KULTURË

Uliksi dhe Penelopa, një ‘Odise’ e jetës moderne te Moravia

12:30 - 08.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në sytë e saj, Molteni do të shohë shenja admirimi ndaj Batistës, dinak, i egër, i fortë, i pasur, i zoti të mbijetojë në xhunglën e botës së konsumit. Ndërkaq, Moravia, duke sjellë krahasimin me historinë e Penelopës dhe të Uliksit, tashmë të rrëfyer në kontekst psikologjik, sipas regjisorit gjerman Reingold, e shtyn Moltenin, por edhe lexuesin vetë, drejt dilemës, nëse Molteni vërtet paraqet anën moderne, njeriun e fjalës dhe të marrëveshjes, përkundër botës barbare, të nderit dhe të forcës ku jeton Emilia”. Kështu i shpjegon përkthyesja Aida Baro personazhet e romanit të Moravias të “Përçmimi” të saposjellë në shqip me logon e “Pegit”. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’ ajo sjell konceptet dhe idetë e përçuara në vepër.




– Marrëdhënia e një çifti me diferenca kulturore e intelektuale shërben si panoramë e “Përçmimit” të Moravias për hetimin e natyrave njerëzore e për të kuptuar edhe si njerëzit një ditë reshtin së dashuri e së çmuari dikë. Sa komplekse mund të jetë jeta e një dramaturgu që nis jetën si skenarist filmash të rëndomtë, për para?
Historia e dashurisë së Rikardo Moltenit dhe Emilias nis si gjithë historitë e tjera, me pasion, përkëdheli, dashuri dhe lumturi, të cilën protagonisti vetëm më pas do ta kuptojë: “Lumturinë më të madhe njeriu e ndien atëherë kur s’është i vetëdijshëm për të”. Në fakt, “Përçmimi” nuk niset nga një tradhti, por përkundrazi nga besnikëria. Po a është gjithnjë dashuri besnikëria? Rikardo Molteni, intelektual, me vetëdije të madhe për qenien e tij si i tillë, me shumë ambicie profesionale, për hir të dashurisë për të shoqen, Emilian, e cila, portretizohet si grua e thjeshtë, pa shumë pretendime intelektuale, por që ëndërron për të pasur një shtëpi të sajën, sakrifikon karrierën e tij si dramaturg për të siguruar para. Mirëpo, dashuria e Emilias fillon të zvjerdhet pikërisht atëherë kur, sipas Rikardos, gjendja e tyre ekonomike po përmirësohej, falë skenarëve që ai po shkruante për një producent kinematografik, Batistën, i cili është krejt e kundërta e Moltenit. Në lojë hyjnë jo vetëm ndryshimet intelektuale mes çiftit, por botëkuptimet e tyre krejt të kundërta, formimi i tyre i ndryshëm sipas botës ku janë rritur dhe së cilës i përkasin. Kjo del fare mirë në pah, kur Emilia e akuzon Rikardon, madje e përçmon se ai nuk është burrë i vërtetë. Po çfarë tiparesh do të duhej të kishte “burri i vërtetë”? Rikardo zë e rindërton gjithë historinë e tyre për të gjetur atë pikë prej ku e ka zanafillën ky përçmim. Emilia vjen nga një shtresë e ulët shoqërore, në botën e saj, burri është i zoti dhe jo ai njeriu i butë dhe i hapur, pa xhelozira të kota siç është Molteni. Diku, ajo ka dyshuar se Rikardo, për të siguruar para, e ka shtyrë atë, fshehtasi, drejt pranimit të miklimit dhe joshjes së Batistës. Emilia ndihet e ndërdyshur, por asnjëherë nuk ia shpreh të shoqit shqetësimet e veta. Pikërisht nga kjo mungesë komunikimi do të rrjedhin gjithë keqkuptimet mes çiftit.
Ajo kërkon një burrë që të veprojë me më shumë vendosmëri dhe burrëri.

– Moravia rizbulon përmes Uliksit dhe Penelopës një tjetër “Odise”. Një Odise të mundshme, ku rolet e përmbysura e zhbëjnë mitin. Si është ky rilexim?
Në romanin “Përçmimi”, Moravia nuk mëton të japë vetëm krizën bashkëshortore. Si njohës i mirë i botës së kinemasë, duke qenë se edhe vetë ka shkruar shumë skenarë filmash, ai ka ndier po të njëjtat vështirësi si Molteni. Përplasjet kulturore nuk ekzistojnë vetëm mes tij dhe së shoqes, por edhe mes tij, Batistës e Reingoldit. Kinemaja shihet si botë që u nënshtrohet ligjeve të tregut, e zbrazur nga çdo pretendim dhe thelb artistik, kurse Odiseja, nuk është vetëm një shkas për të ndjekur rrjedhën e ngjarjeve, por bëhet pasqyrë ku Molteni rreket të shihet për të kuptuar atë që po ndodh mes tij dhe së shoqes.

Punën e skenaristit, ai e sheh si stërmundim, sepse skenaristi shpesh është i detyruar të pranojë çdolloj subjekti për shkak të nevojave ekonomike, e për më tepër, mundimet e tij do të mbeten gjithnjë në hije. Pikërisht producenti e urdhëron Moltenin që të bëjë një Odise spektakolare, një kolosal me vajza gjysmë të zhveshura që lahen në det, dhe një Ciklop që t’i ngjajë King Kongut. I rëndësishëm është dhe interpretimi i regjisorit gjerman, Reingold, i cili kërkon një Odise “psikologjik”, ku ndodhitë e Uliksit e të Penelopës të analizohen sipas Frojdit. Ai hedh dyshimin: Mos vallë, Uliksi është larguar nga Itaka me vullnetin e tij të lirë, sepse nuk shkonte mirë me Penelopën? Mos vallë, ka bërë të pamundurën për ta vonuar sa më shumë kthimin në shtëpi? Sipas shpjegimit të Reingoldit, Uliksi për hir të paqes dhe makutërisë për dhurata, e këshillon të shoqen t’i pranojë vardisjet e mëtuesve qysh para se ai të nisej për në Trojë, duke shkatërruar kështu, me maturinë e vet, dashurinë e Penelopës, e cila do ta pranojë të shoqin, pas kthimit, vetëm nëse ai do t’i tregojë se është “burrë i vërtetë” dhe do t’i vrasë gjithë mëtuesit. Producenti Batista është Antinou homerik, që josh Emilian në sy të të shoqit dhe Rikardoja është Uliksi modern, të cilin e shoqja nuk e njeh, njësoj si nuk njeh Penelopa Uliksin e veshur si lypës. Dhe kjo mosnjohje nga ana e njeriut të dashur shndërrohet në pamundësi identifikimi nga vetë Rikardo. Ai përpëlitet mes “Odisesë” së vet, ku Uliksi është ai që njohim të gjithë, me peripecitë e veta të kthimit në atdhe, me Mesdheun e kaltër e gjithë dritë dhe interpretimit të dy të tjerëve, por i mbetet besnik idesë së tij fillestare.

– A mund të lexojmë përmes Uliksit personazhet moderne?
Historia e Odisesë, ashtu si dhe mite të tjera të lashta, është ritrajtuar në mënyrë moderne në shumë vepra të autorëve të shekullit XX, madje dhe Xhejms Xhojsi e ka rikrijuar tërësisht në veprën e vet “Uliksi”. Edhe O’Neill ka rishkruar sipas idesë së vet historinë e Orestit. Nga tre interpretimet e personazheve, del në pah çështja se si mund të rindërtohen mitet dhe veprat klasike. Edhe Moravia merr pjesë në këtë interpretim të personazhit të Uliksit, të cilit i jep një version tjetër. Rikardo me kthjelltësi i skematizon tri versionet e mitit dhe përpiqet të nxjerrë në dritë dallimin midis “botës ideale” dhe asaj “reale”. Prandaj dhe regjisori e akuzon se Molteni aspiron për një botë të ngjashme me atë të Homerit, që aktualisht nuk ekziston. Kjo botë ideale që do të donte Molteni, ku mbizotëron sinqeriteti, një jetë e pakompromentuar nga paraja, tashmë është realisht e pakthyeshme, gjithnjë nëse ka ekzistuar ndonjëherë. Duket se shkrimtarët i tërheq ideja e miteve, sepse vetë Zotat e Olimpit janë të mbushur me vese e virtyte njerëzore po aq sa dhe vdekatarët. Forca e mitit është po aq magnetike dhe e mbushur me kuptime të fshehta që ende priten të zbulohen. Ashtu siç thotë edhe Molteni “Prapa miteve greke gjithnjë fshihen drama njerëzore pa kohë e pa vend, të përjetshme.”

– Si përballen te Moravia qytetërimi e barbarizmi dhe sa vend mbeten për keqkuptime kur vjen puna te qytetërimi si mbulojë e zvetënimit ose e anasjellta?
Tek “Odiseja”, sipas Reingoldit, Uliksi është njeriu i qytetëruar, qytetërim i nënkuptuar në të mos pasurit paragjykime. Ai përfaqëson logjikën. Kurse Penelopa nuk është e qytetëruar dhe përfaqëson “natyralizmin primitiv”. Këto dy tipologji janë në kundërshti me njëra-tjetrën si dy përvoja dhe dy figura qeniesh njerëzore në konflikt, ashtu si natyra dhe kultura. Sipas studiuesit Nicola D’Antuono del në pah një motiv shumë i dashur për Moravia-n “ideja e qytetërimit si nevojë, por edhe si zvetënim dhe degradim, që i kundërvihet arkaikes dhe primitives, dhe qëndrueshmërisë së tyre në modernizëm.” Molteni kërkon botën ideale të paqes dhe dashurisë, në kohën e sotme kur çdo gjë prishet e zvetënohet kur futet në mes paraja. Emilia ka karakterin e saj primitiv, por siç e përshkruan Moravia është “njëkohësisht e pajisur vetëm me gjykimin e shëndoshë si mjet, në mënyrë krejt të paparashikuar dhe, për mua, të errët, arrinte të formulonte reflektime dhe mendime tepër të mprehta”. Ngjan sikur secili ka të drejtë, sipas botëkuptimit të vet dhe ndoshta pikërisht janë të ndarë edhe lexuesit mes Moltenit, që mendon e bluan vazhdimisht përsiatjet e veta dhe Emilias që kërkon një figurë më burrërore përkrah.

– Nevoja për t’u asociuar me personazhet mitike, ose jo, por personazhet; nevoja për ta gjetur veten te personazhet a ndodh të na krijojë keqkuptime me atë që jemi e rrethanat tona?
Gjithçka varet nga bota ku jemi rritur e ku aspirojmë të bëjmë pjesë. Personalisht, gjatë përkthimit kam qenë gjithnjë në dilemë mes Rikardos dhe Emilias. Hera-herës, Emilia më dukej vërtet një grua mendjembyllur dhe e pakultivuar, përpos dëshirës për të zotëruar shtëpinë, një dëshirë shumë femërore në thelb, sepse krijon steriotipin e “gruas së vatrës”, që s’sheh përtej kësaj nevoje atavike, pa asnjë interes tjetër profesional apo shpirtëror. Herë-herë, bëhesha palë me Emilian dhe Rikardoja më dukej burri hutaq dhe i paaftë për t’iu kundërvënë Batistës, pikërisht nga frika e humbjes së punës apo nga një pazotësi për të kundërvepruar, edhe kur sheh Batistën t’i puthë të shoqen. Prej këtu lind dhe përçmimi i saj, që ai nuk di të sillet si burrë, se ai është i tillë nga natyra dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë. Mirëpo, nëse ai është i sigurt për dashurinë e Emilias, pse do të duhej të reagonte egër dhe “të vriste” Batistën, sipas mënyrës së Uliksit? Në kompleksitetin e ndjesive, rol të madh ka kultura patriarkale shqiptare, sepse steriotipi i burrit shqiptar është krejt e kundërta e Moltenit, e ndoshta pikërisht për këtë Molteni mund të gjykohet “i dobët” për ne. Megjithatë, ekuilibri tepër i brishtë i marrëdhënieve mund të ruhet vetëm dhe nëpërmjet komunikimit, që është dhe një prej mesazheve më të bukura të këtij romani.

– Rikardo Molteni e kërkon dëshpërimisht lumturinë, por ai gjen në fund vetëm një lloj paqeje që e ka paguar shtrenjtë, sa herë është rrekur të gjejë të vërtetën. A është ky libër ‘odiseja’ e tij?
Rikardo Molteni, në fakt, nuk e gjen kurrë paqen. Edhe zgjidhja finale që i jep Moravia është në përputhje me karakterin e tij. Molteni nuk propozon asgjë të re, ai gjen strehë te halucinacionet, tek mirazhet, tek ëndrrat me sy hapur. Pafuqia e tij shoqërore shfaqet edhe në përfundimin e ngjarjes. Ai kërkon sërish atë paqe, atje ku ka pasur vetëm iluzione. Ngjan si fundi i një ëndërrimtari të palavdi.

– Rikardo Molteni e ‘lexon’ Odisenë duke i veshur Uliksit ose duke marrë prej tij, përjetimet e çastit. Sa i lexojmë edhe veprat sipas gjendjes emocionale?
Gjendja jonë emocionale, botëkuptimi, kultura, kultivimi, ambiciet, profesionet që kemi ndikojnë tërësisht në leximet tona. Rikardo Molteni e sheh Uliksin me syrin e shpëtimtarit, duke qenë se vinte nga një kulturë klasike; Batista, me syrin e përfituesit dhe makutit për t’i sjellë publikut atë që mendon se do ta ekzaltojë dhe do t’i mbushë plot sallat e kinemasë, si pasojë edhe xhepat e tij; Reingoldi, gjermani i kalitur me idetë e Frojdit kërkon të rrëmojë në thellësi të qenies njerëzore duke e dekonstruktuar mitin, deri në zhbërje.
Përballë këtyre, mbetet lexuesi, i cili do t’i shohë personazhet dhe do t’i përjetojë sipas gjendjes së vet emocionale dhe mendore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.