BLUETOOTH

Xhimi Cuba: Si më vlerësoi producenti hollivudian, është koha të prek dyert e botës

14:36 - 07.11.19 Gazeta Shqiptare

Egla Xhemali – Atje, përtej idesë së të mirës e të keqes, gjendet një fushë. Do të takohemi atje”. Jo pa qëllim e nisëm intervistën me këtë thënie të Rumiut. Ai ka jetuar midis së mirës dhe të keqes, ka sfiduar përgjatë 15 viteve kohën, njerëzit dhe vështirësitë për të krijuar imazhin që sot e duan të gjithë. Rexhep Asani i njohur me emrin e artit si Xhimi Cuba ka ditur të lërë gjurmë në kinematografi duke realizuar një sërë rolesh të vështira me sukses. Për “Gazeta Shqiptare” vjen ekskluzivisht një rrëfim i aktorit që shumë shpejt do t’i hapen dyert e Holliwoodit. Xhimi na tregon se si ka nisur rrugëtimi i tij drejt filmave, për rolet në “Ballkan scams”, “Koha e hakmarrjes”, “The world of Balkan” e se si u vlerësua me çmimin si “Aktori më i mirë” nga producenti Guide Beçler dhe aktori Guide Kesler, të cilët midis 400 aktorëve përzgjodhën shqiptarin. Natyrë e ftohtë në dukje, por me shpirtin plot e për plot me mirësi dhe me dëshirën për të bërë vepra të mira e për të ndihmuar njerëzit. Më tej, Cuba na flet për pasionin që ka për mundjen, i cili e ka bërë të njohur që pa i hyrë udhës së filmave. Aktori është falënderues familjes dhe të gjithë atyre që e kanë motivuar dhe mbështetur gjithmonë. Ne zbuluam se Xhimin e presin ditë të bardha. Jemi të lumtur që edhe shqiptarët do ia mbërrijnë majës së ajsbergut, me talent e punë sistematike, ndaj i urojmë atij sa më shumë arritje profesionale e suksese të merituara!



Një emër që lidhet ngushtësisht me filma të suksesshëm. Si ka nisur rrugëtimi juaj drejt aktrimit?
Personi që më ka lidhur me botën e filmit ka qenë regjisori i nderuar Mensur Kadriu dhe kompania “Maf production”, në filmin “Ballkan scams” (në shqip “Mashtrimet e Ballkanit”). Sipas tyre unë përmbushja kriteret për rolin e Grekut, një kriminel i rafinuar, pasi njihja shumë mirë gjuhën greke dhe kisha të dhëna artistike dhe fizionomike për atë rol negativ tepër të vështirë, mirëpo natyra ime e tillë më favorizonte sukses, që aty fillon karriera ime. Nëse flas për veten pak e dinë se emri që më ka ngjizur nëna është Rexhep Asani, përndryshe i njohur si Xhimi Cuba në profilin tim në “Facebook”, pasi fansat e mi më njohin më tepër me emra të personazheve dhe karaktereve filmikë tek të cilët kam marrë pjesë. Dashuria për kinemanë më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës ndërsa figura, fizionomia dhe karakteri im i egër në dukje në takime të ndryshme artistike tërhiqte gjithmonë vëmendjen e producentëve duke më afruar role negative pasi kjo ishte ajo që i shkonte për shtat personit tim. Pra pas shumë ftesave të tilla si pikënisje më shërbeu filmi “Ballkan scams” ku mora pjesë në episodin e dytë, të tretë dhe të katërt më rolin e grekut që citova më lart. Më vonë vjen një numër i konsiderueshëm rolesh të tjera.

52663155_301792807148952_4468276033916764160_n 67793101_2402301636681535_6296242693806751744_n 74687697_2307590266238100_3689518993372086272_n 72326501_469873093624567_6100635555136012288_n
<
>

“Balkan scams”, “Koha e hakmarrjes”, “The world of Balkan” etj janë filma, ku keni spikatur si aktori më i mirë. Cili është sekreti për të shkëlqyer në role të vështira?
Sa i përket suksesit tim në këto role është e vërtetë ajo që ju thoni. Sekreti i suksesit tim është natyra ime në paraqitjen e jashtme, tiparet dhe fizionomia e egër, si një njeri me cilësi të forta fizike dhe luftarake. Veç të tjerash kritika e ka vlerësuar personin tim si karakter psikologjik që depërton shumë tek shikuesi dhe përcjell mesazhe të mëdha edhe pse rolet e mia janë negative, dihet që realizimi i tyre është tepër i vështirë. Për mua ky lloj vlerësimi do të thotë shumë. Por, suksesi vjen nga kombinimi i punës, përkushtimit, mirëkuptimit me këdo që bashkëpunoj dhe përdorimi si duhet i dhuntive të mia artistike. Si të gjithë artistët e kinemasë edhe unë kam pasur sfidat e mia, pengesa të mëdha, kundërshtarë të dukshëm dhe të padukshëm të cilët e kanë bërë punën tonë disi më të vështirë, por njëkohësisht i kanë dhënë jetës time artistike larmi dhe kanë shtuar dëshirën për sukses, këta kundërshtarë i kam parë si një motiv më tepër për të kapërcyer të gjitha sfidat që më dalin përpara dhe për të ngjitur shkallë të tjera në karrierën time. I dua aq shumë rolet e mia sa shpeshherë më duket vetja i vogël para tyre, ndërsa reflektoj duke kërkuar gjithmonë e më shumë nga vetja sa i përket realizimit të roleve në nivelin e kinemasë bashkëkohore. Ndoshta peripecitë e jetës kanë ndikuar në dhuntitë që lidhen me rolet e realizuara dhe të vlerësuara në shumë dimensione nga kritika.

Keni pasur oferta nga kinematografi të shteteve të ndryshme, së fundmi edhe nga Turqia. Pakti më i madh që keni bërë për hir të profesionit?
Është e vërtetë se kam punuar me regjisorë nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Turqia, kanë qenë përvoja, të cilat i kam në kujtesë. Kjo për arsye të marrëveshjeve më sukses nga të gjitha palët. Dihet që karriera artiste veç të tjerash ka kosto të lartë materiale dhe shpirtërore. Sigurisht që në qoftë se nuk bëjmë marrëveshje të arrira nuk mund të realizojmë asgjë ashtu si duhet. Largimi nga familja dhe shoqëria për një kohë të gjatë duke ju përkushtuar punës ka qenë pakti më i madh në jetë, i cili ka filluar dhe nuk di ku do të ndalet. Kam pritshmëritë e mia lidhur me paktet që kam arritur të bëj dhe çfarë vjen më pas.

Sa ju ka ndihmuar pasioni juaj për mundjen në realizimin e skenave në filma?
Dua të theksoj se veç filmit dhe kinemasë pasionet e mia kanë qenë sportet e ndryshme, kryesisht jam marrë me sportin e mundjes kam qenë një nga mundësit që nuk i ka munguar suksesi dhe më pas kam shërbyer trajner edukues i gjeneratave të reja në mundje. Pra, emri im njihej para se të lidhej me artin dhe kinemanë. Rolet dhe skenat e mia kanë qenë luftarake, sigurisht që teknikat e mundjes më ndihmonin shumë të kryeja lëvizjet e duhura duke u paraqitur saktë dhe me kualitet të lartë në filmat e mi. Pasioni i mundjes ka bërë më të bukur dhe argëtues realizimin e procesit tim artistik në tërësi.

Vlerësimi më i madh që keni marrë përgjatë këtyre viteve?
Kam pasur fatin të marr shumë vlerësime. Është për tu përmendur këtu shfaqja e premierës më sukses e filmit “Ballkan scams 4” në atë ngjarje ishin të ftuar shumë personalitete të kinemasë hollivudiane midis tyre producenti Guide Beçler dhe aktori Guide Kesler, të cilët midis 400 aktorëve më vlerësuan me çmimin si aktori me i mirë. Gjithashtu ata më bënë më dije se kinemaja hollivudiane ka nevojë për artistë me këto të dhëna si aktor dhe të dhënat natyrore si fizionomi. Sipas tyre pritet që ky film të shfaqet edhe në shtetet e Amerikës, një tjetër vlerësim ky që jo vetëm unë, por çdo aktor do.

Ju keni jetuar për shumë vite nëpër botë. Gjëja e parë që ju ka bërë përshtypje? E keni pasur të vështirë përshtatjen?
Si shumë shqiptarë që kanë eksploruar botën edhe unë kam mërguar herët. I rritur duke shëtitur në diasporë, si Çeki, Poloni dhe Greqi kam jetuar për 15 vite në vendet e sipërpërmendura. Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje kanë qenë mënyrat e ndryshme se si më shihnin të huajt e vendit ku jetonim. Të paragjykuar si të varfër prej vendasve në fillim, nga mosnjohja na vishnin me epitete të ndryshme derisa kalonte koha dhe ata vetë arrinin të na vlerësonin, ashtu si e meritonim. Lidhur me përshtatjen them se kjo ka qenë mënyrë mbijetese në çdo drejtim. Si i ri dhe shqiptar nuk e kam pas të vështirë përshtatjen me njerëzit dhe vendet, por kudo ku kam qenë kam punuar dhe luftuar shumë për të qenë i respektuar nga të njohur dhe të panjohur. Kjo është dhe arsyeja që kam pasur shumë dhe kam shumë miq e shok nëpër botë. Peripecitë e jetës si emigrant më kanë shërbyer si shkollë dhe inspirim në jetën time familjare, shoqërore dhe artistike.

Një projekt që mezi po prisni ta ndani me publikun?
Shumë projekte më presin, por ai që me padurim pres ta ndaj me publikun është projekti me producentët turq. Do të ketë risi në aspektin profesional, njerëz dhe artistë të rinj, përvoja të reja pune, të cilat edhe mua vetë më intrigojnë. Me detaje për këtë projekt do të flas në një kohë tjetër, pasi të ketë dalë diçka në dritë. Por, kjo varet nëse unë dhe producentët turq arrijmë në një pikë, ku të respektohen të dyja palët.
Pas njeriut të ftohtë në dukje njihemi me një artist me shpirt të madh. Si reagojnë njerëzit kur ju njohin nga afër?
Nëse në rolet e mia shfaqem i dhunshëm, i egër, hakmarrës dhe kryeneç, krejt ndryshe është tipi im në jetën reale, pasi miqtë dhe shokët që më njohin nga afër e dinë se natyra ime është tepër bujare, si një njeri i besës që aplikon dhe pranon humorin, mikpritës, tolerant dhe altruist, me dëshirën e mirë për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë dhe përkrahje. Këto të dhëna të mijat në jetën reale në një farë mënyre shkaktojnë habi dhe interes tek njerëzit që më njohin nga afër, pasi në filma natyra ime sillet tepër e egër.

Si është jeta juaj e përditshme, përtej profesionit?
Jam njeriu i thjeshtë, që nuk i mërzitet asnjë lloj pune, sa vital dhe energjik sillem në skenat filmike, po aq vital dhe energjik jam në jetën e përditshme. Sigurisht që për mua familja mbetet e shenjtë dhe gjej rastin ti përgëzoj për mbështetjen, kohën dhe qetësinë psikologjike që më kanë dhuruar gjatë realizimeve me sukses të projekteve të mia në gjithë karrierën time. Si tip jam mjaft i shoqërueshëm me të gjitha shtresat e shoqërisë, pavarësisht nivelit që përfaqësojnë. Unë i dua njerëzit ashtu si ata janë, me dhuntitë dhe të metat e tyre.

Një arsye që të motivon çdo ditë?
Janë aq shumë sa nuk mund t’i përmbledh në një arsye të vetme. Por, më kryesorja është dashuria pa kushte që kam për artin filmik dhe fansat që më ndjekin. Dua ti përshëndes ata dhe u them se në çfarëdo lloj kushtesh të vështira që jetojnë gjithmonë duhet të shpresojnë dhe të mos ndalen para pengesave të jetës. Asnjëherë nuk është vonë për të ndjekur ëndrrat dhe për të pasur sukses, vetëm dëshira, pasioni, puna dhe përkushtimi garanton sukses dhe karrierë artistike.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *