Kulturë

Regjisori grek i “Medeas” mbron teatrin: Mbështes aktorët

13:30 - 08.11.19 Gazeta Shqiptare

Juli Emiri, aktore dhe qëndrestare në qëndresën 20-mujore për teatrin, ka ndarë më publikun një letër mbështetëse të sapomarrë nga regjisori grek Dimitris Mylonas, me të cilin ajo kishte pasur mundësinë të bashkëpunonte në realizimin e shfaqjes “Medea”, që u vu në skenë në shkurt 2018 në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Letra, e përkthyer në shqip shkruan si më poshtë: “Në dhjetor 2017 u ftova nga drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental Kiço Londo që të drejtoja Medean e Euripidit dhe të bashkëpunoja me një staf të jashtëzakonshëm. Performanca u zhvillua në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë dhe na dha një përvojë të paharrueshme. Më erdhi thellësisht keq kur mësova që qeveria po planifikon të shembë ndërtesën historike që mban brenda Teatrin Kombëtar dhe në vend të saj planifikon të ndërtojë një qendër tregtare që do të ketë brenda Teatrin Kombëtar”.



Sipas Mylonas, teatri është një proces i gjallë rikrijimi dhe kreativiteti. “Në të njëjtën kohë, teatri është kostumet dhe rekuizitat, auditori dhe dhomat e zhveshjes. Ndërtesa është pjesë e historisë së teatrit, në qoshet dhe në korridoret e saj, rreshta dhe monologë të shfaqjeve të shkuara ende mund të ‘dëgjohen’. Kjo është shtëpia, vendi ku teatri ekziston. Në tre muajt e qëndrimit tim në Tiranë, Teatri Kombëtar u bë gjithashtu shtëpia ime”, shton regjisori grek. Sipas tij, me shembjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, historia dhe gjithë kujtimet e skenës më të rëndësishme të Shqipërisë do të varrosen gjithashtu. “Unë shpreh nga zemra mbështetjen time për përpjekjen e personelit të Teatrit Kombëtar (artistët, teknikët, etj.) për të mbrojtur të vetëkuptueshmen: kujtimet dhe historinë e shtëpisë së tyre, shtëpisë sonë”, shton Dimitris Mylonas, regjisor dhe Drejtor Artistik i Teatrit “Apo Mihanis” në Athinë, Greqi

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *