DOSSIER

Fotot e rralla të dosjeve, klerikët para gjyqeve komuniste dhe “armët e tyre sekrete”

18:00 - 05.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Tri vite më parë, pak ditë para lumturimit të Imzot Vinçenc Prenushit dhe 37 shokëve martirë, mes shumë familjarëve të martirëve që kam takuar, ka qenë edhe Drane Malaj. Fëmija i dikurshëm, tashmë një zonjë e fisme, më rrëfente ecejaket mes Tiranës e Shkodrës, deri te një takim me Nexhmijen Hoxhën për të shpëtuar xhaxhain e saj, Dom Dedë Malaj. “Pse kërkon t’i falet jeta? Ai është armik i popullit. Është tradhtar”. Hoxha e kishte përcjellë duarbosh dhe Drania ishte kthyer e përlotur në Shkodër, ku pritej të ekzekutohej familjari i saj i fundit i mbetur, xhaxhai. Pas humbjes së babait dhe nënës, të voglën e rriste ‘axha’ prift, i cili kishte ndjerë rrezikun që i kanosej Shqipërisë nga politikat e ndërmarra nga qeveria komuniste e kohës. Xhaxhai ishte ekzekutuar, pavarësisht lutjeve të fëmijës ndaj pushtetit. E mbetur dy herë jetime, ajo qe martuar shumë herët dhe pas 1990-ës kishte kërkuar fshat më fshat, derisa i kishte gjetur eshtrat e axhës. I kishin vënë në një gropë të cekët diku në fund të një livadhi. “Shkuam në livadhet e Shkodrës e gjetëm një njeri që kishte ruajtur varrin. E kishin varrosur bashkë me dy të tjerë në një varr të cekët. Lopët kishin shkuar tek era e gjakut dhe çobani kish parë veladonin e axhës. Ai kish hapur një varr më të thellë për ta, gjë që bëri që ai të shkonte në burg. Më pas, shteti kish vënë roje që të ruante varrin në mënyrë që familjarët të mos merrnin trupat. Ne e gjetëm këtë rojë dhe ai na tha se ku ishte varri. Ishte një gjë e madhe për mua gjetja e eshtrave, si ta kisha ngjallur”, më tregonte atëherë. Mu kujtua Dranja, ndërsa mes imazheve të dosjes së klerikëve shquaj emrin dhe portretin e Dom Dedë Malajt.




NE FOTO: Imazhi i Dom Dede Malaj që u pushkatua sipas dosjes agjent i UDB-së dhe pretendimi se do kalonte Bunën

Ritakimi me historinë e tij i ngjan një të vërtete që ka nevojë të rithuhet, sepse jo të gjitha mbesat kanë pasur fatin e Dranes e sepse në tri vite pakçka ka ndryshuar për të vënë në vend dinjitetet e nëpërkëmbura, pavarësisht përpjekjeve për hapjen e dosjeve të tyre, nderimin e emrave e botimin e veprave që lanë pas. Megjithëkëtë, secili gur, secila gjurmë në zbardhjen e historive të të dënuarve, ekzekutuarve, pushkatuarve dhe të zhdukurve është një dorë më shumë në njohjen e historisë sonë. Më shumë se për ata që nuk u kthejmë dot jetën, ne duhet ta bëjmë për vete, sepse nderi i tyre është e tashmja dhe e ardhmja jonë, jemi ne në raport me historinë e të pamundurit e jemi ne, në përballjen me formën e lirisë që kemi zgjedhur. Një studim i Gjon Boriçit mbi raportin shtetit komunist me klerin, shënon se sipas komunistëve “Ata (katolikët) kanë organizimin e tyre, ata nuk janë me ne. Duke marrë parasysh nivelin e tyre të ngritur, kapacitetet e tyre dhe frymën e tyre antipopullore ata janë sot një rrezik për ne”, e kjo shpjegon çfarë ndodhi më pas. “Aktivitet armiqësor. I vënë në shërbim të Zbulimit Italian. Agjent i Vatikanit. Agjenti i UDB-së. Gyp për të marrë informacion. Armë për të luftuar pushtetin popullor, armë për të sulmuar kufirin”. Poshtë fotove të tyre gjen këto shënime. Imazhet e rralla të dosjes së hetimit të klerikëve kanë përshkrimet e pushtetit të kohës.

Janë shënime që janë mbajtur gjatë proceseve ndaj tyre. Terminologjia është e njëjtë me propagandën që dëgjohej kudo, flitet për armiq, reaksionarë, tradhtarë. Përtej armëve, dylbive, gypave shihen portretet e vrara të njerëzve që patën kundërshtuar regjimin. Të dobët, të veshur keq, me flokë të qethur keq. Studiues e historianë kanë vërtetuar se të dënuarit teksa ishin në proces hetimi provonin dhunë e torturë dhe detyroheshin herë të pranonin akuzat ndaj tyre e herë të tjera deri edhe të akuzonin të tjerë. Petro Marko ka rrëfyer se si ia vranë shokun e qelisë, inxhinierin Stanislav Zyber ndërsa ai mbyllte sytë të mos e shihte skenën. Edhe prania e armëve në ambientet ku ata jetonin, i është atribuuar vetë Sigurimit që për të kopsitur dosjet, i ka vënë provat në vendet ku i duheshin. Të vërtetën e armëve në Kuvendin Françeskan sipas studiuesit Gjon Boriçi, e “plasi” një ish- sigurims i quajtur Pjerin Kçira më 19 maj 1949 kur u arrestua vetë dhe kishte dalë para gjyqit si anëtar i grupit të Koçi Xoxes. Kçira i shprehej kryetarit të gjyqit: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë duke ia futur armët në kishë, e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Ju më keni detyruar të torturoj priftërinj dhe rregulltarë katolikë, pasi i kishit akuzuar pa asnjë bazë. Më keni urdhëruar të vendos natën armë në kisha e kuvende dhe objekte kulti me qëllim gjetjen e një preteksti për të eliminuar klerin dhe Kishën Katolike”. Dëshmitë e atyre që mbijetuan, siç qe edhe libri i Pater Zef Pllumit, “Rrno për me tregue” ka hedhur dritë mbi mënyrat me të cilat sigurimi dhe hetuesit, arrinin ‘të mbyllnin dosjet’, tashmë duke vënë përballë në liri – rrëfimet e dëshmitarëve e të akuzuarve pa pasur presione dhe frikë. Ndaj përtej imazheve të ‘armëve sekrete’ që pretendohen nga shënimet në dosje, armët sekrete të klerikëve dhe të dënuarve si ata, qenë në fakt krejt diçka tjetër: qe e vërteta që regjimi po mbyste e që sot ka nevojë të thuhet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.