KULTURË

Skënder Gjinushi: Historia nuk është si matematika, mjerë kombi që nuk nderon figurat e veta

12:30 - 15.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, në fjalën përshëndetëse në hapje të konferencës “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”,-tha se vërtetimi i dokumentuar i pozicionit historik të shqiptarëve në krah të aleancës botërore kundër fashizmit i rezistencës shqiptare ndaj pushtimit që në ditët e para; e shprehur kjo në të gjitha format, prej rezistencës paqësore, njësiteve guerile, deri te lufta e armatosur që çoi në çlirimin e vendit nga forcat partizane më 29 nëntor 1944, është një prej synimeve themelore të kësaj konference.
Ai vërejti se thirrja e njohur e kahershme e rilindësve patriotë shqiptarë shpallur vendosmërisht në Memorandumin e Greçës; Boll luftuam për të tjerë – u bë udhërrëfyes i historisë sonë të shekullit XX. “Shqiptarët, të cilët për shekuj me radhë kishin kontribuuar për revolucionin kombëtar dhe pavarësinë e Greqisë; për çlirimin e popujve të Ballkanit; në shekullin XX e morën fatin e vet në dorë duke kërkuar dhe arritur mëvetësinë shtetërore, më 1912, duke u rreshtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në krah të forcave më përparimtare, duke u bërë faktor në mposhtjen e nazi-fashizmit, e përkrah Evropës Perëndimore në 1990 në çmontimin e sistemit komunist. Çdo pozicionim i gabuar në këto periudha kyçe të historisë evropiane do të ishte me pasoja fatale për shqiptarët”,-u shpreh Gjinushi. Sipas tij, pa këtë rreshtim, Evropa dhe bota e qytetëruar nuk do ta kishin të lehtë të merrnin vendimin historik-epokal për t’u vënë në krah të popullit shqiptar të Kosovës më 1999 deri në çlirimin e saj. “Të gjitha këto nuk kanë qenë kontribute individësh, pa mohuar rolin e gjithkujt, por mbi të gjitha kanë qenë frymë dhe prirje panshqiptare, zgjidhje historike e këtij populli për të qenë në krahun e lirisë e të çlirimit, sa herë historia ua ka ofruar këtë mundësi”, tha Gjinushi. Sipas tij, nga prurjet e reja në konferencë do të dalë në pah edhe një herë fakti se Shqipëria, nëse do i referohemi një shqetësimi të njohur të Çërçillit për të gjetur një referencë për nënshkrimin e kartës së Atlantikut, nuk u rreshtua kundër fashizmit prej politikës, por prej frymës dhe rezistencës së popullit, rezistencë kjo e shprehur me të gjitha format dhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ndodheshin, në Kosovë e Çamëri.




“Punimet e kësaj konference do të përforcojnë premisën shkencore që për çdo zhvillim e protagonist historia duhet të jetë objektive dhe e paanshme. Deformimi i tyre nuk është vlerësim apo zhvlerësim i figurave apo kontributeve të individëve apo forcave të caktuara. Deformimi i historisë për zhvillimet epokale, me rëndësi kushtëzuese kombëtare për të ardhmen përbën mohim të vlerave reale të popullit shqiptar, të të rënëve në luftë; të heronjve e dëshmorëve të veteranëve; të arritjeve të popullit për liri e çlirim kundër fashizmit apo etnocidit”,-tha Gjinushi. Ai solli shembullin e Kosovës, kur tha se “shihni me ç’këmbëngulje po kërkohet sot të zhvlerësohet e të deformohet roli i UÇK-së në historinë moderne të Kosovës. Rajoni ynë dallohet, e ende nuk është i çliruar nga sindromi i shtrembërimit, keqpërdorimit dhe protagonizmit vetjak e të pamerituar në histori.
Ndryshimi i sistemit politik, ashtu siç pritej, hapi dhe debatin e rishikimit të së shkuarës”. Sipas Gjinushit, historia nuk është si matematika. “Premisa e kësaj disipline, që po të jetë se një pohim është i gabuar, atëherë e kundërta është zgjidhja e drejtë, nuk ka vlerë në shkencën e historisë. Sa i takon shkencës së historisë, do të preferoja që qëndrimin institucional të Akademisë së Shkencave ta shprehja përmes asaj këshille thelbësore që na vjen prej Gurakuqit të madh: Mjerë ai komb që nuk nderon figurat e veta. Punimet e kësaj konference, me tërësinë e tyre, duke çmuar prirjen para detajeve, karakterin e epokës para episodeve, do të rivendosin në vendin e tyre të nderit ngjarjet dhe protagonistët e kësaj epoke”, përfundoi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.