KULTURË

TRASHËGIMIA ME PPP/ Ja udhëzimi për kalimin në administrim indirekt te fondacionet

13:00 - 08.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Teksa ende nuk është bërë publik drafti i planit të menaxhimit të Butrintit, Ministria e Kulturës ka nxjerrë një udhëzim përmes të cilit u hap udhë subjekteve private për menaxhimin e siteve të trashëgimisë. Ndonëse ministria refuzon ta quajë këtë bashkëpunim mes shtetit dhe privatit PPP, vetë udhëzimi që në krye mban emrin “Kriteret dhe procedura për kalimin në administrim indirekt të Pasurisë kulturore fondacioneve të themeluara nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore, ministria për gjegjëse për trashëgiminë kulturore, ose muzetë publikë qendror”. Udhëzimi i firmosur nga ministrja Elva Margariti, është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Në fund të tij bie në sy një frazë: çdo akt ose rregullim që bie në kundërshtim me këtë udhëzim shfuqizohet!




UDDHËZIMI
Sipas udhëzimit, pasuria kulturore publike i kalon në administrim indirekt fondacionit të themeluar nga institucioni i specializuar i trashëgimisë kulturore, ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, ose muzeu publik qendror, sipas procedurës së parashikuar në këtë krye, kur sigurohet ruajtja, mbrojtja, vlerësimi dhe administrimi më efektiv i pasurisë kulturore, kur ka kapacitete teknike dhe financiare për ruajtjen, pasi pranohet zbatimi i planit të menaxhimit.

Duket se gjithçka nis me “oferta të ofruara” pasi është institucioni i specializuar i trashëgimisë kulturore, i cili do të themelojë fondacionin, paraqet kërkesën pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore. Kjo pasi jepet një relacion mbi nevojën e kalimit në administrim indirekt të pasurisë kulturore dhe krijimit për këtë qëllim të fondacionit, planin e biznesit për zhvillimin e aktivitetit të administrimit, dokument që vërteton natyrën, burimin dhe vlerën e fondeve të siguruara. Do të ketë 30 ditë afat për të shqyrtuar kërkesën dhe brenda 90 ditëve institucioni i specializuar i trashëgimisë kulturore përfundon procedurat për themelimin dhe regjistrimin e fondacionit pranë organeve kompetente në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse.
Në vijim merret në shqyrtim projektmarrëveshja dhe bëhet miratimi ose jo i marrëveshjes së dakordësuar për kalimin e pasurisë kulturore publike në administrim indirekt. Në rast miratimi, jepet autorizimi i ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore për lidhjen e marrëveshjes së administrimit. Pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore, ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore lidh marrëveshjen e administrimit me fondacionin.

Marrëveshja e nënshkruar miratohet nga Këshilli i Ministrave në rastin e kalimit të administrimit të pasurisë kulturore “me rëndësi kombëtare”, e më pas nga Kuvendi në rastin e kalimit të administrimit të pasurisë kulturore “me rëndësi universale”.

KRITERE PËR PARTNERË STRATEGJIKË
Mes kritereve thuhet se ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore mund të bashkëthemelojë fondacione të posaçme për administrimin indirekt të pasurive kulturore publike me partnerë strategjikë me kusht që ky i fundit të ketë fituar personalitet juridik nëpërmjet regjistrimit në organin kompetent prej jo më pak se 5 vjetësh; të ketë pjesë të objektit, veprimtari në fushën e trashëgimisë kulturore; c) të mos jetë i dënuar për vepra penale në fushën e trashëgimisë kulturore; d) të mos jetë në procedura likuidimi, falimentimi, apo forma të tjera administrimi; e) të ketë eksperiencë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar prej jo më pak se 5 vjet në fushën e trashëgimisë kulturore; f) të ketë hartuar dhe/ose realizuar projekte në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë 5 viteve të fundit të aktivitetit të tij; g) të sigurojë ekspertizën e nevojshme për kryerjen e funksioneve ruajtëse dhe mbrojtëse sipas natyrës së pasurisë kulturore referuar legjislacionit në fuqi në fushën e trashëgimisë kulturore. h) të ketë kontribut të njohur financiar, shkëmbim të vlerave intelektuale dhe profesionale, në fushën e trashëgimisë kulturore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; i) të propozojë nëpërmjet planit të biznesit një model administrimi që të garantojë ruajtjen, mbrojtjen, zhvillimin e qëndrueshëm, promovimin, gëzimin publik të pasurisë kulturore; të ardhurat e subjektit të burojnë nga veprimtari të ligjshme etj.
Partneri strategjik i interesuar paraqet kërkesën për themelimin e fondacionit të posaçëm me qëllim administrimin e pasurisë kulturore mes të tjerash zotohet me një deklaratë në të cilën pranon zbatimin e planit të menaxhimit të miratuar.
Edhe në këtë rast, marrëveshja e nënshkruar me fondacionin e posaçëm miratohet nga Këshilli i Ministrave në rastin e kalimit të administrimit të pasurisë kulturore “me rëndësi kombëtare” dhe “me rëndësi lokale” e më pas nga Kuvendi në rastin e kalimit të administrimit të pasurisë kulturore “me rëndësi universale”.

Ministria mund të lidhë marrëveshjen për bashkëpunim me një ose disa partnerë strategjikë. Sipas udhëzimit, çdo akt ose rregullim që bie në kundërshtim me këtë udhëzim shfuqizohet.
“Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
ministër i Kulturës, Elva Margariti”, mbyllet udhëzimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.