AKTUALITET

Vendimi: 2400 bursa për nxënësit e arsimit parauniversitar, kriteret

14:00 - 18.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara nga buxheti vjetor i miratuar për ministrinë përgjegjëse. “Gazeta Shqiptare” zbardh vendimin që ka hyrë në fuqi ditën e djeshme “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike”. Ministria përgjegjëse për arsimin profesional, për pranimet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, që ndjekin shkollat profesionale, të japë 2400 bursa.




Kriteret
“Ata nxënës të cilët ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve të përcaktuara. Plotësimi i kriterit ekonomik përfshin: nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët ndjekin procesin mësimor në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, që plotësojnë kriterin ekonomik dhe që akomodohen në konvikte publike; nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9- vjeçare brenda rrezes prej 5 km, të cilët plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr. 1, dhe që akomodohen në konvikte publike; nxënësit, fëmijë të familjeve në nevojë, me ndikim në uljen e nivelit të ‘braktisjes shkollore’, që janë regjistruar në arsimin bazë, por në pamundësi financiare nuk ndjekin arsimin bazë. Kriteri i rezultateve të arritura përfshin nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me notën mesatare 9 deri në 10.

‘Kriteri joekonomik:

a) nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit;

b) nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë; c) nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;

ç) nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;

d) nxënësit, fëmijë të personit/personave që gëzojnë statusin e invalidit; dh) nxënësit e pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane, të cilët regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;

e) nxënësit, të cilët janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;

ë) nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;

f) nxënëset (vajza), të cilat ndjekin drejtimet mësimore mekanikë, elektroteknikë, elektronikë, përpunim druri, gjeodezi, shërbim mjete transporti, termo-hidraulikë;

g) nxënësit me një prind. Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, për këto kategori nxënësish duhet të dërgojnë në institucionet arsimore ku ata ndjekin procesin mësimor si dhe në njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse listën e nxënësve përfitues”, – thuhet në vendim. Ndërkohë, në këtë të fundit bëhet me dije se kriteri i degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm përfshijnë nxënësit, të cilët ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në drejtimet mësimore bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit; nxënësit me vendbanim të përhershëm në Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë. Ndërkohë, nxënësit të cilët kanë përfituar bursë vitin e parë (klasën e 10) me vendim të këshillit bashkiak ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, të cilëve nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës, e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.

Mospërfitimimi bursës
Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj kur: janë ndarë nga trungu familjar, familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private, deklarohen mbetës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Nxënësve, të cilët nuk ndjekin mësimin/shkollën apo praktikën profesionale pa shkaqe të ligjshme, u ndërpritet bursa menjëherë.
Forma e bursës
Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose të kuotës financiare, në emër të prindit/prindërve ose të përfaqësuesit ligjor, për llogari të nxënësve, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë. Nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit, me një kuotë ushqimore (drekë) me vlerë deri në 150 lekë në ditë. Nxënësve të arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km dhe që akomodohen në konvikte publike bursa u jepet në formën e kuotës ushqimore. Në asnjë rast bursa nuk jepet në formën e kuotës financiare. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.