Sociale

Dita Botërore e Diabetit, Toro: Mbi 75 mijë të prekur, shifrat në rritje

13:00 - 14.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në Ditën Botërore të Diabetit, një situatë alarmante paraqitet për Shqipërinë, pasi numri i të prekurve nga kjo sëmundje vjen çdo ditë e në rritje, në një kohë që kostot e trajtimit shkojnë sa një pagë mujore. Aktualisht në vendin tonë rezultojnë mbi 75 mijë të prekur nga diabeti dhe pavarësisht zgjidhjes së disa problematikave, shqetësimet e tyre ende vazhdojnë… Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, Asim Toro, tregon se përgjatë gjithë muajit nëntor do të zhvillohen aktivitete sensibilizuese me qëllim informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin e diabetit. Sipas Toros, kostot për një të prekur nga diabeti mbi 24 vjeç janë 350 mijë lekë të vjetra vetëm në një muaj, pa përfshirë këtu ushqimin apo shpenzimet e tjera.




Si paraqiten shifrat e të prekurve nga diabeti në vendin tonë?
Shifrat e rritjes së numrit të komunitetit me diabet janë alarmante dhe është një gjë që shihet, pasi kushdo nga ne e njeh dikë me diabet si në shoqëri, në punë apo në familje. Numri i personave të prekur nga diabeti në Shqipëri shkon gjithnjë e në rritje nga viti në vit. Deri më tani sipas statistikave janë mbi 75 mijë persona të prekur nga diabeti, por vlen të theksoj se ka edhe një 10% që ende nuk janë zbuluar. Raportime apo statistika fikse nuk ka, sepse nuk jepen nga institucionet përkatëse, nuk raportohen drejtpërsëdrejti.

Pse është kaq i përhapur diabeti në Shqipëri? Cilët janë faktorët kryesorë të këtyre statistikave në rritje?
Faktorët e riskut për t’u prekur nga diabeti janë: moskryerja e aktivitetit fizik, ushqim jo i shëndetshëm dhe konsumimi i vakteve pa orar. Gjithashtu, njerëzit ende nuk janë ndërgjegjësuar siç duhet që të kryejnë analizat dhe kontrollet mjekësore një herë në 6 muaj në mënyrë që ta kapin në kohë sëmundjen.

Sot është Dita Botërore e Diabetit. Cilat janë objektivat tuaja kryesore përgjatë aktiviteteve që do të zhvilloni në muajin nëntor?
Dita Botërore e Diabetit mbart një temë të veçantë sivjet, që është “Mbroni familjen tuaj nga diabeti, edhe fëmijët mund të preken nga diabeti”. Fushatat ndërgjegjësuese dhe aktivitetet që zhvillohen gjatë këtij muaji kanë për qëllim informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin e diabetit. Kjo Ditë Botërore e Diabetit duket e vogël para 30 viteve të mia me diabet apo nga ato 6 vite që na bëri të jemi së bashku nën ombrellën e Shoqatës se Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, me qëllimin për realizimin e objektivave të caktuara. Disa nga synimet tona janë: angazhimi për të promovuar dhe mbështetur të drejtën legjitime të pranimit, përfshirjes dhe integrimit të njerëzve me diabet në shoqërinë shqiptare, duke u bazuar në respektimin dhe garantimin e të Drejtave të Njeriut dhe Konventën e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, duke informuar dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut, institucioneve dhe palëve të tjera të interesuara. Gjithashtu, synojmë të kontribuojnë në fuqizimin e njerëzve që jetojnë me diabet për të bërë një jetë të pavarur dhe promovimin e edukimit me metodat dhe terapitë bashkëkohore të aplikuara në trajtimin e diabetit. Dita sot nuk është vetëm për falënderimet për bluzat e bardha si ato profesionale dhe ata mjekë familjarë, dhe në veçanti infermierët apo familjarët tanë, që e vuajnë pamundësinë materiale ekonomike në heshtje për të na shoqëruar gjatë gjithë halleve dhe problematikave tona në moszbatim të ligjeve, që vijnë si pasojë e mosvëmendjes së institucioneve me ne si grupe dhe aktorë kryesorë të çështjes diabet.

Cilat janë problematikat tuaja kryesore?
Diabeti në Shqipëri është një risk dhe mundim për atë që e përjeton gjatë gjithë jetës. Ne kërkojmë lejim dhe lehtësim të ndarjeve të kulturës shëndetësore nëpër shkolla, pse jo dhe duke bashkëpunuar me ne si grupe parësore. Gjithashtu, kërkojmë zbatimin e ligjit të daljes në kemp për të gjithë njësoj çdo 3 vite, pa bërë ndarje të të sëmurëve, duke e shkurtuar këtë afat në 1 vit. Një tjetër arritje do të ishte mosndëshkimi i mjekëve të familjes duke i kontrolluar listën e kostove të shpenzuara për medikamentet kundrejt nesh si pacientë si dhe të na lehtësonin duke na përshtatur një vend punësimi, siç ndodh vetëm me infermierët apo mjekët. Gjithashtu, duhet që familjarët të mos lejohen të dorëhiqen nga puna për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve siç janë ata me diabet. Një tjetër mënyrë për të na lehtësuar do të ishte duke na ulur kostot stresuese apo ekonomike për sigurimin e lejes së drejtimit të automjeteve.
A keni dërguar kërkesa pranë instancave përkatëse lidhur me shqetësimet e sipërpërmendura?
Vërejtjet në zërin e përfaqësisë sime të Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, por edhe Zërit të Pacientit i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë apo Ministrisë së Kulturës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrive të tjera që nuk bashkëpunojnë me grupet parësore. Asnjë kërkesë e jona nuk prek interesa të askujt, veçse rëndojnë shëndetin tonë si dhe ekonomikisht, edhe psikologjikisht, pa harruar edhe familjarët tanë që jetojnë me diabetin tonë njësoj si ne, por në heshtje.

Sa janë kostot mujore të trajtimit për një të prekur nga diabeti?
Kostot për një të prekur nga diabeti mbi 24 vjeç janë 350 mijë lekë të vjetra vetëm në muaj.

Sa e vështirë është të bashkëjetosh me diabetin?
Vështirësia e një bashkëjetese me diabetin nis që në momentin që ne përballemi në spital me kryerjen e matjeve të sheqerit në gjak dhe kryerjen e insulinës pas çdo vakti. Frika e bërjes së gjilpërave i shoqëron njerëzit për gjatë gjithë jetës dhe ne mundohemi t’i shmangim, por në momentin që përballemi me diabetin, përballemi edhe me frikën e bërjes së injeksioneve të shumta çdo ditë, gjithashtu, me frikën e të jetuarit me një sëmundje gjatë gjithë jetës, e cila të privon deri diku jetesën e të tregon se mosmenaxhimi i saj të çon në probleme serioze shëndetësore, deri në humbjen e jetës. Diabeti privon fëmijët nga aktivitetet e përditshme dhe të bën një riorganizim të orareve të të ushqyerit, gjumit e të gjithë aktiviteteve të jetës.

Diabeti privon të rinjtë nga ana psikologjike dhe ekonomike drejtpërdrejt me blerjen e materialeve mjekësore, bërjen e insulinës, përballjen e vetvetes me diabetin si dhe përballjen e shoqërisë me problemin tonë shëndetësor.

Sa mbështetje gjeni në shoqërinë shqiptare?
Vështirësia nis sapo unë hap sytë dhe gjithmonë nëse kam mirë sheqerin, sepse në të kundërt duhet të më zgjojë dikush ose të më ushqejë me ëmbëlsues. Nis të përgatis një mëngjes të mirë dhe bio, ndryshe nga ushqimet e shpejta që gjithkush përdor. Përballja me mosinformimin e njerëzve dhe paragjykimet e tyre janë dhimbja më e madhe që ne ndiejmë, e cila kalon në stres e ankth kur na drejtohen me “koment”. Mosinformimi i njerëzve na fut në një rreth vicioz, ku përreth na sillen paragjykime si: “Do na ngjitësh diabetin”, “Diabeti të vret” e të tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.