Sociale

Ndryshimet në ligj/ Fatos Malaj: Cilat janë penalizimet që do të kenë emigrantët shqiptarë në Greqi

17:40 - 31.10.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro




Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi do të penalizohen nga vendimet më të fundit të qeverisë greke mbi riplanizimin e gjithë subvencionimeve dhe kompensimeve sociale që jepen kryesisht për shtresat në nevojë. Zëvendësministrja e punës në shtetin helen, Domna Mihailidou ka bërë me dije se 90% përfituesve të këtyre subvencionimeve janë grekë e më tej ka paralajmëruar se po shqyrtohet rritja e kohës së qëndrimit të ligjshëm, si kusht që të përfitojnë edhe ata disa nga subvencionimet.

“Për qytetarët nga vendet e treta, që banojnë në Greqi, punojnë në mënyrë të ligjshme, paguajnë kontributet për sigurime shoqërore, paguajnë taksat dhe kanë një adresë të përhershme në Greqi, po shqyrtohet që të rritet koha e qëndrimit të ligjshëm, nga pesë, në dhjetë vjet. Kështu që të garantohet se për një sërë vitesh ata mund të kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe sistemin tatimor të vendit. Të dëshmojnë që ashtu siç marrin nga kontributet dhe përpjekjet e bashkëqytetarëve grekë, kështu edhe japin”,- tha Mihalidou.

Reagimet nga Arogi

Në një prononcim për ‘Gazeta Shqiptare’, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit në Greqi, njëkohësisht drejtues i Shoqatës së Emigrantëve “Arogi-Përkrahja” dënoi këto vendime dhe theksoi se deklaratat e bëra nga përfaqësuesit grekë janë diskriminuese. “Këtu zëvendësministrja ka bërë një faull të rëndë. Dashur pa dashur, ka mbajtur ison e atyre zërave kryesisht nga ekstremi i djathtë, që tash 30 vjet bërtasin se emigrantët përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga sakrificat e grekëve, marrin punët e grekëve, e kështu me radhë.

Në fakt, secili prej jush e di shumë mirë që e vërteta qëndron krejt ndryshe. Dhe emigrantët kontribuojnë në sigurimet shoqërore dhe tatimet greke, të paktën që nga viti 1998, pra që atëherë kur nisën të legalizohen. Na duket e çuditshme që zëvendësministrja e punës mos ta dijë që emigrantët kërkohet të përmbushin një sërë kushtesh, me qëllim që të rinovojnë lejen e qëndrimit. Duhet që çdo vit të deklarojnë të ardhurat e tyre – të ardhura që shtohen me 10-15% për çdo fëmijë që kanë në ngarkim, si dhe të dhe të paguajnë tatimin që iu takon”,-thekson Malaj për GSH. Më tej ky i fundit shton se emigrantët shqiptarë kanë paguar deri në 6 miliardë euro kontribute nga xhepi për shtetin helen. “Nuk mund të rinovosh lejen e qëndrimit nëse nuk ke një numër të caktuar ensimash.

Dhe këto ensima, në 10-15 vitet e para shumica dërrmuese emigrantëve i paguanin nga xhepi, pasi punëdhënësi nuk ua ngjiste ensimat, gjë që e kishte detyrim. Siç e kishim përllogaritur para ca muajsh, bëheshin gjithsej rreth 6 miliardë euro, që shqiptarët në Greqi kanë paguar NGA XHEPI, vetëm për sigurimet shoqërore. Pra, që ta lidhim me fjalët e zëvendësministres, shqiptarët kanë marrë me pikatore dhe kane dhënë me kova për sigurimet shoqërore… Një ndarje e tillë e emigrantëve nga vendasit, është e gabuar, qoftë në pikëpamje ideologjike, për një qeveri të qendrës së djathtë. Por edhe në pikëpamje praktike, siç e pamë me kontributet që shqiptarët kanë paguar ndër vite”,-nënvizon ndërmjetësi ndërkulturor. Malaj gjithashtu tregon se çfarë do të ndodhë me ata bashkatdhetarë që presin me veveosin në dorë nga dy e tre vjet e nëse vite në Greqi do t’iu llogariten si periudhë qëndrimi të ligjshëm, kur t’iu kërkohet dhjetëvjeçari, apo do të shkojnë dëm.

“Ka një kategori, e cila aktualisht nuk i përfiton kompensimet nëse është me veveosi për leje fillestare qëndrimi. Dhe e kam fjalën për ata që ndërrojnë lejen e qëndrimit, për shkak se një nga bashkëshortet ka marrë nënshtetësi greke dhe gjysma tjetër e tij duhet të marrë leje qëndrimi si bashkëshort i qytetarit grek. Nga dy e më shumë vite presin me këtë veveosi, dhjetëra e qindra, siç na rezulton nga vetë pohimet e tyre. Kush e ka fajin për këtë pritje kaq të gjatë?

Natyrisht i vetmi që nuk ka asnjë faj është emigranti. E megjithatë, ai paguan dyfish e trefish, po të llogaritim edhe mospërfitimin e atij kompensimit që i pranon. Pa dashur t’i jap mend askujt, e aq më pak qeverisë, do të them megjithatë, se është për të ardhura keq që pas gati 30 vjetësh qëndrimi në Greqi, që shumica e kanë zgjedhur tashmë jo thjesht si atdhe të dytë, por si vendin ku ndoshta dhe do të vdesin në pleqëri të thellë; është për të ardhur keq pra, që të diskreditohen në këtë farë feje. Duke u injoruar kontributet e mëdha që kanë dhënë bashkë me grekët, njëlloj si grekët”,-shton Malaj për ‘GSH’.

Kategoritë përfituese dhe jopërfituese  

KATEGORITË E QYTETARËVE QË KANË TË DREJTËN E AMKAS-s (në EFKA dhe KEP)

  1. Shtetas grekë që banojnë në Greqi

Dokumentet që kërkohen:

Letërnjoftimi apo kartë identiteti ushtarake apo certifikatë e gjendjes familjare për të miturit që nuk kanë mbushur vitin e 12 të moshës dhe nuk kanë letërnjoftim

  1. Homogjenë me kartë homogjeni që banojnë përgjithmonë në Greqi

Dokumentet që kërkohen

-Karta e homogjenit

-Kontrata e marrjes me qira të banesës apo formulari E9

-Faturë korrenti apo uji

-Vërtetim i rezidencës tatimore në Greqi

3.Përfitues të mbrojtjes ndërkombëtare dhe pjesëtarët e familjes

Dokumentet që kërkohen

-Leje qëndrimi e përfituesit të mbrojtjes ndërkombëtare dhe për fëmijët certifikatë lindjeje nëse kanë lindur në Greqi

QYTETARË GREKË APO TË HUAJ QË NUK KANË TË DREJTË PËR AMKA

  1. Shtetas grekë që nuk banojnë në Greqi
  2. Shtetas të BE-së që banojnë provizorisht në Greqi për një periudhë më pak se tre muajsh dhe që nuk punojnë në Greqi.
  3. Shtetas të mitur të BE-së që u lindën në Greqi, por prindërit e tyre nuk banojnë apo nuk punojnë në Greqi
  4. Shtetas të mitur të vendeve të treta që u lindën në Greqi nga prindër pa dokumente të rregullta qëndrimi
  5. Shtetas të vendeve të treta, posedues të titujve të fuqishëm të qëndrimit, por që nuk ofrojnë akses në tregun e punës. (P.sh., leje qëndrimi investitori).

KATEGORI QYTETARËSH QË AMKA NXIRRET VETËM NGA SHËRBIMET E EFKA-s

  1. Qytetarë grekë që nuk banojnë në Greqi, po deklarojnë se do të qëndrojnë dhe do të punojnë këtu.
  2. Homogjenë që dalin në pension nga një ent siguracionesh jashtë BE-së dhe dëshirojnë që gjatë qëndrimit në Greqi të kenë mbulim farmaceutik dhe mjekësor
  3. Shtetas të vendeve të treta me leje qëndrimi për punë apo vërtetim BLU që u jep të drejtën për punë.
  4. Të mitur, shtetas të vendeve të treta që u lindin nga prindër me qëndrim të ligjshëm në Greqi dhe të siguruar.
  5. Shtetas të vendeve të treta me leje qëndrimi për studime.
  6. Shtetas nga vende të treta me vizë hyrjeje kombëtare
  7. Shtetas nga vende të treta me qëndrim të parregullt por që aktivizohen në ekonominë bujqësore
  8. Shtetas nga vende të treta me qëndrim të parregullt, që është pezulluar largimi nga vendi dhe kanë leje pune
  9. Shtetas nga vende të treta pa leje qëndrimi, por që kanë krijuar biznes përmes shërbimit me një qëndrim

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.