AKTUALITET

Video/ E qëlluar me kaçavidë, me deformime nga dhuna/ Gruaja rrëfen torturat nga burri: Më kërcënon tani nga burgu

13:41 - 08.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një tjetër histori me episode dhune çnjerëzore mbi një grua është trajtuar sot në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 nën drejtimin e moderatores Evis Ahmeti. Lindita Hoxha, 39 vjeçe është nëna e tre fëmijëve, që prej 13 vitesh ka njohur të gjitha format e dhunës nga bashkëshorti, duke i lënë pasoja shëndetësore por fatkeqësisht edhe nga institucionet. Kjo është hera e dytë që Lindita vjen në emision, pas denoncimit të parë për dhunën e bashkëshortit me të cilin tashmë është divorcuar por pavarësisht kësaj nuk ka shpëtuar prej tij.




Me një zë që tregon më shumë se mosha e saj, Lindita thotë se me bashkëshortin është njohur me dashuri fillimisht, por pasi mbeti shtatzënë filluan konfliktet dhe torturat në jetën e saj. Pasi bashkëshorti i saj bëhet vartës i alkoolit, ai nuk kontrollon më veprimet e tij, por ushtron dhunë ndaj nënë së tre fëmijëve. Tashmë bashkëshorti i 39-vjeçares ndodhet prapa hekurave, por sërish e kërcënon bashkëshorten përmes mesazheve të ndryshme që dërgon në adresë të saj. E pambrojtur dhe me një gjendje të rënduar psikologjike nënë e tre fëmijëve kërkon ndihmë nga shteti që të kthejë sytë drejt saj.

“Me dashuri jemi njohur dhe me dashuri e kemi marrë njeri-tjetrin. Nuk flas dot, më merret fryma. Në fillim ka qenë i mirë. U njohëm sepse ishim rreth miqësie. Ai u afrua i pari, unë isha 26 vjeçe. Pastaj nisi dhuna.
Kur e denoncova herën e parë, pasi dola dhe në emision prokurorja në Durrës Teuta Rrolli më mori në telefon më tha ‘je Lindita Dede’, i thashë po. Më tha se ‘nesër në orën 10:00 do vish se kemi një gjyq’. Unë nuk e dija se kishte ardhur burri im nga Italia. Shkova atje dhe kjo Teuta dhe një çun tjetër më kërcënonin mua. Kjo Teuta më tha ‘ti je për burg’ se ky i ka dhënë lekë. Më tha ti ke dalë në televizor, ke dhënë mesazhe të rreme, burri s’të ka bërë asgjë ty. Unë ua tregova mesazhet, folët vetë me burrin. Ai i ka thënë unë nuk kam folur me të, kjo ka bërë kallëzim të rremë. Ajo prokurorja më tha pse ke ikur nga shtëpia, pse ke ikur nga burri? Më pyeste dhe i shkruante në kompjuter. Më prunë një letër dhe më tha do pajtohesh me burrin. Prokurori që ishte me të, më tha shko në shtëpi, nëse të ngacmon prapë do vijmë ne. Më tha pajtohu me burrin se ke dy fëmijë, gjynah, fale. I thashë kam frikë të kthehem se do më vrasë. Ajo më tha do të fusim në burg, do të bëjmë këtë atë. Burri kishte shkuar direkt në prokurori, që e kishte kapur Interpoli por prokuroria nuk më tregoi se kishte ardhur burri aty. Veç kur e pashë burrin tek shtëpia, unë doja të ikja sa e pashë. Më tha mos ik, deri nesër në orën 10:00 nuk të prek me dorë fare, ke afat deri nesër në orën 10:00. Mbaruam gjyqin atë ditë, pas orës 10:00 filluan torturat e tmerrshme. Isha duke hekurosur e laja. Një javë rresht tortura. Më detyronte të thosha fjalë banale që të pranoja se e kam tradhtuar. Thoshte më kanë thënë njerëzit. Prej asaj date, një jave tortura pa marrë asnjë lloj ndihme. Nuk kisha as telefon, asgjë tjetër. Kisha dhe kalamajtë aty dhe i rrihte dhe ata.
Isha e vdekur e mbaruar. Natën e fundit, kishte folur me ca shokë dhe më tha ose trego të drejtën ose do të çoj me ca shokë në filan vend dhe do të vras. Më tha ke afat deri nesër në mëngjes. U çuam në mëngjes më tha bëj be në bukë më tha që nuk do më çosh në polici. Do ikim në Tiranë më tha e do bësh be. O Zot falëm kam thënë se nga halli, kisha frikë çfarë më bën. Do ikim me autobus tha jo me makinë. Më thoshte më ka thënë filani ke vajtur në filan vend ke marrë mish, kisha shkuar kisha marrë mish për Bajram për fëmijë. Më tha ikim në filan vend do më tregosh një numër. Ishim në Kamëz, tek kali dhe ky nuk më lëshonte. I ika nëpër makina për të shkuar në polici. Ai më kapi prapë, makina që kishte marrë ky me shokë, që më tha do të vras ishte atje duke na pritur. Një grua e shëndoshë më ka ndihmuar, më tha hajde tek nëna, ajo më ndau nga ai. Mes makinave, madje një makinë më përplasi kam shkuar tek policia pa ndjenja. Në policinë e Kamzës. Më morën policia e më çuan në Shijak, e kapën dhe burrin. Ai kërkonte falje, aman thoshte. I tha ai shefi i policisë boll të kemi falë, më tha merri rrobat vrap e do ikim”, tregoi gruaja torturat nga burri i saj që sot e kërcënon nga burgu.

“Me tel, me kabull më ka rrahur. Më ka humbur memoria njëherë kur kam qenë shtatzënë me çunin që e kam 6 vjeç. Tani kam hyrë në punë në një fabrikë por nuk duroj dot as zhurmat, asgjë. Jam shumë e sëmurë”, tha Lindita.

Ajo deklaroi se për shkak të pushimit të çështjes nga prokurorja sot mund të ishte e vdekur. “Sot mund të isha e vdekur nëpërmjet kësaj prokuroreje. Ajo ka bërë gabimin më të madh. Mua me ka shpëtuar vetëm policia e Kamzës dhe ajo gruaja, se sot do isha e vdekur. Prokuroja e ka mbyllur çështjen, më tha shko te burri, i cili më dhunoi një jave”, deklaroi nëna e tre fëmijëve.

Lindita tregoi se burri e kishte kërcënuar me mesazhe nga burgu dhe për këtë gjë, më 28 dhjetor të vitit të kaluar kishte bërë kallëzim në polic por policia i kishte thënë shko në shtëpi se do të njoftojmë ne.

“Burri me ka dërguar njerëz te shtëpia për të më kërcënuar. Kanë qenë dy burra të dyshimtë. Lajmërova policinë, por më thanë prit një javë.
Kam pas probleme dhe me kunatën. Më ka rrahur, më tha pse ke dalë në televizor. Burrit ia kam bllokuar numrin. Kur bëra denoncimin, çova të dhënat e telefonatës, por s’më kanë kthyer asnjë përgjigje. Në këtë telefonatë më tha ‘do të vras’.
Kur bëmë divorcin, u çua në sallën e gjyqit për të më rrahur. E kapi policia. I tha gjykatësja ti për këtë je në burg, prapë vazhdon”, tregoi vuajtjet e saj Lindita.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.