OPINION

Hapësira arsimore Shqipëri Kosovë – vizion apo utopi?

07:40 - 17.10.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me togfjalëshin “hapësirë arsimore Shqipëri – Kosovë” kuptojmë mjedisin në të cilin sistemet tona arsimore, përmes dakordësimit të kornizave politike, ligjore dhe institucionale për arsimin, funksionojnë të integruar, me qasje të përafruara ndaj asaj që duhet të nxënë në shkolla fëmijët shqiptarë, tani e në të ardhmen. Në terma të përgjithshëm, jetësimi i kësaj hapësire do të zëvendësojë arkipelagët arsimorë që ekzistojnë sot, për hir të humoreve, paragjykimeve dhe izmave çfarëdo të së shkuarës. Ky jetësim, sipas nesh, nis e bëhet i prekshëm, përmes ndërtimit të rrugëve të sigurta të bashkëpunimit të sinqertë dhe besimit të ndërsjellët. Çka zë fill me një “hartë” të dakordësuar, me objektiva të përcaktuara dhe pika reference të qarta. Më tej, me angazhimin aktiv ndaj përparësive, të tilla si: hopi cilësor në shtjellimin e kurrikulës së unifikuar për arsimin parauniversitar (APU), shkëmbimi i njohurive dhe përvojave arsimore të mira për formimin fillestar, licencimi dhe zhvillimi profesional i vazhduar i mësuesve/ drejtuesve të institucioneve arsimore, lëvizshmëria e mësuesve dhe pedagogëve etj. Krijimi i hapësirës arsimore, në kontekstin strategjik, do të sjellë përfitime reciproke të larmishme për të qytetarët e dy shteteve. Njëherazi, sendërtimi i saj do të jetë homazh për kontributin e shquar të mësuesve të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas, që në vitet ’40. Në vijim, disa tema që sugjerohen nga një grup ekspertësh të arsimit të cilat, pa pretenduar aspak që e shterojnë problematikën, mund të vlejnë si nxitje për diskutim të mëtejshëm.




  1. A. Kulmon listën e përparësive përsosja e kurrikulës së APU – “zemra” e çdo sistemi arsimor. Bashkëpunimi në këtë fushë kyçe ka nisur me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për unifikimin e kurrikulës së sistemeve arsimore parauniversitare, të nënshkruar më 3 qershor 2014. Dy shtetet tona, pasi unifikuan strukturat e APU-së (sipas modelit 5+4+3), u investuan për përafrimin e dokumenteve kurrikulare zyrtare. Të tilla si kornizat kurrikulare të APU-së dhe kurrikulat bërthamë për çdo nivel arsimor, me rezultate të nxëni afërsisht të njëjta për nxënësit e të dy shteteve. Në këtë linjë është edhe dokumenti i standardeve të teksteve shkollore, me kritere të përbashkëta për vlerësimin dhe certifikimin e tyre. Në kontekstin e politikës së re kurrikulare, janë organizuar takime dhe tryeza pune mes dy palëve ku janë dizenjuar produkte cilësore etj. Gjithsesi, të dhënat, bazuar në vëzhgimet e studiuesve tanë e të huaj, tregojnë që kemi shumë për të bërë. Ministritë e arsimit dhe institucionet arsimore po përballin sfida të vështira, që janë krijuar jo vetëm nga trashëgimitë e dallueshme arsimore dhe proceset e tranzicionit demokratik, por edhe nga “revolucioni” që po zhvillohet në arsimin bashkëkohor. Tradicionalizmi, që mbizotëron sot mendësitë dhe praktikat shkollore, ndryshe të bërit e gjërave njëlloj si më parë, mbetet përparësi. Aktorët arsimorë (mësuesit dhe drejtuesit) duhen ndihmuar me investime serioze nga vendimmarrësit në dy shtetet tona. Që ata të kuptojnë më mirë se ndryshimi i dëshiruar në arsim nuk mund të vijë nga shtimi i strukturave administrative apo fjalori i ri (puna në grup, teknologjia arsimore, kompetenca etj.), apo edhe nga disa veprimtari trajnuese formale, shpesh fiktive. Nëse do të vazhdojmë si deri tani, këto dhe risitë tjera kurrikulare, thjesht, do të “kolonizohen” nga mënyrat e “vjetra” të mendimit dhe do të “treten” në mjediset tradicionale të ngurtësuara të mësimdhënies. Përvojat e mira tregojnë se, përgatitja e të rinjve për situatat e pasigurta dhe komplekse, që do të ndeshin në jetët e tyre, kërkon mendim rrënjësisht të ri; njëherazi, kapacitete të reja brenda sistemit dhe mënyra të reja mendimi për vetë sistemin arsimor. Kjo kërkon kohë, kërkim dhe investim.
  2. B. Përafrimi kurrikular, që do ta integrojë më tej hapësirën tonë arsimore me atë evropiane e më gjerë, përveç ndryshimit të mendësive, kërkon burime njerëzore me kompetencat e duhura profesionale. Kjo përparësi, ngërthen formimin fillestar të studentëve mësues (përshirë formimin e drejtuesve të shkollës), licencimin si profesionistë, zhvillimin profesional të vazhduar (ZHPV) etj.

Për formimin fillestar të mësuesve studentë, ka ardhur koha për një model studimi të kombinuar, i cili i lejon studentët e të dy shteteve tona të marrin një diplomë, përmes programeve të studimit Bachelor ose Master. Kombinimi i një diplome profesionale dhe një diplome akademike u jep mësuesve të ardhshëm mundësinë që jo vetëm të punojnë si mësues, por edhe të kualifikohen për një karrierë akademike në një Fakultet Edukimi (FE). Pjesë e hapësirës arsimore të përbashkët është edhe zhvillimi i disa praktikave mësimore të studentëve shqiptarë në shkollat e Kosovës dhe anasjelltas. Shtohet këtu edhe njohja e ndërsjellët e diplomave dhe i kualifikimeve përfundimtare, me qëllim rritjen e lëvizjes (mobilitetit) të mësuesve dhe pedagogëve në dy shtetet tona. Aktorë kyç të ndryshimit që kërkohet janë vetë FE-të. Këto institucione kanë përgjegjësinë që të harmonizojnë programet e studimit me politikat arsimore të Ministrive të Arsimit dhe standardet ndërkombëtare për formimin fillestar të mësuesve. Për këtë objektiv, Konferencat e Rektorëve kanë një rol për të lozur. Nga ana tjetër, çdo nxitje dhe mbështetje financiare e Ministrive të Arsimit për bashkëpunimin mes FE-ve të shteteve tona, është e mirëpritur, madje e domosdoshme.

Procesi i licencimit të studentëve mësues, në të dy shtetet, po zhvillon më tej profilin e tij. Pas ligjërimit të mësuesisë si profesion i rregulluar, agjencia përkatëse shqiptare (QKAVP) po përsos protokollet dhe instrumentet gjegjëse për administrimin e procesit (risi është kërkesa e njohjes së gjuhës së huaj nga mësuesi). Ndërkohë, në Shqipëri, licenca për ushtrimin e profesionit të mësuesisë kërkohet vetëm për personat që mbarojnë arsimin e lartë dhe kalojnë provimin e shtetit. Për kategoritë e tjera të mësuesve, nuk kërkohet licencë, por zhvillohet një provim kualifikimi, i shoqëruar me rritje page, pas 5 dhe 10 viteve në detyrë, që mund të jepet edhe disa herë, nëse nuk merret. Ndërsa Ministria e Arsimit e Kosovës ka rregulluar me Udhëzim administrativ sistemin e licencimit të mësuesve në karrierë, i cili zgjeron rrethin e licencave për funksione të ndryshme (mësues, mësues i merituar, mentor, etj.). Ndërkaq, në dallim nga Shqipëria, atje, mësuesve në karrierë u kërkohet ripërtëritja e licencës, pas çdo periudhe 5-vjeçare, si dhe 100 orë trajnim gjatë kohës së mbajtjes së çdo licence.

Në këtë komponent të politikës arsimore përfshihet edhe përafrimi i procesit të formimit dhe i certifikimit të drejtuesit të shkollës. Shqipëria po përparon me ngritjen e shkollës së drejtorëve, çka, me shumë gjasa, do mund t’i vlente edhe Kosovës. Duket se, për procesin / produktin e licencimit, kemi se çfarë të përafrojmë për të shtuar vlerën.

Përsosja e ZHPV-së të mësuesve / drejtuesve në detyrë, sipas sugjerimeve të ekspertëve, fillimisht, kërkon ndryshimin e qasjes konceptuese: kalimin nga programet trajnuese që plotësojnë nevojat profesionale të mësuesve, drejt moduleve, të cilët i aftësojnë mësuesit të plotësojnë nevojat e nxënësve. Jetësimi i qasjes së re, kushtëzohet nga harmonizimi i udhëzimeve administrative; nga institucionalizimi i bashkëveprimit mes qendrave me ekspertizë për ZHPV në dy shtetet; nga ndërtimi i modelit të përafruar për sistemin kaskadë të trajnerëve; nga krijimi i rrjeteve profesionale ndërshtetërore; nga vendosja e standarde ndërkombëtare, si p.sh., ECDL, për vlerësimin e kompetencave të mësuesve për përdorimin e TIK-ut etj, etj. Një fushë që ilustron dobinë e hapësirës arsimore është bashkëpunimi ndërkufitar. Përfitimi nga shkëmbimi i burimeve (njerëzore e materiale) ndërmjet krahinave fqinje në dy anët e kufirit arrihet me seancat trajnuese, sesionet informuese dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet mësuesve të rajonit Kukës – Tropojë me homologët e tyre të Prizrenit dhe Gjakovës. Shfrytëzimi i kapaciteteve të “Qendrave Burimore për mësim dhe këshillim” që funksionojnë në Kosovë, mund të shtojë vlerë në ZHPV të mësuesve / drejtuesve kuksianë e tropojanë etj.

Ne besojmë se hapësira arsimore Shqipëri – Kosovë do të shprehë shpirtin e një politike të re, si përpjekje e vyer për përafrimin e dy sistemeve arsimore. Politika e re do të mundësojë që, hapësira arsimore e integruar që shmang njëtrajtshmërinë, të jetësohet krahas përparimit të dy vendeve tona drejt Evropës. Sigurisht, kjo do t’u kërkojë të gjithë aktorëve arsimorë ndryshime të kompetencave profesionale që, sigurisht nuk është e lehtë. Sidomos nga këndvështrimi i gjithëpërfshirjes – shoqërore dhe arsimore – ndërhyrjet dhe politikat strategjike për jetësimin e hapësirës arsimore janë të nevojshme për të mbështetur dhe garantuar barazinë e mundësive në arsim dhe trajnimin për të gjithë, si anëtarë të plotësuar të shoqërive tona.

Ne mendojmë dhe shpresojmë se është koha të reflektojmë mbi kohën e humbur në këto vite lirie në të dy anët e kufirit dhe të investohemi për një hapësirë arsimore të integruar, më së pari, si vizion i prekshëm që me përpjekje të përbashkëta mundet të marrë jetë. Që fëmijët tanë të jenë qytetarë të denjë të realitetit të nesërm evropian, jo qytetarë të dorës së dytë; apo më keq akoma, çirakë me njohuri gjysmake.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.