Intervista

Intervista/ Elsa Skënderi: Sytë e fëmijës që panë terrin e ’97-ës dhe horizonti i pritjes për botën e re

11:00 - 15.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – “Krom dhe luledele” është një prozë plot xixëllima (ashtu si gurët e kromit që kanë vlerë tjetër e janë më të rëndë midis gurëve të zakonshëm” ka shkruar Agron Tufa. Në fakt, ky roman është magjia e nostalgjisë që të kthen në një kohë sa të largët (si ajo e vitit të trazuar), aq edhe të afër, të njeh me të mirën dhe të keqen, me këndvështrimin për botën, për veten dhe shtrihet deri në hapësirë, në një mënyrë mjaft elegante për të zgjidhur disa pikëpyetje që rëndojnë mbi njerëzit që e kanë jetuar periudhën e ‘97-ës dhe për të ftuar të tjerë në një qasje mjaft interesante. Dy sy të mençur fëmije që shohin gjithçka në atë perden shpeshherë të padukshme, traumat e një shoqërie që vuante nga mungesat e pashlyeshme, topika e lidhjes me Zotin për ti shpëtuar errësirës së Tokës, uni dhe individi që ndryshon në rrjedhën e kohës e kjo e fundit parë si cikël i vazhdueshëm vijnë, përmes një gjuhe të përzgjedhur, të pasur dhe të ndjerë e me një figuracion që jo rrallëherë të krijon imazhe, pikërisht ashtu siç ndodh në poezi, në romanin “Krom dhe luledele”. Një sërë personazhesh që lënë gjurmë përmes ndodhive, e veçanta e një rrëfimi që tirret (ashtu siç bënte gjyshja) dhe vazhdon deri më sot, një Elsë e vogël që binomizohet në dy të tjera (Elsa e rritur si personazh, si dhe Elsa si pedagoge e njëkohësisht autore) na shpërfaqin dimensionet e papritura të jetës, përjetimet deri në thelb të qenies dhe natyrisht që pikasin përmes elementeve atë që është esenciale, të bukurën estetike e shpirtërore. “Libri ‘Krom dhe luledele’ ka qenë një ëndërr e bukur, një frymëzim i çastit për të shkruar, me gjasë, pasi ka fjetur në nënvetëdije dhe mandej është konkretizuar. Është nga ato libra, që është shkruar në mënyrë shumë intensive për një kohë të shkurtër”, – tregon autorja. Ky roman i cilësuar nga kritika si autobiografik të tërheq në një lexim që të përpin dhe të njeh me shijen e letërsisë së mirë. Për “Gazeta Shqiptare”, Elsa Skënderi zbulon disa detaje rreth librit të saj të parë, hedh dritë mbi disa pyetje që lindi përgjatë leximit, si dhe e lë të hapur mundësinë për të ardhur përsëri pranë njerëzve përmes të shkruarit. Për shkak të profesionit si pedagoge e Gjuhësisë, si dhe pasionit për librat, Skënderi i ka kushtuar rëndësi të veçantë pasurisë gjuhësore. Në roman kemi sythe apo dhe referenca që vijnë shkrirë bukur, për të paralajmëruar diçka ose dhe për kënaqësitë që sjellin leximet e mira. Një atmosferë e jashtëzakonshme, copëza nga promovimi dhe pritja me entuziazëm nga kolegë, kritikë, dashamirës dhe student vijnë në formën e një buqete luledelesh që ia mbushin shpirtin plot me dashuri.




Si ka fjetur në vetëdijen tuaj libri “Krom dhe luledele”?

Libri “Krom dhe luledele” ka qenë një ëndërr e bukur, një frymëzim i çastit për të shkruar, me gjasë, pasi ka fjetur në nënvetëdije dhe mandej është konkretizuar. Është nga ato libra, që është shkruar në mënyrë shumë intensive për një kohë të shkurtër.

Pse keni zgjedhur një roman autobiografik me në fokus fëmijërinë?

Sa herë që kam provuar të shkruaj, se sigurisht ky është libri i parë, po jo hera e parë që kam provuar të shkruaj, gjithmonë kam pasur prirjen për të shkruar në vetë të parë. Më duket sikur kjo është mënyra më e ngrohtë edhe më përfshirëse e të shkruarit Rrëfimtari në vetë të parë më duket një trill shumë i këndshëm, për ta bërë për vete lexuesin, pasi ta krijon akoma dhe më shumë përshtypjen e vërtetësisë së gjërave që po lexon, të cilat prapë se prapë dhe në fund të ditës mbeten letërsi. Veta e parë është një qasje shumë e ngrohtë për ta ftuar lexuesin për të ndarë me ty përjetimet dhe të gjitha situatat që po shkruan.

Kritika e parë që keni marrë para botimit?

Ka qenë kritikë në lidhje me titujt, që unë kisha menduar. Më shumë kanë qenë në formën e përshtypjeve. Kisha menduar që do t’ia vija titullin “‘97 ime”, por im shoq që është një lexues shumë i përkorë dhe kritikë në sensin e mirë të fjalës, më kritikoi për këtë ide dhe mandej, pas shumë kohe arrita që të finalizoi titullin dhe të zgjedh mes tyre më të përshtatshim, “Krom dhe luledele”.

Nga leximi vihet re një kujdes i veçantë ndaj gjuhës. A ka ndikuar profesioni dhe formimi juaj për këtë veçori të veprës?

Të gjithë ata që e duan letërsinë dhe që janë mëkuar me letërsi të mirë, pa diskutim që kanë një vetëdije të lartë gjuhësore, tipikisht flasin bukur, në raste fatlume shkruajnë dhe mirë. Kështu që, nëse ti mëkohesh me libra të mirë, duhet të kesh kujdes kur vjen çështja tek gjuha. Ndërsa, në këtë rast besoj unë se po ka ndikuar shumë formimi im, fakti që unë jam pedagoge e gjuhës, studiuese e saj dhe sigurisht që unë kam një vetëdije shumë më të lart gjuhësore se sa të tjerët. Në gjykimin tim veprat ndahen në vepra që kanë një subjekt të jashtëzakonshëm edhe në vepra që kanë një stil shumë të mirë. Shpesh dhe me autorë shumë të mëdhenj mund ta shihni që këto dy tematika jo gjithmonë shkojnë bashkë. Kështu për shembull, në rastin e Murakamit, megjithëse ai është një shkrimtar që është i përkthyer e mbase nuk është shembulli më i mirë, pasi diçka mund të humbasë gjatë përkthimit. Murakami nuk shquhet për një gjuhë të jashtëzakonshme, për figura të të shprehurit, por shquhet për subjekte dhe imagjinatën, megjithatë nuk ka një stil gjuhësisht mbresëlënëss të paktën kështu e shoh unë si lexuese. Librat e tij janë ndër të preferuarit e mi sepse kanë fantazi të jashtëzakonshme dhe subjekti i librit është shumë i bukur, përveçse na sjell disa përvoja jetësore dhe kulturore, që për ne janë disi të largëta.

Personazhi i “Krom dhe luledele” që ndikon më shumë në zbërthimin e Elsës së vogël?

Sipas Roland Barthes-it, autori vdiq. E di që ka një ngasje të madhe për ta lidhur interpretimin e veprës me autorin, madje dhe për vepra që nuk janë autobiografike, lexuesit kanë prirje që të gjejnë copëzat e asaj që kanë lexuar në botën reale. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh sot e gjithë ditën. Unë e kam pak të vështirë që të flas për librin tim dhe ti përvijoi mirë kufijtë midis Elsës së vogël si personazh dhe Elsës së rritur prapë si rrëfimtare dhe nga ana tjetër Elsës, njeriut, pedagoges etj. Kur kishim promovimin e librit dhe u them prindërve të mi: Ejani të bëjmë një foto sepse ju kam personazhet kryesore të librit”, im atë më tha: Jo, jo. Nuk jemi ne personazhet kryesor. Personazhi kryesor është Lisi, ai djali i vogël shoku i klasës, që në roman thuhet se Elsa e vogël e pëlqente dhe kishte një farë dashurie platonike për të. Kështu që, mbase është Lisi. (qesh)

Një detaj që e keni shkruar me mëdyshje?

Mund të ketë pasur shumë situata, për të cilat kam qenë e dyjëzuar nëse vërtetë duhet ti përshkruaja ose jo, por gjëja më me mëdyshje, ka qenë pjesa ku rrëfej përrallën e gjyshes. Në përrallës e saj (të gjyshes sime) një grua mjaft e mençur, por vetëm me katër klasë shkollë, megjithatë me një pasion të jashtëzakonshëm për të rrëfyerin dhe mendoni një grua thuajse e përkryer nga pikëpamja e moralit të përgjithshëm shoqërorë (nga niveli moralit domestik), një grua e patëmetë me një sjellje të përkryer, ajo na tregonte përralla, të cilat kishin nuanca e konotacione seksuale. Kur e kam ritreguar përrallën sepse më duhej për ta lidhur me çështjet e feminilitetit, po dhe me seksualitetin, mënyrën si i përjeton dhe si sillet ndaj tyre shoqëria. Kam pasur shumë dyjëzime veçanërisht me personazhin e njërës prej përrallave të saj, por në fund vendosa që duhet të jem mbase e drejtpërdrejtë, ndaj e lashë në të njëjtën formë siç ajo ishte. Jam dyjëzuar shumë nëse duhet ta shkruaja këtë gjë, që është shumë eksplicite nga pikëpamja seksuale apo jo. Në fund, shkrova për të duke e modifikuar pak fjalët që duhet të zgjidhja, pasi nuk doja që libri të mbahej mend pikërisht për atë fjalë, por mandej libri erdhi në këtë formë.

Çfarë përjetimi keni teksa lexoni librin tuaj të parë artistik?

Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm kur e kam marrë librin të printuar. Kam pasur vazhdimisht dyjëzime nëse duhet të filloj të shkruaj ose jo, mandej duhet ta vijoj të shkruarin apo jo, pasi libri ishte gati, nëse duhet ta botoja apo të qëndronte thjesht aty si dorëshkrim. Kur e kisha në duar, pata një ndjesi sikur po mbaja një bebe. Në mikesha ime e cilësoi ‘libër bebe’ edhe kishte shumë të drejtë. Ta shikoje të konkretizuar të gjithë atë periudhë përjetimesh të jashtëzakonshme sepse do që të futesh në një botë që është tërësisht më vete. Bota e librit është komplet tjetër gjë kur ti shkruan. Nuk ka lidhje fare me realitetin, përditshmërinë, mbase edhe me monotoninë. Është i gjithi një proces më vete dhe ti hyn në ca vrunduj përjetimesh dhe je e gjitha aty. Ti ekziston vetëm në kuadër të të shkruarit të librit. Kam dëgjuar pjesëza nga leximet që kemi zhvilluar me auditore të ndryshme dhe marrë përjetime shumë të bukura, prekem njësoj thuajse si në çastet kur i kam shkruar.

Pyetja më e veçantë që do i bënit Elsës, personazh në libër?

A je shumë e trishtuar? Arsyeja pse do ta bëja këtë pyetje do të ishte sepse Elsa e vogël në libër është një fëmijë që dhunohet shumë, është një fëmijë që jeton në një kohë trazirash dhe gjithashtu jeton me frikën e dhunës veçanërisht në shkollë. Ai vit ka qenë vërtetë i trishtë.

Çfarë do ju ngacmonte për një libër të dytë?

Të shkruaj për mua është i gjithi një akt frymëzimi, duhet të kem ndonjë ngacmim shumë të fort. Nga ana tjetër në kushtet kur ti ke një profesion tjetër, në të cilin duhet të rritesh edhe librat studimorë janë proces krijimi edhe kërkojnë kohën e tyre. Në këto kushte koha është shumë e limituar. Nuk e di se kur do të vij ngacmimi, por në të njëjtën kohë edhe kur do të vij ngeja e nevojshme për tu ulur dhe për të shkruar.  Për më tepër kam përshtypje kaq të mira dhe kam marrë kaq shumë dashuri dhe përgëzime nga lexuesit, miqtë. E gjitha më ka lënë një shije shumë të mirë sa besoj se do të më mjaftoi dhe do ma mbajë ngrohtë shpirtin dhe për mjaft kohë. Kur të kem sërish nevojë për të folur, për të projektuar mbresa, përjetime, ide, opinione atëherë do ta bëj sërish do të shkruaj prapë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.