Opinion-Komente

“Sabotatori i heshtur” dhe mërzia e parakohshme shqiptare

07:48 - 20.10.19 Skënder Minxhozi

Vështirë të gjeje më shumë evropianë buzërrudhur mes vetes së tyre, për një vendim negativ mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sesa të premten e shkuar. Zakonisht kjo zonë e kontinentit ka marrë aq kohë dhe vend në tryezat e Bashkimit Evropian, sa duhet për veshur pallton ose për të pastruar tavolinën nga pjatat bosh. Kemi qenë tradicionalisht një subjekt thuajse i bezdisshëm për axhendat e BE, aq sa na kanë gënjyer dhjetë herë, para se të na pranojnë një herë, për ato që vetë na kanë premtuar.



Por Këshilli i fundit Evropian la një klimë frustrimi që prekej me dorë. Është e vështirë t’i gjendet fundi listës së kryeministrave, ministrave, komisionerëve e zyrtarëve të tjerë të të gjitha niveleve, të cilët ishin të gatshëm të shpërthenin kundër Francës dhe disa vendeve të tjera veriore brenda Unionit, pas kokëfortësisë së tyre për të mos pranuar hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin.

Duket mendjemadhësi, por nuk është aspak e tillë: negociatat shqiptaro-maqedonase sollën brenda tryezës së liderëve evropianë një çarje të thellë, që s’e kishte prodhuar as Brexit-i i famshëm britanik! Gjatë tri viteve pas referendumit britanik për daljen e ishullit nga Bashkimi Evropian, 27 anëtarët e mbetur të BE-së nuk kishin shfaqur kurrë një mosdakordësi e çarje kaq të qartë dhe të thellë mes tyre, sa të premten në Bruksel.

Një çarje të tillë, që e shtyu kryeministrin e Italisë të thotë se ajo që bëri Presidenti i Francës ishte një “gabim historik”, e nxori nga vetja edhe eurodeputetin e qetë dhe të përmbajtur Kukan, që ta quajë Emanuel Macron një “sabotator të heshtur”. Edhe një nordik i rezervuar, cinik dhe ekspert si ish-kryeministri suedez Carl Bildt, i shkeli kësaj radhe standardet e komunikimit të tij publik, duke u shprehur se “padyshim që Macron i ka dhënë një goditje të rëndë kredibilitetit të përgjithshëm të BE-së, si një aktor me rëndësi për stabilitetin e Evropës. Në rajonin ku Evropa duhej të provonte fuqitë e saj, tani është goditur me thikë pas shpine”.

Rrallë leximi i situatave konkrete brenda kontinentit ka prodhuar kaq kundërshti, sa në rastin e moshapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Përtej llogarive kryesisht të brendshme të Francës e Holandës, shumica dërrmuese e vendeve anëtare panë te kokëfortësia e Macron e Rute, një gabim trashanik taktik, në lidhje me vetë interesat e Bashkimit Evropian në këtë rajon dhe në këtë moment konkret. Nga mbushja e vakumit me aktorë si Rusia, Kina e Turqia, te mosmbajtja e fjalës së dhënë për dy vendet ballkanike, pjesa dërrmuese e 27 vendeve anëtare ishin të qarta deri në cinizëm: frenimi i dhunshëm dhe i pashpjeguar i procesit të zgjerimit, edhe kur vendet aplikante i përmbushën detyrat e tyre, shënon cenim serioz për seriozitetin e Unionit në sytë e opinionit publik botëror.

Këtë konkluzion dramatik, presidenti i Këshillit Donald Tusk e përmblodhi ndoshta më mirë se të gjithë, kur deklaroi se “për këtë vendim nuk duhet të fajësojmë as Shqipërinë dhe as Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet bënë atë që ne u kërkuam të bënin… “Të dyja vendet kanë të drejtën t’u hapen negociatat. Ato janë gati, por fatkeqësisht disa vende anëtare të BE-së nuk janë ende gati… Kjo është arsyeja pse nuk arritëm të merrnim një vendim pozitiv”.

Një palë syze në Bruksel, një palë të tjera në Ballkan. Kjo është mënyra sesi po lexohet këto orë dështimi evropian shqiptaro-maqedonas në debatin e brendshëm politik të këtyre vendeve. Në këtë pjesë të kontinentit, fajet dhe përgjegjësitë ndahen me kut tjetër, pavarësisht se çfarë thuhet e dëgjohet nga ata që kanë në dorë çelësat e integrimit.

Zoran Zaev e zgjidhi vetë dhe me shpejtësi dilemën post-negociata. Propozoi zgjedhje të parakohshme, si reagim për padrejtësinë që i bënë. Sepse është e drejtë të thuhet se evropianët janë në borxh kryesisht me Maqedoninë e Veriut, për shkak të koncesioneve dhe hapave spektakolare që Shkupi bëri gjatë viteve të fundit, për të kapur trenin e negociatave. Vendimi i Zaev është sovran dhe i lëvdueshëm. Mandatin duhet ta ketë populli për të vendosur rreth situatës së re politike të krijuar.

Në Tiranë Edi Rama bëri atë që kanë bërë tradicionalisht kryeministrat shqiptarë: e shtyu larg vetes çdo mundësi zgjedhjesh të parakohshme, me justifikimin se Shqipëria e bëri detyrën që i takonte, por u rrëzua për shkak të problemeve të brendshme të Evropës.

A është kjo zgjidhja më e mirë e lëmshit që krijuan negociatat? Le të themi se në këtë vend ka arsye edhe më të forta për të shkuar në votime, sesa një ndër shumë shtyrjet e marrëveshjeve me Brukselin. Duhet votuar për shembull, për të zgjidhur me votë sherrin e maisur politik që vijon prej shkurtit e që ka lënë gjysmën e Kuvendit bosh, pa harruar edhe të gjithë pushtetin lokal që ka kaluar në një dorë të vetme. Duhet votuar për shkak të krizës ekonomike, akuzave të forta për keqqeverisje e korrupsion etj.

Çështja është se mesa është parë deri tani, asnjëra nga palët (e jo vetëm shumica e majtë), nuk duket se i ka fort qejf zgjedhjet e parakohshme. Përveç LSI, e cila aty-këtu ka hedhur idenë e përballjes elektorale edhe me Ramën në krye të qeverisë, PD dhe Lulzim Basha i janë përvjedhur gjatë gjithë vitit idesë së zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme. Basha kërkonte në pranverë qeveri teknike, kurse dje, teksa foli pas rrëzimit të negociatave, nuk dha asnjë indikacion të saktë se kur dhe si pretendon të shkohet në zgjedhjet parlamentare, para afatit zyrtar të vitit 2021. Pasi sulmoi qeverinë me molotov në verë, opozita bën mirë t’ia kursejë vendit këtë imazh, në prag të diskutimit të hapave drejt BE-së, si ky i tanishmi.

Sa për negociatat, ato gjetën një zgjidhje që vështirë se përputhet, qoftë edhe për së largu, me meritat apo defektet reale të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Si çdo proces tjetër integrues, edhe ky i negociatave ka qenë dhe mbetet thellësisht subjektiv. Shqipëria meritonte një mesazh politik pozitiv për çka kishte bërë. Maqedonia gjithashtu. Por mllefi dhe fatalizmi që shoqëroi “jo”-në franceze duket se ka të bëjë më shumë me përjetimin emotiv dhe romantik të njerëzve, sesa me logjikën e ftohtë dhe realitetin. Dimë se jemi të paktën një dekadë larg ditës së hyrjes në BE si anëtarë me të drejta të plota. Në këtë aspekt kemi të drejtë të ankohemi që na u mohua një akt formal, siç është fillimi i negociatave. Por nëse e vendosim veten si shtet, në kontekstin konkret të atyre që kanë shkelur para nesh në atë derë, atëherë për çfarë dështimi flasim? A nuk ka shtete të tjera që presin me dekada për të hyrë në Union, me negociata të hapura, pa pasur sukses? A nuk ka vende të tjera, që i kanë djegur etapat, duke i hapur dhe përfunduar negociatat në kohë rekord? Historia i njeh të dyja këto anë të monedhës.

Nëse i bindemi kësaj ligjësie të pashkruar të Evropës së Bashkuar, kuptojmë të vërtetën e thjeshtë, se nuk jemi ende gati për t’iu bashkuar klubit të vendeve të pasura të kontinentit. Jemi ende një demokraci hibride, me shtet të dobët, me rregulla formale e që nuk zbatohen. Në këtë prizëm, ikja e një treni faktikisht nuk i lëviz nga vendi afatet kohore të hyrjes në Bashkimin Evropian. Kohën e humbur mund ta rifitojmë kollaj, nëse bëhemi ata që duhet të jemi. Bileta jonë e hyrjes, e prenotuar prej vitesh, na thotë se do na duhet të presim edhe një dekadë për të parë derën e BE. Pse mërzitemi atëherë që nuk na lënë të hyjmë në sallën e pritjes dhjetë vjet para se të hapet dera?!

“javanews.al”

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *