BOTA

Përhapja e kryengritjes së përgjithshme kundër rritjes së çmimit të gazolinës në qytete të ndryshme

18:00 - 16.11.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këtë mëngjes, të shtunën më 16 nëntor 2019, mijëra njerëz në shumë qytete iraniane organizuan tubime protestash, bllokuan rrugët e autostradat, u vunë flakën gomave të makinave dhe thirrën sllogane anti-regjim, duke protestuar kundër trefishimit të çmimit të gazolinës e duke shprehur zemërim e përbuzje ndaj regjimit kriminal e të korruptuar të mullahëve.




Teheran, Karaj, Shahriar, Isfahan, Shiraz, Tabriz, Ardebil, Orumiyeh, Rasht, Sari, Babol, Behshahr, Kermanshah, Javanroud, Kamyaran, Sanandaj, Neyshabur, Saveh, Birjand, Nurabad Mamasani, Marvdasht, Bojnourd, Andimeshk, Nour, Bushehr, Mahshahr, Chabahar, Gachsaran, Abadan, Behbahan, Bandar Rig, Kangan dhe Iranshahr janë skena të protestave e demonstratave të mëdha.

 Njerëzit në Teheran, pa u shqetësuar për dëborën, i fikën automjetet e tyre në Autostradën Hakim, duke thirrur “Vdekje diktatorit,” “Iranianë të denjë, mbështetje, mbështetje.” Në Tehran Pars, një numër i madh njerëzish dolën nëpër rrugë duke thirrur me sllogane anti-regjim. I tmerruar nga përhapja e protestave në pjesë të tjera të Teheranit, regjimi pozicionoi dhjetëra agjentë me motoçikleta, si dhe një kope me anëtarë të Forcave të Sigurisë së Shtetit, dhe agjentë të inteligjencës e me veshje civile në Sheshin Enghelab e në vende të tjera delikate.

Autostrada Tehran-Karaj u bllokua nga të dyja anët. Një numër i madh njerëzish në Karaj i fikën automjetet e tyre dhe bllokuan rrugën që të çon në qendrën tregtare Molla Sadra dhe në Rrugën Beheshti.

Në Tabriz, një grup i madh njerëzish bllokuan Autostradën dhe u përplasën me Forcat e Sigurisë së Shtetit, duke thirrur sllogane kundër tyre, duke i quajtur ata “horra, horra”. Protestuesit u mblodhën në Sheshin Fahmideh e thirrën sllogane anti-regjim. Në Ardabil, njerëzit i parkuan makinat e tyre në rrugët kryesore të qytetit, duke përfshirë Rrugën Chahar-Rah dhe Sheshin Shariati, dhe organizuan një protestë.

 Në Sanandaj, njerëzit i fikën makinat dhe thirrën me sllogane anti-regjim. Anëtarët e forcave shtypëse, me motoçikleta i sulmuan protestuesit dhe plagosën disa prej tyre. Në Kermanshah, njerëzit u mblodhën në Sheshin Azadi të qytetit dhe thirrën me sllogane kundër liderëve të regjimit. Në Javanroud, masa të tëra të rinjsh u ulën në rrugë.

 Në Shiraz, njerëzit u mblodhën në Kryqëzimin Zendan (Burgu) dhe thirrën me sllogane anit-regjim. Ata bllokuan gjithashtu unazën rreth Qytezës Industriale të Shirazit. Njerëzit u grumbulluan gjithashtu në qytezat Kashan, Ma’ali-abad, Afif-abad, Molla Sadra, dhe Zand. Në zonën kryesore industriale të qytetit, njerëzit i fikën makinat dhe i bllokuan rrugët nga të dyja anët. 

 Ata u vunë gjithashtu zjarrin disa qendrave represive, duke përfshirë dy baza paraushtarake Bassij. Në Nurabad Mamasani njerëzit kanë dalë jashtë duke thirrur sllogane anti-regjim.

 Në Isfahan, njerëzit i ndalën makinat në autostradën Agha-Babaii dhe zhvilluan një protestë.

 Në Bushehr, banorët i ndalën makinat në rrugë dhe mbajtën grevë. Një numër njerëzish u mblodhën jashtë Zyrës së Guvernatorit. Të rinjtë u përplasën me Forcat e Sigurisë së Shtetit duke thirrur, “Horra, Horra.” Regjimi u përpoq ta shpërndante turmën duke përdorur tanke uji.

 Në Bandar Rig të provincës Bushehr, njerëzit bllokuan Kryqëzimin Bandar Rig dhe nuk ua lejuan kamionëve të ngarkoheshin. Në Mahshahr, të rinjtë bllokuan autostradën Mahshahr – Khor-Moussa duke u vënë zjarr gomave të makinave.

 Në Chabahar, njerëzit bllokuan rrugët, u vunë flakën gomave të makinave dhe thirrën me sllogane anti-regjim. Bllokimi i rrugëve shkaktoi trafik të rëndë. Forcat represive sulmuan njerëzit dhe ua morën celularët për të mos u lejuar të bënin video e foto.

 Në Kangan, gjithashtu në Bushehr, njerëzit zhvilluan protesta e thirrën, “Rouhani turp të kesh, lëre rehat vendin.” Në Abadan, të rinjtë bllokuan autostradën Shadegan-Abadan dhe u vunë flakën gomave të makinave. Në Gachsaran, banorët fikën makinat e tyre dhe zhvilluan protesta në rrugë. Në Andimeshk, njerëzit thërrisnin, “As për Gazan, as për Libanin, e jap jetën për Iranin.” Në Iranshahr, në jug-lindje, të rinjtë u vunë flakën gomave të makinave dhe bllokuan rrugët e qytetit.

 Në Behbahan, njerëzit i parkuan makinat në rrugë dhe zhvilluan tubime proteste. Forcat shtypëse qëlluan për ta shpërndarë turmën. Duke thirrur “Vdekje Khamenei-t,” njerëzit u përplasën me ta dhe u vunë zjarrin disa qendrave të regjimit, duke përfshirë Bankën Melli. Në Bojnourd, në veri-lindje, njerëzit bllokuan Bulevardin Vakil-Abad duke i fikuar makinat e tyre.

 Mbrëmë, njerëzit në Birjand, veçanërisht të rinjtë, zhvilluan një demonstratë, duke thirrur “Iranianë, mjaft më, tregoni dinjitetin tuaj,” “mos kini frikë, jemi të gjithë bashkë.”

 Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e ka përshëndetur popullin iranian për faktin se është ngritur dhe u ka bërë thirrje njerëzve, sidomos të rinjve, që t’i mbështesin protestuesit. Ajo ka thënë se për sa kohë që mullahët të mbeten në pushtet, vjedhja, plaçkitja dhe grabitja e pasurisë së popullit do të vazhdojë ose kjo pasuri do të shpërdorohet për luftënxitje, eksport të terrorizmit dhe programe bërthamore e raketash. Znj. Rajavi i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë politikat shtypëse të regjimit klerikal dhe ta mbështesë të drejtën e populli iranian për ta ndryshuar teokracinë në pushtet dhe për të themeluar demokracinë dhe sundimin e ligjit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.