SHËNDET

Migena Kika: Mbajini bebet larg nga karriget lëkundëse apo rrethoret

18:00 - 11.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të kesh një bebe është një nga eksperiencat më të bukura, por edhe më sfiduese. Bebi do ushqyer, ndërruar a kujdesur për të vazhdimisht dhe sigurisht kjo të ha kohë. Dhe pjesa më e madhe e prindërve këtë kohë nuk e kanë. Dhe meqenëse bebet nuk kanë lëvizshmërinë e një fëmije tjetër më të rritur, sigurisht që është më kollaj ta gjesh zgjidhjen dhe ta vendosesh beben në një karrige lëkundëse në shtëpi, karrige të tilla si ‘karrigia bambo’, rrethorja, karroca. Por sa të shëndetshme janë këto mjete për qëndrimin e bebeve? Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja neuropediatre, Migena Kika tregon të gjitha problemet që mund t’i shkaktohen fëmijës duke përfshirë këtu edhe kufizimin e lëvizshmërisë.




A ka pasoja në neurozhvillimin e fëmijës vendosja e bebeve në karriget lëkundëse, ato të makinave apo rrethoret?
Sigurisht që këto mjete nuk mund të shmangen plotësisht. Karrigia në makinë dhe bebja e lidhur në të është një domosdoshmëri për sigurinë e fëmijës. Por në mundet dhe duhet të kufizojmë kohën që bebi kalon në këto “konteniere”. Vitet e fundit një pjesë e madhe e fëmijëve po shfaqin probleme jo vetëm me zhvillimin e tyre motor, por edhe në sjellje e zhvillim pikërisht për shkak të përdorimit të këtyre mjeteve. Shumë bebe që kanë lindur të shëndetshme dhe me lëvizshmëri normale mund të zhvillojnë atë që quhet “Sindroma e Bebes në Mbajtëse”, (Container Baby Syndrome).

Çfarë sjell (Container Baby Syndrome) në shëndetin e bebeve?
Është parë se sot bebet në botën moderne ku jetojmë mund të jenë të ekspozuara në të paktën katër apo pesë lloje të ndryshme mbajtësesh çdo ditë. Sigurisht disa prej tyre si karrigia e makinës janë të domosdoshme për sigurinë e fëmijës, por nëse bebi kalon orë të tëra në këto mbajtëse, atëherë kjo ndërhyn në fazat e hershme të zhvillimit të tyre duke kufizuar apo penguar lëvizhmërinë. Pjesa më e madhe e karrigeve ku vendoset fëmija mund të duken një zgjidhje e mirë për momentin, por kur fëmija vendoset në të, pesha e kokës së bebes bie e gjitha mbi shtyllën kurrizore. Muskujt dhe artikulacionet e bebes mund të mos jenë të zhvilluara plotësisht për të mbajtur peshën e bebes kundër gravitetit. Fëmija pra mund të zhvillojë vonesa të zhvillimit motor si dhe ndryshime skeletale. Në këto mjete kufizuese që përdoren rëndom janë: karriget e makinave, karrocat që përdorim për shëtitje, lëkundëset e bebeve, rrethoret që përdoren për të ndihmuar ecjen (por që në fakt e pengojnë atë). Pjesa e madhe e bebeve kalojnë një kohë mjaft të gjatë në këto mjete që janë dizenjuar si ndihmëse, por që janë në fakt kufizuese, duke mos i dhënë mundësinë fëmijës të qëndrojë shtrirë mbi bark (tummy time), aq e nevojshme për zhvillimin motor, konjitiv dhe gjuhësor. Si rezultat bebet janë gjithnjë e më pak të lëvizshme e qëndrojnë të mbështetura mbi kokën e tyre duke dhënë dhe plagiocefali apo kokën e shtypur nga prapa.

Pse bebet kanë gjithnjë e më shume plagiocefali (kokën e shtypur nga prapa)?
Ka shqetësim gjithnjë e në rritje për Sindromën e Vdekjes së Papritur tek bebet (SIDS), dhe udhëzimet janë që për të shmangur a ulur rrezikun për këtë; bebet të flenë në shpinë dhe jo me bark poshtë.
Sigurisht që kjo është e domosdoshme për të parandaluar SIDS, por në këtë mënyrë bebet harxhojnë 10 ose më shumë orë duke fjetur në kurriz dhe ndaj është shumë e rëndësishme që kur ata janë zgjuar, të kalojnë shumë më tepër kohë në bark. Nëse bebet kalojnë më shumë se 10 orë duke fjetur mbi kurriz e më pas shumë kohë në këto mjete kufizuese, pasojat afatgjata do të jenë vonesa të zhvillimit që përfshijnë: të zvarriturën, rrotullimin, të ulurën, të vrapuarin, por edhe të folurën dhe komunikimin.

Çfarë vërehet te fëmijët që kalojnë shumë kohë në karriget lëkundëse apo rrethoret?
Është parë se fëmijët që harxhojnë një kohë të madhe në këto mjete kufizuese mund të kenë kokë të sheshtë nga prapa, asimetri faciale (mundet që pjesë të fytyrës së bebes të mos duken njëlloj si pasojë e deformimeve të kafkës), torticollis (në këtë rast bebi ka vështirësi të kthejë kokën në njërën anë), lëvizshmëri, forcë muskulare dhe koordinim i reduktuar, vonesa në të folur dhe komunikim, mungesë vëmendjeje dhe fokusimi, deprivim sensorial, vonesa konjitive, mungesë e integrimit të reflekseve, vonesa në aftësitë vizuale-motore dhe koordinimin sy-dorë, shtim në peshë dhe obezitet.

Pse këshillohet që bebet të qëndrojnë më shumë shtrirë barkas?
Bebet e vendosura në këto mjete kufizuese për pjesën më të madhe të ditës jo vetëm janë të imobilizuara mbi këto mjete, por dhe nuk kalojnë kohë të shtrirë barkas. Bebet duhet të lëvizin sa më shumë të jetë e mundur. Të vendosësh beben shtrirë barkas mund të jetë e lehtë për disa bebe, por për të tjera e vështirë. Bebi mund të qajë vazhdimisht dhe nuk e pëlqen të jetë shtrirë barkas. Por në këto raste prindërit nuk duhet të heqin dorë. Një metodë që ndihmon është që prindi të shtrihet në të njëjtin pozicion si bebja, në mënyrë që ky ta shohë e ndjejë dhe t’i flasë bebit. Filloni me një sasi të vogël kohe fillimisht e më pas rriteni atë. Ka aq shumë përfitime nga koha e kaluar shtrirë barkas duke përfshirë dhe ndikimin më vonë në të lexuar dhe të shkruar. Pediatrit rekomandojnë të paktën 20 minuta deri në një orë ose më shumë kohë të shtrirë barkas. Koha mund të ndahet gjatë ditës në mënyrë që fëmija ta pranojë më lehtë vendosjen në këtë pozicion. Bebi duke lëvizur kundër gravitetit, forcon muskujt e tij të qafës dhe të shpinës. Të rrotulluarit, të zvarriturit dhe ecja fillon dhe stimulohet me kohën e kaluar shtrirë barkas. Kjo kohë e kaluar barkas është guri i themelit të zhvillimit emocional, konjitiv dhe të sjelljes. Duket sikur nuk ka lidhje, por pozicioni shtrirë barkas e ndihmon bebin që më vonë të rrijë ulur në bankë, të kopjojë shënimet nga tabela, të shkruajë fjalët nga një faqe libri si dhe të ndjekë fjalët në një libër për t’i lexuar ato. Koha e shtrirë barkas është koha më e mirë për të parandaluar Sindromën e Bebes në Mjetet Kufizuese (Container baby Syndrome). Edhe kur bebin e zë gjumi në makinë apo në karrigen lëkundëse është mirë që të merret në krahë dhe të çohet në krevat për të fjetur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.