Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka promovuar këtë mbrëmje librin e saj “Koha për politikë”. Në mesazhin e tij para të ftuarve, ish-deputetja Duma është shprehur se “politikë do të thotë të bësh, të ndërtosh, gjithçka tjetër nuk është politikë. Është koha për të bërë dhe le të ndërtojmë mbi këtë”.
Ndër të tjera, Duma ka renditur disa nga hapat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar klimën politike. Sipas saj, duhet një Parlament dydhomësh, ku të përfshihen edhe mendjet e ndritura, apo siç e cilësoi Duma, “nuk kemi luksin të humbasim eksperiencën”, ndërsa shtoi se kandidatët për deputetë duhen bërë me lista të hapura dhe të zgjidhen nga populli.
Pjesë nga fjala e saj në promovimin e librit:
Çështjet e politikës janë njerëzore, as hyjnore, as të pagabueshme. Politikë do të thotë të bësh, të ndërtosh, gjithçka tjetër nuk është politikë. Është koha për të bërë dhe le të ndërtojmë mbi këtë. Jemi sot në një moment ku shumëkush e shikon politikën si një mur ku përplas kokën dhe që mund të thyhet. Në fakt, ai duhet të jetë muri ku të ndërtohet dhe jo thyhet. Ne nuk jemi në kushtet e lirisë, jemi në kushtet kur politika më shumë se kurrë duhet të thërrasë njerëz.
Komunikimi shqiptar më shumë flet më nënkuptime dhe keqkuptime, sesa me fjalën e drejtë. Kjo do të thotë se jemi në një fatalitet të vogël historik. Nuk ndërtuam kurrë kontratën e nevojave, që njerëzve ju duhet. Nuk është kontrata mes njerëzve që përfitojnë, por mes përfituesve. Nuk kemi më luksin të humbim eksperiencën. Nuk mundet që Parlamenti ynë të mos përfaqësojë më eksperiencën, nuk mund të gjykojë vetëm me votën e të vjedhurve. Na duhet një Parlament dydhomësh, një sistem i hapur i kandidimit të zgjedhësve. Qytetarët duhet të zgjidhin kush duhet të kandidohet, kandidatët duhen bërë me lista të hapura dhe jo të mbyllura.