SHËNDET

Këshilla efektive për parandalimin e sëmundjes së Alzaimerit

18:00 - 04.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sëmundja e Alzaimerit është shkaku kryesor i demencës. Shkencëtarët nuk e njohin ende shkakun për këtë sëmundje, ndaj dhe mënyra për ta parandaluar nuk njihet saktësisht. Megjithatë, disa ndryshime në stilin e jetesës mund të ndihmojnë në parandalim. Mendohet që faktorët gjenetikë luajnë një rol të rëndësishëm, po ashtu dhe faktorët ambientalë, kryesisht në personat me një predispozitë gjenetike. Në një rishikim sistematik të publikuar në BMC Geriatrics është parë se njerëzit mund të reduktojnë riskun për demencë duke mos pirë duhan, duke qenë fizikisht aktiv, duke mbajtur një dietë të balancuar, duke ruajtur një zemër të shëndetshme dhe duke ushtruar trurin. Diagnostikimi i hershëm dhe parandalimi i sëmundjeve kronike, si hipertensioni, niveli i lartë i kolesterolit, diabeti, obeziteti në moshë të mesme dhe depresioni mund të ndihmojë në parandalimin e demencës. Po ashtu, mund të ndikojnë dhe disa faktorë, të cilët nuk janë përmendur shpesh si: problemet me shikimin, me dëgjimin, shëndeti i lëkurës, parodontozat etj. Megjithatë, faktet mbi këto lidhje janë shumë të limituara.




Shëndeti kardiovaskular
Personat me probleme kardiovaskulare kanë më shumë gjasa për të zhvilluar demencë. Shenjat që mund të shfaqen para diagnostikimit të Alzaimerit mund të jenë: hipertension, fibrilacion atrial, nivel i lartë i kolesterolit, sëmundje të zemrës, ishemi cerebrale, Diabet. Këto mund të jenë shkak edhe për forma të tjera demencash, si demenca vaskulare. Studimet tregojnë se stili jo i shëndetshëm i jetesës, si duhanpirja, dieta e pasur në yndyra të ngopura, mund të reduktojë volumin e trurit. Autopsitë kanë evidentuar në 80% të personave me Alzaimer sëmundje kardiovaskulare. Demenca vaskulare ndodh nga dëmtimi i enëve të gjakut në tru si pasojë e mos oksigjenimit të mirë të trurit. Trajtimi dhe mbajtja nën kontroll e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalojë zhvillimin e sëmundjes së Alzaimerit.

Sindromi Metabolik
Demenca ka më shumë gjasa të shfaqet në personat me sindrom metabolik, i cili përfshin obezitetin, hipertensionin, nivelin e lartë të kolesterolit dhe vlera të larta të glicemisë.

Dieta
Duke ruajtur një peshë optimale, presion gjaku optimal dhe nivel të kolesterolit në normë, do të ulni jo vetëm riskun për diabet dhe sëmundje kardiovaskulare, por edhe për demenca dhe sëmundjen e Alzaimerit. Një dietë e shëndetshme ndihmon në ruajtjen e një zemre të shëndetshme dhe si pasojë edhe të një truri të shëndetshëm. Një zemër e shëndetshme mundëson oksigjenimin e trurit. Dieta mesdhetare ndihmon në mbrojtjen nga plakja e trurit dhe parandalon demencën vaskulare. Ajo përmban: vaj ulliri si burimin kryesor të yndyrave, shumë fruta, perime, sasi e limituar mishi dhe bulmeti.

Gjithashtu, vakti me peshk të paktën 1 herë në javë, është lidhur me reduktimin e riskut të sëmundjes së Alzaimerit.

Aktiviteti fizik
Personat që kryejnë rregullisht aktivitet fizik kanë risk më të ulët për zhvillim të sëmundjes së Alzaimerit. Një teori është se aktiviteti fizk ndikon në shëndetin kardiovaksular, një faktor risku i njohur për demencën. Me moshën, pjesa e trurit e quajtur Hipokampi, fillon të humbas volumin e tij dhe studimet kanë treguar se aktiviteti fizik mund të rikthejë volumin duke përmirësuar memorien.

Mbaj një
mendje aktive
Shumë studime kanë treguar se risku për rënie të konjicionit është më i ulët nëse mbani një mendje active dhe keni një jetë sociale aktive. Dalja e vonshme në pension mund të reduktoj gjasat për demencë. Të luash lojëra, të shkruash, të lexosh dhe të përfshihesh në aktivitete të cilat stimulojnë aktivitetin e trurit, ndihmon në ruajtjen e memories.

Gjumi
Cilësia e mirë e gjumit ka një efekt pozitiv në ruajtjen e memories. Studimet kanë treguar një lidhje ndërmjet gjumit dhe grumbullimit të pllakave amiloide. Personat të cilët nuk zgjohen gjatë natës, janë 5 herë më pak të riskuar për grumbullim të pllakave amiloide se ata që zgjohen shpesh. Megjithatë nuk dihet saktë nëse është sëmundja e Alzhamerit, ajo që mund të shkaktojë çrregullime të gjumit apo anasjelltas.

Duhanpirja
Shumë studime kanë konfirmuar lidhjen e duhanpirjes me rënie të konjicionit. Një ndër arsyet mund të jetë lidhja me sëmundjet kardiovaskulare, si faktor i njohur risku për sëmundjen e Alzaimerit.

Dëmtimet
në kokë
Disa persona kanë zhvilluar Alzaimer pas një dëmtimi traumatik në kokë, ose pas disa dëmtimeve të shpeshta si pasojë e llojeve të ndryshme të sportit. Në një studim të vitit 2018 është konstatuar lidhja ndërmjet dëmtimeve traumatike të trurit, demencës dhe disfunksionit vaskular. Ndaj është shumë e rëndësishëm parandalimi i këtyre dëmtimeve duke respektuar masat e sigurisë si vënia e rripit të sigurimit në makinë, mbajtja e kaskave në motor apo biçikletë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.