KULTURË

Paskal Milo merr çmimin e Akademisë për librin më të mirë për antifashizmin

11:00 - 16.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U zhvillua ditën e djeshme në Akademinë e Shkencave ceremonia e dhënies së çmimeve shkencore më cilësore mbi antifashizmin, te konkursit për veprën shkencore më cilësore kushtuar antifashizmit të popullit shqiptar, botuar ndërmjet viteve 1991-2019 me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë me një juri ndërkombëtare të përbërë prej akad. Marenglen Verli (Kryetar i Jurisë), prof. Valentina Duka, prof. Hamit Kaba, akad. Jusuf Bajraktari dhe on. Mario Brunetti. “Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në konkurs, të cilët, të propozuar nga botuesit dhe institucionet apo të vetëpropozuar, kanë qenë më shumë se e mendonim, rreth 700 autorë”, tha Vasil Tole nënkryetar i Akademisë. Ndërkaq, vuri vuri në dukje se nuk ka pasur prurje të autorëve të rinj.




Çmimi për studiuesin shqiptar iu dha veprës “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, me autor studiuesin Paskal Milo. Për të, motivacioni ishte “Vepër shkencore me vështrim panoptik për vlerat e antifashizmit shqiptar dhe për zhvillimet më të rëndësishme politike dhe ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore në gjithë hapësirën historike: në Shqipëri dhe në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Mal të Zi e Çamëri; trajtim me përgjegjësi të lartë shkencore dhe etike i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, mbështetur në dokumente të shumta arkivore vëndëse dhe të huaja, vështruar në rrafsh krahasues me dëshmi të vetë protagonistëve të Luftës, një pjesë e madhe e të cilave të panjohura më parë”.
Çmimi për studiuesin e huaj iu dha veprës “Lufta e fshehtë në Shqipëri – një histori e misioneve britanike 1940-1945”, me autor studiuesin Roderick Bailey. Motivacioni për të ishte e cilësoi “Studim i thelluar në burime të rezervuara dhe në interpretime shkencore, në të cilin zbulohen anë të panjohura të rezistencës antifashiste të shqiptarëve; që u rreshtuan në kahjen më përparimtare të historisë gjatë Luftës së Dytë Botërore; përkrah kauzës së madhe botërore të aleancës fitimtare; mbështetur në fonde arkivore që paraqiten për herë të parë; me rëndësi themelore për vendosjen e një standardi të ri të rrëfimit historik; ekspertizë verifikuese prej studiuesi të specializuar për këtë fushë; vepër e shkruar me respekt për popullin shqiptar, për njerëzit që luftuan së bashku për kauzën antifashiste, pavarësisht orientimeve të tyre”.

Sipas prof. Pellumb Xhufit “Në kaosin e botimeve dhe interpretimeve thellësisht të politizuara që i bëhen në Shqipëri ngjarjeve të Luftës II Botërore, ky libër (i Roderick Bailey), me mbështetjen dokumentare të jashtëzakonshme të tij dhe me qëndrimin e distancuar dhe objektiv të autorit, vendos një rregull e një standard në rrëfimin historik, që për fat të keq ende nuk konstatohet në historiografinë shqiptare. Si i tillë, ky botim, që përkon edhe me 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut dhe, njëkohësisht, të fitores së aleancës botërore kundër fashizmit përbën një kontribut të vyer për shkencën historike dhe për kulturën shqiptare”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.