OPINION

Kryeministri dhe qentë Këçëkë, rreth e rrotull…

07:45 - 08.11.19 Artur ZHEJI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në të vërtetë, të flasësh e të stërflasësh sot kritika për Ramën, është gjithmonë e më e lehtë, sepse gjërat në qeverisje dhe në shtetzhbërje, janë në një dekadencë të dukshme edhe për besimtarin e fundit komunist, këtu në tokën shqiptare.
Mirëpo dukshëm kjo nuk mjafton, sepse kryeministri duke marrë mbi vete vëmendjen dhe shigjetat e pashmangshme, shpëton nga vëmendja shumë nga qentë rreth e rrotull.
Po, e kuptuat qartë.
Kopera me qenë rrugësh apo qenë stanesh, me dhëmbët e qenit, të mprehta dhe të gjata dhe gjithmonë të përgjakura apo me copa mishi të ndukura nga kockat dhe që varen, së bashku me jargët e shumta, nga nofullat e poshtme dhe gjuha e jashtënxjerrur…
Sepse Shqipëria është gjithmonë e më e ngjashme me një thertore, ku ajo, Shqipëria, është superLopa, që theret e filetohet ditë pas dite, me një pasion dhe neps të paparë.
Thertorja Shqipëri, apo Republika e Shqipërisë, popullohet gjatë javës (sepse fundjavat janë përtej Rinasit), nga profesionistë të përzgjedhur të akuzuar si oligarkët e oborrit, nga amatorë që ulin gjithmonë çmimin e shërbimeve në treg, dhe nga “Kçk- ista” (shkurtimi i shprehjes “kap, ç’të kapësh”, lexohet këçëkëista) të panumërt, aventurierë të kudondodhur.
Tani së fundmi, këta “këçëkëistat”, janë vendosur në trysninë e përndjekjes së zhurmshme, kryeministrore, sepse ata janë fajtorët modernë të rrumpallës Ramiste, janë ata pra sot armiku, se opozita, u kalb në opozitë dhe nuk ka më pupla të shumta mediatike, për t’i shkulur e për t’u ankuar. Dhe ish-oligarkët e ish-pushtetit, sot pa pushtet, janë sot hyzmeqarë luksi, në oborrin e kryeministrit, pavarësisht pordhës që shprehin në publik…
Kështu pra, këta këçëkëistat, këta qenë të tërbuar, janë sot problem për t’u zgjidhur! Dhe kur e thotë Rama këtë, e mban fjalën, ay!
Sepse në të vërtetë, këçëkëistat, nuk raportojnë askund, nuk kanë një teser të qëndrueshme partie e nuk mbledhin vota, demek bëjnë edhe si të pavarur dhe u shkelin syrin edhe opozitës, në raste të caktuara…
Nuk paguajnë pra gjoba këta, nuk paguajnë taksa dhe heshturazi e pa bujë të madhe, po bëjnë kërdinë në xhungël, sipas ankesave të oligarkëve të oborrit, e pra duhen sulmuar, duhen shpuar në vesh e numëruar, sterilizuar, e në raste të mosbindjeje, mund të hiqen qafe në çdo kohë…
Pavarësisht ku ndodhen e çfarë pune demek bëjnë këta këçëkëistat, janë sot e deri në vitin 2021, armiku numër një i pushtetit dhe një punë e kokëçarje e madhe për mjekrroshin e ri!
Që askush të mos guxojë, të shkulë apo të ndukë mish lopeshqiptare apo mish lopekolumbiane, pa lejen apo autorizimin e veçantë të drejtorit të thertores sonë të madhe.
Oh, më falni, të Republikës së Shqipërisë, të rilindur thertore moderne e me filetim total, special dhe natyrisht, me paketim me vakum, sipas teknikës më të fundit…




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.