sotme) në Athinë, ai ndaloi në Orikum, por u sëmurë rëndë dhe u detyrua të qëndronte atje nga viti 173 deri në vitin 174. Gjatë kësaj kohe rindërtoi qytetin e shkatërruar.6 Edhe pse gjetjet arkeologjike tregojnë se jeta në qytetin e Orikumit ka vazhduar, ai nuk përmendet më në dokumentet historike. Dh. Budina shkruan se veprimtaria e rimëkëmbjes së Orikumit nga Erod Attiku ishte e pasuksesshme.7 Kurse, historiani francez Paul Grainder, thekson se qyteti i Orikumit nuk u shkatërrua nga tërmeti, por ai ishte në dekadencë të plotë që në epokën e Pompeut, kur u dogj pjesa më e madhe e tij.8 Sidoqoftë, shkatërrimi i tij ndikoi në zhvendosjen e qytetit të Aulonës, sepse lindte nevoja për ta zëvendësuar. Nga ana tjetër, edhe Aulona duhet të ketë pësuar dëme të konsiderueshme. Pra, tërmeti i fuqishëm që ndodhi në shek. II të erës sonë dhe që lidhet më shkatërrimin e Orikumit, mund të jetë një shkak tjetër që ndikoi në zhvendosjen e qytetit të Aulonës, nga kepi i Treporteve në Vlorën e sotme.
Shkaku i tretë dhe i fundit i zhvendosjes së qytetit të Aulonës mund të jetë shfaqja e fiseve barbare në kufirin verior të Perandorisë Romake, në shek. II dhe III. Për përballimin e tyre, perandorët romakë morën masa për ndërtimin e kështjellave të shumta në kufi (limes) dhe në thellësi të vendit.
Sipas arkeologut D. Komata, objektet arkeologjike të zbuluara në kështjellën e Aulonës i përkasin shek. III-IV, VI dhe X. Kjo tregon se në shek. III-IV në Vlorën e sotme mund të kishte një kështjellë bregdetare (castrum navalis), e cila ndoshta ka qenë fushimi i një legjioni romak.9 Pra, banorët e Aulonës kishin një bazë për t’u strehuar dhe për t’u mbrojtur nga fiset barbare. Ajo mund të shfrytëzohej në rast se largoheshin nga vendbanimi i tyre në Treport.
Një nga shkaqet e mësipërme ose të tre së bashku, mund të kenë çuar në zhvendosjen e qytetit të Aulonës nga kepi i Treporteve në Vlorën e sotme. Siç dihet, banorët e Aulonës e pagëzuan vendbanimin e ri me të njëjtin emër (Aulon). Me sa duket, këtë e bënë për të kujtuar vendbanimin e vjetër.

Argumentet e mësipërme na shpien në konkluzione të ndryshme nga shkrimet e historianëve të shquar Jireçek dhe Ducellier. Sipas tyre, zhvendosja e qytetit të Aulonës nga kepi i Treporteve në Vlorën e sotme ka ndodhur në kohën e dyndjeve sllave. Këtë e ka pohuar A. Ducellier kur shkruan: “Ne me Jireçekun pranojmë se zhvendosja e qendrës urbane (e Aulonës – V.V.) duhet të merret në lidhje me invazionet sllave, që kanë qenë të shumta në atë rajon.”10 Më poshtë shton: “Ndoshta qyteti ndodhej ende në atë vend (kodrat e Treporteve-V.V) kur në shek. V shfaqet për herë të parë një peshkop i Aulonës (peshkopi Nazarius-V.V.), i cili kaloi më vonë nën varësinë e metropolitit të Durrësit”.11 Por, kjo pikëpamje bie ndesh me Itineraret e shek III dhe IV. Gjithashtu ajo bie ndesh edhe me gjendjen gjeomorfologjike të gjirit të Vlorës në kohën e antikitetit.
Faktikisht, në antikitetin e vonë rripat bregdetarë të Kavalonës dhe të Dajlanit, nuk ishin krijuar ende. Ato u formuan në shek. XV-XVI . Kjo tregon se kodrat e Treporteve në këtë kohë ishin ishuj. Po të ngremë hipotezën se në shek V Aulona ndodhej në kodrat e Treporteve, atëherë del se pelegrinët e ardhur nga perëndimi në shek. III- IV duhet të zbrisnin në ishull; pastaj duhet të merrnin një mjet tjetër lundrimi për të shkuar në bregun përball. Mirëpo një veprim i tillë është jashtë logjikës.
Si përfundim, mund të themi se qyteti i Aulonës u zhvendos nga kodrat e Treporteve në Vlorën e sotme, në shek. III-IV të erës sonë. Arsyeja kryesore e zhvendosjes mund të ketë qenë nevoja për t’iu afruar bregut përballë (në kontinent), me qëllim që të kryente funksionin e fillimit të degës së dytë të rrugës Egnatia. Ky konkluzion mbështet tërthorazi edhe nga fakte të tjera.
Siç dihet, në Vlorën e sotme janë zbuluar objekte arkeologjike që i përkasin periudhës së antikitetit ( para erës së re), Kështu, psh, gjatë gërmimeve të kryera për ndërtimin e kazermave ushtarake në qendër të qytetit të Vlorës në vitin 1920, ushtarët italianë gjetën një statujë të punuar me gur gëlqeror, e cila përfaqëson një vogëlushe të veshur me kostum ilir. Arkeologu italian Ugolini e pagëzoi me emrin La fanciulla di Valona (Vasha e Vlorës). Sipas Ugolinit, statuja në fjalë i përket shek IV para erës së re. Gjithashtu në Vlorë janë gjetur: një statujë e vogël prej mermeri që përfaqëson perëndeshën Artemis, një stelë e punuar me figura në të dyja anët etj.12
Meqenëse objektet e mësipërme janë të përmasave të vogla (të mbartshme), bashkohem me mendimin e arkeologut italian Ugolini, i cili thekson se ato mund t’i kenë sjellë në periudhat e mëvonshme nga qyteti i lashtë i Orikumit.
Në rast se në të ardhmen në qendër të qytetit të Vlorës zbulohet një trakt muri me gurë të mëdhenj kuadratrikë,13 atëherë duhet të pranojmë pa mëdyshje se qyteti i Aulonës është themeluar në Vlorën e sotme. Në këtë rast, trakti i zbuluar do të ishte pjesë e murit rrethues të Aulonës antike. Si rrjedhim, nuk do të kishte asnjë zhvendosje.
Për disa autorë, arkeologjia shqiptare nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit. Problemi i vendndodhjes ( themelimit) dhe i zhvendosjes së qytetit të Aulonës mbetet një çështje e hapur.

Shënime
14 K. Ptolemeu “Gjeografia”, Strasburg, bot. lat., Johanes Schott, 1513, f. 2513. Biblioteka Kombëtare e Athinës. Kordinatat që jep Ptolemeu për qytetin e Aulonës: 44 45’-39 55’, nuk janë të sakta. Kordinatat e sakta janë: 19 24’-40 30’.
2 Enciclopedia Italiana, Roma, 1937. Civitas, https://en.ëikipedia.org/ëiki/Civitas. Fjala vicus (fshat) rrjedh nga greqishtja e vjetër (gr. e vj. Ïßêïò-ikos = shtëpi). Vicus ka një shtrirje më të vogël se civitas. Ai nuk ka një organizim politik e administrativ autonom. Në kohën e Perandorisë Romake, një fshat (vicus) mund të zhvillohej deri në atë shkallë sa të merrte statusin e një qyteti autonom (civitas). Si shembull mund të përmendim qytetin e Skampës, i cili ndodhej në rrugën Egnatia. Fillimisht ai ishte një vicus në varësi të Dyrrahut, kurse më vonë (në shek. II) u shndërrua në një qendër të rëndësishme qytetare (civitas). Qendra tjetër më e afërt pas Skampës përgjatë rrugës Egnatia ishte Lihnidi (Ohri i sotëm). Ai gëzoi për një kohë të gjatë statusin e civitas. Në shek. I pas erës sonë këtu u ndërtua një teatër i tipit romak. Edhe qyteti më i madh i Kaonisë, Finiqi, ruajti për një kohë të gjatë statusin e civitas, por jo lulëzimin e dikurshëm. (Ceka, Neritan, Ilirët, Tiranë, 2001, f. 180, 183).
3 Baçe, A., Qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës në antikitet, Monumentet, 10, 1975,f.11.
4 Ugolini, Albania Antica, Roma, 1928, f. 107. Arkeologu italian Ugolini gjatë kërkimeve arkeologjike në qytetin e Treporteve dalloi fillimin e një muri të ndërtuar me blloqe në trajtë paralelopipedi dhe një rrugë të shtruar me pllaka, të mbuluara nga uji i detit. (Po aty, f. 107). Gjatë ndërtimit të një rezervuari uji në qendër të luginës së Pllakës, u zbulua një trakt rruge, i cili ishte vazhdim i rrugës kryesore të qytetit të Aulonës (documanus). Gurët u përdorën për ndërtimin e shtëpive të fshatit Vllahi. A Bace shkruan: “Nga ana tjetër, në ekstremin verior të kodrës, buzë kënetës, janë gjetur gjurmë të një rruge të shtruar me gurë… Ndërtimi u zbulua rastësisht gjatë hapjes së një grope të thellë për qëllime vaditjeje. Megjithë pengesën e ujit dhe baltës mundëm të konstatojmë dy radhë blloqesh kuadratike prej gëlqerori të punuara mjaft mirë, 3 m të gjata, të vendosura me një farë shkallëzimi ndaj njëra tjetrës, si dhe një linjë tjetër 90 gradë ndaj së parës”. (Monumentet, 10, 1975, f. 12).
5 Porti, approdi e itinerari dell’ Albania meridionale dall’Antichita al Medioevo. Il “Progeto Liburna” f. 300.http://www.assonet.org/Albania/Liburna-Volpeetal.pdf.).
6 Atti della Pontifica Accademia Romana di Archeologia, Rendikonti, vëll. i 69-të, Tipografia vaticana, 2000, f. 27. Grelle, Francesco, Canosa Romana, Roma, 1993, f. 124. Graindor, Paul, Herodot Attikus e sa famille, Le Caire, 1930, f. 149.
7 Revista Monumentet, 10, 1975, f. 16.
8 Graindor, Paul, Herodot Attikus e sa famille, Le Caire, 1930, f. 149. Historiani francez Paul Grainder e përjashton mundësinë e shkatërrimit të qytetit të Orikumit nga tërrmeti. Ai thekson se qyteti ishte në dekadencë të plotë që në epokën e Pompeut, kur u dogj pjesa më e madhe e tij. (Graindor, Paul, Herodot Attikus e sa famille, Le Caire, 1930, f. 149).
9 Në tekstin “Historia e Popullit Shqiptar” thuhet: “Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në mënyrë të veçantë gjatë shek. IV, në provincat ilire u bënë ndërtime me karakter fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë të ndryshme. Këto punime u kryen sidomos në provincat veriore, ku shërbyen për mbrojtjen e kufijve nga sulmet barbare. Edhe në provincat e brendshme dhe jugore, po për qëllime ushtarake,”u rifortifikuan shumë qytete dhe u ngritën kështjella të reja”. (Historia e Popullit Shqiptar, Tiranë, vëll. I, 2000, f. 171)
10 Ducellier, A., La facade maritime de l’Albanie au Moyen Age, Selanik, 1981, f. 37.
11 Po aty, f. 37.
12 Ugolini, L.M., L’Albania antica, vol I, Roma, 1927, f. 83-89. L.M. Ugolini shkruan: “Vasha e Vlorës është e veçantë përsa i përket veshjes. Në fakt, asaj i mungon koka. Kjo lloj veshje ishte karakteristike e vendit. Ajo mund të jetë veshja kombëtare e grave ilire. Sigurisht, gratë greke që jetonin këtu kishin veshjen e tyre kombëtare. (Po aty, f. 83-84). Për statujën e perëndeshës Artemis, arkeologu italian shkruan: “Në kopshtin e kazermës ushtarake, që ndodhet në fillim të rrugës që të çon në Port, dhe përballë kishës së vjetër bizantine, tani e transformuar në xhami, është gjetur një statujë e vogël prej mermeri e Artemisit, e lartë rreth 50 cm. Statuja është mjaft e dëmtuar, pasi i mungon koka dhe dy krahët…. Stili i ndërtimit më detyron të pranoj se kjo vepër i përket periudhës Romake të kohëve Perandorake (po aty, f. 75-76). Gjithashtu, Ugolini shkruan: “Doktor Cukali i Vlorës ruan në shtëpinë e tij një fragment kolone prej guri gëlqeror, ndoshta me prejardhje nga Pasha Limani “ (Po aty, f. 83). Emri Cukali na kujton varrin prej mermeri, që ndodhet në manastirin e Zvërnecit, i cili ruan kujtimin e të ndjerës Katerina Cukali. Katerina ishte e shoqja e mjekut të Vlorës, Harallamb Cukalit, i cili ishte nga fshati Krecumnica (sot Despotiko) i rrethit të Janinës. Të shoqen e vet, të ndjerën Katerina, doktori e varrosi në manastirin e Zvërnecit. Në të njëjtën kohë, ai porositi një pllakë përkujtimore në Greqi. (Vokotopullos P. J., Shënime epigrafike nga Shqipëria, Janinë, 1994, bot. greq., f. 397). Objektet që përmendëm më sipër ruheshin në koleksionin e shtëpisë së Syrja bej Vlorës dhe të djalit të tij, Eqrem bej Vlorës. Në vitin 1934 ato u ekspozuan në muzeun e Vlorës “Zogu I”, me rastin e inaugurimit të tij. Këtu ishin ekspozuar edhe objekte arkeologjike të zbuluara nga arkeologu francez Leon Rei në qytetin e Apolonisë. Gjatë luftës së Dytë Botërore (në vitin 1939), në ndërtesën e muzeut ra një bombë aeroplani, e cila shkatërroi objekte me vlera të mëdha arkeologjike.
13 Ish drejtori i Monumenteve të Kulturës të Qytetit të Vlorës, z. Novruz Bajrami, më tregoi një nga tre gurët e mëdhenj e të lëmuar, që u gjetën në themelet e ndërtesës së Hotelit të madh, që ndërtohet në qendër të Vlorës. Për mendimin tim, ai i përket Periudhës së vonë perandorake. Në rast se në të ardhmen gjendet ndonjë trakt muri i ndërtuar p.e.r., atëherë pa frikë mund të themi se Aulona e lashtë ndodhej në Vlorën e sotme, kurse në kodrat e Treporteve ishte një qytet tjetër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.