KULTURË

Heronjtë në bulevard, Milo: Gabim injorantësh!

18:00 - 07.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Historiani Paskal Milo foli dje në News 24 për ekspozimin e fotove të heronjve të Luftës së Dytë Botërore në bulevardin qendror të Tiranës. Sipas Milos, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare është veprim i drejtë ndërsa ai nuk kurseu kritikat për disa persona, të cilët e sulmuan apo shfaqën rezerva për disa prej emrave që janë nderuar në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të vendit.




DEKLARATAT
“E shtruar në planin personal përgjigja ime dihet, por mirë është të jenë pro të gjithë shqiptarët. Kontributi i shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore dhe rezistenca e tyre antifashiste. Lufta e tyre antifashiste, i bën nder Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Nuk është thjeshtë pasuri e një pjese të shqiptarëve, por e të gjithëve, është një ngjarje historike me të cilën Shqipëria është krenuar dhe duhet të krenohet dhe duhet t’u japim brezave të rinj, që nuk e kanë njohur historinë”,-tha Milo. Sipas tij, sot historia edhe në shkolla kalohet pa shumë vëmendje ndaj edhe sot, duhet t’u japim të rinjve të kuptojnë që ata kanë të bëjnë me një ngjarje historike, që duhet ta trashëgojnë si nder dhe si krenari. “Ndaj them se ajo çka ka ndodhur duke u vendosur heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare në bulevardin ‘Dëshmorët e kombit’ që ka emrin e tyre është një ditë dhe një ngjarje që nuk duhet të anatemuar kurrsesi. Më vjen keq që ende ka shqiptarë që mendojnë në mënyrë negative për kontributin shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore kundër fashizmit. Është për të ardhur vërtetë keq, por për fat të mirë, shumica e shqiptarëve janë dhe mbështesin luftën, sepse prej saj mbi të gjitha Shqipëria doli ballëhapur, përballë historisë dhe nga ajo luftë doli ballëhapur para popujve antifashistë dhe ishte në anën e duhur të historisë”,-u shpreh Milo.
Ai tha se para se të flasë për studiuesit me emra të përveçëm, nuk është rasti për t’i përmendur, studiuesit seriozë e kanë vlerësuar ngjarjen dhe atë që bënë lajmin më kryesor, vendosjen e portreteve të heronjve dhe të dëshmorëve në bulevard. “Por ka, siç është konstatuar, edhe 3 emra personash, të cilët e kanë vazhduar veprimtarinë e tyre pas vitit 1944. Dhe këtu ata mund të kenë qenë kontributorë në rezistencën dhe luftën antifashiste, por ata kanë jetuar edhe pas vitit 1944. Nga kjo pikëpamje ka vend për vërejtje”,-tha ai. Milo shtoi se edhe ai i bashkohet vërejtjes së kolegëve që kanë mbajtur qëndrim, por ka një diferencë. “Nëse është bërë me qëllim për të bërë një qokë, a një dhuratë komemoriale për personat në fjalë, nuk është e drejtë. Por organizatorët duhej që të këshilloheshin, duhej të konsutltoheshin me historianë seriozë e profesionistë e jo me amatorë. E fakti që kanë bërë këtë kapërcim duke vënë emra njerëzish që nuk kishin pse të ishin aty, kuptohet që kanë konsultuar njerëz të gabuar, jo profesionistë, kjo ka ndodhur. E nuk kemi ç’t’i bëjmë se ka një parim metodologjik, siç është historicizmi, i cili duhet respektuar në pasqyrimin e ngjarjeve historike dhe në rastin konkret në vendosjen e këtyre emrave dhe fotografive që kanë lidhje me heronjtë”,-u shpreh historiani.
Sipas Milos, ose është bërë me qëllim ose është lajthitje e atyre njerëzve që kanë punuar për të vendosur këto imazhe të dëshmorëve. “Edhe kjo lajthitje nuk e lë në hije veprimin që është pozitiv dhe që e meritojnë këta dëshmorë e heronj që duhen përkujtuar njëherë në kaq vjet. Janë krenari për çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet politike.
Gabimet e disa injorantëve e amatorëve i pëson shoqëria shqiptare, siç është një moment historik ky i festimit të 75-vjetori”,-tha dje historiani. Ai shtoi se në vendet e tjera nuk bëhet fjalë të ndodhë. Vetëm ne bëjmë polemika folklorike, në vend që të përkujtohet me dinjitet e me meritën që i takon të ketë. “Besoj se rishikimi i historinë është koncept i gabuar. Disa e bëjnë qëllimisht kur shprehen, e disa nga mungesa e kulturës historike nuk ka rishikim të historisë, si koncept, është koncept i gabuar. Duhet folur për ta rishkruar. Historia ndodh vetëm njëherë. Ajo ngjarje ka ndodhur dhe nuk ribëhet. Historia rishkruhet kur ka dokumente të reja, e nën dritën e tyre, do ta rimarrësh edhe njëherë ngjarjen e fenomenin e ta shohësh me këtë këndvështrim”,-përfundoi Milo.

URAN BUTKA
“Akt i skajshëm që nuk sjell atë që duhej të sillte, nderimin e të rënëve në luftë. Përkundrazi irriton njerëzit, sepse vazhdon të ketë përçarje, ndarje e përjashtime. Jo vetëm e rrezikshme, por edhe një provokim, që ka ngjallur debate e ka lënduar njerëz”. Historiani i njohur Uran Butka në një intervistë për ABC News tha dje se vendosja e heronjve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është e njëanshme dhe jo gjithëpërfshirëse. Sipas studiuesit, edhe përfshirja e agjentëve të ish-Sigurimit mes heronjve të vërtetë dhe personave të vrarë pas 442 në luftë civile, nuk shërben për nderimin e duhur të dëshmorëve. Përzierja e heronjve të vërtetë me agjentë të sigurimit, si Nuri Luci apo me persona të vrarë në luftë civile, si Fejzi Mecolli, ka ngjallur polemika të shumta. “Luçi është vrasës i shqiptarëve dhe la bërë krime kundër njerëzimit. Janë vënë disa heronj, por nuk është vënë asnjë nga ato që u vranë nga nacionalçlirimtarët. Janë pjesë e luftës vëllavrasëse e luftës civile”, tha ai. Por edhe pse historianët vërtetojnë me dokumente dhe fakte, se këto figura nuk duhet të ishin mes heronjve të vrarë nga pushtuesi, ende asnjë reagim nuk vjen nga ana e organizatorëve që këto figura të hiqen. Përkundrazi ata përpiqen që t’i mirëmbajnë dhe t’i ruajnë nga era apo shiu. Historiani i njohur Uran Butka, është i mendimit se përzgjedhja është bërë e njëanshme si dhe në vazhdën e historisë komuniste.
“Ka ngjallur debate dhe është mirë të sqarohen që të mos vijojë manipulimi i historisë. Shqiptarët janë manipuluar për 45 vjet. Edhe sot ka shfaqje që nuk përkojnë me të vërtetat por edhe lëndojnë njerëzit. Lufta është e të gjithë faktorëve antifashistë: edhe të legalitetit, nacionalçlirimtarëve, ballistëve, etj. që nuk ishin në parti e organizata. Kjo është një e vërtetë që e kam trajtuar në të gjithë librat e mi”, tha Butka. Ai jep edhe një listë emrash të dëshmorëve të cilët nuk janë përfshirë në këtë ekspozitë, dhe kjo sipas tij nuk është aspak e drejtë, madje provokuese. “në 14 shtator 1943 në Grehot të Gjirokastrës u vra Skënder Muço komandant i Ballit me 36 luftëtar. Ministria e Mbrojtjes iu lëshoi certifikatat e dëshmorëve. Këta që përjashtohen a nuk janë të lënduar. Vetë njerëzit e Hysni Lepenciës, a nuk është e njëanshme e provokative. Mustafa Gjinishi që ka qenë të parët që luftoi kundër italianëve. U vra më 1944. A nuk është ky dëshmor, atëherë kush është? Llazar Fundo, ka qenë komunist, por është internuar ne Ventotene jo vetëm që qëndroi si antifashist, por ishte një nga themeluesit e Europës së Bashkuar. Luftoi kundër gjermanëve bashkë me Kryezinjtë. Kur luftonte ne Bicaj kundër gjermanëve i shkuan forcat komuniste dhe e vranë. Është gafë kjo që është bërë sot. Eshtë bërë nga njerëz me prirje komuniste. Duheshin konsultuar para se të vendoseshin”, tha Butka. Sipas tij duhet të vijojë përpjekja për dekomunistizimin e shqiptarëve. Ky ideologjizëm është i qëllimshëm dhe sipas Butkës është dhe i rrezikshëm, pasi një komb që nuk njeh të vërtetën historike, është i paqartë për të nesërmen. Prezantimi i 100 figurave dhe përjashtimi i shumë heronjve që duhet të ishin mes tyre, është lënduese për familjet e dëshmorëve, thekson studiuesi Uran Butka për ABCNews.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.