OPINION

Një shpjegim elektoral për qëndrimin e Holandës dhe Francës

07:18 - 18.10.19 Eduard Zaloshnja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

25 shtete të BE-së, me gjithë rezervat e shumta që kanë në lidhje me situatën në Shqipëri, janë dakord që t’i fillojnë negociatat e anëtarësimit me ne, pas plotësimit të disa kushteve. Këto kushte janë përmbledhur në mënyrë sintetike në një rezolutë të Bundestagut gjerman.




Por, Holanda dhe Franca kanë vënë veton për mosfillimin e negociatave me asnjë vend kandidat.

Qeveria holandeze ka dy vjet që e ka adoptuar këtë qëndrim intrasigjent për moszgjerimin e BE-së. Për të shkuar në burimin e këtij qëndrimi, duhet të kthehemi në datën 14 mars 2017, një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Holandë.

Atë ditë u publikuan katër sondazhe kombëtare: TNS NIPO, Peil, I&O Research dhe Ipsos. Ato parashikonin për partinë e kryeministrit Rutte një rezultat në intervalin 27-29 mandate parlamentare, ndërkohë që të nesërmen partia e tij mori 33 mandate, duke i siguruar kështu të drejtën për krijimin e qeverisë, si parti e parë.

Rezultati ishte jashtë marzhit të gabimit statistikor të sondazheve, por duhet mbajtur parasysh se anketimi për to kishte filluar 4-5 ditë para publikimit të tyre. Dhe 4-5 ditët para zgjedhjeve në Holandë ishin të mbushura me zhvillime të vrullshme për kryeministrin Rutte, i cili pati një përplasje të fortë me Erdoganin, pasi nuk lejoi dy ministra turq që të bënin fushatë në Holandë për referendumin turk.

Në qoftë se anketimi do të ishte kryer i tëri një ditë para zgjedhjeve (dhe jo i shtrirë në 4-5 ditë para zgjedhjeve), sondazhet mund të kishin qenë më të sakta. Siç treguan anketimet pas zgjedhjeve, votuesit e lëkundur dhe votuesit e disa partive fare të vogla kishin vendosur vetëm në ditën e fundit për të votuar për partinë e kryeministrit Rutte, kryesisht të ndikuar nga qëndrimi i tij i fortë ndaj Erdoganit.

Duke shkuar fare pranë humbjes, Rutte adoptoi qysh atëherë një politikë më intrasigjente ndaj zgjerimit të BE-së dhe ndaj emigracionit. Këto politika i kishin trumbetuar më parë partitë e ekstremit të djathtë, të cilat, për fare pak, mund t’i kishin marrë pushtetin Ruttes.

Edhe në Francë kemi një panoramë të ngjashme elektorale, por jo aq dramatike sa e Holandës.

Pasi fitoi presidencën vetë dhe partia e tij fitoi shumicën në parlament, presidenti Macron pa t’i bien në mënyrë të vazhdueshme kuotat e tij në sondazhet e opinionit publik, ndërkohë që kuotat e Marine Le Pen po ngjiteshin në mënyrë të vazhdueshme.

Dhe në ndihmë Macronit i erdhi Nathalie Loiseau, ministre e Çështjeve Europine. Duke parë se suksesi i Marine Le Pen dhe i partisë së saj në sondazhe kishte si motor qëndrimet intrasigjente ndaj zgjerimit të BE-së dhe emigracionit, ministrja Loiseau u bë promotore e adoptimit të politikave të ngjashme nga qeveria franceze. Bazuar në një platformë të tillë, ajo kryesoi listën e kandidatëve të partisë së Macronit për në Parlamentin Europian.

Dhe ditën e zgjedhjeve koalicioni i udhëhequr prej saj arriti të merrte njësoj mandate sa koalicioni i Le Penit, ndërkohë që ky i fundit kishte kryesuar më parë në sondazhe.

Dhe me suksesin në zgjedhjet europiane erdhi edhe rritja e kuotave personale të Macronit në sondazhe. Dhe me rritjen e tyre u çimentua edhe qëndrimi intrasigjent i Macronit ndaj zgjerimit të BE-së…

“realstory.al”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.