Bota

Sinaloa në flakë pas arrestimit të djalit të El Chapo Guzman, presidenti meksikan detyrohet ta lirojë

20:06 - 19.10.19 Gazeta Shqiptare

Presidenti meksikan i është drejtuar qytetarëve pas një dite të përgjakshme, ku pati të shtëna armësh mes autoriteteve meksikane të sigurisë dhe pjesëtarë të narko-kartelit Sinaloa, pasi arrestuan të birin e narko-bosit Joaquin Guzman i njohur si El Chapo.



Dhuna filloi kur lideri i kartelit Ovidio Guzman Lopez, njëri nga djemtë e lordit të drogës që po fshihej në një shtëpi në qytetin Culiacan, hapi zjarr ndaj një grupi ushtarësh që po patrullonin në këtë rajon.

Aty ushtarët iu kundërpërgjigjen me të njëjtën monedhë, duke u futur në shtëpi dhe arrestuar katër persona përfshirë edhe të birin e bosit të drogës, Guzman Lopez. Por, kur u shpërnda lajmi se janë sulmuar, grupe të armatosura kryesisht anëtarët të kartelit Sinaloa filluan luftën me autoritetet e sigurisë.

Videot amatore të publikuara shfaqin grupet e armatosura me armë të rënda dhe granatahedhës duke iu vërsulur autoriteteve të sigurisë, derisa vetura të shumta që ishin të mbushura me civilë nëpër rrugë, bënin të pamundurën që t’i ikin plumbave që fluturonin nga të gjitha anët. Si pasojë e këtij sulmi të përgjakshëm kanë mbetur disa të vdekur.

Në anën tjetër, ministri meksikan i Mbrojtjes, Luis Sandoval ka konfirmuar se ushtria kishte arrestuar Ovidio Guzman Lopezin, njërin nga djemtë e bosit të drogës që kontrollojnë kartelin Sinaloa që kur babai i tyre u arrestua dhe ekstradua në SHBA, me ç’rast edhe është dënuar me burgim të përjetshëm. “Ishte një strategji e planifikuar shumë keq”, ka deklaruar Sandoval gjatë një konference për media në qytetin Culiacan, ku së bashku me anëtarët e tjerë të kabinetit të presidentit Andres Manuel Lopez Obrador mbajtën konferencën e jashtëzakonshme.

“Task forca ka reaguar keq, operacioni ishte i planifikuar por nuk ka pasur improvizime që kanë mundur ta parandalojnë gjakderdhjen”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër presidenti meksikan Lopez Obrador, ka mbrojtur vendimin për të liruar Guzman Lopezin: “Përkrahi vendimin që është marrë. Situata u rëndua shumë dhe shumë qytetarë rrezikoheshin nga plumbat që fluturonin nga të gjitha anët”.

“Kapja e një krimineli nuk mund të jetë më e vlefshme sesa jetët e shumë civilëve. Vendimi i marrë ka pasur për qëllim të mbrohen civilët, nuk mund ta luftosh zjarrin me zjarr. Nuk donim njerëz të vdekur, “, ka shtuar presidenti meksikan.

Autoritetet meksikane kanë liruar nga paraburgimi Ovidio Guzman Lopezin, pasi që arrestimi i tij ka shkaktuar luftë kartelësh nëpër rrugët e qytetit Culiakan.

Ovidio Guzman Lopez, 28-vjeç, djali i narko-bosit Joaquin Guzman i njohur si El Chapo. Ovidio është një nga katër fëmijët e El Chapos që i ka nga martesa e tij e dytë.

El Chapo ka edhe dy gra tjera dhe të paktën gjashtë fëmijë, thuhet në raportin e policisë meksikane.

Ovidio është lideri i kartelit të fuqishëm Sinaloa, që së bashku me vëllanë e madh ka marrë kontrollin mbi këtë narko-bandë, pasi babai i tyre u arrestua dhe ekstradua në SHBA gjatë vitit 2017.

Këta dy vëllezër që në terrenin e tyre njihen si “Los Chapitos”, kohë më parë i kishin shpallur luftë njërit nga bashkëthemeluesit të kartelit famëkeq. Ismel El Majo Zambada kërkonte që vëllezërit Guzman të largohen nga kjo organizatë kriminale.

Kujtojmë që karteli Sinaloa i njohur ndryshe edhe si Guzman-Loera, merret me tregtinë e jashtëligjshme me drogë, shpëlarje parash dhe krim të organizuar dhe është themeluar në fund të viteve të 80-ta.

Por, ku është tani Ovidio?

Të enjten policia meksikane arrestoi Ovidion, disa muaj pasi që babai i tij El Chapo Guzman u dënua me burgim të përjetshëm për kontrabandim të drogës dhe shumë vepra tjera kriminale që rëndonin mbi të.

Por, arrestimi i tij shkaktoi luftës kartelësh nëpër rrugët e qytetit, ku autoritetet e sigurisë u detyruan ta lirojnë për të mos ardhur deri te gjakderdhja masive.

Lajmi për arrestimin e të riut Guzman shkaktoi luftëra të ashpra në Kuliakan që konsiderohet si “shtëpia” e kartelit Sinaloa.

Të shtëna armësh pati mes anëtarëve të kartelit dhe njësive speciale të policisë që kanë zgjatur me orë të tëra, e në video amatore dëgjohen të shtënat dhe trupat të pajetë nëpër rrugë, vetura të djegura dhe barrikada të shumta.

E duke parë se rrezikohej jeta e shumë qytetarëve, autoritet meksikane të sigurisë kanë liruar Ovidion disa orë pasi e arrestuan.

Kush është El Chapo Guzman?

Emri i tij i vërtetë është Joaquin Guzman Lorea e nofka e tij “El Chapo” do të thotë i “shkurti”, pasi është vetëm 167 centimetra i gjatë.

Ai mund të jetë i shkurtër me trup, por pushteti i tij vazhdon të ketë ndikim të madh. El Chapo është i njohur si narko-dileri më i pasur në botë.

Sipas të dhënave të gjykatës, ai kishte fituar 14 miliardë dollarë nga kontrabandimi i drogës gjatë karrierës së tij.

Guzman është bosi i kartelit Sinaloa në veri të Meksikës, që konsiderohet si furnizuesi më i madh i drogës në SHBA. E gjatë gjykimit të tij është zbuluar se kishte kontrabanduar drogë nëpër banane të plastikës dhe kënaçe.

Ai është dënuar me burgim të përjetshëm, plus 30 vite tjera në Brooklyn për shkak të kontrabandimit të drogës në SHBA.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *