KULTURË

“TEATRI KOMBËTAR”/ Drejtori artistik i teatrit të Lisbonës: Qeveria shqiptare të përmbahet

12:30 - 17.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Beteja për mbrojtjen e teatrit është një përpjekje e gjerë europiane, për mbrojtjen e lirisë, demokracisë, llogaridhënies publike dhe lirisë së artit”. Kështu shprehet drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Lisbonës, Tiago Rodrigues, në një letër ku shpreh mbështetjen e tij ndaj kauzës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar nga shembja.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka publikuar ditën e djeshme letrën e marrë nga drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Lisbonës. Në letrën e dërguar, Tiago Rodrigues shpreh mbështetjen për Aleancën, e cila prej dy vitesh mbron godinën nga një vendim i qeverisë për ta shembur. “Kemi kënaqësinë të ndajmë sot me ju një lajm vërtet të bukur. Tiago Rodrigues, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar D. Maria në Lisbonë/Portugali, i është përgjigjur thirrjes sonë dhe na ka dërguar këtë letër mbështetëse që po e ndajmë me ju si vijon. Përtej kësaj, prej tij kemi premtimin që ai do ta promovojë kauzën tonë në rrethet artistike e kudo ku do të mundet në Portugali”, shkruan Aleanca. Ajo shton se zoti Rodrigues është një artist shumë në zë i skenës teatrore europiane, aktor, dramaturg e regjisor. Në vitin 2018 ai është nderuar me “Europe Prize Theatrical Realitites”, një nismë e suksesshme e Komisionit Europian në fushën e arteve performuese.




Vetë Rodrigues thotë se, “deklaroj solidaritetin tim të plotë me artistët dhe qytetarët që kanë okupuar Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me qëllim shpëtimin e tij nga përpjekjet morale, kulturore, historike dhe ligjore për shembjen e tij”. Ai shton se, “pikërisht tani është tejet e rëndësishme të gjendet çdo formë mbështetjeje për shqiptarët dhe europianët që janë angazhuar për shpëtimin e godinës historike të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe vlerave të tij kulturore, arkitektonike dhe shpirtërore”. Në letrën e tij, publikuar dje nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, drejtori artistik i teatrit të Lisbonës, thekson se, “beteja për mbrojtjen e teatrit është një përpjekje e gjerë europiane për mbrojtjen e lirisë, demokracisë, llogaridhënies publike dhe lirisë së artit.

Në emrin tim dhe në emrin e miqve të mi në Shqipëri dhe në Europë apeloj ndaj qeverisë shqiptare të përmbahet nga përfshirja në ndonjë veprim që mund të shkaktojë dëme të trashëgimisë kulturore, historike dhe artistike në Shqipëri dhe në vlerat e lirisë, së drejtës dhe demokracisë”.
Sipas Rodrigues, përpjekja për të shembur trashëgiminë historike e arkitektonike është një është një goditje e drejtpërdrejtë për kredencialet e vendit si mbajtës i trashëgimisë historike të Evropës. “I bëj thirrje qeverisë së Shqipërisë të dëgjojë thirrjet publike të bëra nga institucionet kryesore europiane për ruajtjen historike për të mbajtur të paprekur trashëgiminë historike të Shqipërisë”, e mbyll ai letrën.

SHFAQJET
Prej datës 24 korrik, kur u shënua përplasja fizike me policinë për mbrojtjen e godinës, në të është riaktivizuar skena. Pas 1 viti mbylljeje, në teatër vihen shfaqje, mbahen koncerte, ekspozita dhe mbrëmje letrare. Për datëlindjen e Migjenit u mbajt më 13 tetor një mbrëmje poetiko-artistike me titullin “Baladë Qytetëse”. Me rastin e 108-vjetorit të lindjes Migjenit, ajo u organizua nga Skena e Pavarur Kulturore (SPK) dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, në kuadrin e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Aktorja Adriana Tolke interpretoi poezitë “Vuajtje”, “Melodi e kputme”, “Dy buzë” dhe “Recital i Malsorit”, aktori Neritan Liçaj interpretoi “Urim për vitin 1937”, ndërsa aktorja Juli Emiri lexoi esenë: “Ti gjeni një qytet Migjenit” dhe poezinë “Milloshi” të shkrimtarit Krenar Zejno, si dhe interpretoi poezinë “Baladë Qytetëse” të Migjenit.

Gjatë aktivitetit, në skenën e Teatrit u realizua një kërcim baleti nga një çift balerinësh të rinj, frymëzuar nga poezia “Baladë Qytetëse”
Më pas u zhvillua një bashkëbisedim midis Andi Tepelenës, kurator arti dhe Krenar Zejnos, shkrimtar-poet, njohës i veprës Migjeniane.
Aktivitetin e përshëndeti edhe shkrimtarja Flutura Açk,a e cila lexoi një poezi të Migjenit dhe përcolli një mesazh mbështetës për lëvizjen për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Në fund të aktivitetit të pranishmit morën pjesë në ekspozitën me titull “Neomigjeniane” me piktura të piktorit të njohur Zihni Veshi, e kuruar nga Krenar Zejno. Artisti prej vitesh jeton e punon në Nju Jork, ndërsa për periudhën që ka krijuar në Shqipëri Galeria “Zenit Art” ka në arkivin e vet disa vepra të tij.
Gjithashtu, u projektua video e aktivitetit të realizuar në krijimin e Skenës së Pavarur Kulturore më 13 tetor 2013 te Pedonalja e Tiranës, me rastin e jubileut të lindjes së Migjenit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.