BLUETOOTH

Mahniti jurinë e “X Factor”, Jody Lulati: Jo më konkurse, do arrij suksesin me forcat e mija!

14:08 - 19.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Pamela Aliaj – Shumë prej nesh nuk e dinë se çfarë dëshirojnë të bëjnë me jetën e tyre në të ardhmen apo edhe çfarë pune apo pasioni duan të ndjekin. Por mesa duket, talenti dhe dhuntia që Zoti u ka dhënë disave prej nesh, na i bën rrugët më të qarta dhe vendimet më të sigurta për atë që duam të bëjmë. Ajo është vetëm 17 vjeçe dhe është shqiptarja e parë që na bëri krenare në një nga konkurset më të njohura në Greqi dhe mbarë vendin, “X Factor” ku edhe arriti në finale. I referohemi Xhodi Lulatit, ose Jody, siç preferon të quhet ajo. Në një intervistë eksluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Jody na rrëfen eksperiencën e saj të veçantë dhe emocionet që ndjeu kur juria e vlerësoi me pikët maksimale në performancën e saj të parë. Ndërkaq ajo, që askujt s’ia merrte mendja, është fakti që këngëtarja se kishte aspak me qejf të merrte pjesë në këtë kompeticion.




“Fakti që vajta sivjet në “X Factor” ishte një rastësi edhe vendimi u mor në sekonda, pa patur kohë të mendoja mirë çfarë do bëja. Gjithsesi, nuk bëhem pishman për asgjë, në fund të fundit ishte një eksperiencë e mirë”, thotë Jody.

Ndërkaq nga ana tjetër, ajo është mjaft e sigurtë për rrugën që do të ndërmarrë në jetë dhe ajo për momentin ka vetëm një emër: Muzika!

“Unë nuk dhashë provime përfundimtare në Greqi për të kaluar në një universitet, pasi nuk është ajo qe dua të bëj. Studimet dua t’i bëj pas këngës, por akoma nuk kam vendosur se ku do shkoj apo çfarë ekzaktësisht do bëj. Besoj se kam akoma edhe pak kohë të vendos. Këtë moment vazhdoj mësimet në shkollën e muzikës në Greqi ku kam marrë edhe bursë, duke u përgatitur për të dhënë diplomën e katërt për vokal. Ëndrra ime është të performoj mbi skenë dhe të bëj veten time krenare për të gjitha mundimet dhe arritjet e tanishme dhe të ardhshme”,-shprehet këngëtarja.

Për më tepër, ndiqni intervistën e mëposhtme me vajzën që shumë shpejt do të arrijë të realizojë ëndrrat e saj dhe që na bëri krenarë në skenën greke duke mahnitur jurinë e “X Factor” me zërin e saj!

jody 4 jody 6 jody 1 jody 2 jody 3 jody 7 jody 8 jody 10 jody 5 jody 9 jody 11
<
>

 Jeni vetëm 17 vjeç dhe arritët të kishit sukses në “X Factor”, në Greqi. Kujt ia dedikoni këtë sukses? Kush ishte personi që ju nxiti të ndërmerrnit rrugën e muzikës?

Suksesin tim ia dedikoj familjes time, shoqërisë sime, edhe mësuesve të mi të muzikës. Për rrugën time muzikore kisha shumë mbështetjen jo vetëm nga të njohurit e mi, por dhe nga njerëz që sapo më takonin, megjithatë unë e zgjodha vetë rrugën time dhe të tjerët e pranuan.

Kënga që paraqitët, “You know I’m no good” ishte ajo që bëri jurinë për vete. Cili është momenti më emocionues që do veçoni nga kjo eksperiencë?

E vërteta është që nuk kisha fare stres kur hipa në skenë, sado e çuditshme që të duket, por momenti më i mirë besoj se ishin fjalët e mira të jurisë, dhe në përgjithësi, njerëzit që takova në “X Factor”.

Duke qenë se jeni shqiptare, emigrante në Greqi, a keni patur ndonjë element paragjykimi nga pjesëmarrësit apo pjesëtarë të tjerë të stafit të “X Factor”?

Në asnjë moment nuk u ndjeva e paragjykuar për arsyen se jam shqiptare. Kanë ndryshuar shumë gjerat dhe racizmi është ulur. Nuk besoj se u intereson se nga cili vend je, por çfarë njeriu je, ku ke arritur etj. Sigurisht që ekzistojnë akoma njerëz që të paragjykojnë, por në raste të rralla.

A ka patur të tjerë konkurrentë nga Shqipëria? Keni ndonjë në “X Factor”?

Po, kishte dhe konkurrentë të tjerë nga Shqipëria, por nuk kaluan. Në fazën që arrita, isha e vetmja shqiptare.

Më trego pak për veten. Si lindi pasioni për këngën? Pse nuk tentuat më parë në Shqipëri të provonit të konkurronit?

Pasioni për këngën lindi, kur linda dhe unë, sepse që kur e mbaj mend, këndoja dhe kërceja në çdo moment dhe në çdo vend. Nga një moshë e vogël, edhe prindërit, edhe shoqëria donin të shkoja në një konkurs muzikor, gjë që unë nuk doja kurrë. Fakti që vajta sivjet në “X Factor” ishte një rastësi edhe vendimi u mor në sekonda, pa patur kohë të mendoja mirë çfarë do bëja. Gjithsesi, nuk bëhem pishman për asgjë, në fund të fundit ishte një eksperiencë e mirë. Nuk konkurrova në Shqipëri, sepse nuk jetoj aty tanimë, ndërsa në moshë më të vogël, koha e konkurseve binte bashkë me shkollën time, kështu që s’kisha mundësi, por, edhe siç thashë më lart, nuk e kisha shumë me qejf.

Keni kohë që jeni larguar nga vendlindja? Më flisni pak për familjen tuaj. Pse vendosët të largoheshit dhe sa e vështirë ka qenë ambientimi në shkollë dhe vend të huaj?

Prindërit e mi erdhën në Greqi vitin 1992, bashkë me motrën, për një jetë më të mirë. Sigurisht që fillimi ishte i vështirë, për të gjithë familjarët, jo vetëm për të mitë, por sa e mësuan gjuhën edhe kishin një vend të mirë pune, gjërat ishin më të lehta. Motra ime ndoshta ka përjetuar më shumë racizëm se mua, duke qenë se në atë kohë, ishin pak më ndryshe gjërat. Unë u linda në Greqi në vitin 2001 dhe kthehesha në Shqipëri për të parë familjen time çdo verë, kështu që u rrita duke patur të dy kulturat, dhe jo vetëm një. Në shkollë nuk kam patur shumë racizëm me sa mbaj mend. Sigurisht që në disa momente e shikoja dhe e ndjeja, por kur kjo gjë, nuk më bëri të kem turp për prejardhjen time.

Si ishte eksperienca në “X Factor”? E prisje eliminimin në 10-shen e fundit?

Pas audicionit të pare që kalova kishim mbetur rreth 260 veta për të konkurruar në ‘bootcamp’. Unë kalova dhe aty, tek 40-shja edhe u futa me skuadrën e 10 vajzave ku “mësuesi” ynë ishte Mihalis Causopulos. Tek faza tjetër që duhet të kalonin 4 nga 10 vajzat, unë u skualifikova. Ishte një eksperiencë e bukur dhe e veçantë për mua që do qëndrojë gjatë në kujtime.

Keni menduar t’i bashkoheni muzikës në të ardhmen apo ishte vetëm një eksperiment që donit të provonit talentin tuaj?

Muzika dhe kënga janë jeta ime dhe këtë gjë dua të bëj gjatë gjithë jetës sime. Nëse kjo gjë ndryshon në vazhdim, këtë nuk e di, por tani nuk ka asgjë tjetër që dua më shumë se kënga.

A keni patur ndonjë ofertë tërheqëse? Çfarë konkretisht, nëse po?

Oferta më janë bërë për një njohje tek një kompani diskografike që po planifikoj të shkoj.

A keni menduar të konkurroni në ndonjë kompeticion tjetër? Mbase në Shqipëri?

Në këtë moment nuk dua të konkurroj në asnjë konkurs tjetër dhe në asnjë vend. Dua të arrij diçka vetë dhe të gjitha përpjekjet e mija të duken në punën që do bëj dhe jo nga një show.

Për çfarë studion Jody? Ku e shihni veten të aspironi në të ardhmen?

Unë nuk dhashë provime përfundimtare në Greqi për të kaluar në një universitet, pasi nuk është ajo qe dua të bëj. Studimet dua t’i bëj pas këngës por akoma nuk kam vendosur se ku do shkoj apo çfarë ekzaktësisht do bëj. Besoj se kam akoma edhe pak kohë të vendos. Këtë moment vazhdoj mësimet në shkollën e muzikës në Greqi ku kam marrë edhe bursë, duke u përgatitur për të dhënë diplomën e katërt për vokal. Ëndrra ime është të performoj mbi skenë dhe të bëj veten time krenare për të gjitha mundimet dhe arritjet e tanishme dhe të ardhshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.