MILOSAO

Banorët e zinj të Ulqinit

13:00 - 11.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ylber Hysa – Ulqini ka vazhduar të jetë një shënjues mileniumesh i historisë ballkanase pranë detit që nga koha kur u krijua si koloni greke, apo si një ngulim i dallueshëm ilir në Adriatik, prej kur edhe datojnë muret e tij të para ciklopike që vazhdojnë edhe sot të jenë themel i kësh-tjellës impresive. Duke pasur një pozitë të lakmueshme ku mbaron bregu ranor dhe fillon ai guror i këtij pellgu me rëndësi që ka bashkuar e ndarë më shumë se asnjë det tjetër Perëndimin dhe Lindjen dhe duke qenë herë pjesë e një fuqie politike, civilizuese e kulturore, herë duke shënjuar ndarjen mes tyre, Ulqini me kalanë e vet mijëvjeçare ka pasur edhe një përparësi tjetër natyrore e relievore: bregdetin e përthyer që nëpërmes lumit (Bunës) ka hyrë në thellësi të hinterlandit (përmes liqenit) në Shkodër, gjer te ky qytet tjetër me rëndësi për këtë pjesë të Ballkanit. Shpesh në lidhje me Shkodrën, ose pa të, Ulqini ka mbajtur pozicionin e një qendre të paevitueshme detare, tregtare e kulturore në histori. Por, Ulqini, varësisht nga kohët e ndryshme ka qenë brenda ose në përpjekjet kundërshtuese të njëra-tjetrës të këtyre komponenteve konsistente politike të Adriatikut (Roma, Bizanti, Vene-di-ku, Perandoria Osmane), ose mbretërive rajonale (Norma-nët, Mbretëria Hungareze), apo atyre lokale e vendore (Zeta, Nemanjiqët, Balshajt, Bushatlinjtë etj.), shpesh duke shënuar edhe kufirin mes tyre.
Në fakt, është pikërisht dominimi afatgjatë i një force historike me stabilitet shumëshekullor që duke i mbajtur dy anët e bregut ka realizuar idenë e këtyre perandorive të qëndrueshme në historinë e Adriatikut, që vetvetiu ka kuptimësuar edhe lidhjen e Perëndimit dhe Lindjes në një konstelacion politik, ekonomik e civilizues, siç ka qenë Roma, apo Bizanti, dhe më vonë Dominantja e Adriatikut – Venediku. Kjo mundësoi për shumë kohë një zhvillim kontinuel të pellgut në realizimin e një aspirate kaq të shënueshme në histori. Por, shpesh herë këto forca kanë vazhduar të shtyhen mes vete për dominim, sikurse me rastin e zbarkimit norman në bregun lindor të Adriatikut, ose me konsolidimin venedikas në dy anët e detit. Ka pasur edhe shumë raste të tjera historike kur Adriatiku ka shënuar vendbetejën e goditjeve dhe kon-frontimeve në përpjekjen për dominim lindje-perëndim, siç ishte konflikti normano-bizantin, që gjeti epilogun pikë-risht në këtë shtrat gjeografik. Dhe ishte pikërisht ky pellg ku janë ngritur kufijtë e barrierat dhe kanë ndodhur përplasjet mes forcave të ndryshme ambicioze dhe të rëndësishme gjeopolitike e historike, siç ka qenë rasti me pesë shekujt e dominimit osman në Adriatik, që ka shndërruar bregun e tij lindor në kufi të qëndrueshëm, jo vetëm politik, por edhe kulturor.




 

Shpesh në lidhje me Shkodrën, ose pa të1, Ulqini ka mbajtur pozicionin e një qendre të paevitueshme detare, tregtare e kulturore në histori. Por, Ulqini, varësisht nga kohët e ndryshme ka qenë brenda ose në përpjekjet kundërshtuese të njëra-tjetrës të këtyre komponenteve konsistente politike të Adriatikut (Roma, Bizanti, Vene-di-ku, Perandoria Osmane), ose mbretërive rajonale (Norma-nët, Mbretëria Hungareze), apo atyre lokale e vendore (Zeta, Nemanjiqët, Balshajt, Bushatlinjtë etj.), shpesh duke shënuar edhe kufirin mes tyre.

Detaria e piratëria prej Lepantos deri në Berlin
Kuptimi i këtij konstelacioni historiko-politik e civilizues e ka domethënien posaçërisht për Ulqinin dhe sidomos temën që kemi zgjedhur – zezakët në Ulqin, që poashtu ndërthuret logjikisht me temat rrjedhëse që e determinojnë atë: detarinë, piraterinë, tregtinë me skllevër, si dhe vetë raportin e forcave që u përmendën më lart dhe kontekstin kohor që ka mundësuar një formësim të veçantë të historisë kaq të larmishme të këtij qyteti.
Është pikërisht Ulqini vendpërkufizmi i përplasjes së forcave të kohës nga dy brigjet e ndryshme të detit: të Venedikut, që duket mbeti forca e vetme trashëguese historike në përpjekjet e dominimit të pellgut Adriatik të dy brigjeve të tij, dhe të një force tjetër në ngritje që për kaq shekuj vazhdoi të jetë faktor qëndrues politik e kulturor në Adriatik, por vetëm në pjesën lindore të saj – Perandorisë Osmane. Ulqini ishte kalaja e fundit e Albanias Veneciane që kaloi në duart e osmanëve mjaft vonë më 1571, pas betejës së Lepantos. Ishte Ulqini, pra, që ishte qyteti i fundit që ra në duart e turqëve, të cilët e mbajtën atë deri më 1877, duke qenë kështu edhe qyteti i parë shqiptar që doli nga duart e Perandorisë Osmane, që në rrjedhën e një historie të çuditshme në rezistencën e kohës, përmes demonstrimit naval iu shkëput Portës si kompenzim për tokat tjera dhe iu dha mbretërisë së Malit të Zi.

Është ky përkufizim kohor në fjalë – mes Lepanatos dhe Kongresit të Berlinit – që ka kornizuar një periudhë të formësuar që ka ndikuar në Ulqinin me vulën e saj dhe me koloritin që përmendëm, ku kishte gjetur vendin një i pretenduar i Servantesit, ose mesia i rremë Sabataj Zevi,2 apo piratëria së bashku me skllevërit e komunitetin zezak.
Ulqini para kësaj kohe njihej edhe si pjesë e rrugës navale të pelegrinazhit për në Tokën e Shenjtë, siç shihet edhe nga udhëpërshkrimi i anglezit Ëilliam Ëay, që më 13.03.1462 në rrugë për të vizituar varrin e Krishtit, ku përveç qyteteve dalmate dhe Korfuzit në Greqi, veçon si të spikatura edhe qytetet bregdetare të Shqipërisë vene-di-kase, ku numëron Ulqinin, Tivarin, Budvën dhe Durrë-sin.3
Kjo situatë ndryshoi pas Lepantos, që u quajt beteja finale për dominimin e Mediteranit, pa marrë parasysh epilogun momental.4 Duke anashkaluar Kretën dhe duke u shtrirë përgjatë bregdetit grek, Otomanët u bënë zotër të Adriatikut. Përgjatë bregdetit të Shqipërisë ata pushtuan qendrat e rëndësishme fortifikuese – Ulqinin dhe Tivarin ndërkohë që armata tokësore në një operacion të koordinuar arriti që të kompletojë pushtimin edhe nga brendësia. Kjo e rrezikoi Venedikun.5

Në këtë rrethanë do thënë që, edhepse qyteti i fundit që hyri nën dominimin osman dhe i pari që doli nga duart e tij, Ulqini ishte shndërruar në një qytet bregdetar dominant musliman, si një pikë kufiri më verior e shtrirjes osmane, si “kështjellë në kufirin ekstrem”, siç thotë Çelebiu më 1662. Në kuadër të kësaj, mureve ciklopike ilire, agorës antike greke, kullës së Balshajve, mureve impresive të inxhinierisë mbrojtëse venedikase, tani iu shtuan ndërtimet karakteristike për këtë dominim: xhamitë, namazgjahu, teqetë, dyqanet dhe shtrirja dhe rritja e Ulqinit jashtë mureve të kalasë, që ishte si rezultat i një periudhe stabiliteti që ka mundësuar një tregti të përfolur, dhe kjo sidomos me rifunksionalizimin e ndërlidhjes me Shkodrën, ku tregtarët lokalë të mbështetur nga Bushatlinjtë, për një kohë të gjatë bënë një konsolidim ekonomik. Në fakt, Ulqini pësoi shumë nga lufta më 1571, saqë u dogj e u shkatërrua nga sanxhakbeu i Shkodrës dhe një pjesë e popullsisë u skllavërua. Që situata të ishte më e vështirë, më 1474 u shënua edhe një tërmet që e dëmtoi më tej kalanë. Vendikasit, që edhe pas humbjes së tij, ende shpresonin ta shtinin në dorë, shënonin që nësë duhej marrë, ai kërkon prapë një fortifikim që të mbahej i pushtuar. Sipas disa dëshmive, ai mbeti i pafortifikuar plotësisht edhe në fillim të shekullit XVI.6 Nga një dokument i shek. XVII Ulqini, tashmë ishte “bellismo borgo”, kishte një varosh të bukur të banuar me muslimanë dhe me limanin e Valdanosit, gjashtë milje në jug, ku kishte anije të mëdha e të vogla. Në këtë kohë flota e Ulqinit përbëhej nga 250 anije dhe aty gjendej një kantier detar që konsiderohej më i rëndësishmi në Shqipëri.7 Ishin ulqinakët ata që e shënuan këtë periudhë në ngritjen e detarisë dhe kapaciteteve lundruese që bënë që ky qytet të identifikohej si një qendër bartëse në shërbim të këtij zhvillimi. Por, një detari e dominuar qartazi nga popullsia e shkathët lokale, me detarë me traditë, të cilët tani lundronin nën flamurin osman, bëri që varësisht nga konstelacionet politike të vendosura në këtë hapësirë kufitare venedikase-osmane, të ketë edhe implikimet e ndryshme pikërisht mbi Ulqin. Kjo sidomos kur bëhet fjalë për piratërinë, e cila ishte zeje aq shumë e ndërlidhur me ulqinakët dhe si e tillë shpesh e trajtuar si problematike nga venedikasit dhe të tjerët që hasnin në ta. Ishte pikërisht piratëria që aq shumë zuri vend në ankesat, trajtesat dhe konfrontimet e ndryshme që përfshin Ulqinin në relacionet e Dominantës me Portën. Varësisht nga këto rrethana, por edhe jashtë tyre, ulqinakët ishin faktorë që ishin të paanashkalur në këtë periudhë në fjalë. Por, varësisht se sa deti ishte i hapur apo i mbyllur për kome-r-cializim, për shkak të monopoleve vendikase, Ulqini përpiqej të shpërthente herë me transport mallërash e herë me piratëri, sidomos kur kjo i konvenonte Portës, por edhe pësonte nga ajo nëse Stambolli lidhte marrëveshje për respektimin e luftës kundër piratërisë, siç ndodhi kur Mehmet Pasha demonstrativisht dogji anijen pirate të kapitenit ulqinak Ajdar Pirit në limanin e qytetit mu pranë syve të ulqinakëve. Si përfundim, dëshmon Anton Douda, diplomati vendikas në Shqipëri, “askush nuk guxon të shkojë në Barbari (në Afrikën veriore)”.8 Ndërlidhja e Ulqinit me piratët e Afrikës Veriore, Algjerinë, Tunizin dhe Tripolin kishte një traditë të etabluar shekullore. Kriza e luftës së Moresë dhe Kandisë shënoi rënien e potencialit vendikas në Adriatikun lindor, përfshirë edhe Bokën e Kotorrit, që u shfrytëzua nga kapedanët ulqinakë që dolën nga shtresa e pasuruar e piratëve, saqë në shekullin XVIII një pjesë e madhe e eksporteve në limanet shqiptare gjendej në duart e tyre duke i shtuar atij së tepërmi vlerën, saqë sipas dëshmive venedikase Ulqini që tash kishte fituar një prestigj të shënueshëm, numëronte me mijëra marinarë në qytet. Sipas një raporti të vitit 1706, Ulqini dispononte 120 anije me tonazh të lartë dhe afro 350 anije të tjera më të vjetra, përderisa Boka e Kotorrit, konkurruese në fqinjësi, kishte mbetur me vetëm 20 anije.9

Anijet tregtare ulqinake bënin një shkëmbim malli mes limaneve të Shqipërisë dhe të qyteteve bregdetare italiane. Anijet e ndryshme duhet të respektonin lun-drimin edhe në Bunë që ishte nën kujdesin e autoriteteve të Ulqinit dhe kjo klauzolë lidhej me interesin e shumicës së flotës ulqinake që kishte fushëveprimin e lundrimit në Adriatik, në brigjet e të cilit merrte e shpiente mallërat që shkëmbenin skelat shqiptare me ato dalmatine e italiane. Kjo bëhej kundrejt një garancie të lundrimit që e bënte Dominantja, në anën tjetër. Kështu, Ulqini detyrohej për mbrojtje të anijeve veneciane në limanet që vareshin nga ajo. Prandaj, në rastet si ai më 1748, kur pirati me origjinë ulqinake, Haxhi Mustafa, e shkeli marrëveshjen dhe në ujërat e Bunës grabiti një anije venedikase dhe e mori për skllav kapitenin e saj së bashku me dy të tjerë nga ekuipazhi, duhej bërë intervenimi.10 Ulqini u imponua me shak-thtësinë e gjetjes së një hapësire veprimi në këtë realitet kufitar, duke njohur dhe konflikte ndërkufitare, sidomos me perastianët në anën e Bokës së Kotorrit, që ishin nën mbrojtjen e Venedikut. Por, varësisht nga kohët e ndryshme dhe këtyre konstelacioneve, shënohej ngritja apo ulja e rëndësisë së Ulqinit si port, saqë pas rrënjës së forcës së Bushatlinjëve, Eduard Lear më 1851 e pëshkruan këtë distrikt ku bie edhe Ulqini si “Siberi, ekzil i Turqisë në Europë…”11.

Kështu ndodhi gjatë luftërave turko-venedikase (1714-1718) kur marrëdhëniet tregtare u pezulluan. Anijet ulqinake u urdhëruan nga Stambolli të ndalonin vene-dikasit të ngarkonin në bregdetin shqiptar dhe që ato në anën tjetër të mos dërgonin mall atje.12 Në një rast tjetër, pas paqës së Pozharevcit, Venediku i imponoi Portës ndalimin e anijeve ulqinake në Venedik, pas një skandali të shënueshëm kur shqiptarët kishin shtënë kundër buçintorit të doxhës së Venedikut, i cili në kohën e ngjarjes po vinte në ceremoni. Kjo bëri që Stambolli ta përcjellë këtë urdhër te pashai i Shkodrës dhe kadiu i Ulqinit.13 Paqja e Pozharevcit (1718) dhe e Beogradit (1739) i referohej Ulqinit me ndalje piratërie, lirim të robërve dhe ndalim lundrimi me anije të mëdha e të shpejta. Ulqinakët nuk i respektonin tërësisht këto ndalesa dhe në shumë raste patën telashe me Portën, sikurse me Sinan Pashën.14 Por, në kohë të tjera, kur e nxënë me luftërat e shpeshta me Austrinë, Rusinë e Persinë, Porta nuk mund të ushtronte pushtetin e plotë dhe kur anarkia apo vetëqeverisja e imponuar e krahinave të ndryshme mori hov, ulqinakët vazhduan të udhëheqin një veprimtari sipas qejfit dhe interesit të tyre, saqë agallarët ulqinakë vranë dizdarin e kështjellës së Ulqinit i cili u mundua të impononte vendimet e Stambollit për ndalesë piratërie, apo ofrim strehimi për piratët e Afrikës veriore, apo edhe tregtimit me Venedikun. Kjo shkaktoi intervenimin ushtarak të Ibrahim Pashës së Bosnjës i cili nuk mundi të arrinte sukses derisa atij nuk iu bashkua mytesarifi i Shkodrës me forcat e tij.15 Studiuesi ulqinak, Haxhi-brahimi, konsideron që Ulqini ishte bërë “shtet në shtet” apo “republikë pirate”.16

Është ende e paqartë se si dhe kur mbërritën zezakët e parë në Ulqin. Por, ndërlidhja e Ulqinit me detarinë dhe rrjedhimisht me piratërinë, përbrenda kontekstit historik që u elaborua më lart, duke i shtuar qartazi kësaj edhe bashkëpunimin dhe shkëmbimin e Ulqinit me Afrikën veriore, janë konturat në të cilat duhet kërkuar zbërthimin e kësaj dukurie. Ekzistojnë bindje te një pjesë e literaturës se berberët algjerianë, menjëherë pas pushtimit të Ulqinit nga osmanët, janë instaluar në Ulqin dhe kjo do të duhej të ishte një gjenezë a pikëmbështetje e fenomenit të piratërisë dhe tregtisë me skllevër. Ky sugjerim nuk dëshmohet përfundimisht ndër burime17, por gjithsesi mbetet argu-ment i pamohueshëm bashkëpunimi i detarëve dhe pira-tëve ulqinakë me afrikanoveriorët. Ulqini në këtë periudhë gjithnjë e më shumë njihej për rëndësinë që fitoi, qoftë si bazë përkrahëse e logjistike e piratëve të Afrikës së Veriut, qoftë për ndërmarrje të këtilla që udhëhiqeshin nga vetë ulqinakët. Por, tregtia me skllevër, nganjëherë e për-krahur edhe me robër të luftës nga betejat e kohës ku kryqi ndeshej me gjysmëhënën, si fenomen kryesisht ekzistonte nga vetë tregtia e qëndrueshme që ishte etabluar në tregjet tradicionale të skllevërve nga burimet trans-sahariane të Afrikës së zezë muslimane që silleshin në qendrat më të njohura të brigjeve veriore të kontinentit, sikurse Tripoli. Skllevërit e zinj këtu ishin një mall tradicional.

Ulqinakët ishin një sinonim detarie e përzier me piratëri dhe rrjedhimisht edhe të tregtisë me skllevër, qoftë ata si robër lufte, rremtarë që përdoreshin nga ta nëpër anije, ose për tregtinë me skllevër të zinj që ekspozoheshin në sheshin e njohur në piacen venedikase pranë don zhonit të njohur si kulla e Balshajve.
Por, para se të zbërthehet ky aspekt, ia vlen që të bëhen dy digresione ndërlidhëse që ndërthuren në temë. E këto janë: 1) ekzistimi i piratërisë në këto anë para kohës osmane dhe 2) një historik i piratërisë së kësaj kohe në një rajon më të gjerë se vetë Ulqini.

S’do harruar se invadimi romak në Ballkan ka filluar në emër të luftimit të piratërisë nga bregu tjetër, që udhëhiqej nga Mbretëresha Teuta. Ilirët janë përmendur në shumë burime të kohës si popullatë që kanë aplikuar piratërinë gati si formë e tyre jetese pranë detit. Duke shfrytëzuar përparësitë e bregdetit lindor të Adriatikut, me shumë strehime natyrore, ngushtica e ujdhesa, anijet e shpejta ilire kishin plaçkitur një kohë të gjatë anijet e ndryshme të pasura greke dhe ato italike. Kështu piratëria ishte një dukuri historike tek ilirët, dhe ajo para se të shënonte konsekuencat e njohura politike, në fillim kishte kryesisht karakterin ekonomik. Fiset ilire merreshin me këtë zeje nga kohët më të lashta dhe nuk përbënin përjashtim nga një dukuri e këtillë e përhapur edhe ndër popullata të vjetra mesdhetare, kretasit, fenikasit, etruskët, madje edhe vetë grekët e romakët në shekujt e parë të zhvillimit të tyre historik. Autorët antik shkruanin me urrejtje për piratërinë e përhapur tek ilirët, përfshirë Polibin, Apianin, Strabonin dhe Tit Livin.18

Në fakt, sulmet pirateske ilire u shënuan, përveç se në det të hapur, edhe në vetë qytetet greke dhe ato sillnin një pasurim të shpejtë, një levërdi të shënueshme nga plaçka saqë përfitimet ekonomike, siç vëren ilirologu Stipçeviq, luajtën një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të shtresave në shoqërinë ilire.19
Holleux konsideron se për fiset bregdetare ilire “piratëria ishte industri kombëtare”. Ai shton se “Adriatiku mbeti si më parë, në duar të ilirëve dhe piratëria vazhdoi të ishte e keqja e tij endemike”.20

Piratëria në Adriatik është e shënueshme edhe në Mesjetë, sidomos pas rënies së Perandorive të mëdha detare, Romës dhe Bizantit. Ashtu siç besohet nga disa autorë, piratëria dhe mortaja kishin një veti të përbashkët – të dyja vinin shpesh nga territoret otomane.21 Por, jo vetëm nga aty. Piratëria ishte një aktivitet thelbësor i jetës detare deri kah viti 1820. Adriatiku ishte një shtrat i përshtatshëm për këtë ndërmarrje duke qenë një gji detar ku ndesheshin paevitueshëm akterë të shumtë dhe ku një fenomen i këtillë kishte një mbështetje shekullore. Për dallim nga hapësirat e tjera ujore evropiane, si La Manshi ose deti Veriut, apo Atlantiku, këtu kusaria dhe piratëria dalloheshin me vështirësi, sepse në të përzihen një varg faktorësh, përfshirë edhe shtetet e tëra, sikurse regjencat berbere të Afrikës së Veriut, apo në një formë më të pakët edhe kalorësit e krishterë të Maltës, që këtë e kishin një formë tradicionale jetese.22 Në anën tjetër çdo konflikt luftarak e ngjallte piratërinë.

Piratëria në Adriatik praktikohej edhe nga të tjerët, sidomos nga uskokët e famshëm në Dalmaci, të cilët me specialitetin e tyre të kusarisë në formë të grabitjeve detare arritën kulmin në shekujt XVI-XVII, por pas interve-ni-meve venedikase në Quarner të Istrias, ata pushuan për një kohë për t’u paraqitur sporadikisht në kanalin e Morlacës. Edhe në këtë pjesë të Adriatikut piratëria mund të ndërsehej konform interesave kundërshtuese politike, sikurse ndodhi në kohën kur Burbonët, trashëgimtarë të Habsburgëve të Spanjës diktuan autoritetin e tyre mbi mbretërinë e Napolit. Tregtia napolitane u godit nga kusaria e Segnës. Pasi Habsburgët arritën vetëm për një kohë të shkurtër të mbanin prapë Napolin, për ta dorëzuar atë më 1735, tani piratëria do të favorizohej më shumë se kurrë nga Vjena. Në këtë mënyrë kusaria kaloi nivelin e sulmeve për ndërprerje qarkullimi detar dhe shënoi sulme në tërë detin duke penguar sidomos tregtinë e Venedikut. Kjo situatë u rikthye në kohën e konflikteve për trashëgiminë e fronit austriak (1740-1748) dhe Segna prapë u kyç me intenzitet në kusari në det të hapur në brigjet italiane, duke mos respektuar as flamurin papnor, apo venedikas.
Për dallim nga piratëria në Atlantik ku përleshjet mes forcave të mëdha detare ishin të rralla, në Adriatik konfrontimet ishin më normale edhe për shkaqe gjeo-grafike, por edhe si përlëshje mes fuqive të krishtera dhe otomane, saqë këtu për dallim nga hapësirat e tjera, ku piratëria njihej vetëm gjatë kohës së konflikteve, në Adriatik ajo thuajse nuk pushonte kurrë. Piratët e porteve shqiptare, Vlora, Durrësi, Ulqini që vareshin nga otomanët shpesh përdoreshin si përforcim detar në mësymjet dhe konfiktet me Venedikun, siç ndodhi edhe gjatë luftës së Kandisë. Kjo bëri që “shqiptarë” të ishin jo vetëm detarët e Ulqinit, por kjo shërbeu si sinonim edhe për grekët me prejardhje shqiptare.23

Zmbrapsja e Venedikut bëri një kohë që të mbizotërojë edhe “kusaria e vogël” në Adriatik që nuk ishte më pak e rrezikshme se sa ajo e “madhja”, e njohur nga skuadriljet algjeriane, operuese në gjithë Mesdheun. Në këtë kohë në ishujt jonianë ishin aktivë piratët grekë që ndihmonin Venedikun.
Bregu lindor i Adriatikut me plot ngushtica dhe relieve lejonte jo vetëm strehim të gjerë por, edhe erëra shtytëse, që mundësonin paraqitjet e befasishme në det të anijeve pirate të uskokëve dalmatë dhe të atyre nga portet shqiptare, siç bënin dikur ilirët e vjetër.
Anijet që përdornin në Adriatik sipas burimeve raguzane dhe të tjera, ishin anijet galeota, që ishin galera të vogla, e të shpejta manovruese me nga 10 deri 26 banka rremtarësh, të pajisura me artileri të lehtë. Përdoreshin edhe fustet, që ishin të afërta me brigantinët, por mjaft të përpunuara. Shpesh rremtarë ishin robërit e Markeve italiane apo të krishterët dalmatinë të zënë nga piratët e Ulqinit. Kjo dukuri me kohë më pak u bë gjueti për rremtarë, se sa gjah në njerëz të grabitur që liroheshin për një kundërshpërblim.24 Në këtë luanin rol sidomos raguzianët, që u bënë ndërmjetës te Porta për këtë punë.
Pas luftës së Kandisë duket që tehu i piratërisë u zbeh dhe shpesh kishte ndërhyrje dhe demonstrime navale në brigjet e Afrikës veriore nga forcat detare perëndimore në rritje, ndonëse mos-sulmi shpesh ishte pasojë e marrëveshjes që nënkuptonte kundërshpërblimin e paguar, siç ndodhi me venedikasit, që mes viteve 1794-1796 paguan 23 mijë piastra spanjolle në Tripoli. Këtu do përmendur gjithsesi edhe ekzistimin e fenomenit të “Robërisë së bardhë të krishterë”, që shtetetet afrikano-veriore ose “Barbaria” e kanë zbatuar afro 3 shekuj, mes viteve 1500-1800. “Barbaria” si një shprehje e etabluar e kohës nënkuptonte shtetet dhe rajonet berbere- Maroko, Algjeri, Tunisi, Tripoli dhe Barka, ku skllavërimi i të bardhëve europianë njohu një praktikë shumë të gjërë saqë kusarët arabë të Barbarisë kishin zaptuar jo vetëm anije në det të hapur në Mediteran, duke shkuar gjerë në Britani dhe në një rast edhe në Islandë për të zënë robër të bardhët e krishterë, por ata një kohë shumë të gjatë kishin bërë invadime tokësore në bregdet, sidomos në Itali, Spanjë, Francë e Portugali. Sipas autorit Davis, në një nga punimet e tij më të reja që solli rezultate shokuese, ishin diku 1 milion deri 1 milonë e 125 mijë të bardhë të krishterë europianë që për 3 shekuj ishin zënë e mbajtur në “Barbari”.25 Ky autor mundohet të sugjerojë që skllavëria e bardhë e krishterë ishte gati njësoj e madhe si ajo trans-atlantike me zezakë.26 Për këta të bardhë robër kërkohej kundërshpërblim që paguanin familjet e tyre, ose organi-zatat e specializuara kishtare si Trinitët. Në këtë punë në burime të ndryshme përmenden shumë herë ulqinakët dhe Ulqini, ku robërit e krishterë europianë mbaheshin të burgosur, peng haraqi dhe pikërisht aty ishte vendi i pazareve të kundërshpërblimit. Dëshmi të shumta flasin për këso situatash dramatike dhe fate të rënda njerëzore. Antonio Ascentij, që dikur kishte qenë rob në Ulqin, shpje-gonte se i janë dashur 3 vjet deri sa i kishte shkruar letër nënës së tij me gjakun e tij. Një italian tjetër Mazzocati më 1687 poashtu kishte qëndruar rob në Ulqin dhe të tillë përmendën shumë ndër burime të ndryshme. Komuniteti në Gonafalone të Italisë kishte organizuar një mbledhje të shpejtë fondesh dhe ishte nisur për në Ulqin për të kundërshpërblyer dhe liruar familjarët e zënë rob në Ulqin. Në raste të shumëta, Ulqini përmendet si një ndërstacion dhe ndërmjetës logjistik në rrugën e mundshme të tregtisë me skllevërit e bardhë të krishterë në rrugë për Barbari, së bashku me dy qendra tjera, Lepanton dhe Santa Ma-u-ron.27
Gjendja ndryshoi kryesisht me prezencën e forcave të mëdha detare europiane, Francës dhe sidomos Britanisë, e cila si zonjë e padiskutueshme e deteve e bombardoi Algjerinë më 1816. Piratëria nga kjo kohë, rreth vitit 1830, pothuajse u shkatërrua plotësisht në këto hapësira ujore.28

Komuniteti zezak
Prezenca e komunitetit zezak në Ulqin është e shënueshme për më shumë se katër shekuj në kontinuitet. Ulqini nuk shërbeu vetëm si treg skllevërish, ose si një vend që ishte i lidhur me këtë zeje, por edhe si vendbanim ku u ngulit komuniteti që këtu u adoptua dhe u bë i gjallë. Varësisht nga kohët, numri i tij varionte por, sipas disa shënimeve në Ulqin deri sa u largua pushteti osman, jetonte numër i konsiderueshëm zezakësh.29 Ata vinin këtu në forma të ndryshme, si skllevër të marrë nga Afrika, të blerë në tregjet tradicionale të Afrikës së Veriut. Tregtia me skllevër dhe skllavëria këtu kishte një traditë të etabluar shekullore, që nga robërit e klasifikuar si fuqi punëtore, apo për shërbime të specializuara si shërbyes shtëpish, deri te konkubinat dhe evnuhët. Një traditë e këtillë arabe, ndonëse ajo ishte në një kontradiktë të theksuar me interpretimin kuranik mbi skllavërinë sido-mos kur bëhej fjalë për muslimanët, apo zezakët e konvertuar në Islam, u bart edhe tek Otomanët saqë robërit e zinj dhe të tjerët në oborrin perandorak osman ishin pjesë e shkëlqimit që shpesh sillej në tablot dhe kronikat e udhëpërshkruesve perëndimorë.
Ulqinakët, mbi këtë traditë, duke qenë pjesë e arealit politiko-historik e kulturor otoman, kishin mundësinë e ardhjes në kontakt me këtë fenomen dhe tregje, duke pasur një akces më të natyrshëm me Afrikën dhe kjo shpjegon se si Ulqini më shumë se të tjerët në Adriatik përfitoi nga kjo mundësi e tregtisë me skllevër. Por, nëse shikohet më thellë dhe krahasohet me një hapësirë tjetër në Mediteran apo hapësirë brenda territorit të gjerë otoman ku kishte skllevër, në Ulqin kishte një komunitet të etabluar që shënoi një jetesë kontinuele, që ishte i dallueshëm edhe nga rrënjët edhe nga sfondet e ndryshme të akulturimit. Zezakët në Ulqin, së pari si skllevër, e pastaj të liruar, ishin të mishëruar dhe të akomoduar në një ambient që bëhej i tyre. Ata ishin të pranuar deri në fund si pjesë e komunitetit, pa shenja imponuese dalluese sociale apo të getoizuar, saqë edhe për nga gjuha e përdorur lirisht mund të quheshin komunitet negro shqipfolës. Kjo jetesë e komunitetit nuk mund të shpjegohet pa i dhënë atij shpjegimin lokal të të kuptuarit të tyre të jetës të ndërtuar mbi një princip të kulturës shqiptare lokale të Ulqinit dhe rrethinës të kësaj kohe. Me gjithë karakteristikat e tjera, që ky komunitet është musliman dhe ku gratë janë të mbuluara, që ishte formë e të jetuarit të kohës brenda kontekstit otoman, dallohet edhe komponenta e vogël autoktone afrikane që i ka shpëtuar asimilimit total: shenjat dhe tatuazhet që janë marker i jashtëm social; ushqimit (për festa përdorej ushqimi me origjinë nga atdheu i vjetër); apo karakteri (temperamenti, disponimi, përjetimi estetik i veshjes etj.). E tëra nuk mund të shpje-gohet pa një komponentë të tretë po aq të rëndësishme – shpjegimi i jetës së ndërtuar mbi koncepte të kulturës shqiptare (gjuha, familja, kultura lokale, egaliteti klanor, solidariteti dhe mbrojtja e bashkësisë etj.). Tekefundit, edhe vetë jetesa, zhvillimi i komunitetit si dhe gati zhdukja e tyre, ndërlidhet brenda konturave të shpjeguara më lart, të Ulqinit mes Lepantit dhe Kongresit të Berlinit. Me t’u zhdukur ky realitet dhe me marrjen e Ulqinit nga Mali i Zi, ky komunitet shënon rënien drastike deri në asimilim që po ndodh në kohën tonë, kur duket që ka mbetur vetëm një plakë zezake që është nga të dy prindërit zezakë. Zezakët u tërhoqën së bashku me agallarët shqiptarë të Ulqinit, tregtarët e pasur dhe detarët që në masë e lanë këtë qytet pas ndryshimeve në vitin 1880, duke kërkuar jetë gjetiu në Shkodër, Durrës etj. Ky komunitet nuk mund të shpjegohet dhe interpretohet nëse nuk shihet kështu, pra edhe si negro komunitet shqipfolës.
Vijon

Shënime
30 Për më tepër shih: Oliver Jens Schmitt, Shqipëria Venedike, 1393-1479, K&B, Tiranë, 2007.
2 Sabataj Zevi, një personalitet kontrovers, i njohur si Mesia i rremë, që bëri përpjekje për reformimin e Talmudit, kishte tërhequr vëmendjen e komunitetit hebre që nga Europa qendrore deri në Perandorinë Osmane. Ulqini, ku ai u syrgjynos që nga viti 1673 ku dhe vdiq, shërbeu si vend prej ku ai i mbante kontaktet dhe korrespondencat e fundit. Edhe shumë kohë pas vdekjes, varri i tij u bë vend pelegrinazhi dhe vizitohej nga ithtarë të ndryshëm. Në një reportazh nga një gazetë e Tel-Avivit më 1965 përmendet që vizitorë anonimë sjellin lule dhe gurë mbi varrin e Zevit. Shih: John Freely, The Lost Mesisah, In Search of Sabbatai Sevi, Pinguin Books, London, 2001.
3 Mithat Kozlièiæ, Adriatic Saling Routes as reported in the 14th and 15th century Piligrimages, Balkan Studies, vol.41, Thessaloniki, 2000, 9
4 Shih një nga studimet më të reja me një stil të theksuar narrativ dhe përmbledhës të Roger Crowley, Empires of the Sea, the Final Battle for the Mediterranean, 1521-1580, Faber and Faber, London, 2008.
5 Roger Crowley, Empires of the Sea, the Final Battle for Medi-terranean 1521-1580, Faber and Faber, London, 2008, 246

6 Stavri N. Naçi, Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bu-shatlinjëve në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII (1757-1796), Tiranë, 1964, f.39.
7 Maksut XH. Haxhibrahimi, Detaria e Ulqinit nëpër shekuj, Ulqin, 1994, f. 69.
8 Stavri N.Naçi, vep. e cit., f.74.
9 V.Vinaver, Pomorstvo Ulcinja u XVIII veku, Istorijski zapisi XVI, knj.XX, sv.1, Titograd, 1963, 51-68.
10 Naci, op cit, f. 53
11 John Freely, The Lost Mesiah, In Search of Sabatti Sevi, Penguin Books, f. 197.
12 Haxhibrabihimi, f. 69.
13 Naci, f. 42
14 Ruzhdi Ushaku, Ulqini në gjurmët e shekujve, Art Club, Ulqin, 1991, f. 33-34.
15 Naci, f. 47.
16 Maksut Haxhibrahimovic, Ulcinjksi crnci, Globus, Casopis za geografska didakticka i metodloska pitanja, Beograd, 1979, f. 136.
17Artikujt e ndryshëm gazetareskë kanë ripërsëritur këtë fakt pa sjellë ndonjë referencë. Shih, Mustafa Festic, Crnoputi konobar u Hrasnici, Osobodjenje, 10.11.1957.
18 Për më shumë, shih: Harry J. Dell, The origin and Nature of Illyrian Piracy, Historia, Wisbaden, 16/1967, H.3, f. 344-358.
19 Aleksandar Stipceviq, Ilirët, Historia, jeta, kultura, Rilindja, 1990, f. 172.
20 I njëjti autor shton se fiset bregdetare ilire, për të cilët piratëria ishte industri kombëtare, kishin qenë gjithmonë fatkeqësia e Adriatikut. M.Holleaux, Les Romains en Illyrie, Cambridge Ancient History, VII, 1928, fq.80, cituar sipas Historia e Adriatikut, fq.73 fusnota 16.
21 Historia e Adriatikut, ed.Pierr Cabanes, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë, 2005, f. 309.
22 Shih, Historia e Adriatikut, f. 310.
23 Historia e Adriatikut, f. 310.
24 Detarët ulqinakë i zinin robër shpesh anëtarët e ekuipazheve të tjera dhe i shitnin për robër, sikurse që ishte rasti me Lucija Mrvi nga Përqanji i Bokës së Kotorrit e cila pagoi për lirimin e burrit të saj 130 talira. Gjithashtu përmendet edhe njëfarë Bozha Tripov që si rob kishte vdekur në Ulqin, më 15.08.1669. Shih, Bahri Brisku, Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2006, f. 71.
25 Shih veprën që ka zgjuar shumë interes dhe interpretime kontroverse: Robert C Davis,. Christian Slaves, Muslim Masters: White Slavery in the Mediterranean, the Barbary Coast, and Italy, 1500-1800, New York, Palgrave MacMillan, 2004.
26 Shih veprën që ka zgjuar shumë interes dhe interpretime kontroverse: Robert C Davis,. Christian Slaves, Muslim Masters: White Slavery in the Mediterranean, the Barbary Coast, and Italy, 1500-1800, New York, Palgrave MacMillan, 2004.
27 Metodologjia e Davis-it për të përcaktuar shifrat e robërve të bardhë në mungesë shifrash periodike të mbështetura në burime precize është reflektive dhe mbështetet në shifrat e kalkuluara në bazë të burimeve ekzistuese dhe mbi relacione të supozuara të nevojave për skllevër në këta dy shekuj. Botimi tij ka nxitur debate të shumta të natyrave të ndryshme. Por, në fakt krahasimi me robërit e zinj nuk duket komparativ. Nga një përllogaritje e furnizmit me skllevër nga burimet trans-sahariane, mendohet se prej vitit 650-1900 kanë dalë dikund rreth 7.450.000 robër të zinj. Shih, Ralph Austen, The Trans-Saharian Slave Trade, A Tentative Cencus, në The Uncommon Market: Essays in the Economic History of the Atlantic Slave Trade, (ed.) Hanry A. Gemy, New York, 1975.
28 Për këto dhe shënimet e tjera që kanë të bëjnë me Ulqinin në veprën e Davis, Robert C. Christian Slaves, shih faqet 78, 139, 140, 143, 155, 156, 160, 161, 166, 171.
29 Historia e Adriatikut, f. 311.
30- Hadjbrahimovic, Ulcinjski Crnci, f. 136.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.