Aktualitet

Plumba makinës që përdorej nga kreu i këshillit bashkiak në Durrës, flet Ani Dyrmishi: Ja e vërteta

17:20 - 16.10.19 Gazeta Shqiptare

Ditën e djeshme policia e Durrësit përmes një njoftimi të thatë, sqaroi se ndaj një automjeti të parkuar kishte pasur të shtëna me armë zjarri pistoletë. 24 orë më pas zbulohen detaje të reja. Objektiv i këtij atentati, të mbetur në tentativë ka qenë Ani Dyrmishi, kryetar i Këshillit Bashkiak Durrës, njëkohësisht drejtor i Hekurudhës.



Në fakt makina mund të rezultojë në emër të I. B. pasi mendohet se ky i fundit është shoferi i Dyrmishit, por bëhet e qartë se automjeti përdoret nga drejtori i Hekurudhave. Ani Dyrmishi ka mbajtur poste të rëndësishme edhe më heret si drejtor i Hipotekës së Durrësit dhe më pas është emëruar drejtor i Hekurudhës Shqiptare, post që e mban edhe aktualisht. Ai është lakuar dhe në dosjen e Avdylajve dhe Dakos.

Dyrmishi u largua nga Hipoteka e Durrësit pak pas zgjedhjeve të 2017, kur kryeministri Edi Rama u kërkoi të gjithë drejtorëve të jepnin dorëheqjen. Ai gjithashtu është pjesë e listës së zezë të kryeministrit. Ndërsa, më herët në nëntor të 2018 u gjet një sasi tritoli në makinën e Ani Dyrmishit, kohë kur mbante postin e drejtorit të Hekurudhës Shqiptare.

Së fundmi Dyrmishi ka pasur konflikte dhe është pjesë e grupit të cilët nuk janë simpatizant të Sakos, duke pasur dhe debate të forta, ku herën e fundit i ndërpreu fjalën kryetares së re duke përfunduar mbledhjen dhe duke mos e lënë të shprehet.

REAGIMI

Duke folur për “News24”, Dyrmishi ka pranuar se është qëlluar ndaj makinës së tij, por ka mohuar që ngjarja të ketë lidhje me personin e tij. Ai është shprehur se nuk ka asnjë lloj konflikti as personal dhe as për shkak të detyrës, dhe se lëviz i lirë dhe i qetë në gjithë qytetin e Durrësit.

Sa i përket makinës së qëlluar, Dyrmishi është shprehur se nuk është e tija, por që e kishte përdorur ky, pavarësisht se sipas tij, muajt e fundit nuk e kishte përdorur më.

“Është një ngjarje që nuk ka të bëjë fare me mua, me personin tim. Nuk kam pas asnjë lloj atentati në drejtimin tim apo të makinës sime, pasi unë nuk disponoj makinë në pronësinë time, por një makinë tjetër, që e përdor, dhe që është realisht makina që është goditur. Është një makinë që ka të bëjë me një person, që ka qenë shoferi i babait tim, dhe përdoret nga unë, djali i hallës sime dhe shumë persona të tjerë. Në fakt, muajt e fundit nuk e kam përdorur. Nuk kam qenë në makinë, kur është qëlluar”, ka deklaruar kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit.

E konsideroni paralajmërim ndaj jush?
Absolutisht jo, sepse unë nuk kam konflikte as personale dhe as në lidhje me detyrën, por gjithsesi duhen bërë hetime dhe të sqarohet ngjarja.

Ç’keni për të thënë për atë që tha Xhaferri?
Edhe fakti që ka pas debate në mbledhje është keqinterpretuar, ne bëjmë debate dhe do vazhdojmë të bëjmë për të mirën e qytetarëve.

Pse mund të jetë qëlluar?
Mund të jetë qëlluar edhe në mënyra aksidentale, pasi makina është në rrugë, nuk është makinë private. Unë kam qenë në gjumë, kur jam njoftuar për ngjarjen. Më telefonuan organet kompetente në Durrës, por makina nuk ka lidhje me personin tim. Unë lëviz i lirë dhe i qetë në gjithë Durrësin, sepse më njohin shumë mirë të gjithë qytetarët.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *