KULTURË

Butrinti/ Si do të funksionojë plani i menaxhimit? Ministrja: Asnjë ndërtim, synojmë ta kthejmë në brend

12:30 - 16.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Për të kuptuar më shumë nga detajet që parasheh plani i menaxhimit të Butrintit në të ardhmen, pas prezantimit formal, Margariti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Ajo e nisi shpjegimin e saj me menaxhimin aktual, ku Butrinti ka një bord ku veç Ministrisë së Kulturës ka edhe ministri të tjera, ministrinë e Turizmit, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, etj. Ajo tha se në gjithë këto vite, është parë mangësia e një menaxhimi me një vizion më të gjerë shumëvjeçar, sepse është bërë në afate njëvjeçare.




– Si do të funksionojë plani i menaxhimit?
Edhe sipas UNESCO-s, Butrinti, vlerën e vet unikale e ka që është brenda një parku të madh natyror. Ky park jep mundësi të madh jo vetëm si sit arkeologjik, por edhe komuniteteve përreth.
Lidhje të reja më të thjeshta për të arritur në Butrint, jo vetëm nëpërmjet parkut, shtimi i shërbimeve, shtimi mundësive të artizanëve, për të qenë pjesë e këndeve suvenirëve, por edhe shumë sugjerime të UNESCO-s, se çfarë do të thotë të ruash vlerat na çuan drejt nevojës për të hartuar një plan menaxhimi të integruar, që të përfshinte të gjithë territorin, i cili duhet që të monitorohet nga një autoritet kombëtar i të gjithë parkut, e më pas çdo zonë e këtij parku të madh, si pjesa e zonës arkeologjike, ka planet e veta specifike.

Sfida jonë është që të arrijmë në një formulë karbon neutral, të mos aksesohet më me makina, por të ketë mundësinë e një sheshi ku të mund të qëndrojnë makinat. Të kthehet në një shesh për fillimin e marrjes së informacionin për vizitorët dhe arritja e shtimi i itinerareve rrotull. Lidhja me kalanë tre e katërkëndore. Të gjitha këto kthejnë aksesueshmërinë në një formulë, që do të kthehet edhe në një model për vendet e tjera të rajonit.

– Është folur shpesh për koncesione. Kur bëhet fjalë për menaxhime nga të jashtëm, jo nga shteti, nënteksti është koncesioni. Në këtë rast, si është formula e bashkëpunimit mes agjencisë që do ta marrë dhe ka hartuar projektin dhe Ministrisë së Kulturës?
Formula është shumë e thjeshtë. Ligji i ri specifikon krijimin e fondacioneve të posaçme, ku Ministria e Kulturës është pjesë e fondacionit dhe është drejtuese e fondacionit. Ajo që ne krijojmë në partneritet me fondacione të tjera, të cilat shkrihen në një edhe krijohet një fondacion i ri i posaçëm, ku, siç thashë, ministria është në krye të saj lind pikërisht me një plan menaxhimi edhe biznesi më një afat 10-vjeçar. Kjo mund të bëhet vetëm bëhet me partnerë strategjikë. Nuk mund të bëhet vetëm nga Ministria e Kulturës. Nevoja e zgjerimit akoma edhe më shumë të vizionit edhe e krijimit të mundësive është edhe falë përkrahjes së ekspertëve më të mirë edhe partnerëve nga e gjithë bota. Vetëm me bordin aktual nuk mund të realizohet.

– Plan biznesi. Ku flitet për plan biznesni, do të ketë ndërtime?
Jo, absolutisht që jo. Karbon neutral është ajo që synojmë ne për Butrintin. Ne tentojmë që Butrintin ta kthejmë në brand, asnjë lloj ndërtimi. Përkundrazi. Parku natyror është vlera e shtuar e Butrintit, ndaj fokusi ynë është edhe tek peizazhi natyror, jo vetëm tek monumentet e kulturës, që listohen në pasuri kulturore. Menaxhimi i peizazheve natyrore, si pjesë e trashëgimisë kulturore është formula e re që ligji i jep mundësinë MK, që t’i menaxhojë edhe t’i lidhë me pjesë të tjera të kulturës dhe itinerareve. Shumë herë flasim për gjëra që në vizionin tuaj nuk janë të prekshme, e mbase këtu qëndron keqkuptimi. Plani i biznesit do vetëm të formulojë mënyrën më të mirë të qëndrueshme edhe të investimeve, që kanë të bëjnë me gërmimet. Planet e gërmimet dhe zonat që mund të vazhdohet të konservohet apo gërmohet edhe qendrat e informimit janë pjesë e një plani biznesi. Prioritetet që janë pjesë e hapit të parë, qendra e informimit, mënyra si do të ndërtohet parkimi apo do të thjeshtohen të gjitha ndërlidhjet me Butrintin. Plani i menaxhimit është një udhëzues shumë i mirë, më pas mund të ketë diskutime se si do të zhvillohet elementë të ndryshëm në plane biznesi apo me aktorë të rinj.

– Ku është marrë si model?
Stonehenge ka qenë një model suksesi, duke menduar edhe jo aksesueshmërinë e tij. Kjo është edhe një farë respekti, krijimi i një zone kufij, rreth kësaj pasurie kulturore. Pompei ka qenë një prej tyre. Dhe vetë Pompei nuk ka një plan biznesi të mirëfilltë. Por kemi parë shumë modele evropiane, të cilat edhe janë realizuar. Pasi edhe në vende të tjera, siç po bëjnë në Shqipëri, këto janë të menaxhuara nëpërmjet fondacioneve edhe ministrive përkatëse. Kemi pas shansin që për tërë këto vite ne s’kemi marrë hapa përgjysmë, ndërsa tani kemi mundësinë që të hedhim hapa të shëndoshë. Ka pasur bisedime me grupe interesi edhe ka pas rishikime të vazhdueshme të planit, pika diskutimit është përhapur në të gjithë ministritë e linjës, në agjencitë e linjës, në bashki, ka pasur qasje edhe me debate. Por ky është një udhërrëfyes, që na jep mundësinë e parë të një plani të integruar 10-vjeçar. Por për çdo hap do të kemi në vijim plane më të detajuara, më specifike. Drafti është hartuar në bashkëpunim me MK.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.