KULTURË

JUDA I AMOS OZ/ Izraeli si i vetmi atdhe për hebrenjtë e palestinezët

12:00 - 12.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Si mund të jetojnë në të njëjtën shtëpi, një patriot që ka humbur birin e vetëm në luftë, me një burrë idealist që duke besuar te bashkëjetesa ka qenë gjithnjë kundër luftës? Valdi dhe Abravaneli përfaqësojnë dy kategoritë e popullit- ata që nuk e ndajnë atdheun dhe ata që e bashkëndajnë; një patriot dhe një ‘judë’ modern. Por çfarë ishte Juda dhe a mos e kemi keqkuptuar? A mos ishte ai vallë një idealist tjetërsoj? A ishte Juda nxënësi që tradhtoi për 30 aspra apo njeriu që përmes këtij veprimi i dha botës një perëndi, duke na dhënë edhe mundësinë për ta njohur? Historia e Izraelit, besimeve, ikjeve dhe kthimeve përcillet përmes pyetjeve të Shmuel Ashit, rrëfimeve të Gershom Valdit dhe ndërhyrjeve e pranisë së Atalias, e bija e Shelatiel Abravanelit, e bashkëshortja e një të rëni në luftë. Oz sjell ata që besuan e ata që nuk besuan te perëndia dhe shteti, sjell pushtetin dhe forcën, në një roman mbërthyes ku kohët dhe vendet pasqyrohen përmes tre personazheve, të zymtë e krenar, të thjeshtë e të mëdhenj, të strukur e plot gjurmë, të heshtur e shumë kumtues. Janë në ta ‘tri vetët‘ e Ozit që rrokin botëkuptime e debate. Romani i botuar nga ‘Skanderbeg books’ është përkthyer nga Alina Karaulli, e cila në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ndalet te konceptet e Amos Ozit, luftërat e tij dhe jetën e veprën e një shkrimtari të jashtëzakonshëm, që i ka bërë popujt ta duan ndryshe Izraelin.
Duke shpjeguar shtresëzimet e vetë Amos Ozit, Karaulli, nga josh më shumë drejt faqeve të romanit, kur personazhet rrëfejnë Izraelin e tyre, herë herë edhe me drojën e frikën e atyre që sapo zbritën në mol u dërguan në luftë.
Kjo intervistë është veçse një copëz e botës së Ozit, një copëz jete e një copëz besimi. Ky është një prej librave për të cilët duhet shkuar në panair- një ndër vullnetet e fundme të autorit.




– “Juda” është një roman që i qaset ndryshe dishepullit që tradhtoi Perëndinë. Cili ka qenë raporti i Amos Oz me krishterimin dhe me hebrenjtë?

Interesi i Amos Ozit për krishterimin dhe figurën e Jezusit ka qenë i hershëm. Në moshë shumë të re lexoi Dhjatën e Re dhe siç e ka përshkruar edhe vetë “ra në dashuri me Jezusin, ndonëse nuk pajtohej me shumë prej ideve të tij”. Xhaxhai nga babai i Amos Ozit, Joseph Klausner, historian dhe profesor i letërsisë hebraike, u bë shumë i njohur me librin e tij mbi Jezusin e Nazaratit, i cili sipas Klausnerit “nuk ishte aspak i krishterë, por kokë e këmbë hebre. Ai kishte lindur hebre, vdiq si hebre dhe kurrë nuk i shkoi ndërmend të themelonte një fe të re”. Çështja e hebrenjve, konflikti Izrael-Palestinë kanë qenë gjithnjë shqetësim i madh për shkrimtarin, i cili jo pak herë ka qenë edhe shumë kritik ndaj politikave të Izraelit duke u përkufizuar shpesh si “tradhtar” për qëndrimet e tij.

– Ai shpall se pa Judën nuk do të kishte krishterim dhe se m’u për këtë, ai duhej mbajtur mend ndryshe. Jep po aq kritika për Jezusin, sa edhe mësimet e tij më të mira. Ai, thotë Oz përmes Shmueli Ashit, ishte i krishteri i parë që besoi. Si arrihet deri në këtë logjikë?

Shmuel Ashi është ateist, megjithatë e tërheq shumë figura e Jezusit, por sidomos Juda, një figurë qendrore në historinë e antisemitizmit. Ai debaton çdo natë me Gershom Valdin, një tjetër personazh i rëndësishëm i romanit, mbi sjelljen e Judës dhe kthesën që ndodhi në histori pas kryqëzimit të Jezusit duke e bërë vetë emrin e Judës sinonim të tradhtarit. Juda u bë arketipi më i urryer dhe më i përçmuar i hebreut. Mishërim i tradhtisë, mishërim i judaizmit, mishërim i lidhjes mes judaizmit dhe tradhtisë. Shmuel Ashi përpiqet t’i argumentojë idetë e tij duke u bazuar në vepra të studiuesve të ndryshëm dhe beson se tradhtari më i famshëm në botë ishte në të vërtetë i pari dhe më i devotshmi i krishterë. Ai e sheh Judën si një idealist, që kurrë nuk e tradhtoi Jezusin, përkundrazi, donte ta provonte madhështinë e tij para gjithë botës. Pa Judën, thuhet në libër nuk do të kishte pasur kryqëzim, dhe po të mos kishte pasur kryqëzim, nuk do të kishte pasur as Krishterim, dhe kush mund të thotë se si do të ishte fati i hebrenjve pa historinë e Judës?

– Oz ndalet gjatë te lufta, lufta për të njëjtën tokë mes hebrenjve dhe arabëve. Ai thotë se hebrenjtë e shpëtuar nga Holokausti, u dërguan nga moli në fushëbeteja. Çfarë e ka nxitur atë të jetë sa kritik e gjykues, po aq edhe i qartë se dy popujt duhej të luftonin për të njëjtën tokë?

Amoz Oz ka mbështetur për një kohë të gjatë idenë e një zgjidhjeje të konfliktit përmes krijimit të dy shteteve që do të ndanin të njëjtin territor. Është i vetmi atdhe që kanë hebrenjtë dhe i vetmi atdhe që kanë palestinezët, thotë autori, ndaj dhe e sheh Izraelin si një shtëpi të vogël, e cila duhet ndarë, ngase është e kotë të fantazohet se pas kaq vitesh gjakderdhje mund të ketë një zgjidhje tjetër. “Të dy popujt janë konsumuar nga urrejtja dhe helmi, të dy kanë dalë nga lufta me idenë e ngulitur për hakmarrje, të zhytur në vetëkënaqësi. Lumenj të tërë hakmarrjeje dhe vetëkënaqësie. Dhe rrjedhimisht, gjithë vendi është mbuluar nga varrezat dhe rrënojat e qindra fshatrave të shkatërruara”,-thotë Atalia, personazhi i tretë i romanit.

– Del në pah edhe mosbesimi i autorit ose më i gjerë se i tij te shtetet- shtetet që ndajnë njerëz; te kombet e nacionalizmat; mandej te pushteti si një mjet që e shtyn katastrofën po nuk i zgjidh problemet. Lexuesi gjen mesazhe të shumëllojshme. A ka qenë vetë Oz mosbesues ndaj këtyre nocioneve?

“Juda” është një roman me shumë shtresëzime, ku sigurisht një vend të rëndësishëm zë edhe çështja e kombeve dhe nacionalizmit. Shelatiel Abravaneli, një personazh në hije, po mjaft i rëndësishëm, një Judë modern, si të thuash, u jep zë këtyre teorive. I quajtur prej të gjithëve tradhtar, Judë, a është ai vërtet i tillë apo është një pararendës dhe mbështetës i një ideje ndryshe për zgjidhjen e konfliktit? Abravaneli mendon se Izraeli duhet të jetë një shtet ku të gjithë mund të jetojnë së bashku. Abravaneli është Juda i Amos Ozit, ai nuk kryen vetëvrasje në fund si Juda, por veçimi dhe shkëputja e tij nga shoqëria është e plotë. Shmueli e zbulon pak nga pak këtë personazh dhe gjithçka që ai ka përfaqësuar dhe mbështetur. Por Oz nuk e ka idealizuar Abravanelin, përballë tij ka vendosur Gershom Valdin, një patriot që besonte fort te shteti i Izraelit dhe që pas luftës dhe humbjes së birit të vetëm jetoi nën një çati me Abravanelin në një heshtje të hidhur. Vetë Amos Ozi është shprehur se personazhi i Abravanelit nuk ka një natyrë të pëlqyeshme, të këndshme, përkundrazi, por se ai ndihej mirë kur lexuesit i përqafonin idetë e Abravanelit.

– Shmuel Ashi është filli lidhës mes historisë së Judës, Jezusit, krishterimit dhe ngritjes së shtetit hebre në një tokë që u qe premtuar në një libër të shenjtë çka përfshinte dëbimin e arabëve. Ai është filli lidhës mes luftës dhe Biblës, mes Atalia Abravanelit dhe logjikës së luftës, urrejtjes ndaj luftës. Ç’mesazh jep një djalosh që ka humbur busullën dhe është në kërkim të vetes?

Shmuel Ashi është një djalë i ndrojtur, emotiv, që në fillim të romanit gjendet në një udhëkryq, ka braktisur studimet, është braktisur nga e dashura, është larguar nga familja dhe teza e tij ka mbetur vendnumëro. “Juda” është një roman mbi tre njerëz të huaj, të panjohur, antagonistë, por që në fund arrijnë ta ndryshojnë sado pak njëri-tjetrin, “një mrekulli e vogël e Jeruzalemit”, siç e përkufizonte autori. Përsiatjet e gjata e çojnë Shmuelin në përfundimin se kushdo që ka dëshirë të ndryshojë, do të konsiderohet gjithnjë tradhtar nga ata që nuk janë të aftë për ndryshim, që i tremben për vdekje ndryshimit, që nuk e kuptojnë dhe e urrejnë atë.

– Nëse Gershom Valdi përfaqëson baballarët e heronjve që besuan dhe humbën bijtë, dhe Atalia përfaqëson vejushat që nuk besuan e prapë humbën bashkëshortët, a është Shmuel Ashi ai brezi që vjen pa ditur se sa është humbur për të pasur lirinë, atë tokë nën këmbë e atë qiell mbi krye?

Shmuel Ashi është një personazh idealist dhe deri diku naiv, por është inteligjent dhe ka etje për të mësuar e për t’u thelluar në të vërtetat historike. Qëndrimi pranë Valdit, dashuria për Atalian dhe njohja me idetë e Abravanelit bëjnë që edhe bindjet e tij të evoluojnë. Ai mbetet gjithnjë një personazh i dyzuar, por qëndrimi i shkurtër në atë shtëpi të izoluar, të mbyllur për të gjithë, i jep në fund çelësin për t’i parë gjërat më kthjellët, të zhveshura nga idealizmi i tepruar. Në fund të romanit Shmuel Ashi është sërish në mëdyshje se çfarë e pret më pas dhe duket sikur përsërit me mendje pyetjen e heshtur të Abravanelit nëse ia vlejti gjithçka.

– Ozi përmes historisë së një familjeje dhe të një qyteti rrok historinë e një kombi, të disa brezave dhe prek plagën më të madhe, atë të moskuptimit a keqkuptimin ndaj hebrenjve në shekuj. Sa e ndjente këtë pezëm shkrimtari që tejkalon historinë duke e rrëfyer atë me një ëmbëlsi që të josh drejt fundit përmes një panorame që tregon se hebrenjtë janë vetëm një popull, me mëkatet e lavdinë e vet, si çdo popull tjetër?

Është padyshim një brengë e madhe që e ka ngacmuar gjatë, por në roman nuk ka sentimentalizëm, madje shpesh autori është i mjaft i ashpër. Me gojën e personazheve të tij ai mbërrin në përfundimin se flamujt, uniformat, bankënotat, daullet dhe trumbetat, sakrifikimi i një brezi të tërë, përzënia e arabëve nga shtëpitë e tyre vetëm për të pasur një shtet hebre derdhi lumenj gjaku të pafajshëm. Duke eksploruar temën e tradhtisë, Amos Ozi trajton një çështje kyçe të krijimtarisë së tij: ekzistencën e Izraelit, duke vënë në diskutim vetë kuptimin e shtetit, themelimin e tij dhe konfliktin me palestinezët. Romani ka një konotacion të qartë politik.

-Si ka qenë procesi i përkthimit?

Është një libër që më ka dhënë shumë kënaqësi gjatë përkthimit, sepse më pëlqen stili i shtruar dhe i thukët i Amos Ozit. Më tërhoqi që në fillim mënyra se si përmes përshkrimit me hollësi dhe shpesh të përsëritur të përditshmërisë së personazheve autori krijon idenë e një tabloje statike, sikur asgjë e rëndësishme nuk ndodh, por në të vërtetë kjo palëvizshmëri fsheh brenda vetes shumë konflikte, të cilat zbulohen pak nga pak. Jam munduar të ruaj frazën e rrjedhshme dhe inteligjente, karakteristike për këtë shkrimtar, jam munduar të ruaj atë atmosferën e zymtë, të trishtuar, deri diku edhe misterioze që përcjell libri, dhe sidomos t’i sjell personazhet kryesore me tre zëra të ndryshëm. Është një libër që ka dashur kohën e vet për t’u përkthyer, ndonjëherë kam pasur edhe dyzimet e mia sepse libri është shumë i pasur me referenca historike. Por takimi me autorin ishte ndihmë shumë e madhe për mua dhe vetë vizita në Jeruzalem më futi më tepër në atmosferën e romanit, ndonëse ngjarjet zhvillohen shumë vite më parë dhe në një Jeruzalem të ndryshëm nga ai që pashë unë.

– Ju keni pasur një takim me Ozin. Si e përshkruani atë?

E kujtoj si njeri mjaft të vëmendshëm ndaj detajeve dhe me një kujtesë të shkëlqyer. Ne ishim gjashtë përkthyes dhe kuptohet që secili prej nesh kishte pyetjet e veta, shpesh të shumta. Po kjo nuk e lodhte Ozin, përkundrazi, çdo pyetje i dukej interesante dhe shpesh në ato ditë na thoshte se gjithnjë kishte dashur të kishte një takim të tillë me të gjithë përkthyesit e tij rreth një tryeze. Më bëri pyetje për Shqipërinë dhe ndonëse u tregua modest dhe tha se nuk kishte shumë informacion, konstatova me habi se përkundrazi, kishte mjaft njohuri dhe madje bëri edhe një paralelizëm mes dy vendeve tona, si vende të vogla dhe me histori të trazuar. Nuk mund të rri pa përmendur bashkëshorten e tij Nilin, që e shoqëronte ngado, një grua inteligjente dhe me shumë humor që më ndihmoi për t’i kapërcyer emocionet që kisha në takimin e parë me Amos Ozin.

– Ky roman u shkrua më 2014. Ç’gjë e nxiti shkrimtarin t’i kthehej fesë, përplasjes fetare, qytetërimeve në muzgun e jetës?

Ky roman ishte fryt i një pune shumë të gjatë. Autori e kishte menduar dhe bluar me vite të tëra idenë e romanit. Kishte lexuar shumë, kishte bërë një punë të hollësishme kërkimore dhe ndonëse mendonte se kishte shkruar vërtet diçka të mirë, kishte ngurruar përsëri para se ta botonte. Siç na rrëfeu, Kapitullin 47, pa dyshim kapitulli më i bukur i librit, e kishte shkruar dhe rishkruar 15-16 herë. Është skena e kryqëzimit për të cilën është shkruar pafund, ndaj dhe duhej të ishte diçka e veçantë, që të mbetej në kujtesë dhe nuk ka dyshim që ia ka dalë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.