KULTURË

Pasardhësi i mbretit të Italisë që fle në “krevatin e perandorit”

12:00 - 21.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Engjëll Serjani – Mauro Mauri, është një “italiano vero” që është dashuruar marrëzisht me qytetin e Gjirokastrës për disa arsye të forta personale, të cilat do t’i “shkoqitim” një e nga një më poshtë. Profesioni i tij është gazetar kulturor dhe ekspert për shkrimin e guidave turistike. Mauro është nga Briancia, një qytet i rajonit të Lombardisë në veri të Italisë. Si çdo verior dhe italian i vërtetë, ai është, indipedist, adhurues i Lega Nord dhe i Mateo Salvinit. Mauro nuk është rastësisht gazetar, pasi ai është bir i një veteran të gazetarisë italiane. Por ai nuk është rastësisht edhe me gjak blu.
Me Mauron jam ndeshur shpesh nëpër sokakët e zonës historike të Pazarit të vjetër karakteristik të Gjirokastrës. Mandej, diku nga marsi i këtij viti, e kam parë t’i bashkohet vullnetarisht një grupi të rinjsh gjirokastritë për të mbjellë pemë e pastruar nga mbeturinat urbane nga shpatet e kodrave mbraonë pas kalasë së qytetit.




Më kishte bërë përshtypje fakti që kur qëndronte në Gjirokastër, flinte gjithmonë në të njëjtin hotel, në hotel. Një nga godinat më hijerënda që qarkojnë ‘Sheshin e Çerçizit’. Hotel “Sopoti”, dikur nga më luksozët në Shqipëri, me një arkitekturë nga më modernet në kohën e shkëlqimit të tij, aktualisht është në një gjendje të mjerueshme. Ndoshta, sepse ish-pronarët e familjes gjirokastrite të Hadëratëve, pasi ripërfituan pronësinë, nuk kanë investuar, por e kanë nxjerrë hotelin në shitje. Për këto arsye, fjetja në këtë hotel, ku natën të përpijnë tartabiqet dhe kunupet, kushton shumë lirë, vetëm 8.50 euro, ose 1000 lekë.
Jam shkëmbyer e përshëndetur shpesh me Mauron. Ndonjëherë, edhe e kam pyetur për arsyet e vizitave të shpeshta në Gjirokastër. Më ka renditur shumë arsye, por arsyen e vërtetë e zbulova vonë. Në fund të gjithë atyre arsyeve që Mauro dhe çdo vizitor i huaj rendit në këtë qytet unë zbardha enigmën e madhe të tij. Kur e pyeta për arsyet e fjetjes në këtë hotel të rrënuar, mësova dhe kuptova mjaft “sekrete”. Kështu, më në fund mësova prej tij se, Mauro është një nip i largët i ish-mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të III-të. Ish-mbreti, “ish-perandor” i Italisë, Abisinisë dhe Shqipërisë, vetë Viktor Emanueli i III-të, gjatë vizitës së tij zyrtare në vitin 1940 në Shqipëri, kishte fjetur në një nga dhomat e këtij hoteli që në atë kohë mbante emrin Hotel “Royal”. Mandej mbas këtij momenti “historik”, për nder të “perandorit” hotelit i ndryshon edhe emir, në Hotel “Impero”.

73134092_2741350835886352_2770233281487044608_n 72698356_477961492809900_6059828430906589184_n 74624138_2507372186005108_1039746247319093248_n 74277090_1141231239408608_5497117638444187648_n
<
>

Viktor Emanueli III, (1869-1947) ishte monark i Italisë në vitet 1900-1946, që asokohe njihej edhe si sovran i kurorëzuar edhe me kurorën e mbretërisë shqiptare, duhet të ketë qëndruar në Gjirokastër para datës 14 maj 1941. Pra, para se të kryhej kundër tij atentatit i të riut nga Piqerasi Vasil Laçi. Megjithë orvatjet e tij për të ruajtur regjimin monarkik, në vitin 1946 populli italian vendosi të shpallte republikën, ndërsa familja Savoja kaloi në mërgim dhe vetë ish-mbreti vdiq i mërguar në Aleksandri të Egjiptit.

Mbreti vdiq, por pasardhësit nuk e harrojnë. Mandej, ndonjë prej tyre, si Mauro, për ta përkujtuar atë, pranon të sakrifikojë duke fjetur me net të tëra mes tartabiqeve, në dhomën e hotelit tashmë në rrënim, ku nostalgjia nuk kushton më shumë e 8.50 euro.
Historia e pasardhësit të ish-mbretit Italian, hapi shumë orekse dhe historira përreth Hotel “Sopoti-t”, në kafen e Sheme Zanit, ku Mauro rrufis kafen e mëngjesit. Shemja, ish-kryekamarieri i hotel turizmit, tregon se në këtë hotel ka fjetur edhe ish-lideri komunist internacionalist Gjergj Dimitrov. Mandej, sipas Shemes, Dimitrovi mbajti edhe një fjalim nga ballkoni i këtij hoteli.

Për nga tipi i arkitekturës, mure të suvatuara, dritare uniforme, ballkone me kangjella hekuri, çati me tjegulla të kuqe, ndryshe nga banesat gurë-gurë nga themeli në majë të çatisë të shtëpive gjirokastrite, disa nga hotelet e qëndrës si hotelet, “Sopoti”, “Argjiro”, “Zigai”, restorant “Savoia”, Banka Di Napoli, e ndonjë godinë tjetër e këtij lloji i përkasin periudhës së “modernizmit” të Pazarit të Gjirokastrës. Ndryshe mund të quhet edhe “epoka” e braktisjes së haneve. Pas pavarësisë, tregtarët me gusto perëndimore, filluan ndërtimin e këtyre hoteleve të stilit arkitektonik, funksional dhe emërtim Italian, si Hotel “Royal”, Hotel “Impero”, pikërisht Hotel “Sopoti” i sotëm, si dhe Hotel “Savoia”, ish- Pastiçeri Tirana apo Festivali.

Hotel “Royal” ku ka fjetur Viktor Emanueli i III-të, pronë e familjes gjirokastrite të Hajderajve, është ndërtuar në disa faza dhe për disa vite rresht. Forma përfundimtare, me pak ndryshime në mjediset e brendshme, është ajo që kanë edhe sot dhomat ku flen për nortalgji pasardhësi i tij, Mauro. Ky objekt, dikur përfaqësonte hotelin më luksoz për kohën në qendrën historike të Gjirokastrës. Këtu, përveç dhomave të gjumit, kishte edhe një restorant e bar, tepër modern për kohën. Klasi i këtij hoteli, sipas të thënave të gjirokastritëve, duket më së pari tek personalitetet që e kanë preferuar për të fjetur në dhomat e tij. Mes personaliteteve që kanë fjetur, gjirokastritët kujtojnë: ish-Mbretin e Italisë Viktor Emanuelin e III-të, ish-liderin komunist bullgar Gjergj Dimitrov, Myfit Bej Libohovën, motrat e Mbretit Zog, delegacione të huaja të ftuara nga ish-Mbreti Zog dhe Enver Hoxha, ushtarakë të lartë në vitet e pushtimit fashist, tregtarë, politikanë, diplomatë e shumë protagonist të tjerë të kohëve të ndryshme.

Në këto objekte të qendrës së qytetit dhe në disa të tjera në lagje e periferi të tij, ende sot dallohen elementët karakteristikë të arkitekturës italiane, që sipas arkitektëve janë të stilit “Umbertino”. Ato dallojnë prej banesave tip kulle apo mini-kështjellë gjirokastrite, nga ballkonet, kangjellat, elementet dekorativ të kornizave të dritareve, këndet e punuara dhe mbi të gjitha tjegullat e çatisë me stampa të fabrikave dhe kompanive të prodhuara dhe importuara në Itali. Mandej, emrat e dy hoteleve “Royal” (ose “Reale”) dhe “Savoia” në Gjirokastër, i gjen edhe në disa guida turistike italiane të vitit 1940, sikurse është rasti i guidës “Albania”, një botim i TCI – Turing Club Italia.

Personazhin tonë Mauro Mauri, dashurinë dhe marrëzinë për Gjirokastrën, e përciell jo vetëm nga qasja monarkike e familjes së tij, jo vetëm nga profesioni i tij si gazetar kulturor dhe ekspert për shkrimin e guidave turistike, por edhe kjo arkitekturë “me aromë” veneciane. Me këtë qasje europiane të gjirokastritëve, bën humor me situatën politike shqiptare “italiano vero” me emrin Mauro. “Duhet që këto vlera dhe cilësi europiane t’i kishte njohur edhe mbajtur parasysh Presidenti i Francës zoti Emmanuel Macron para se të refuzonte hapjen e negociatave për në Europë të shqiptarëve”.
Kësisoj, nipi i ish-monarkut italian me “gjak blu” dhe i biri i një veteran të gazetarisë italiane, vjen në Gjirokastër me një racionalitet prej gjirokastriti: fle gjumë në një hoteli vetëm me 8.50 euro, pi kafe veresie tek Shemja, ha paçe tek Gonia, qëndron në dhomën ku ka fjetur 78 vjet më parë Viktor Emanueli i III-të, grumbullon informacion e literaturë për të shkruar guida, mbjell pemë e pastron qytetin dhe natyrisht, sjell në qytet turistë të tjerë. Turizëm historik. Faleminderit Mauro! .


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.