KULTURË

PARTIZANË E BALLISTË LUFTA/ Akademikja Dado: Politika ka dhunuar studiuesin, historiografia me probleme

12:00 - 15.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është mbajtur dje në Akademinë e Shkencave në Tiranë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”. Mes të tjerash në të referuan Dr. Ardit Bido për “Përpjekjet për organizimin e rezistencës nga Mbreti Zog në vitet 1939-1940”, Valentina Duka për temën “28 apo 29 Nëntori: një shqyrtim kritik i dokumenteve arkivore shqiptare”; Prof. asoc. Sonila Boçi për temën “Nga rivalë politikë në armiq: metamorfoza e marrëdhënieve ndërmjet PKSH/Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar (1942-1944)”. Prof. Romeo Gurakuqi foli për “Një përpjekje për periodizimin e Luftës së Dytë Botërore në trevat shqiptare, 1939-1945”, prof. Ana Lalaj për “Revanshin” kundër Luftës, akademik Beqir Meta për “Interesat kombëtare dhe forcat politike dhe ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Prof. Hakif Bajrami mbi temën “Rëndësia e KNÇ të Kosovës për përhapjen e antifashizmit te shqiptarët”, Prof. Muhamet Shatri mbi “Tiparet fashiste që demonstroi antifashizmi serb dhe qëndrimi ndaj popullsisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, akad. Francesco Altimari “Mbi qëndrimin e komuniteteve arbëreshe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste: analiza e disa dokumenteve të pabotuara arkivore”, prof. Fatmira Rama për “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë” në krah të koalicionit antifashist, prof. Prof. Hamit Kaba për “Aleatët anglo-amerikanë dhe Fronti Nacionalçlirimtar: fati i kërkesës për njohje politike”.




DADO
Akademikja Floresha Dado, Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në fjalën e saj tha se lufta është ngjarja rreth së cilës në tre dhjetëvjeçarë është shkruar e diskutuar më shumë.
“Një jubile i madh mund të nderohet në mënyra të ndryshme. Dhe kremtimi shkencor i këtij jubileu lidhet me parime themelore metodologjike të qasjes ndaj objektit shkencor. E dimë të gjithë, studiues të nderuar, se sa debate, madje dhe përplasje janë zhvilluar në këto vite në gazeta, emisione televizive, botime. Akademia e Shkencave ka detyrimin shkencor të thërrasë për këtë interpretim dhe vlerësim të gjithë historianët që e duan dinjitetin e vendit, ndonëse mund të kenë edhe mospajtim në tezat e tyre. Ne nuk mund ta lemë këtë temë themelore të historisë peng të medias, të opinioneve të njerëzve që nuk kanë lidhje me thelbin e historisë…”, tha Dado. Ajo shtoi se historiografia jonë vazhdon të ketë probleme, që vijnë nga tre faktorë: 1.kompleksiteti i periudhës ‘39-’44, me lëvizjet e brendshme dhe të jashtme që karakterizuan atë; 2. Pamundësia e njohjes së plotë të dokumenteve dhe pushteti ideologjik në studimet e para ‘90-ës; 3. Mundësitë e pakufizuara sot të gjetjes së dokumenteve të reja, të kuptimit më të gjerë të periudhës në specifikat e brendshme dhe të jashtme të saj. sipas Dados, këta faktorë sigurisht e kanë komplikuar punën. Me këtë rast, ajo shprehu keqardhjen ndaj çdo lloj qëndrimi ekstrem, mohues për një ngjarje kaq madhore në historinë e shqiptarëve, të cilët u renditën me dinjitet në krahun e fitores botërore. “Kjo është një krenari e të gjithë historianëve, është një motiv i madh që nuk duhet të përplasë studiuesit, por që vetëm jep shtysën për të zgjeruar njohjen mbi një periudhë që pati kompleksitetet e veta. Duke qenë institucion që ka detyrë të jetë në krye të kërkimit shkencor ne i përmbahemi mendimit që ngjarje të tilla historike mund dhe duhet të shërbejnë si shkas për nxitjen e mëtejshme të mendimit shkencor.

Konferenca jonë nuk është një mbrëmje artistike jubilare, por kontribut i gjithë historianëve për të zgjeruar qasjen…Vlerësimi në shkencë bëhet me interpretimin dokumentar të së vërtetës, me mposhtjen brenda vetes të paragjykimit politik, me dëshirën e komunikimit të ndershëm shkencor të një qëllimi të përbashkët”,-tha akademikja. Ajo theksoi se gjithë popujt e Evropës krenohen me historinë e tyre antifashiste, edhe ne, gjithashtu! Gjithë popujt e dinë se në historinë e tyre nuk kishte një vizë drejtvizore, por me ngjitje, ulje, gunga të cilat janë jo thjesht të natyrshme por nganjëherë të pashmangshme! “Edhe ne, gjithashtu, nuk kemi pse mos e shohim drejt atë vizë që për shumë arsye nuk mund të ishte drejtvizore! Qëllimi i një historiografie serioze është të interpretojë thelbin e asaj që ndodh në jetën e një populli në kontekste të ngatërruara: për të pranuar me ndershmëri se zigzaket e forcave ndërluftuese, luhatjet, gabimet etj. janë pjesë e historisë njerëzore në çdo epokë, për të pranuar me ndershmërinë e një studiuesi serioz dominanten e luftës, dominanten e rolit historik të gjithë forcave… Kjo nuk mund të jetë tendenciozitet politik, sepse sa herë politika ka ndërhyrë ajo ka dhunuar personalitetin e studiuesit”, vërejti akademikja. Sipas saj politika dhe shkenca janë dy forma të ndryshme të veprimtarisë njerëzore. “Problem themelor për historiografinë janë parimet metodologjike mbi të cilat ajo zhvillohet.

Raporti i historianit me politikën, i historianit me dokumentin, larg seleksionimit të fakteve, koncepti i marrëdhënies me të vërtetën, dallimi midis synimit në momentin e luftës kundër pushtuesit dhe synimit të mëtejshëm të forcave përfshirëse në këtë rezistencë, dallimi midis publicistikës dhe historiografisë (kur amatorë, persona që nuk kanë lidhje me shkencën ngatërrojnë dy format e veprimtarisë intelektuale: shkencën me eseistikën dhe interpretimin publicistik. A mund të ndryshojë një dokument kuptimin e vlerave të luftës kundër pushtuesit? Apo vlerësimin e forcave apo figurave të spikatura të atij realiteti?”, pyeti ajo, duke shtuar se ruajtja e ekuilibrit midis dokumentit dhe subjektivitetit të interpretimit sigurisht është dukuri njerëzore dhe si akti më i vështirë për të vënë në kontroll veten. Kemi vënë re se dy debatues i referohen dokumenteve të ndryshëm për të provuar tezën e vet. “Dikush citon dokumente angleze, dikush gjermane, dikush amerikane, dikush deklaratave të personave pjesëmarrës në luftë etj. dhe debatojnë, përplasen midis tyre… Lind pyetja: ç’ndodh me dokumentet?”, tha Dado, duke nënvizuar se është mjerim shkencor ngazëllimi i ndonjë shkruesi për zbulimin e ndonjë momenti, fakti që zhvlerëson sakrificat, që përbalt persona të luftës sonë ndaj pushtuesit, që e sposton vëmendjen nga dominantja historike te momente të veçanta. (gungat që thashë më sipër). “Pse ky afsh antishqiptar, nënvlerësues ? E kuptoj që zbulimi i dokumenteve të reja, interpretimi i tyre në logjikën e historicizmit, pa fshehur e pa zbukuruar asgjë, është detyra e studiuesve, por shkencë nuk do të thotë të përmbysësh nisur nga motive politike, por t’i japësh kuptim së vërtetës. Nga ana tjetër historiografia jonë nuk mund të mbetet peng i komplekseve të trashëguara, në istikamin e refuzimit të fakteve që arkivat i kanë të hapura. Njohja, rivështrimi shkencor nuk e zhvlerëson luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë, vlerësuar qartazi nga shtetet e mëdha ndërluftuese”,-tha Dado.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.