AKTUALITET

Faik Xhani: Të miratohet pensioni minimal me 200 mijë lekë të vjetër

18:00 - 16.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej vitesh, Shoqata e Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë, në emër të të gjithë të moshuarve i ka kërkuar shtetit, miratimin e një pensioni minimal prej 200 mijë lekësh të vjetra në muaj. Ndërkohë një tjetër problematikë që shqetëson këtë kategori, është edhe diferencimi i trajtimit që i është bërë pensionistëve të dalë në pension pas 31 dhjetorit të 2014-ës. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, kreu i SHBPPSH, Faik Xhani liston të gjitha shqetësimet e të moshuarve dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Ai shton se të moshuarit në vendin tonë ndahen në dy kategori kryesore: të varfër dhe shumë të varfër. Sipas Xhani-t, vetëm 1.9% e pensionistëve e quajnë veten të mirëqenë, pra që mund të jetojnë mirë, i cili më tej shton se ISSH është një nga institucionet që nuk u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të të moshuarve, pasi punonjësit janë të aftë, por nuk janë të përkushtuar e shpesh i sorollatin kot të moshuarit.




 

Cilat janë disa nga problematikat kryesore që adresojnë pensionistët pranë Shoqatës së Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë?
Një nga problemet kryesore që ka qenë dhe është i vazhdueshëm për pensionistët është mosmiratimi i statusit për të moshuarit. Ne i kemi kërkuar në vazhdimësi qeverisë hartimin e një ligji për të moshuarit sepse e kanë në fuqi shumica e vendeve dërrmuese të Ballkanit dhe të Europës dhe mendojmë se ka ardhur që pas gati 30 vite tranzicion, të miratohet ligji edhe në Shqipëri. Kjo do të bëjë edhe një vlerësim të kësaj kategorie. pavarësisht problemeve, ligji do të zbatohet në një masë apo në një tjetër, dhe të moshuarit do të përfitojnë diçka. Deri më tani qeveritë tona ndër vite, kanë miratuar 31 konventa ndërkombëtare për të moshuarit, por për t’i zbatuar nuk i zbatojnë. Edhe për reformën e 2014-ës, ne si shoqatë dhe grup interesi kemi patur opsionin tonë.

Mund të na tregoni në mënyrë të detajuar se cili ka qenë projekti juaj për reformën e 2014-ës? Çfarë do të bënit ndryshe?
Kemi propozuar që reforma e 2014-ës, të trajtonte në mënyrë të barabartë të gjithë pensionistët. Kjo konsiston në faktin që pensionistët që kanë dalë në pension para 31 dhjetor të 2014-ës nuk janë trajtuar me përparësi dhe nuk kanë përfituar nga ato benefite që ka përfituar grupi tjetër i cili mori shtesa. Ndërkohë kategoria e parë ka ngelur me të njëjtin pension si në kohën e komunizmit. Ne kemi propozuar që, nëse qeveria nuk ka mundësi të rrisë të gjitha pensionet, të paktën të fillojë të rrisë pensionet minimale dhe pensionin social, pra te pensionet që iu mbajnë frymën gjallë të moshuarve e i mbajnë me bukë.

Si paraqitet gjendja ekonomike e të moshuarve në vendin tonë, bazuar në pensionet që marrin?
Të moshuarit, pensionistët në vendin tonë ndahen në dy kategori kryesore: të varfër dhe shumë të varfër. Vetëm 1.9% e pensionistëve e quajnë veten të mirëqenë, që mund të jetojnë mirë. 1 në 2 pensionistë vuajnë nga sëmundje kronike, që përbëjnë afërsisht 60% e tyre. Nëse marrim si shembull një pensionist të sëmurë me diabet, atij do t’i duhen rreth 23 mijë lekë t’i shpenzojë vetëm për fishat e diabetit. Pse shteti të mos i rimbursojë fishat për kategorinë tonë në një kohë që diabeti është një ndër tre sëmundjet më të përhapura te të moshuarit? Ndërkohë 63% të sëmundjeve në total të të moshuarve lidhen me sëmundjet kardiovaskulare. Janë bërë disa ndryshime, por ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim!

Si e vlerësoni rritjen e pensioneve të bërë nga qeveria?
E kemi thënë me qindra herë që nuk ka patur rritje pensionesh, por indeksim për të shmangur efektin gërryes të inflacionit. Dhe ne kemi kërkuar që pensionet minimale si të fshatit, si të qytetit të rriten të paktën me 10%. Opsioni jonë është që pensionet mos të jenë më pak se 200 mijë lekë të vjetra. Dhe kjo masë nuk është kushedi se çfarë por të paktën pensionisti do të ketë mundësi të pijë edhe një kafe. Duhet të ketë më shumë konsideratë për këtë shtresë të popullsisë kaq të rregullt, që sa shkojmë e marrim pensioni, paguajmë faturat e ujit dhe energjisë fillimisht. Realisht pensioni më i ulët në fshat është 94180 lekë ndërsa 137830 të vjetra në qytet ku pensionisti rreth 30 mijë lekë të vjetra i shpenzon për faturat; minimalisht 30 mijë për ilaçe. Pra, i ngelen rreth 60 mijë lekë të vjetra qytetit dhe 30 mijë lekë të vjetra pensionistëve të fshatit për t’u ushqyer. Sipas të dhënave tona, rreth 26% e të moshuarve nuk mund të marrin ilaçe me efektivitet të lartë që ia rekomandojnë mjekët, sepse nuk kanë mundësi ekonomike. Ndërkohë 5% e të moshuarve ndodhen në izolim total, sepse nuk lëvizin nga krevati, në një kohë që 40% kanë vështirësi në shikim. Mbi 31 mijë të moshuar vdesin në vit, dhe sa do të presim për t’u rregulluar diçka, edhe sa?

Sa i përgjigjen ankesave të pensionistëve, përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore?
Mendimi ynë që ISSH është një nga institucionet që nuk u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të të moshuarve, dhe kjo lind që nga agjencitë pritëse e më tej në degët rajonale të ISSH-së. Mendojmë se punonjësit janë të aftë, por nuk janë të përkushtuar. Shpesh marrin dokumentet në dorëzim dhe nuk i lajmërojnë pensionistët për mungesat që kanë, derisa i sorollatin kot.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.