OPINION

“Mini-Shengeni ballkanik”, zhgënjim për shqiptarët

07:28 - 14.11.19 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




  “…ndryshe nga sa parashikon dhe premton kryeministri ynë Edi Rama, “me shumë gjasa, ‘mini-Shengeni ballkanik’ do të hyjë në histori si maksidështim dhe superzhgënjim për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe si ‘fitore rajonale e Vuçiçit’ dhe e Serbisë së tij, si të gjitha fitoret e tyre të mëparshme ndaj shqiptarëve”.

Në vijim të marrëveshjes së nënshkruar në Novi Sad të Serbisë, për mini-Shengenin Ballkanik, më 10 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me pjesëmarrje simbolike nga Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, u ritakuan më 10 nëntor në qytetin e Ohrit. Ashtu si takimi i parë, edhe ky i dyti, pati fryrje mediatike nga qeveritë pjesëmarrëse si dhe rezerva, kundërshtime dhe skepticizëm nga qeveria, pozita dhe opozita, shoqëria civile dhe mediat e Kosovës si dhe nga opozita, media dhe analistë të pavarur në Shqipëri dhe në diasporë. Është e kuptueshme që në Beograd, qarqe zyrtare, mediatike dhe civile kanë arsye të ndiejnë gëzim dhe kënaqësi. Atyre po u ringjallen kujtimet, malli, nostalgjia ndaj “Jugosllavisë së parë” apo fantazma e një “Jugosllavie të re”.

Nuk është pak për Beogradin zyrtar dhe opinionin masiv qytetar serb që kryeministri i Shqipërisë është kaq fort i “dashuruar” dhe i përkushtuar ndaj minishengenit Ballkanik, domethënë, sipas dëshirës masive serbe, ndaj “Jugosllavisë së re”. Merret me mend se ndjesi krejt të kundërta përjetonim ne, shumica e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë. Sinqerisht, ndërsa e dëgjoja Edi Ramën të fliste në takimin e Ohrit si e “ëma e Zeqos në majë të thanës”, kam ndier në vetvete tronditje, revoltë, turpërim… Në prani të Vuçiçit, ai foli për shtetarët, qeveritarët dhe politikanët kryesorë të Kosovës sikur t’i kishte studentë apo vartës. Edhe më qesharak u bë kur foli si “specialist në ekonomi” për “mrekullitë” që do të na vijnë ne shqiptarëve të Shqipërisë nga Serbia dhe Maqedonia, pas realizimit të përrallës së moçme e të re jugosllavo-serbe.

Me siguri, Vuçiçi duhet të jetë bërë me krahë nga kënaqësia dhe lumturia dhe duhet të ketë falënderuar Zotin në qiell, që e ka ndihmuar aq shumë Serbinë dhe ndëshkuar aq rëndë Shqipërinë, duke i vënë si kryeministër prej më se 6 vitesh një njeri si… Edi Rama! Më pas i bëra edhe pyetjet vetes: Po “të majtët” shqiptarë, “rilindasit”, a kanë ndier ndonjë pikë turpërimi, zhgënjimi, përgjegjësie ndërsa e dëgjonin liderin e tyre, që e duan më shumë se vetveten dhe e votojnë, të gjallë e të vdekur, me të dy duart dhe këmbët? Mos vallë u duhen 78 vjet të tjerë, si për Enverin, për t’u bindur se Edi Rama është, për shumë gjëra, tëpkë si ai ose, sikur e ka nxjerrë nga hundët. Domethënë, “tejet pjellor” për premtime mashtruese; Shqipëri-rrënuese; për “fjalime historike dhe histerike”, që ndëshkojnë tmerrësisht rëndë shumicën e qytetarëve, me përjashtim të atyre që i besojnë përrallat e tij për të vërteta? Edi Rama vetë ka të drejtë të justifikohet me faktin se “fundja unë basketbollist e piktor jam”. Apo se “nuk është faji im që socialistët e 2005-së më zgjodhën kryetar të PS-së dhe ata të 2013-ës, kryeministër dhe që shqiptarët po më durojnë kaq gjatë, edhe kur po ua nxij jetën dhe Shqipërinë”.

Rama ka shkuar në Novi Sad dhe Ohër duke “harruar” edhe fatin e keq të shumë marrëveshjeve me Kosovën dhe me shtrirje rajonale të nënshkruara nga ai vetë dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha, të cilat kanë mbetur nëpër dosje apo, në mënyrë figurative, me duar shqiptare, janë “varrosur për së gjalli”. Ne shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë na bën përshtypje për keq dhe na shton dozat e mosbesimit edhe fakti se është po ky Edi Rama, që këto dy muaj po rraskapitet për mini-Shengenin Ballkanik, që ka vendosur taksën 5 euro në tunelin e Kalimashit në “Rrugën e Kombit” për shtetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës. Për të kuptuar sa më mirë “misionin”, lojën në “fushë” apo në “dhomat e zhveshjes” të Edi Ramës na ndihmon shumë ai vetë. Gjatë takimit të Ohrit, ai mbajti një fjalim relativisht të gjatë dhe me doza zemërimi dhe depresioni, për faktin që po e keqkuptonin dhe anatemonin në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup… Mes të tjerave, ai tha me gojën e vet në Ohër: “Isha tradhtar para se të shkoja në Beograd dhe u bëra hero, kur u ktheva. Por unë s’jam as tradhtar e as hero. Kam marrë një mision”. Dihet se qenia atdhetar i madh dhe tradhtar shprehen dhe kuptohen nga veprat dhe jo nga fjalët që thotë një njeri për veten dhe që thonë e shkruajnë ata, që ai paguan bujarisht apo i detyron si kukulla dhe papagaj të tij.

Edhe Enver Hoxha për rreth 44 vjet u vetëreklamua dhe u propagandua shtrenjtë, me kulmin e servilizmit dhe të hipokrizisë, si shqiptar i madh, gati edhe më i madh se Skënderbeu dhe Ismail Qemali. Por, nga shumica e veprave që bëri e la mbi dhe nën tokë; për faljen e Kosovës shqiptare “vëllezërve jugosllavë” apo “Jugosllavisë motër”; për nga katandisja e Shqipërisë në ferr tokësor për qytetarët e saj, të fundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror e të nivelit të jetesës, të turizmit; të lirisë së fjalës dhe të lëvizjes edhe në vend; të të drejtave themelore e më jetike të njeriut… ai mund të quhet pa gabuar dhe pa e tepruar fare, diktator dhe antishqiptar barbar, i tërbuar, histerik. Se përse në Beograd dhe në të gjithë Serbinë kanë më shumë arsye të ndjehen të fituar dhe më shumë optimistë në qoftë se përralla e mini-Shengenit nuk përfundon si marrëveshjet e mëparshme, e shprehin edhe disa shifra të freskëta. Edhe pse prej rreth 1 viti taksa “Haradinaj” ua ka ulur disi përfitimet, përsëri raporti importe-eksporte është rreth 10-fish në favorin e Serbisë. Konkretisht, Kosova brenda një viti, të paktën zyrtarisht, pra pa llogaritur ato kontrabandë, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro drejt Serbisë.

Ndërsa raporti i shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Serbi për vitin 2018 ishte rreth 190 milionë euro ose rreth 5-fish më i lartë në favor të importeve nga Serbia në Shqipëri, në krahasim me eksportet nga Shqipëria për në Serbi, në rreth 40 milionë euro. Kryeministri Edi Rama duhet të jetë i mirinformuar nga mediat dhe ndihmësit e tij për këto të dhëna. Nga komunikimi i drejtpërdrejtë, edhe për kundërshtimin e argumentueshëm, të njëmendshëm dhe të njëzëshëm nga drejtuesit më të lartë shtetërorë, qeveritarë dhe politikë (Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti…) si dhe nga opinioni masiv qytetar e mediatik në Kosovë për këtë projekt qartësisht në favor të ëndrrave dhe synimeve të moçme serbe. Edhe pse konçize, është tejet shprehëse kjo fjali në deklaratën publike të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa: “Ne që e kemi përjetuar Jugosllavinë, nuk dëshirojmë ta përjetojmë edhe njëherë. Edhe atyre që nuk e kanë përjetuar, nuk ua dëshirojmë!”. Atëherë, logjikshëm dhe natyrshëm shtrohet pyetja: përse është kaq i përkushtuar Edi Rama ndaj “mini-Shengenit ballkanik”?

Në fjalimin dhe deklaratat për shtyp në takimin e Ohrit ai u mundua të jepte një përgjigje sipas mendjes, vizionit, llogarive, shpresave apo pritshmërive të tij. Por, nga ato që tha dhe la të kuptoheshin në nëntekst, sidomos për nga mënyra se si “ligjëroi”, mund të ketë bindur dhe entuziazmuar vetëm vetveten dhe të vetët. Natyrisht, bollshëm edhe Aleksandër Vuçiçin, Zoran Zaevin, Xhorxh dhe Aleksandër Soros… Ardhja në Ohër pikërisht ditën e takimit Zaev-Vuçiç-Rama e mikut të tij Aleksandër Soros, shoqëruar nga drejtoresha strategjike e përgjithshme e Fondacionit, Laura Silber, jep arsye të mendohet se përralla e “mini-Shengenit ballkanik” po “sponsorizohet” pa u kursyer edhe nga Sorësët atë e bir. Këta, nga ana e tyre, janë të njohur prej kohësh, me vepra të shumta publike dhe të fshehta,  për miqësi të madhe me botën sllavo-serbe dhe armiqësi të pafshehur me Shqipërinë dhe shqiptarët, që nuk mbulohet dot nëpërmjet disa milionave dollarë për vepra humane, kulturore dhe emancipuese, dhuruar njerëzve të tyre në krye të disa të OJQ-ve në Tiranë, Prishtinë, Shkup, që me siguri nuk kanë harruar t’ia kthejnë “mirënjohjen” bashkë me përqindjet e interesit…

Prania e Aleksandër Sorosit në Ohër, si “turist”, më shumë u ka prishur se sa bërë punë Ramës, Zaevit dhe Vuçiçit, duke u shkaktuar erozion në besueshmëri, sinqeritet dhe propagandën reklamuese për “mini-Shengenin ballkanik”, si “projekt i pastër dhe i ndershëm ballkanik”. “Byrekut” të gatuar në takimin e Ohrit nga Vuçiç-Zaev-Rama ia hoqi petët e sipërme edhe nxitimi i gazetës serbe “Blic”, në numrin e saj të dt.12 nëntor. Harta e publikuar prej saj tregon se në “Shengenin Ballkanik” do të përfshihen Serbia (me Kosovën brenda kufijve të veta), Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Bosnja e Hercegovina. Ky Union do të kishte 16,5 milionë banorë dhe një sipërfaqe prej 207 mijë e 831 kilometra katrorë. Sipas llogarive të autorit, përfitimet e Serbisë nga lehtësimi i procedurave dhe faturave doganore do të jetë rreth 130 milionë euro në vit. Kapur te këto shifra dhe qëndrimi i pandryshuar i Serbisë ndaj Kosovës, Edi Ramës i shtohet e drejta t’i thotë “shqip” mikut të tij Vuçiç: “Nuk ka ‘mini-Shengen’ me pjesëmarrje të Shqipërisë dhe të Kosovës për derisa ti këmbëngul, (me rast fare të freskët në takimin me presidentin francez Macron, në Paris, më 12 nëntor), se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe se do të vazhdojë të pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, njohjet e reja dhe do të shtojë uljen e shifrës së njohjeve të mëparshme!”. Pra, ndryshe nga sa parashikon dhe premton “kryeministri ynë Edi Rama, me shumë gjasa, ‘mini-Shengeni ballkanik’ do të hyjë në histori si maksi-dështim dhe superzhgënjim për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe si ‘fitore rajonale e Vuçiçit’ dhe e Serbisë së tij, si të gjitha fitoret e tyre të mëparshme ndaj shqiptarëve.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.