KULTURË

KEL DEMI & EDMOND TUPJA/ “Një orë e ligë” e “Kujtimet e një karrigeje” rrinë përballë

10:00 - 17.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në një festë libri, ku marrin pjesë nobelistë e autorë botërorë, duket se mbeten mënjanë shqiptarët. Teksa gjurmojmë letërsitë e mëdha e emrat e konfirmuar në gjuhë të huaj, mbase krejt pa dashje lëmë në hije shqiptarët me të cilët jetët tona rropaten njësoj, me të cilët ndajmë të njëjtën histori, të njëjtët dhembje e të njëjtat gëzime. E në fakt, e jona është më së shumti letërsia shqipe. Në një javë ku lajmet e kulturës janë endur mes luftës, partizanëve, ballistëve, debateve, dëshmorëve e tradhtarëve, ideologjisë komuniste dhe mohimit të pas ‘90-ës si skajet ekstreme të përditshmërisë sonë, mes Butrintit, fondacioneve e çmimeve të Akademisë së Shkencave, vëmendja ndaj letërsisë shqipe u mor nga ngjarje të tjera. Në këtë ditë të fundit të panairit, mundemi megjithatë të gjejmë ende në stendën e “Pegit” dy libra shqip, “Një orë e ligë” e Tom Kukës (Kel Demit) dhe “Kujtimet e një karrigeje” të Edmond Tupjes. I pari gazetar e i dyti mik i gazetarëve.




ROMANI “NJË ORË E LIGË”      

Në një kohë të pakohë, kur ligjin e bënte gjashtarja, kur hakmarrja ishte nder dhe dashuria turp, mjafton që ky rend të përmbyset dhe të ndodhë gjëma. Sali Kamati, bir i një dere të madhe, i detyruar nga doket e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash sypatrembur, Sali Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. “Kënga thotë rërë”, rrëfen Sali Kamati, që kërkon t’i vihet burrëria në vend, por tashmë ajo ka marrë dhenë dhe ka shkuar gjer në oxhakun e tij, ku Dirja, e shoqja, e pret veshur në të zeza, sepse e di që radhën e ka i shoqi. I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë punët dhe kamjen e vet që kur t’i vijë ora e vdekjes, t’i lërë të tërë të rregulluar. Fati ose ora e mbrothtë i ka caktuar tjetër rrjedhë jete, kur në shtëpinë e tij, vjen si mysafire Tusha, mbesa e së shoqes, që e mbush vatrën me frymë të re, gaz e hare. Ia çel zemrën dhe i jep jetë Sali Kamatit, por urrejtja, turpi dhe thashethemnaja që mbushin katundin do t’ia mpakin ngazëllimin, sa të mos dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një fshat i tërë që përgjon dalldinë e Sali Kamatit, mallkohet nga ora e ligë, saqë të gjithëve u bie leskra. Me një gjuhë kuteliane, ku përzihen atmosfera epike dhe ajo lirike, vdekja dhe dashuria, paragjykimi dhe liria, idhnimi dhe ngrohtësia, magjia dhe mallkimet, sutat dhe figura mitologjike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë më të largët se te “Gurët e vetmisë”, në gjenezë të motit. Tom Kuka (alias Enkel Demi) është gazetar në profesion dhe tashmë prej disa vjetësh i është kthyer letërsisë, dashurisë së tij të vjetër. “Ora e ligë” është romani i tij i tretë, pas “Hide mbi kalldrëm” (Pegi, 2017) dhe “Gurët e vetmisë” (Pegi, 2018).

TREGIMET KUJTIMET E NJË KARRIGEJE

“Në një natë me hënë gjysmë të plotë, teksa kundroja sallën e zbrazët, papritmas pata ndjesinë sikur parketi prej druri më përcolli fëshfërimën e disa hapave të matur; prita pak dhe kësaj radhe u binda. Dikush po afrohej duke u kujdesur të shmangte edhe zhurmën më të vogël. Befas, fare pranë meje ndjeva një kërcitje të lehtë të ndjekur nga një ‘Ah!’ me zë femre dhe, menjëherë, nga një ‘Shët!’ me zë mashkulli”. “Kujtimet e një karrigeje” është vëllimi i dytë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. Në to hulumtohen me finesë marrëdhëniet intime dhe dashuria fizike, të cilat shpesh fshehin përmbajtje filozofike dhe shpirtërore. Intimiteti pervers i dikastereve të dikurshme, që nuk kufizohet vetëm në nënshtrimin apo poshtërimin e nëpunësve të vegjël nga eprorët e lartë, rritja dhe zbulimi seksual i vetvetes në moshën e adoleshencës, përballja me trupin, dëshirat, epshet e kontrolluara dhe të pakontrolluara, zbulimet fetishiste thjesht e vetëm për hir të joshjes së seksit, befasia dhe ngasja e një nate të vetme, ngërçi psikologjik i burrave të tradhtuar apo pasojat e një adoleshence të dhunuar trajtohen me një gjuhë të hapur dhe mbështillen me tisin e erotizmit herë brutal e herë të sofistikuar. Edmond Tupja (1947) është përkthyes, publicist, leksikograf dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të aftë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si psh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Fjalor erotik i gjuhës shqipe”, “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.