KULTURË

BUTRINTI ME KONCESION?/ Margariti: Fondacioni drejtohet nga ministria

12:00 - 16.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Me pamjen e kishës së Thethit në ekranin pas shpine, kreu i bordit të Fondacionit Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff i dorëzoi dje ministres së Kulturës Elva Margariti, Draftin e Planit të Menaxhimit të Parkut të Butrintit për vitet 2020-2030. E pyetur nga media, nëse plani është hartuar nga Fondacioni, apo nga ministria, ministrja tha se është një punë e përbashkët.




Dy javë më parë, titullarja e kulturës njoftonte se “së bashku me përfaqësues të Fondit Amerikan për Zhvillim nisëm fazën e konsultimeve publike për Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit”. Dy javë më pas, ka një draft që për së jashtmi i ngjan një libri. Pyetjes se cilët kanë qenë specialistët e përfshirë në hartimin e draftit, Margariti iu përgjigj me institucione e agjenci shtetërore. “Ka pasur bisedime me grupe interesi dhe rishikime të vazhdueshme të planit e pika diskutimi janë përhapur në të gjitha ministritë e linjës dhe në të gjitha agjencitë e ministrive të linjës. Ka pasur edhe qasje me debate, por është udhërrëfyes dhe na jep mundësinë e një vizioni 10-vjeçar.

DEKLARATAT
Në fjalën e saj ministrja Elva Margariti tha se Butrinti ishte një nga detyrat e para që ju besua me marrjen e detyrës, çka në letër ju duk e vështirë. “Ishte një formulë që për fatin tim të mirë këtë model e kisha prekur përditë. Nuk e kuptoja debatin e madh dhe vështirësitë e kësaj formule të re”,-tha ajo.
Vërejti se Shqipëria e ka stopuar një pjesë të punëve që mund të ishin bërë mbi sitet e trashëgimisë, sepse ka pasur ndërgjegjen e plotë se ne nuk ishim gati për të investuar e për ta menaxhuar.

“Butrinti është një sfidë e madhe, jo vetëm se është një nga sitet e mëdha, por ku rekomandimet e UNESCO-s na shtojnë detyrime e përgjegjësi. Besoj që punët e mëdha fillojnë me sfida të mëdha. Kjo do jetë e para, por do të ketë të tjera nga pas. Kemi mundësinë që të ndërtojmë planet e menaxhimit për sitet e kulturës. Kam qenë e kënaqur që partnerët tanë ishin ekspertë të rëndësishëm që vinin me përvoja disavjeçare, duke filluar nga Pompei e Stonehenge. Të gjitha këto të përkthyera në një model zhvillimi, i cili nuk fokusohet vetëm në pjesën arkeologjike”, tha Margariti. Ajo u shpreh e gatshme për ta diskutuar këtë me të gjithë. “Kemi dëgjuar polemika mbi formulën e re të menaxhimit të Butrintit. Në gjithë botën fondacionet bashkohen me shtetin për të krijuar formula të qëndrueshme. Nuk po e shpikim ne, po e adaptojmë në vendin tonë. Kam nisur diskutimin për të në Butrint e Sarandë dhe do të vazhdojë edhe në Tiranë e në vende të tjera, ku do të diskutohet për Butrintin e të tjera. Sa më parë të kemi nisur dialogun e ndryshimin e mendësisë aq më shpejt do të kemi bashkëpunëtorë të rinj dhe aktorë të rinj, sepse do kuptojnë që kjo që po bëjmë sot, është në të mirë të Butrintit dhe të gjithë kombit”, tha Margariti. Koha, tha ajo do ta tregojë që sfida jonë për të ndërtuar një plan menaxhimi 10-vjeçar, është një sfidë sa e vështirë e përballueshme. “kemi gjetur bashkëpunim të mirë e dialog që sado debate të ketë pasur mes dy stafeve për të ndërtuar strukturën e re, ka rezultuar i frytshëm”.

Më tej fjalën e mori kreu i bordit të Fondacionit Michael Granoff. “Bashkëpunimi jonë për Butrintin është një nga nismat e ndërmarra. Butrinti mishëron atë formën e partneritetit që ne kemi menduar të sjellim në Shqipëri. Së pari, ne vumë re që nuk mund t’i bënim gjërat vetëm dhe kemi krijuar bashkëpunim të mirë me ministrinë dhe me ministrat që kanë qenë, për të arritur synimet tona në lidhje me trashëgiminë kulturore në Shqipëri. Vumë re që ky është një projekt i vështirë dhe me këtë qëllim kërkuam në gjithë botën që të gjenim modelet më të mira, më menaxhimin e integruar të trashëgimisë kulturore që ti sillnim në Shqipëri. Vumë re se pika kyçe për zgjidhjen e çështjes së Butrintit nuk ishte vetëm që të hidhnim më tepër lekë në këtë sit, por që të shihej një ide tërësisht e re për menaxhimin e sitit për shkak të kompleksitetit të vet dhe kjo na çoi tek një ligj i ri që do ta bënte të mundur një plan të tillë menaxhimi”, u shpreh Granoff. Ai shtoi se “nuk di të ketë shumë organizata të tjera që kanë aftësinë që të kenë një partneritet kaq të mirë me ministrinë dhe me qeverinë për të krijuar një ligj të ri që ofron arkitekturën dhe mundësinë e organizimit dhe menaxhimit të Butrintit në mënyrën më të mirë për Shqipërinë”. Duke qenë se ka qenë i përfshirë në hartimin e legjislacionit edhe në SHBA, kreu i bordit të AADF-së, shtoi se kjo nuk është diçka e lehtë. “Besoj se sot kemi arritur në një etapë shumë të rëndësishme, te hartimi i një plani menaxhimi që do të mbulojë të gjitha aspektet e menaxhimit në Butrint. E vlerësojmë se Butrinti është një perlë e Shqipërisë dhe jo vetëm një vend ku shqiptarët mund të shohin të shkuarën e tyre, por një vend që mund të rijetëzohet dhe të shohë edhe të ardhmen e Shqipërisë. Është e rëndësishme të kuptojmë që kjo zgjidhje për Butrintin është një zgjidhje shqiptare për Shqipërinë. Ne duam të sigurohemi që këto site mbrohen për Shqipërinë, zhvillohen për Shqipërinë dhe japin kontributin e tyre për të ardhmen. Planet e menaxhimit nuk janë as pika fillestare, por nuk janë as fundi i gjësë. Besoj se një plan menaxhimi na jep një udhërrëfyes, si ta mbrojmë e si ta zhvillojmë dhe si të sigurohemi që brezat e ardhshëm të gëzojnë atë gjithashtu”. Deklaratat u bënë pas përurimit të shërbimit të biletarisë online, në 10 site të trashëgimisë kulturore.

NJË VIT MË PARË
Në tetorin e 2018-ës, ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në një takim të mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar njoftonte nisjen e hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit. Nisja vinte pas miratimit të Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore. “Kompania Prince and Pearce në bashkëpunim me University College of London u përzgjodh me një ekip ekspertësh të nivelit ndërkombëtar, të cilët kanë marrë përsipër të hartojnë planin e menaxhimit në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe autoritetet të tjera publike të sitit më të rëndësishëm ndërkombëtar që ne kemi në Shqipëri parku i Butrintit. Ajo që na duket shumë e rëndësishme është fakti që ky turizëm duhet të jetë i kontrolluar që t’i japim prioritet ruajtjes së natyrës, barkut dhe trashëgimisë kulturore”,- shprehej ish ministrja Kumbaro në nisje të punës për draftin.
Ajo vinte në dukje se ky plan i ri menaxhues parashikon që të ardhurat të financohen brenda parkut. “Synimi ynë është që ky model menaxhimi të mund të riprodhohet, por për këtë duhet të kemi partnerë, bashkëpunëtorë me qëllim që formulat e fondacioneve kulturore të jenë të suksesshme, por sidomos t’i shërbejnë vetë trashëgimisë, vetë sitit”, theksoi Kumbaro.
Hartimi i planit të integruar u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe vlera në total parashihej të ishte 250.000 $ ndërsa procesi do të zgjaste shtatë muaj, duke nisur nga tetori 2018 deri në prill të vitit 2019.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.