MILOSAO

Ndjenja e pastrimit në kufijtë e të pamundurës si vetëpastrim shoqëror

15:51 - 21.10.19 Gazeta Shqiptare

Nga Agim Janina – Piktura e Gazmend Lekës në vijimësinë e saj dëshmon, sa një qëndrim estetik, aq edhe një vijimësi të lartë profesionale. Kr
ijues dhe një i përkushtuar çdo ditë me artin, ekspozitat e tij vetjake ndjekin njëra-tjetrën në një rrugëtim ciklik të vazhdueshëm. Vështirë ta futësh në një rrymë të përcaktuar, edhe pse gjen përkime kolosësh të artit, sepse së pari është mendim, ide e shprehur në figurë, ku synohet jo se si ndërtohet, por sesi shprehet dhe se çfarë shpreh. Ka brenda një kohësi si shumim idesh ekzitencialiste. Është realist në formë dhe në përmbajtje ëndërruese, meditative, problematike, magjike dhe e prekshme, e tanishme dhe e shkuar, e afërt dhe e largët, në kohë dhe e pakohë, e kufizuar dhe tejet e lirë.
“Mund të ketë përkime, të kem përrenj ushqyes, pohon Leka, por lumi im është ky. I vogël jam ushqyer me El Grekon, Gojën, Rembrandin, vizatimet e para të Pikasos. Ka piktorë që e shijoj shumë, si p.sh. Modilianin, por s’kam lidhje me të. Thjesht e shijoj. Në Letërsi, jam ushqyer me Hygoin, Dostojevskin, Niçen. Në muzikë jo me Sinfoninë e 40, të Mozartit, por “Rekujemin” e të tij. Kështu e shoh pikturën, një lloj përshpirtje”.



Me “Lutjes”, përsëri piktori i rikthehet vetvetes, tashmë një kthim i pamëshirshëm në kufijtë e makabritetit, sikur kërkon dëlirje, për të nxjerrë në mënyrë metaforike, gjithçka përmban të fshehur në vetvete, të fshehtën e vetme të gjithsecilit, të cilën shpesh njeriu e merr me vete kur ndrron jetë.
Arti i Lekës është një ftesë, grishje, endje që të bëhet, e parrezistrueshme, hamngjitëse, ndaj shikuesi shpejton ta shohë.
Në titull përmendet, shprehet, preket dhe ngrihet humbja, si shtresim i parë në dy plane, në atë real konkret dhe në rrafshin filozofik. Nuk është një figuracion e mundimshëm për të tërhequr thjeshtë vëmendjen. Në jetësimin artistik ajo është reale dhe shqetësuese për çdo krijues, sepse çdo krijues kush më shumë e kush më pak është një humbës si pjesë përbërëse e krijimit Nuk janë hapa të humbur. Janë gjurmë si ëndrra, të vrara, vepra të humbura. Koha me trysninë e vet, rregjimi ndalues e pengues, pamundësia e realizimit, mosguximi dhe stepja në çdo artist krijon hapësirën e saj.
Si ndodh një gjë e tillë dhe kush e detyron? Mos është një fatalitet prej të cilit nuk shpëton askush? Krijimi artistik është në rradhë të parë produkt vetiak i një krijuesi, por ka vlerë shoqërore, sepse i drejtohet një rrethi të gjërë, duke prekur problemet, që shqetësojnë një kolektiv të madh, i cili ka vërejtjet, mosaprovimet, mospëlqimet. Pra, çdo krijues duhet t’i paguajë taksën shijes së kohës, pushtetit dhe mossnjohjes.

Thirrrja për humbjen është sa e lashtë aq edhe moderne. Po deri ku shkon?
Ç’është kjo ndjenjë ? Intriga e rrëfimit pamor, stili i bukur apo figura e gjetur? Pa dyshim të gjitha këto luajnë rolin e tyre, por nuk është vetëm kjo. Është pak të thuash sa bukur e ka krijuar figurën. Shprehja e saj gjurmëlënëse është më e thellë se sa ndërtimi i përmbledhur i kompozimit.
Askush nuk mund të thotë, nëse veprat e humbura, dmth të parealizuara janë më pak apo më shumë sesa ato të realizuara. Vetë ndrrimi i jetës ndërpret shumë ëndrra krijuese. Por në thelb artisti me ç’ka krijon ia del mbanë të shprehet dhe të lerë gjurmën e tij në kohë edhe pse jehona e atyre që nuk u bënë ushton e nxit imagjinatën se çdo të kishte bërë më shumë.

Humbjen Leka e sjell si ndëshkim të vetvetes. Skena është përsëri studio e artistit, tashmë është vetërrëfimi, si vuajtje e thellë shpirtërore drejt ngjizjes dhe lindjes së veprës së artit dhe ndonëse nuk jemi në proces krijimi, ndëshkimi dhe dënimi jep gjithë mundimin e tij.
Mos vallë paramendohet të jetë mëkresë metaforike, kthimin e studios në një dhomë ndëshkimore dhe vetë artisti nxirak i goditur nga koha? Studio ka dhe e ndryn brenda dhe harraçin për t’u paguar. Nuk i shpëton askush. Është simbiozë e me vetë krijimin.
Leka ka vendosur të tregojë dhe të tëhuaj, dmth të largojë një pjesë të keqe. Arrin të tjetërsojë apo të dyzojë vetveten nën vështimin e po vetes.
Shpesh pohimi bëhet si mohim. Luhet artistikisht në dy kohë, si një fabul e gjetur, artisti në moshë të vogël dhe artisti i plotë i sotëm, në një heshtim folës bashkëbisedimi viziv, të shprehur në ndërtime kompozicionale.

Zotëruar nga ngjyra e veçantë e gjakut, para syve të shikuesin, tablo pas tabloje futesh në skutat e thella të artistit, vende të padukshme, ku honet e të panjohurës bëhen të dukshme, të prekshme, të ndjera.
E ndërtuar në një cikël tablosh dhoma, ku hyn e del si në rrathë Ferri. Brenda tërësisë, për ta plotësuar kemi nënndarje “Dhoma e torturës”, “Dënim kapital”, “Maska e hekurt”, autoportete, tablo “Mars 2019” dhe “Mars 1958”. Por e gjithë ekspozita edhe pse e shprehur si cikël, në thelb është një tablo, shpërfaqen. Përplasen, vihen përballë njera tjetrës pafajësia me gjithçka mblidhet e grumbullohet në jetë në shpirtin e artistit në rrugëtimin e tij, parë në një shtrirje më të gjërë.

Ajo vjen si energji e fortë, e derdhur në telajo, ngacmuese dhe nxitëse, ku personazh është artisti, në përmasë i gjallë i vdekur, përtej kohës dhe brenda saj, me njohja dhe zbërthimi e qenies njerëzore në realitetin shqiptar.
Artisti u ndesh me prekjen, shijimin, dëgjimin dhe së fundi me të parit të së keqes dhe me pastrimin e saj. Gjithçka si bërthama krijimi dhe secila prej tyre mund të mbajë brenda hirin e pafikur të krijimit, gjakimin artistik, këtë shkarkim emocional të papritur, rrjedhë e bukur, strukur thellë e më thellë qenies, ku humbet kufiri i arsyetimit, zonë e fshehtë e misterioze dhe plot me hapësira të pafundme. Vijnë si të pavullnetshme, kuptohen vetëm në çastin e krijimit, kur piktori zbrazet shpejt pareshtur, sikur i zihet fryma. Mendon me ankth, se do të shterojë, për ta gjetur kush e di se kur përsëri.
Përpëlitet për një tingëllimë koloristike, një fashë drite, një heqje peneli, që duhet të bjerë apo venë në kuadër, një volum apo një sfumim, një kolor që duhet përzjerë për të krijuar një tingëllimë ndryshe në telajo, një harmoni a një ritëm, që duhet kapur, që të shpëton, të bën bisht, kërcen e ikën e nuk e shtron dot. Vrapon si kalë i egër. Të josh, të miklon. Të duhet ta kapësh fluturimthi. Dhe kur e kap e shtëngn, nuk e le të marrë frymë, dhe nëse e lëshon ia merr frymën pastaj e bëhet bosh.

Ky është një kalvar i gjatë, mbushur me rengje të shumta, që i zenë pritë e nuk bën dot përpara.
Ekspozita nga përmbajtja dramatike vjen pas një turbullimi të thellë shpirtëror. “Viti 2019, thotë piktori, ka qenë një vit shumë i fortë në jetën time. Kanë qenë tronditje shumë të mëdha e të forta, fizike, emocionale dhe intelektuale. Nuk rrija shumë me njerëzit, nuk i takoja, një gjendje shtrënguese. Emocione të jashtëzakonshme, që nuk i kam provuar ndonjëherë në jetën time. Nga pikpamja intelektuale kam mbyllur disa llogari me enigmat, që na kanë rrethuar dhe që i kam ndjekur me kureshtje, që kur kam qenë i vogël. Kanë të bëjnë me shkencën, filozofinë, artin, fenë, më shume me këtë të fundit. E kam ndyshuar rrënjësisht gjithë mendimin. Pjesa e tronditjes intelektuale mund të tregohet, se tronditjen fizike e shikon, është e dukshme tek njeriu”. Emocionalja duhet krijuar. Ekspozita është shi, si me thënë, lëkura e trazimit të provuar”.

Misteri është pjesë e brendshme, një magmë, që kërkon të shpërthejë e dalë jashtë. Magma, si shpërthim vullkani, i përfytyrohet së brendshmi dhe e “vjell” tablo pas tabloje. Aq e fortë janë vrunjtut e shpirtit, sa nuk i mjafton një tablo për të pasqyruar, ndaj krijon cikle pas ciklesh.
Në këtë gjendje fillon e ndjen, se diçka nis të zbulohet. Larg, në hapësirat më të harruara të kujtesës, i dalin mjergullimet dhe vegimet e largëta e të afërta. Por janë vetëm imazhe dhe si çdo imazh, mund të jetë edhe i gënjeshtër në përmasat që projektohen. Ndaj duhen përditësuar në figura. Në telajo duhet të dalin si kode të lexueshme e të kuptueshme.

Ngurimi është i natyrshëm në ndërmarrje të këtij lloji. U ngjan ndjenjave, që provon para një mrekullie, e cila të tërheq dhe të mundon, duke mos gjetur dot fjalë për ta shprehur, deri sa dëshira bëhet një nevojë torturonjëse.

Mendimi nuk ka dalë i plotë diku dhe i është kthyer përsëri. Kjo nuk është përsëritje, por krijim e thellim. Ndaj dhe veprat janë ciklike, kanë një lidhje jo më shumë logjike dhe krijimi i një cikli ka sjellë nevojën e krijimit të një riu. Janë idetë që lëvizin duke përftuar përmasa te reja.
Laku i mendimit ngushtohet, piqet e thellohet, duke kaluar nga vegimi në formë në telajo, nga telajo në cikle të njëpasnjeshme.
Leka ngre probleme të ndryshme filozofike, estetike e artistike, si raporti i artit me shoqërinë, roli i artit dhe i të pikturuarit, duhet apo nuk duhet një vepër arti, liria e të pikturuarit, veprimi i çensurës në zhvillimin e saj, karakteri kombëtar dhe të fton të reflektosh mbi kohën, artin, njeriun, lashtësinë e të sotmen.
Por, jo vetëm kaq. Vjen si përsjatje më të thellë, filluar me ciklin “Molla”, hapur vite më parë. Janë shqetësime që piktori i bashkëbisedon dhe i rreh gjatë në mjediset universitare dhe më gjërë. Kërkon të dëgjojë vetveten, të shprehet. “Tani pas tre vjetësh, thotë, jam i qetë për shumë gjëra të rëndësishme, themelore. Mund të duket se ç’lidhje kam me një fenomen apo ngjarje, të duket e largët. Jam mësuar që t’i shikoj larg gjërat. Nuk jam mësuar të shoh të jetës së përditshme”.
Ndëshkimi apo më mirë vetëndëshkimi torturues është brerja e ndërgjegjes dhe shfaqet si njohje e vetvetes. Vepra nxit çlirimin e mendimit, larg një kundrimi të qetë. Vinë pas një meditimi të thellë dhe shqetësimi shoqëror.
Ç’është kjo tragjedi në pamundësi? Pyetje si zanafillë e vijëmësisë krijuese, mbartur nga rinia e hershme, kur trajtonte mite e legjenda për të kapur thelbin e tyre. Tronditëse dhe hammngjitëse njëherazi. Jo vetvetja, por gjithëkush, pasqyrë e shpirtit dhe shqetësim përfshirës për këdo. Të ysht të mendosh qenien, të fton e grish në bashkëbisedim në thelbin e jetës.

Vepra në dukje duket e largët, por thelbet janë udhëkryqe të përhershme për t’u kaluar. Në tollovinë e shumanshme mbushur me krim, korrupsion, keqkuptime, vendit i ka ardhur koha për përsjatje, për një vetërrëfim, në një zbrazje shpirtërore e morale, dënim dhe katarsis. Figurativisht Leka e zbarthen këtë ide, duke zbuluar nënshtresën e veprave, që fillon e del në sipërfaqe tablo pas tabloje, duke bërë qendërzimin si përditësim të kohës së sotme.
Ajo çka i bashkon e lidh gjithë krijimtarinë është ngasja shoqërore, ku ndihet mbushja dhe zbrazja në telajo e vrundujve shqetësues në thellësi e gjërësi problematike, si një asht domethënës pasqyrues gjithëkohor, ku e tashmja është e djeshme për t’u bërë e ardhme.
Pakohësia apo më mirë gjithëkohësia është shenja e artit të madh.
Tematik ngadhnjyese. Të bën të mendosh, nga vimë, kush jemi dhe ku shkojmë. Ky rrugëtim shpirtëror filozofik, vjen si shumim njëpasnjëshmëri tablosh, prek tema tabu dhe të sferës ekzistencialiste.

Ekspozita hapet me një portret fëmije i sfumuar mjergullëmë, “Mars 1058”, si për të dhënë një kohë të largët, nga ku nis udhëtimi viziv. Ky fëmi, i shfaqur më pas në disa kompozime, të merr për dore dhe të shoqëron nga tabloja në tablo. Është vetë artisti, venë kundruall të dytit të tij, tashmë i burrërruar.
Ç’është ky fëmi? Si hyri aty? Ç’qëllim ka?
Futja e fëmijës, vetë artisti, për të dhënë dy kohë, dy qëndrime siç rrëfen, i doli rrugës, jo se e mendoi që në fillim. Bëri dy – tre piktura, pastaj në një çast përsjatje. I shmanget paraqitjes si mazokizëm, sigurisht nuk e ka qëllim dëshirë të madhe të torturoj veten, siç mund të bëhet në rite fetare.
Atëhere në kompozime hyri fëmija, që i tha kuptim më të plotë ciklit. E quan një personazh Parajse, si kujtim të largët, një gjë që e ka përjetuar, pikë shtyse, personazh, pa lidhje me ngjarjen dhe moskokëçarës, nuk di se çfarë po ndodh dhe për më shumë nuk do t’ia dijë, plotësisht i huaj, gati si jashtëtokësor. Por ai pasyron ide. Bën lidhjen e ciklit. Lojë e bukur ndërmjet personazhesh në dy kohë dhe dy gjendje, njeri pjesmarrës i gjallën në lëvizje dhe shpesh i shkëputur në tre apo katër personazhe dhe tjetri botë më vete, në qetësi.
Kemi një lloj përmbysje në kohë. E shkuara bëhet e tashme dhe e tashmja vihet kundruall të shkuarës. Për t’ia rritur më tej pafajësinë, fëmijës shpesh herë në kokë i ka venë një lloj aureole, si persanazh, i ardhur nga bota e Edenit. Dy personazhe si një i ndarë në dysh, akuzator dhe i akuzuari jashtë Edenit, i përjashtuarit i tij.
Fëmija trajtohet si engjëll i pafajshëm, mban Parajsën e tokës, ndërsa artisti mban Ferrin, kalvarin e mundimeve. Në thelb, të dy janë të shenjuar. I vogli jep shpresën, i madhi realizimin e saj.
Fëmija vjen edhe si një qortim, sepse Leka nuk do thjesht të dëshmojë “mëkatet”, por të bëjë një shplarje të kohës, gjë e paparë gjer më sot në artet pamore, por edhe më gjerë.
Është dhe një vetëdënim shoqëror, i pastër, i thellë shumë tronditës.
Humbimi në vetvete dhe njohja e saj është shumë e vjetër, formëzuar filozofikisht së pari, nga filozofi grek Sokrati në thënien “njih vetveten”, lidhur me katarsin e ardhur nga zulma e Luftës së Trojës, ku u shfaq për herë të parë.
Ndërlikimet e krijimit, piktori i ndjen brenda vetes. Sheh thellë dhe kërkon. Por që të kërkojë duhet të ketë. E di që të ketë duhet të jetë i mbushur. Që të mbushet duhet të mësojë, studiojë, vëzhgojë, analizojë, sintetizojë dhe të ndjejë frymëzimin. Akt shumë i lartë dhe shumë i ndershëm. Nuk mund të gënjesh dhe të gënjehesh me krijimin. Është tmerrësisht i përgjegjshëm.

Leka arrin. Të arrish diçka do të thotë të gjesh vetveten, ajo çfarë je ti në në një njollë boje, në një linjë, në një hapësirë koloristike, në çka krijon më shumë si frymë në telajo apo gjetkë.
Si në një rrjetë peshku, kap vetë jetën tokësore, tërësinë, thelbin e qenies, qëllimin e saj, domosdoshmërinë e vijuesshmërisë, vlerën mbartëse. Piktura me kohë i solli rritjen e forcës njohëse, shprehëse e abstraguese në njohjen e botës dhe natyrës dhe më shumë në njohjen e vetvetes. Arti u rrit me piktorin dhe e riti këtë të fundit. Në rrugëtimin gjithëkohor, artin e ka pasur bashkëudhëtar, ka ecur në krah me të. Çdo të ishte pa artin? Një shurdhëri dhe një shkretëtirë shpirtërore. Pa kolore, linja, lëvizje – një tmerrr i vërtetë.
Pikëtakimi në rrugëtimin gjithëkohor, është i mbarsur me imazhe e figura, ëndrra e realitete, koncepte e ide, emocione e lëvizje, drithërima njerëzore, të cilat duhet t’i kthejë në vepër arti. Kapja e rrokja e temave nuk janë çaste jete, por çastet e jetës shihen në thelbin e vet.
Artisti shtjellon e shpjegon qenien dhe ekzistencën e botës në hapësirë, kohë, mentalitet, qëndrim etj, etj të njeriut, të cilën shpreh tek vetvetja.
A ka mision Artisti? Sigurisht për Lekën ka. Është misionar. Por jo si sllogan. E përçon dhe shpërfaq krejt nga vetëdija.
Leka është kompozitor. Artin e ka si gjuhë të përbotshme, gjuhë që kuptohet nga të gjithë, një esperando moderne dhe e lashtë, që nuk ka sintaksë e gramatikë, nuk shpërbëhet, e bën për të gjithë. Kryesorja e bën ta kuptojnë të gjithë, pa pasur nevojën e një ndërmjetësi. E tillë e sjell artisti, të gjallë, ashtu siç gatuhet në çdo kënd të botës dhe nga çdo artist dhe hyn drejtpërdrejt në shpirtin e shikuesve.
Piktori e di se arti asnjëherë nuk ka pasur kufinj ose askush nuk ka mundur t’i vërë kufi. Thyerja e kufijve, krijimi i një ideje shprehëse, thelbi i saj, e kuptueshme dhe me vlerë. Kjo e bën të veçantë, në pamje të herë enigmatik, e herë të pashpjegueshëm tërësisht, prodhim ndjesor dhe logjik, i dalë nga skutat më të thella të qenies, aty ku edhe vetë artisti nuk mund të futet dhe e ka të pamundur të futet plotësisht. Kompozimet shfaqen befas dhe shpërthejnë krejt papritur.
Leka ka vendosur të mos ketë mëshirë për vetveten. Mëkatet duhen ndëshkuar dhe ai i dënon. Nuk na tregon se për çfarë mëkatesh bëhet fjalë apo ato nuk mund të jenë fare mëkate, por dënime, pamundësia, stepje, kërcënime e dënime që ai nuk i meritonte, por që koha, njerëzit ia dhanë.
Por kjo është vetëm dukja e parë. Ajo përvdiret kur fillon e kupton diçka tjetër. Ka një nënshtresë bashkëngjitëse. Ajo del ngadalë në sipërfaqe e plazmohet në disa autoportrete të artistit. Asnjë luhatje, asnjë hezitim. Një artist i plotë, i formuar, që nuk jepet, lufton dhe ia del mbanë me vijimësinë e artit që krijon.
Ekspozita merr kthesë. I vetëkryqëzuar si mëkatar apo si një i shenjuar i goditur?
Artisti nuk është i cënosur dreqnisht. Kjo nuk është as thjesht dëlirje. Mendimi grah në kah tjetër. I dënuar apo martir, e kryqëzon veten apo e kryqëzuan? E vunë në hekura, e prenë mizorisht, e coptuan, gjymtuan, kërkuan ta thyenin, gjithë ata mujsharë llomatarë keqdashës, shtiracakë e shtijëkeq, që mrrollën, baçkallosën e laturisën, një e keqe e pacak. Jo vetëm kaq, sepse metafora tashmë del jashtë vetvetes, bëhet përgjithësuese, dëshmon edhe gjithë kalvarin e vuatjeve, por edhe tutjetëhun nga duhet të kalojë në përmbushje të veprës. Vuajtja e krijimit, ku shpesh të thuhen e këputen krahët, duhet të ndeshesh me sulmet e kaqdadashësve, të duan të kryqëzuar, të të mundim, të të vrasin artin që krijon.
Mjetet si një “këmishë e hekurt”, e veshur në trup të artistit shpërfaqen nëpër tablo. Nuk janë kinse, por rrënqethëse, të qëmtuara me kujdesin më të madh, por kanë një veçori, vijnë nga e kaluara, thuajse mesjetare. Shtyrja më kohë të largët, shpreh se këto dënime mizore, larg natyrës njerëzore, duhet t’i përkasin të kaluarës. Leka në hijëzimin e gjendjes tragjike, na i sjell pranë të gjalla, si dëshmi të natyrës njerëzore apo më mirë goditja njesohet me kohën,duke u përjetuar si të tilla. Është pjesa humbëtirë me lëng të keq e shoqërisë, e cila duhet nxjerrë jashtë.
Por forca e artistit, ai gulçim e brendshëm, i papërmbajtur e shpërthyes, ngadhnjen edhe mbi vetë artistin dhe së pari mund atë për të mundur të tjerët. Tragjizmi kthehet në shpresë si shpëtim.

Vite më parë Leka do të befasonte me të zezën. Tani befason me të kuqen e fortë, gjak i pastër dramatik, shtrirë e përhapur nëpër telajo mjeshtërisht në mënyrë të papërsëritshme. Edhe pse e vështirë, piktori ia del mbanë. E kuqja ballafaqohet me të tjerat, duke rritur ngacmimin ndjesor tek shikuesi. Ndërfutja koloristike bën një qetësim të dramës si një tragjedi e dhimbshme, e mundimshme.
Kompozimet dallohen nga ndërtimet grafike të forta në lojë bardhë e zi, në këtë rast të plotësuara në nëpërdukjet nga takimi i fortë i ngjyrave të kursyera afërndenjës, të ndara qartë në sipërfaqe monokrome, por ku edhe herë pas herë piktori i ngacmon me penel për të rritur ngarkesën e tyre, kornizuara nga një vizatim i saktë, volume të goditura dhe gjetje kompozicionale, në tonalitete të errta si një tis i hollë mbulues, duke u bërë më të afërta, më të brendshme.
Në tablo del një njollë e vogël e bardhë apo ngjyrë tjetër me shtim ndriçimi. Bëhet qendrore, sa po ta heqësh prishet drejtpeshimi. Kjo duket qartë, nëse tablotë i kthen në bardhë e zi, ç’ka jep emocione të ndryshme. “Janë tokësore, shprehet artisti. Kur mendohen skena të tilla, i mendojmë shumë të errta. Shkova tek simboli. Doja të krijoja një llavë vullkani, një zjarr të madh, ashtu si përfytyrohet Ferrin, sepse e kuqja ka të bëjë edhe me jetën, me lindjen e saj, por ka të bëjë edhe me martirizimin dhe dënimin e madh. Kështu dalngadalë fillova që ta çliroja. Qëndroj tek të errtat, të kafenjtat, të kuqet, të verdhat. Nuk jam tek blutë dhe jeshilet. Këto kolore kam përdorur edhe në ciklet e tjera. E kisha shumë të lehtë, që këtë situatë, shumë e vështirë, mund ta bëja edhe më të errët. Por do të ishte një lloj parafabrikati, por s’do ishte aventura ime”.
Të kuqet, e përdorura në ciklet e para, i vinin rrotull, vezullonin larg, por me forcë. Tashmë i duhej t’i derdhte e t’ shpërndante si gamë në të gjithë telajon. Ndërtimet me tonalitetet të kuqe të ftohta, të ngrohta, një spektër tonalitetesh brenda së njejtës ngjyrë për të krijuar e shprehur sa më thekshëm gjendjen e duhur.

Shpesh një njollë tejet e studiuar dhe e vendosur në vendin e duhur, merr një peshë të madhe, duke bërë drejtpeshimin koloristik të tablove. Ndërsa herë tjetër në një njollë lokale rritet dendësia, duke u balafaquar bukur me sipërfaqen e qetë. E bukur është edhe kur brenda të njejtës ngjyrë në sipërfaqe të madhe përdoren tonalitete të ndryshme.
Me një linjë grafike të dukshme dhe një vizatim lakonik, ndërtohen brendi me një perspektivë me plane koloristikë të gjërë, të saktë, të konceptuar drejt, të mirëvendosur dhe shumë të qendrueshëm, ç’ka rrisin harmoninë kompozicionale, veçori stilistikore e artistit.
Vijnë nga vëzhgimi nëpër muzetë e torturës, të Francës, Spanjës, në Italisë e gjetkë, gjatë vizitave jashtë, shpjegon piktori. “Janë shumë të ndërlikuara dhe prandaj u drejtova tek torturat e inkuzicionit, sepse janë më domethënëse. Të akuzuarit pohimin ia nxirrnin me dhunë, duke e detyruar edhe të gënjente, duke pranuar se ishte fajtor”. Vegla torturash nga më të tmerrshme, të bëra me gozhda, me hekur, ngulur në dërrasë, rrota shtrënguese, mbyllje si në arkëmorte, varje kokëposhtë me krahë të lidhur me litarë të ashpër, djegje në kazanë, shigjetime në trup, prerje gjymtyrësh, futje koke në kamare të frikshme, mbytje me lëng, kryqëzime apo mbytje. Veglat vetëm nga pamja të kalnin një ndjenjë frike të madhe. Këto mjete çmendurie artisti i mbivendosi kompozimeve për ta bërë më të plotë dhe më të thellë shprehjen e idesë.

Gryerja duhet të bëhet e thellë, e plotë, e pamëshirshme, ku dalin gjithë rropullitë e trupit. S’ka të fshehta. Gjithçka duhet të tregohet e dëshmohet. Trupi coptohet. Në cep dukshëm ushqimi biblik buka dhe gota e verës, trupi dhe gjaku “Dhoma VII”. I duhet të dorëzohet tërrësisht. Pa kundërshtim. Pa hezitim. Shikon veten trup – shpirt. Duhet të coptohesh në dysh, “Mars 2019” dhe “Dhoma VIII”, gjymtyrë prerë, buka dhe vera simbole të lashta. I varur “Dhoma XI”. Thuajse i groposur “Dhoma XII”. Ndërsa krijon rrota e mundimit i vjen qark “Dhoma XVI”. Me maskë në fytyrë “Dhoma X”. Diku në sfond të një tabloje, bashkë me artistin, shfaqen disa gra murgesha. I ka parë diku dhe iu fanenpsën ndërsa pikturonte tablonë. Fëmija me shikim moskokëçarës, se çfarë ndodh, ballpërballë shikuesit. Është dhe një i tretë, vetë artisti, si një trinitet i djeshmi, i sotmi, i torturuari apo i vetëdëshkuari “Dhoma VI”, të ardhur si vegim ëndërr e largët, si mall i pashprehur, mallëngjim i së kaluarës (“Dhoma VI”).
Ferri përzihet me pafajësinë (“Dhoma III”). Pesha e krijimit, me një lëvizje sikur do ta lehtësojë, por më shumë ta dëshmojë, ndërsa trupi ndjen peshën e dhimbjes (Dhoma IX). Vetëtorturim dhe Pendim (“Dhoma VI”, “Dhoma VII”, “Dhoma VI” dhe “Dhoma V” për të ardhur tek “Dhoma II”, ku merr pamjen e Shën Sebastianit të shigjetuar dhunshëm në trup.
Dhimbjen e jep si forcë, jo si mundje edhe pse me dhimbje shpirtërore. I duhet të kalojë kalvarin e gjatë, “Dhoma X”. Të zhytet i tëri brenda saj, si një akt pastrimi moral. Tek arti duhet të shkosh i pastër, i shenjtëruar. Arti është jo vetëm ndjenjë e derdhur në tablo, por pasqyrë e vetë artistit.
Me klithmën artistike, të lenë si gjurmë në pëlhurë, sikur kërkon të thotë, i thashë të gjitha. Tani më gjykoni. E ndëshkova veten. Gjykim i fundit, vendimtari, i përjetshmi, ai që mbyll gjithë kalvarin e krijuesit, duke e lenë në dorë të kohës.
Ka dënim, por ka dhe dritë, “Dhoma VII”, ku i ngrirë një çast me trupin e tërhequr me forcë nga rrota e torturës, ndërsa në fytyrë i derdhet drita e krijimit, një dyzim trupë shpirt. Vërtet të jap krijimin, por do paguash harraçin me dhimbje të mëdha.
Edhe pse jo e fundit në ekspozim, cikli mbyllet me “Dhomën e IV”, ku bëhet fluturimi i shenjtërisë së krijimit nga fëmija tek busti i piktorit. Ndërmjet tyre trari i ndalim kalimit. Gozhdët e torturës të shoqërojnë në rrugëtimin drejt artit. Kalim nga fëmi në krijues, harku i jetës së artistit në projektimin e rrugës dhe përmbushjen e misionit. Leka ia ka dalë.

Leka luan me simbolin, risjell figura biblike, si për të dhënë shenjtërinë e pastrimit shpirtëror kinse të tij, por kjo është vetëm shtresa ilustrative për të veshur mendimin. Ai zotëron kompozimet. Nuk pozon. Vepron. E sheh veten nga larg në bashkëveprim. Dëshmitar i vetvetes si krijues. Përmbyllëse e krijimit nga fëmijëria e dlirë tek mosha e kapjes së monumentit, duhet të kalosh kalvarin e vuajtjes dhe mbetet maskë me gojë hapur, jo thjesht habi, mëdyshje në a ja vlen të paguhet ky haraç? E ngrin veten si një maskë dhe shikuesi përjetësisht do të shikojë maskën e ngurtësuar. Atëhere të gjithë do të thonë, po, ky është. Artisti një shenjtor krijues, i dënuar nga vetë krijimi.
Te Maskat e hekurta koka të prera si të nxjerra si në kamaren e turpit. Ti je ndryshe. Nuk je si të tjerët. Ti krijon. Është bllafsemi. Kthesa merret dhe del koha, shoqëria dhe jo thjesht artisti në shprehjen e kohës.

“Shpesh herë, rrëfen, në shtëpi rri para kompiuterit dhe shoh gjithë krijimtarinë. Janë me qindra. Mundohem të kuptoj gjithë ecurinë. Shikoj personazhe, pastaj më shuhen. Del një personazh i ri. Krijohen sipërfaqe. Dalin figura, simbole. U rikthehem edhe një herë personazheve. Më risillen disa ndjeshmëri, të lëna, harruar rrugës. Jam i kujdesshëm, se mund të mund të vijë një çast shumë i fortë dhe e braktis për hir të një mode. Por kurrë nuk jam tërhequr nga moda. Asnjëherë! Kur bëra ekspozitën “Taso”, edhe pse ishte një personazh i gjallë, mik i hershëm, rihyri me forcë figura e njeriut. Edhe përpara e kisha. Legjendat e mitet, e trajtuara në të ritë, nuk kanë qenë gjë tjetër veçse marrëdhënie midis njerëzve, fuqisë, të errtës, të qartës etj. Me ciklin shkoj në një gjendje më të pjekur”.
Tashmë artisti është në pjekurinë e plotë, pa mëdyshje në vazhdimin e thellimit të brazdës së krijuar dhe vendit që ze në Artet Pamore.
Një vend të veçantë ze edhe problemi i rolit të artit dhe i artistit, i cili shikohet si një dygjymtyrësh, i pashkëputur e gjithëkohor, që ka lindur bashkë me rravgimin e parë në sipërfaqen e ashpër të gurit apo më pas në lëkurën e pergamenit. Është dilema përpara çdo artisti të çdo kohe, kur ngre penelin për të hedhur mendimet në telajon e bardhë. Çfarë do të pikturojë? Kujt do t’i drejtohet? Përse? Çfarë ka për të thënë e shprehur? Pyetje që telajo kërkon përgjigje, shpagimin, taksën e shpirtit.

Mendimi i ekspozitës nuk mbyllet këtu. Kudo ndihet mendimi i pastër dhe e fuqishëm, forca gërryese e tij, vërshimi e dyshimi, ëmbëlsia e ashpërsia, ironia dhe patetizmi dhe pas gjithë këtyre përvijimi i Shqipërisë së sotme me hijen e rëndë, që lëshon nga lashtësia, krenaria dhe karakteri kapriçioz, shpirti i tubulluar me hijet e të kaluarës, hapësirat e mëdha të mendimit, territori i vogël gjeografik, ku është mbyllur dhe dëshira për hapësirën shpërthyese, ç’ka i ndjen çdo krijues shqiptar. Piktura e Lekës e dëshmon këtë kërkesë e nevojë. Vjen nga lidhja midis historisë shqiptare dhe asaj botërore si filozofi, pa e ndarë dhe duke e ndërfutur historinë shqiptare në historinë e përbotshme, jo për të zenë vend, por si pjesë e saj.
“Kur më pyesin, por edhe ia bëj pyetjen vetes, shprehet artisti, pse është pikturë shqiptare? Sepse shikuesit kërkojnë veshje, xhamadanë, gjera popullore. Në pikturë shoh vetëm energjinë shqiptare. Energjia që derdhet çdo ditë në rrugët tona. Si qytetar, jam i nervikosur me shumë gjëra, jo të mira që ndodhin’.
I gjykon si tingëllima të zbehta të asaj zhurme të madhe, që bën Shqipëria, por gjithmonë i intereson energjia dhe atë përpiqet ta përditësojë në mënyrë artistike në pikturë.

Shton se,”këtë pikturë nuk do ta bëja dot në Francë, Suedi, Danimarkë apo kudo. Kanë probleme të tjera. Kam nevojë për energjinë e vendit tim. Mund të kisha ikur me familjen time për të krijuar edhe një jetë të mirë, por e dija mirë, se nuk do ta kisha bërë kurrë këtë pikturë, nuk do isha një piktor krijues. Do isha një piktor dekorator, do ndihmoja ndonjë piktor tjetër, do të humbja komplet. Nuk do isha qenia ime”.
Leka ka kuptuar se pavarësisht sesa ka rëndësi ka vendi, ku ekspozohen veprat dhe se nga cili vend vjen artisti për të ekspozuar, është vlera e përgjithësimit artistik, që kalon kufijtë. I pëlqen të shtojë, se në dhomë (jetë) të jenë hapat e fundit të humbura, çasti i fundit, profani i fundit, i cili tërë jetën është mësuar të profanojë. Dhe më pas vjen pragu i rrugës së ndriçimit, ku qenia pastrohet plotësisht shpirtërisht, dhe ashtu ze vend. Kështu është dhe Shqipëria.
“A nuk mendohet të bëjnë një katarsis në Shqipëri? A po ndodh? – pyet piktori. Nuk bëj profetin, por më pëlqen, që vepra është në përputhje me këtë kërkesë”.
Në përurimin e ekspozitës me pjesmarrje të madhe ishte dhe nëna e artistit. Ndiqte me vëmendje fjalën përuruese. Ndoshta shumë fjalë nuk i kuptonte. Kur përshëndeti i biri, u bë më e vëmendshme. Në buzë i endej një buzëqeshje e hollë nazike. U ndje e lumtur më shumë për atë çfarë tha i biri. “Dje, foli piktori, shoqërova time shoqe në ekspozitë për të bërë edhe disa korrigjime të fundit dhe befas mu kujtuan të gjitha vegimet, ardhur nga fëmijëria e hershme. Në mëngjes hapja sytë dhe shikoja shtëpinë rrëmujë. Karriget me këmbë përpjetë. Tavolinat të shtyra në cep të dhomave. Qilimat e mbështjellë, stivuar në korridor dhe mamanë, që vinte rrotull me leckë në dorë.Më ngrinte batanijen e krevatit. ‘Çohu Gazi! Shkoi vonë. Do pastroj’, më shkundte lehtë nga supet. Ia ktheja, por t’i i ke pastruar! ‘Çohu, çohu, se sot është e dielë. Kemi pastrim’! Pastaj merrte një kovë me qëlqere dhe lyente bordurat e shtëpisë sonë të vogël. Ngrihesha dhe dilja. Kujdesin e Nënës e shihja edhe si fenomen estetik, për ta dizifektuar mjedisin. Kur kthehesha në drekë, e gjeja shtëpinë ‘dritë e pasqyrë’, sipas thënies së mamasë. Një ajër paqësor. Ndihesha shumë kënaqur. Gjithçka ishte në vendin e vet.
Kjo rrëfejë është e njejtë më rrëfimin, e shfaqur në pikturë. Po e njejta gjë, po i njejti pastrim. Jam munduar të bëj një katarsis dhe sigurisht, që kur bëjmë një pastrim të qenies tonë, të një boshllëku të madh të saj, do të na dhembë shpirti. Duhet të kalosh në një zonë, ku të duhet të paguash një haraç, që ka të bëjë me torturën, me dhimbjen, me shumë vuajtje. Por besoj se dhe Shqipëria jonë e vogël, besoj se ka ardhur koha, të hyjë në një bukuri estetike, por në rradhë të parë për ta pastruar”.
Leka me punët e paraqitura dëshmon se është në bashkëkohësi me rizgjimin e kohës, pastrimin e shoqërisë shqiptare.
Del nga ekspozita, pasi ke kaluar lëndimthi, (tablotë nuk mund t’i shmangësh lehtë nga forca goditëse. Tronditesh nga skenat e dhimbshme dhe mendon, duke medituar me veten, jo thjesht dhimbjen dhe vështirësinë e lindjes së krijimit, por forcën që të duhet për të përballuar jetën, duke sjellë groposjen e së keqes, në rimëkëmbjen e jetës.

Agim Janina,
Studiues arti

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *