OPINION

Alternativa

07:16 - 12.11.19 Besart Kadia
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në doni thoni “Mjaft!”, “Ne Tirana” apo “Libra” e në doni thoni “Alternativa”. Të gjitha janë përpjekje për të dhënë një kontribut në debatin publik kur gjërat duket se nuk shkojnë sipas dëshirës së shumicës së opinionit publik në vend. Teksa ekonomia ka mbetur në vend që nga viti 2011, teksa qindra mijëra njerëz janë larguar nga Shqipëria, teksa siguria nga kriminialiteti është në rrezik, teksa politika ka hapur llogore të thella për shkak të reformës në drejtësi, e teksa të rinjtë kanë ngecur në lagje si në gheto duke iu larguar realitetit me kafe në dorë Shqipëria ka nevojë për një alternativë në të bërit politikë.




Nuk ka asgjë që nuk shkon te Edi Rama apo te Erion Braçe, te Arben Ahmetaj apo Xhelal Mziu, te Kajmaku apo Elvis Roshi… me ta nuk ka asgjë që nuk shkon përveçse faktit se i përkasin një Shqipërie të shkuar pa letra e në tym, të një Shqipërie që ecte përpara pavarësisht politikave të mbrapshta të qeverisë, të një Shqipërie që vraponte naive drejt mirëqenies duke bërë para në Itali, Greqi e Angli si pastruese, ndërtuese apo dhe shpërndarëse droge. Këto Shqipëria i bëri se nuk dinte ç’të bënte tjetër. Këta nuk duhen gjykuar pasi reflektojnë padijen e dijen e mbrapsht të trashëguar nga komunizmi.  Elita politike në vend është e pafuqishme të formësojë një Shqipëri tjetër sepse formohet e fuqizohet nga institucione politike që kanë një kulturë të prapambetur e jo efikase për sfidat e reja. Ato reflektojnë Shqipërinë e së shkuarës, por nuk e çojnë dot kurrsesi Shqipërinë në rrugëtimin e saj në të ardhmen që e pret. I korruptuar, i droguar, vrasës, hajdut, i çmendur, i pafytyrë janë etiketime të përjetshme në politikën tonë, ndoshta të gjitha të vërteta e ndoshta jo, por pavarësisht kësaj të gjitha të pavlera në jetën e përditshme të shqiptarit të sotshëm.

Pavarësisht kësaj sot Shqipëria gjykon Edi Ramën, Erion Braçen, Kajmakun, Xhelanin e Roshin sepse Shqipëria di të bëjë ndryshe. Shqipëria di çfarë do e di që ka nevojë për një alternativë, e cila nuk është e askujt, por që arrin të shfaq frymën e kohës. Është “Mjaft”, “Ne Tirana” e “Libra” në një. Është mjeku e studenti në një. Është i miri e i zgjuari në një. Është pastruesi e furrxhiu në një… Është thirrja e kohës për  të bërë gjërat ndryshe. Është Alternativa si platformë për t’u shkëputur nga emra e për të diskutuar për politika në mënyrë që në fund të ditës t’ia bëjë jetën më mirë secilit prej nesh pa i kërcënuar se do fusë njerëz në burg, por që shpjegon se si do të fusë lekë në kuletën e gjithsecilit prej nesh.

Nuk e di nëse një grupim i ri me 140 të rinj të studiuar në Harvard që do të drejtonin Shqipërinë do të ishin në gjendje të ndryshonin realitetin në vend në rast se ideve të tyre nuk do t’i kishte ardhur koha. Një grupim njerëzish pavarësisht dëshirës së mirë nuk e ndryshojnë dot vendin në rast se shumica nuk do! Por nuk ka gjë më të “fuqishme se sa ide së cilave i ka ardhur koha”  shprehej Viktor Hygo. E sot Shqipëria ka nevojë të mendojë, e reflektojë me veten e për “elitën e saj politike”. Ka nevojë të mendojë për një Alternativë!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.