OPINION

Sikur Lulzim Basha të ishte sot kryeministër i Astirit

07:45 - 14.11.19 Lorenc Vangjeli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Sikur Lulzim Basha të ishte sot kryeministri i vendit nuk do të kishte ndryshuar asgjë nga skenat dramatike të Astirit. Fadromat do të sulmonin ndërtimet e paligjshme në të gdhirë, banorët do të sulmonin policinë deri në të ngrysur, Elisa do të shpallte të vdekur një nga protestuesit për shkak të dhunës së policisë dhe Edi Rama do të shkonte të ngushëllonte të plagosurit në spital duke u betuar se kur të vinte në pushtet, do t’i dëmshpërblente një qind për qind banesat e prishura. Në mbrëmje, sipas linjës së orientimit vetjak, ndeshja do të transferohej në studio televizive, ku mbas luftëtarëve në rrugë, do të ndesheshin strategët në poltrona.




Mjafton vetëm një përmbysje e tillë e klepsidrës së kohës, për të kuptuar se Astiri është identikiti i përpiktë i Shqipërisë së sotme. Kaos i skajshëm. Hipokrizi kriminale. Arrogancë pa shpirt. Grabitje e plotë. Marrëzi totale. Një portret tragjikomik i produktit që po korret në Shqipërinë e pas tre dekadave pothuaj pluralizëm: shartimi ideal mes padijes së thellë dhe karaktereve të liga që kanë bërë politikë në këtë vend.

Banorët e Astirit meritojnë gjithë simpatinë e mundshme të gjithë shqiptarëve; edhe të atyre që i kanë sharrë me libër shtëpie kur ju kanë vështirësuar jetën në trafikun absurd të Tiranës për një vit rresht. Eshtë tmerr të përfundosh në qiell të hapur në prag të dimrit. Të jesh i detyruar të lësh shtëpinë, por edhe biznesin e vogël që ushqen dhe të rinisësh një jetë në drejtim të panjohur. Kush nuk e ka provuar në shpinën dhe shtëpinë e tij, e ka të pamundur ta kuptojë ndjesinë e tmerrshme e afrimit të fadromave dhe shembjen e mureve të ngritur me gjak dhe tulla dhe të dekoruar me shpresa dhe kujtime. Dhembja është njerëzore edhe në rastin kur humb një send, të cilin e ke vjedhur dhe që nuk të përket. Rasti i banorëve të Astirit dhe shumë astirasve të tjerë në të gjithë Shqipërinë njëlloj si ta, vërteton pikërisht një gjë të tillë.

Por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës dhe në të vërtetat e thëna përgjysmë, zakonisht qëndrojnë gënjeshtrat më të mëdha.

Duke nisur që nga gjysma e viteve 90-të, Shqipëria filloi të bëhet gjithmonë e më e vogël. Banorë nga gjithë skajet e Shqipërisë nisën të zhvendosen drejt Tiranës. Të ndërtojnë ku të mundin dhe si të mundin. Pa leje. Pa rregull. Pa arkitekturë. Në momentin kur të duhet të fusësh kokën brenda, nuk mendon gjatë sesi duhet të jetë muri, ngjyra apo forma. Nuk duhet të gjykosh se ku kalon kanali që derdh ujërat apo ku do të derdhesh nevojat fiziologjike. Rezultati final ishte prodhimi i fjetinave gjigante, i një serie të shëmtuara getosh, agresioni estetik i të cilave, sot është gjithsesi problemi më i vogël. Një lëmsh konfliktesh pronësie zuri fill në ato vite duke e futur vendin në një ngërç nga i cili ka shumë pak gjasa të dilet. Të gjithë ata që nga halli në fillim dhe nga makutëria në vijim, nisën të ndërtojnë pa leje duke denatyruar qytetet e shëmtuara të trashëguar nga komunizmi, i kanë bërë Shqipërisë atë që nuk ja ka bërë as pushtuesi më i lig.

Të gjithë këta grabitës serialë nga Astiri dhe astiret e tjera, këta pushtues në paqe të vendit, e kanë bërë Shqipërinë më të vogël. I kanë vjedhur dhe shpërdoruar pikërisht atë që nuk i rikthehet më kurrë, tokën!

Pavarësisht simpative për secilin nga ta si individ, të gjithë ata së bashku janë banda kriminale e grabitësve më të ligj që ka parë Shqipëria.

Paratë e vjedhura me korrupsion mund të zëvendësohen. Ligjet e gabuara mund të rishkruhen. Investimet e gabuara mund të përmirësohen më vonë. E vetmja gjë që nuk rikthehet më në këtë vend është toka që ka grabitur kjo bandë kriminale. Secili nga ta, emër për emër ka nevojë për simpati dhe mëshirë, por jo për amnisti dhe përkëdhelje siç ka ndodhur deri më tani me ata që kanë vjedhur tokën për bujqësinë, hapësirën për shkolla, terrene sportive, për ambulanca dhe godina publike.

A janë ata fajtorët e vetëm? Vështirë të thuhet. Bashkë me ta dhe mbi ta fajtorë janë drejtuesit e dy partive kryesore në vend. Dje Sali Berisha dhe Fatos Nano. Sot Edi Rama e Lulzim Basha. Secili nga ta ka vrapuar t’i kapë tek e tek të gjithë pjesëtarët e kësaj bande kriminale për xhakete dhe t’i mburret se mund t’u legalizojë gjënë e vjedhur. Se do t’ia çojë certifikatën e pronësisë në shtëpi. Se do t’ia bëjë pothuaj falas. Në këmbim të votës!

As njëri nga ta dhe as të gjithë këta së bashku, nuk kanë menduar se mbi pushtetin e tyre vetjak, duhej një themel morali. I shkatërruar në themel me qasjen kriminale të tyre për zgjidhjen e çështjes së ndërtimeve pa leje. Ku ofertë e vetme për grabitësit është të paguajnë qytetarët e tjerë të ndershëm. Ka nevojë ulëritëse që të rishihet ligji i legalizimeve. Pa i braktisur fajtorët e djeshëm, por pa shkaktuar drama të reja. Në kapitalizëm gjithçka ka një çmim dhe kushdo duhet të paguajë. Solidariteti i shoqërisë të mos shkojë më tej se kompensimi një qind për qind i banesës së banimit, por me qasje krejt tjetër me ata që ndërtimin pa leje e kishin si licencë vetjake për të qenë të pasur. Edi Rama në dy mandatet e tij mund të ketë bërë shumë punë të liga, por reforma për kontrollin e territorit, është një vepër e duhur, edhe pse shumë e vonuar në kohë. Sepse paraardhësit e tij e kishin bërë të ligën  mullar. Dhe këtë triumf duhet t’ia njohin të parët kritikët dhe ata që duan t’Iizënë vendin duke u sjellë identikisht, siç do të ishte sjellë ai vetë po të ishte në opozitë.

Nëse nuk merresh me problemin në kohën që lind, do të merret problemi me të gjithë! Ky është momenti që ky problem kriminal po ndikon fort në jetën e çdo shqiptari. Edhe i atyre që besojnë se kryeministri Lulzim Basha është arrogant i pashpirt që prish shtëpitë e banorëve, edhe i atyre që presin që Edi Rama kur të kthehet në pushtet, t’i kompensojë një qind për qind për tokën e vjedhur! Sepse, siç thuhet, shpesh nga cinikët, sa më shumë ndryshon, as më shumë është e njëjta gjë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.