Kryesore

Intervista/ Besnik Mustafaj: Një roman për nënën dhe një palë opinga për Hrushovin

12:00 - 13.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Nëna nuk kishte njeri për  t’ia besuar frikën e vet. Një frikë e tillë përbënte në vetvete një akt politik subversiv ndaj regjimit, penalisht të dënueshëm rëndë”.
Nëna e Besnik Mustafajt, vjen në roman si një grua e heshtur, e ndrojtur e thjeshtë dhe duarartë. Është një grua e veriut të largët që në fundin e viteve 1950 vihet për herë të parë në një situatë të re- e thirrur nga zyrat e shtetit për një sekret madhor të cilin nuk mund ta ndajë me askënd.
Prej asaj kohe ajo i merr zët zyrat, pushtetin, funksionarët dhe njihet me frikën e (pa)arsyeshme të këtyre fuqive që krejt papritur i japin një liri që mund ta keqpërdornin. Ky roman i Besnik Mustafajt është shkruar me kërkesën e saj, ajo ia ka besuar të birit gjithë dhembjet, ndonëse kur ajo vuante ai ishte veçse një kërthi në djep. “Dëmtuar gjatë rrugës. Roman me fund të lumtur sjell megjithatë vetminë e njeriut në shoqëri, prej se gjendet në jetën e tij edhe frika se do të dëmtojë jetët e njerëzve që do”. Libri i botuar nga “Toena” sjell jetën e një gruaje, duke përfaqësuar qindrat si ajo, me frikë për të nesërmen dhe djepin që tundnin.




– Pse një roman për jetën e nënës?
– Nëna, domethënë amësia mbart gjithsesi një kuptim të shumëfishtë konkret dhe simbolik. Në romanin tim ajo i mbart të gjitha këto kuptime. Por lexuesi duhet të mbajë mirë parasysh se nuk është një roman autobiografik e as biografik për nënën time.
Për kureshtjen e lexuesve tuaj po ju tregoj se vetëm fakti zanafillor i romanit është i vërtetë. Nëna ime kishte një dhunti të madhe për punët e dorës, me grep, me vegjë apo edhe me gjilpërë. E kishte edhe shumë të zhvilluar ndjenjën e të bukurës. Në vitin 1959, kur do të vinte Hrushovi në Shqipëri, asaj iu ngarkua nga Komiteti i Partisë i Tropojës detyra të bënte një palë opinga tradicionale, që delegacioni i tropojanëve pjesëmarrës në pritjen e tij në Tiranë, do t’ia dhuronte mysafirit të jashtëzakonshëm. Nëna ime nuk do të ishte pjesë e këtij delegacioni.
Ky fakt është sigurisht strumbullar në ndërtimin e historisë romaneske, por është i pamjaftueshëm për t’i dhënë romanit natyrë biografike apo autobiografike. Gjithçka ndodh me personazhin tim “Nëna” është rezultat i punës time si shkrimtar. Ndryshe ajo nuk do t’i merrte të gjitha kuptimet që priten nga një personazh letrar.

– Çfarë e bëri atë të ketë aq frikë nga zyrat e pushtetit, sa nuk shkeli as në zyrën tuaj si ministër?
Shpresoj ta kem treguar bukur në roman se çfarë e bëri atë të ketë aq frikë nga zyrat e pushtetit. “Nëna” në romanin tim nuk është një personazh që e bën politikën. Ajo vetëm e pëson politikën. Rrjedhimisht, përjetimet e saj janë ato të një personazhi të pafuqishëm përballë politikës. Vetëdija e pafuqisë është dërrmuese për njeriun. Në këtë roman unë kam synuar ta tregoj ekzistencën e shqiptarit të thjesht nën diktaturë jo duke e kërkuar dramën në vatrën e dukshme të dhunës e që ishin burgjet apo internimet, por në atë pjesë të skenës që paraqitej si suksesi i regjimit e ku jetonte shumica absolute e popullsisë.

– Një liri kaq e madhe të çorodit, zbuloi nëna. A peshon liria kaq shumë?
Nuk është fjala këtu për liri politike. Personazhit tim i jepet liria të zgjedhë modelin e opingave, masën e tyre, materialin me të cilin do t’i thurë. Është një liri e padëshiruar nën një regjim të tillë, sepse ju jep mundësi atyre që do të vlerësojnë punën, të të bëjnë fajtor pse nuk ke zgjedhur pikërisht atë, që kishin ata ndër mend. Një liri e tillë e vogël dhe krejt e natyrshme në kontekstin e një shoqërie politikisht të lirë, në kontekstin e një regjimi diktatorial shndërrohet në një kurth të ankthshëm për individin.

– A ishte nëna juaj kaq naive? Apo i duhej të shtirej si e tillë?
– Personazhi im nuk shtiret aspak. Por as naiv nuk është krejt. Do të thosha se jam përpjekur të jap një arketip të njeriut të popullit, që Enver Hoxha ka parasysh kur ju drejtohet “Jeni ju, pa jemi ne” dhe që Edi Rama kryeministër e ka përsëritur njëherë, ndoshta padashje, por duke zbuluar subkoshiencën e vet si politikan. Personazhi im është një njeri në kufijtë e trushplarjes, për t’u shndërruar pastaj në “njeriu i ri”, që do të thotë se imuniteti i tij njerëzor është në kufijtë e rënies përfundimtare. Fatmirësisht kjo rënie nuk ndodhi.
– Ju flisni për një letër anonime, për tundimin e burrave kur shihnin shoqen Vasilika dhe për mbërritjen e çështjes deri te Enveri. Sa larg mund të shkojë imagjinata e shkrimtarit, apo është historia e ndodhur që e tejkalon atë?
– Gjatë përgatitjeve për shkrimin e romanit, kam lexuar “me laps në dorë” një botim tematik të shtëpisë botuese “8 Nëntori” të vitit 1986, prej afro një mijë faqesh, ku është përfshirë gjithçka ka thënë e shkruar Enver Hoxha gjatë jetës së tij politike për qasjen e Partisë së Punës ndaj problematikave të edukimit të gruas shqiptare. Më nevojitej një informim i tillë për t’i dhënë sidomos gjuhës së romanit tim vërtetësi historike. Episodin, që ju përmendni, e kam marrë në një nga fjalimet e tij mbajtur diku nga fundi i viteve ’60 të shekullit të kaluar. Pra, në këtë rast, siç edhe ju e përmendni, historia e tejkalon imagjinatën e shkrimtarit.
Por duhet kuptuar drejt kjo që po them. Në romanin tim ky episod nuk vjen si një citim. Episodi është bërë lëndë e imagjinatës time, për t’u përfshirë natyrshëm në historinë e romanit.

– Çfarë u bë me këpucët “më të bukura” që nëna juaj bëri?
“Opingat më të bukura”, që personazhi im bëri për Hrushovin, bashkë me teorinë e Hrushovit për të ndërtuar “socializmin me fytyrë njerëzore”, kanë përfunduar, me siguri, atje ku e kanë vendin, “në koshin e historisë për gjërat e panevojshme”.

– Duket se nëna kishte nevojë ta shkruaje ti këtë roman, për t’i thënë babait, ato që ajo nuk ia thoshte dot vetë?
– Edhe kjo marrëdhënie nënë-bir e protagonistes me autorin e romanit është pjesë e rëndësishme e kuptimeve të shumëfishta simbolike, që përfaqëson identiteti amësor i kësaj protagonisteje të romanit. Në thelb, duke kërkuar që romanin e vuajtjes së saj ta shkruaj i biri, ajo synon të japë treguesin më kuptimplotë të triumfit të saj mbi të keqen. Pikërisht akti i shkrimit të romanit nga i biri, e bën veprën “me fund të lumtur”, siç edhe, me të drejtën e autorit, unë e kam njoftuar qysh në kopertinën e librit.

– Pse mendoni se nëna juaj nuk kishte njeri për t’ia besuar frikën e vet?
Nuk është se mendoj unë. Ky është realiteti historik, ku ka jetuar protagonistja e romanit. Një frikë e tillë përbënte në vetvete një akt politik subversiv ndaj regjimit, penalisht të dënueshëm rëndë. Nëse ajo e nxirrte nga vetja këtë frikë, për t’ia pohuar dikujt, merrte një përgjegjësi të dyfishtë: edhe e pranonte fajin e vet si armike, edhe bënte bashkëfajtor njeriun, të cilit i besohej kjo e fshehtë, qoftë ky edhe shumë i afërt, i shoqi për shembull, duke e shtyrë atë ose të bëhej denoncues dhe sa raste të tilla njohim tashmë, ose bashkëpunëtor në veprimtarinë e vet kundër pushtetit popullor. Në të dy rastet, përpara ishte vetëm gremina. Dhe nuk kishte mundësi të tretë. Kjo e bënte mbajtjen e kësaj frike brenda vetes kaq torturuese.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.